ERINA ÇOKU – I DASHTUN SHI (cikël me poezi)

ERINA ÇOKU – I DASHTUN SHI (cikël me poezi)
ERINA ÇOKU

I DASHTUN SHI (cikël me poezi)

I DASHTUN SHI

Zdeshun vjeshta â tu shty ret
kinse shiut mos me i bâ udh
avuj andrrat shkojn perpjet
shtegun shiut m’ia saju.
Kinse shiu nuk din gjâ
pret n’andrra m’u ‘qafu
kinse vjeshta s’kupton mâ
shtyn veç pak sa m’u ngacmu.
Kinse, kinse po ban moti
kinse, kinse asht nji loj’
u ter dheu, u perlot moti
eja shi mos ki mâ droj’.
Zdishu vjesht, zdishu re
shpirtkulluem si i pari uj
bjere n’tok ‘i rrfenj t’re
m’zâ dashnie motin pruj.
Andrren tande qiell i nxim
ngjyr tjeter thuje mâ
mbloje zjarmin, mbloje n’hi
shi i xet mos me t’râ!
Zdeshu vjesht e luj me re
prite shiun me t’kallxu
se kur shpirti pri’imen çel
limfa jote nuk shkon hup’.
Uj e frym rreth i persosun
sillen botes lak e lak
ushqejn kangt qiellit e tokes
i bzajn jetes vak pa vak’.

UNË, TI DHE DASHURIA

Dashuria thërrmohet si bukë
për shpendët përtacë të strehëve
për milingonat e egra të qoshkave
për humusin e pemëve të mbijetuara
në qytetin e turbullt ndanë një mali.
Dashuria bëhet lëndë veshtullore
u ngjitet të gjitha objekteve
u vishet reliev i padukshëm ndërtesave
u shkruhet në shpinë kalimtarëve
si gjuhë e turbullt fatthënash.
Dashuria lëshohet prej qielli si lavjerrës ore
kacavaret bimë toke mureve të plasaritura
rri pezull gjendje e pestë e lëndës
ngjishet brenda krijesës
si një shqisë e përveçme ende e panjohur.
Dashuria shpërbëhet në tinguj
jehohet në trupin tim,
jehohet në trupin tënd,
mbush hojëzat e krijesës që jemi.
Dashuria ndodh kështu, ndodh dhe ashtu
shndërrime të vogla në tempullin që jemi
gjersa ne njohim veten tonë të panjohur,
duke u parë në njëri-tjetrin.

VIJA TË BARDHA

Përmes grilave të trupit
drita del e kthehet në hije.

Muzgu gjarpërohet nën lëkurë,
duke kërkuar burimin e parë:
Ishte fryma ndër buzë a sytë e lëngëzuar?

Mbi kubenë tonë kockore
hija shpërhapet e kthehet në dritë.

Agu përdridhet në qafë,
duke kërkuar burimin e parë:
Ishte fryma në flegra a sytë e mbyllur?

Nën tabanin e kafazit tonë kockor
vija të bardha të ndërprera.

Shpirti zgjatet e hollohet për lart,
duke kërkuar burimin e parë:
Ishte jeta këndej a jeta andej?

Në thelbin tonë të butë
dritëhijet janë thelluke me ujë në mish.

Shpirti epet e rritet,
duke kërkuar burimin e parë:
Është koha e frymës a koha e klithmës?

I dashtun shi
Erina ÇOKU
DRITA

Këtu në kraharor, drita që pamë
mendja do ta rrokë – trupi do ta pushtojë
gjithë drita që na mbush, gjithë drita që na çliron.

Këtu në kraharor, drita që shohim
mendja do ta mbajë – trupi do ta ruajë
gjithë drita e marrë, gjithë drita e përcjellë.

Këtu në kraharor, drita që do të shohim
mendja do ta presë – trupi do ta njohë
gjithë drita e thirrur, gjithë drita e mëkuar.

LUNDRIM

Nata si një Lete e vogël
ha ëndrrat tona të vogla
në varkën e gjumit të vogël
pa monedha harrese të vogla.
Në breg çojmë zgjimin.

DEH

Jam dehun me muzg,
koha eterike m’ka mbufatë damarët
e avujt e nxehtë të errtë
m’kanë mbërritë n’tru.

Jam dehun me muzg,
trupi trazon tokë e qiell
e flokët lundrojnë ajrit ngadalë
meduza të përhumbuna.

Jam dehun me muzg,
venat ngulfaten me dritë e hije
e langun do ta plasin
rrjedhë pa ngut në trup.

Jam dehun me muzg,
mbramja m’lutet m’u përmend
fjalë-heshtjeve të mpita,
por etja m’ka plasë gojën e puthjet.

Jam dehun me muzg,
nata m’mblon supet
e dita m’pshtillet qafe
me m’rujtë shpirtin n’zjarrmi.

Jam dehun me muzg,
fryma m’lshon andrra
e mendtë m’pshtillen sysh
t’u muzgue ndijoreve.

GJËRA TË TJERA

Kështu qielli shtrohet në ty,
drita poreve të dhemb
dielli ndërrohet me natë
nata ndërrohet me diell.

Kështu me shiun pikël mblidhesh
thellë brenda vetes ulur këmbëkryq
matesh-matesh të pamatshmes
krahëhapur për gozhdë në kryq.

Koha ndalet, koha shpon
ikën-vjen pa siguri
i kuq gjaku rrjedh njësoj
i kuq, të njëjtës vijë.

PUTHJA

N’gojen tande fle nji puthje,
nji e vetme
si e diela me shi e nji jave pa ndodhi.

N’gojen tande fle nji puthje,
e errt, e lagsht
si syt e mbyllun nji andrre pa mall.

N’gojen tande fle nji puthje,
e ngrohte, mkuese,
si pulsi i nji qafe t’zhveshun.

N’gojen tande fle nji puthje,
n’emen t’gjitha puthjeve,
e imja puthje.


Më shumë mbi Erina ÇOKU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!