ZEF SEREMBE – ZOTIT (poezi, me një hyrje të shkurtë prej Arshi Pipës)
ZEF SEREMBE
ZOTIT
Paraqesim qysh në numrin e parë të “Kritikës” Seremben, arbreshin titan gati të panjohun, (asht nji ndër qëllimet tona me zbulue vlerat e panjohura). Serembe asht nji nga poetët ma të mëdhej arbreshë. Na e rendojmë bri De Radës e bri Skiròjt. Në se qëndron nën ta për kah gjanësija e veprës, ua kalon atyne për fuqin e sulmin e idevet. Serembe prekë majet sublime ma shpesh se asnji tjetër. Poezia e tij asht nji aventurë madhështore e shpirtit qi don lirí e ngadhnjim. Në kët aventurë rrëzimet janë të shpeshta : kush nalt ngjitet, thellë gremiset. E shohim pra Seremben, po aq shpesh sa ndër sulme, ndër ankime e dëshpërime të pafund. Serembe nuk njeh udhat e mesme. Fluturon ose ngrehet rrshanë : nuk din me hecë.
Shpirti qi ngjitet nalt «me sulm rrufeje» asht shpirt ngadhënjimtari o mistiku. Aj vetëm mund t’ arrijë te Zoti. Nuk mund t’ i afrohet Zotit kush nuk ka as guxim as përvujtní. Serembe ka ma tepër të parin. Shpirti i tij priret kah Zoti si kah mundësi i tij. Te Zoti aj kërkon paqen : at paqe qi i mungoi vazhdimisht gjatë jetës. Manija demoniake e tij e ngrehu nepër ravgime të paprâshme, nepër vuajtje të pasosura. I mungoi besimi i plotë për me gjetë paqë në mendimin e Zotit. Por u-ngushllue vazhdimisht me tê. Kshtu ban njeriu qi ka dy shpirtna të kundërt në vetvehte : lutet e truen, bekon e nam.
Kjo poezi nuk asht lutje, në fund. Asht nji brimë dëshpërimi ma tepër se nji lutje. Nji padí e mëshehun këthen herë mbas here ndër të ngjiturat e ksaj jeremiade madhështore : padí kundra fatit të keq, padí kundra Atij qi i caktoi ket fat. Hyjnija, së cilës i drejtohet zjarrtaz poeti, i mbetë gjithnji larg. Kurr arrîn në kuptimin e ksaj gjendjeje, poeti ka prekë kufijt e poezís së tij. Ma tutje janë zbraztinat e pakuptueshme të qiejve të ftoftë, ndër të cilat siellet rrotull – busull e prishun – mendimi pa gjetë kurrnji limâ.
Ato pak vjersha të Serembes qi tepruen nga «shqota» e jetës së tij, gjinden të mbledhura, nepër kujdes të nipit Kozma, në vllimin «Vjershe». Në vjetin 1883 Serembe përkëthei n’ italisht disa nga kto vjersha dhe i botoi në Cosenza, tue u shtue edhe disa tjera italishte, nën titullin : «Poesie italiane e canti originali». Poezija qi japim këtu të perkëthyeme asht njena prej atyne gjashtëvet qi përbajnë «Kangët origjinale». – Shënojmë se ky vëllim asht shumë i rrallë e gati nuk njihet fare prej studimtarvet. E gjetëm – mbas kërkimesh, kur kishim fillue me dyshe mbi vetë qenjen e librit – te Z. Terenc Toçi, të cilin e falenderojmë, me kët rasë, për lêjen me e kopjue.
O Zot, m’ vështrò, plandosun
un jam në fund t’ mjerimit !
Nji dhimë e pasosur
lulen e rinís seme po m’ a brén !
E pres e mbaj uzdajë e kurr nuk lén
dita e mëshirës dhe e faljes sate
për kët zemër të lodhun
qi fshân e lngon e hjek e vdes !
A s’ jé ti Pakufini, çdo krijesë
për ty a nuk lëvizë te Gjithësija ?
Çdo dhimë a s’ vjen prej Teje, zemra tona
për ty a s’ përtërihen prej hareje ?
Kur fjala e jote nuk i premtoi paqe
atij qi kqyrë drejt Teje n’ dit’ e kqija ?
Apor don, Zot, qi e shkretueme të vdesë
shkëndija e jote qi n’ mërgim po dergjet ?
Ti mbret i Qiellit, Zot e Perendí !
Ty t’ vijnë për rreth e diej e hapsina !
Ti botna dritash farfuron kah shkrepet
jeta e ré qi pushton mbarë t’ Krijuemit !
Dritë e amëshueme ! Dije ! Dashuní !
Nga zani i yt mistershëm rrahin flatrat
ernat e bulurojnë tmerrshëm shtërgatat !
E gjithnji bahet lufta e n’ kaq përftohet
ma i bukur Rendi e Kanga ma e kthielltë !
I gjithpushtetshëm jé ! . . . E un qi i përplasun
nepër aq brenga e shkova jet’ n e zezë
ndij edhe vetë fuqín e Fronit tyt !
Ti çán si dyllin kupën e qiellit !
Te ti Qenja buron ! N’ avise t’ territ
nuk don qi ajo të birret.
E i flet me dashuní e i dhuron zemrën
«ushqim i qiellit mbi dhimat njerzore» !
Deh ! vrej, o Zot, mendimin
e harmonishëm qi m’ shkëlqei te djepi !
Shif flakën qi më shkrepi te krahnori !
E un me art të ri e zemër t’ ré
nji ditë shpresojshe valët
e shpirtit të njeriut me vizatue,
e kangën me i naltue
Âtij qi doli ngadhnjimtar mbi vdekjen . . . 1)
Sa herë n’ heshtín e netevet të mbyllta
me sulm rrufeje hipi përmbi hyje
mendimi i im drejt te Fëtyra e jote !
Zhvilloheshin avise bukurije !
Vepra t’ reja burojshin n’ drit’ e dlira !
E poshtë u-ndinte nepër paansí
gjama e stuhís qi hikënte me vrull. 2)
E atherë kur un u-zgjojshe, o Zot, ti vetë
vështrove dit’ e mija e t’ gjitha çasat !
Ti e njeh mendimin tim, i njeh dëshirat
e zjarrta t’ mijat. Nën rrezet e qeta
t’ hanës mikeshë, me shushumrim’ n e flladit,
me kangën e përvajshme të bylbylit,
Ty vetëm, Zot, t’ a çila vajin tim !
Gjithka kaloi . . . Mandej përshkova Detin
i shtymë nga faji qi m’ pati pushtue.
E Ty t’ u-luta, o Zot, por ti qindrove
larg fshamjes seme, e atherë un u-rrëzova
si gur i shkretë i përplasun për dhé.
E vdiq me Zanën teme gjithë uzdaja,
nji natë e pa-agim gjithkah m’ mbuloi.
E bota m’ qeshi, mue qi e kishe zemrën
të grisun, m’ qeshi me përbuzje e tallje !
E vetëm ndêja atherë me dhimën teme,
Vetëm tue u-mahitun me kujtime.
Si bima vetmitare ndër shkretina,
si uji i sheut, kjo jeta e eme
thahet kshtu e pa haré.
O Zot, mos m’ len ti vetëm
t’ harruam mbi kët t’ trishtueshmin dhé !
M’ shërò plagët e zemrës, m’ ep ti paqën !
Ban qi mbi né t’ mbretnojë prap dashunija !
Ban çdo fajtuar t’ gjêj falje dhe mëshirë !
M’ i kullò lotët mbi qepalla, ban
qi t jém si lili rishtazi i dlirë !
Sa terrin e dyndë dielli
kur ndezë flakë detin e shkëlqen mbarë boten.
Bulon qeshja e ndijohen gaz e lojna
e bukurija duket madhniplote.
E kur ti, Zot, shikon ndër zemra tona
parajs asht zemra mbarë.
Shuhen njollat e rilindin shkëlqimet,
zbulohet rishtazi lirija e parë.
M’ ndigjò ti o Perendí !
e n’ mes të shqotës ti mos m’ len ma gjatë !
M’ ep paqë tash qi rinija e eme
ndër dhima asht sosë, m’ ep paqë !
N’ se kunora me lila e me viollca
nuk mund të gërshetoj me dorën teme,
n’ se gema lisash e gjethe lari
te kryqi i yt un kot shpresoj t’ i vari,
te rranza e qiparisit un çdo ditë
kët fatin tim njerzuer kam me vajtue,
e Ty, o Zot, o Perendí, mbi krahët
e dashunís lutjen kam me t’ naltue.
E kur mandej i lodhun prej shtegtimit
ullini ka me m’ falë hijen e vet
t’ ambël e t’ hirshme, oh ! atherë plot zemrën
me gaz qi prilli i kaltër ndër dejt,
nji kangë të ré nga vehtja kam me zgjua
ashtu si jehu i Jerosolmës don !
E ka me u-thanë : Lumní Emnit të bukur
të shêjtit Emnin tyt qi ngushëllon !
Përk. ARSHI PIPA
1) Flitet për nji Poem shqip timin shum të gjanë të shkruem vjet ma parë, e qi humbi në Brasil e në Francë.
2) Ka të bajë me mendimin e astronomëve qi thonë : Vrehet kah Veriu nji shkatërrim i vijueshëm botnash e diejsh, ndërsa kah Jugu zbulohen vazhdimisht nebuioza të reja, të cilat, me vegla optike shum të forta, dallohen si grupe diejsh o hyjsh shum të shkëlqyeshëm në krijim të vazhdueshëm e qi nuk ishin ma parë.
(Shënime të autorit)
Shënim. Materiali i mësipërm është shkëputur nga numri i parë i revistës “Kritika” (mars 1944), në faqet 14-17.