Lasgush Poradeci – Gremina
Lasgush Poradeci
GREMINA
Ti sot as qesh as qan,
Ri larg e qetë.
Në shpirtin t’ënd ti mban
Një faj për jetë.
Një dashuri me gas,
Siç fryri era,
E zure shpejt në ças,
E le përhera.
U ngrove-ashtu sa mund,
As shumë-as pakë,
S’të ndriu përdrejt në fund
E bardha flakë:
Më ndriu e griu e shkriu
Ah mua zjarri!
U mvarrësh un’ i ziu
Mi buzë varri!
E nuk më dhemb aspak
Një vdekj’ e gjallë,
Ndaj qava me lot gjak,
Si në përallë;
Ndaj hoqa rëndë-ashtu,
Gjer në greminë,
Laftarën që më zu
Për dashurinë;
Për dashurinë-o Zot,
Që shemb një burrë,
Që s’e pat ndjerë dot
Gruaja kurrë;
Që lind e ndritur krejt,
Bukuriplote!
Me dritën drejt-për-drejt
Nga drita Jote!
Që qesh e qan e zjen,
E s’jep të qetë,
E zjen e bren e shfren,
E s’vdes përjetë.
LASGUSH PORADECI
Kjo poezi e Lasgush Poradecit u botua në numrin e parë (korrik 1940) të revistës letrare “Shkëndija” të Ernest Koliqit.