Enver Gjerqeku – Xixëlloja
Enver Gjerqeku
(1928 – 2008)
XIXËLLOJA
Ti fluturake e pangushllueme n’errësi
Dhe pjesë e diellit të plasun
Ti yll i kallun e në shkamb i rrasun
Që lind mbas muzgut e bredh në stuhi.
Xixellojë, eshkë mitare e mendjes sime
Gurrë e ndezun e livadheve të mija;
Xixellojë, kometë qe të pret gjithsija –
Frymë e vringllueme, xixë për premtime.
Ti je flakë e fjalës – poezi e shkrueme-
Dalë nga afshi ynë – votër e pikllimit
Ti je shpuzë pa plang e mall’ i prendimit.
Ti i ndriçon netët – kangët e harrueme
E frymzimin e mban në flatrimin tand
Që n’qerpikt e mij tashti digjet gand.