LAZËR SHANTOJA – SHPIRTI I MJERË

LAZËR SHANTOJA – SHPIRTI I MJERË
LAZËR SHANTOJA
(1891 – 1945)

SHPIRTI I MJERË

Nji zog i vogël
Mbi ferrë kalon
E nga prendimi
Dielli flakron.
O diell i dashtun,
M’difto ti mue,
Un der tu qielli
Sa baj me shkue?

Shum dit do bahen,
Që jam n’udhtim;
T’udhtoj s’po mundem
Pa pasë pushim.
Në krahë jam lodhun,
Zemra m’ka lshue
Andej e ktejna
Tuj fluturue.

Gjith pemt e shkurrat
Losin prej eret:
Oh, ç’fort i bukur
Vegim prendveret!
O pyje e fusha,
Qoftë Hyj me jue!
Jam n’dhena t’largta
Tuj fluturue.

T’êndunit dielli
Âsht nga e mbaron,
Dita po fiket
E natë fillon,
Ngushllim e ndihmë
Kush po m’ ep mue?
Un der te qielli
Sa baj me shkue?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!