ALEKS ÇAÇI – LYPESI (poezi)

ALEKS ÇAÇI – LYPESI (poezi)

Një poezi e Aleks Çaçit, e botuar te “Bota e re”, nr. 11, 1936.

ALEKS ÇAÇI

LYPESI

Po të shoh me dor’ të zgjatur, robë-grisur dhe sy-qarë,
Po të shoh, oh! jet’ e shkretë, po të shoh që rri veçuar,
Po të shoh me dor’ të zbrazur, po të shoh të hidhëruar,
Po të shoh me zëmër-plasur, po të shoh me duar tharrë.

U bë natë, qjelli sterë, pa një ndihmë shkoi dita;
Me mustaqe, me kollaro, me flori, të shkuan pranë,
As të folën as të panë, as një fjal’ të mir’ të thanë;
Të këndojmë dhe të qajmë, në një kënd të shkretë të prita;

Dhe të pash që për së largu, dorë-ngrirë nga të ftohtit,
Pa një ndihmë, pa një shpresë, pa një copë buk’ në dorë;
Po ku shkove? Nuk të pashë! Futur thellë, nënë borë,
Dolle prapë dhe të pashë që po lypje për së kotit.

Nuk e din’ ata që kanë, nuk e ndjenë dhëmbjen t’ënde,
Vetëm shoku që ké pranë, ndau bukën që i dhanë,
Pse një dhëmbje kini bashkë, pse të dy të shkret’ ju lanë;
Kij kurajë, shpirt o lypës! Vaj lësho kështu si gjënde!

Porsi ty, more vëlla, porsi ty jam edhe unë,
Ti kërkon me duar zgjatur, unë hesht dhe vuaj thellë,
Ti rri rrugëvet i shkretë, unë dergjem mu në shpellë;
Kemi faj, o!, që të dy! Duhet jetë, duhet punë.

LYPESI
Botimi në origjinal te revista “Bota e re”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!