MARTIN CAMAJ – FRYMA E BLETËS (cikël me poezi)

MARTIN CAMAJ – FRYMA E BLETËS (cikël me poezi)
MARTIN CAMAJ

FRYMA E BLETËS (cikël me poezi)

Petrarka

Nepër fletët e arta të larit
në kunorën e statues së Petrarkës
fryn era e poezís së Treqindit.

Laura ka qenë nji lari i qetë
në gjinin e së cilës
kanë çelë gjethe t’amshueshme.

Fletët e arta të larit
mbi kryet e bronxit të vjetër
presin aty
enat e çdo qindvjete.

Fryma e bletës

Tha njeriu : poqese vdes bleta,
fryma e saj shkon në lule.

Bletët në zgjue levizin mija e mija krahë
të ngritun njani sipër tjetrit mbi krye.
Fryma e krahve ka aromën e lule-trumzës
s’egër e fletënjomë
që dridhet ndër curra prej erës së muzgut.

Sot nji zogëz bletë i tha asaj në vesh
diçka të mistershëm
e lule-trumza i dha asaj frymzën e vet
me ia ruejtun për verën tjetër.

Tha bleta : kët dimën nuk vdes
pse kam frymën e lule-trumzës në vete.

Valle Rrugove

Shkyenje qiellin, zurla,
dhe kaltërsija e sferavet të nalta
le të bijë mbi né si shí.

Kamba e tupani çajnë tokën
e me duer shpatat vringllojmë;
me duer sutat në mal i kapim
në pikë të vrapit.

Mos e ulni zânin, zurla,
pse në kambë na bjen lodhja e moteve
dhe tupani dyshë na e ndán krahnorin.

Verë e Lumtun

Majes përpjetë ngjitet vetëm
kah bjeshka nji kalë i bardhë.

Prej detit të largë erdh rêja
e ngjitet npër qiell mbi kalë
kadalë si plaf i blertë.

Verë, por ndoshta bjen shí mbasdite.
Verë, kali i bardhë,
cirkat e shiut mbi krip
e bar në livadhet e bjeshkës.

S’besoj në bimë të helmueme
as në gjarpîj.

MARTIN CAMAJ

FRYMA E BLETËS

Pjesë nga botimi origjinal, te “Shejzat”, vjeti III, Nanduer-Dhetuer 1959, faqe 385-386

Të tjera poezi nga ky autor mund të lexoni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!