VIRION GRAÇI – GJURMË NË OBORR

VIRION GRAÇI – GJURMË NË OBORR
VIRION GRAÇI

GJURMË NË OBORR

E kishte lajmëruar komshia ndihmësmjekun e zonës. Në orën 09 ai iu ndodh pranë plakës. E vizitoi rrëmbimthi duke ndier pafuqi për t’i dhënë një diagnozë asaj qenieje të zvetënuar nga mosha, skamja dhe vetmia. U dha formë dyshimeve të tij, nxori ilaçet. Plaka i kapërdiu me zor, pas pak hapi sytë. Komshia e tërhoqi për ta vendosur shpinën e saj në kokën e shtratit. Plaka nuk kundërshtoi.

Ndihmësmjeku u ul në një stol të vjetër druri nga fundi i dhomës, afër derës. Shtëpia kundërmonte erë myku, muret me njolla të verdha e të zeza, oborri, dikur i shtruar me rrasa të bardha guri, tani i përmbytur nga lluca dhe barërat e egra që shkonin deri te pragu. Gjatë dimrit çatia kishte futur ujë, vende-vende. E tregonte tavani prej fibre druri, i cili kishte lëshuar gunga të dukshme sipas pellgjeve me ujin që vinte nga tjegullat e thyera.

Plaka jetonte vetëm. Kishte rritur e martuar tre vajza dhe një djalë. Për djalin ishte munduar më shumë. Meqenëse i dukej më i mençur e më i shkathët se motrat, e kishte dërguar në shkollë, në të mesmen dhe në universitet. Quhej Demir, jetonte në qytet me gruan dhe dy vajzat e tij. Ngjitej deri në qendrën e komunës, por jo deri në fshatin e tij, jo deri në shtëpinë prindërore që po mplakej dhe po rrënohej njëkohësisht me nënën e tij. Edhe vajzat e plakës ishin të martuara, por ato jetonin larg. Boll kishin hallet e tyre, fëmijë për të rritur, andralla fshatarësh në luftë për mbijetesë fiziologjike. Ndoshta kishin harruar krejt se nëna e tyre jetonte ende.

Sidoqoftë, Demiri nuk kishte pikë dyshimi për ekzistencën e nënës, çdo tre muaj vinte nga qyteti në qendrën e komunës, tërhiqte krejt pensionin e saj dhe kthehej pranë gruas dhe vajzave duarplot e optimist.

– Do të bëhesh më mirë, mos u mërzit,- tha komshia,- ja, ka ardhur doktori, do të rrijë këtu sa të shërohesh.

– E pashë, e pashë,- belbëzoi plaka, pa mundur të rrotullojë kokën sado pak nga ajo qoshe e mugët ku u duk se vajti të ulej ndihmësmjeku. Komshia doli përjashta, ndihmësmjeku e ndoqi. Biseduan pak në oborr.

– Do ta pastroj unë, mos u sikletos,- premtoi komshia.

– Të kuptohemi,- vijoi të shfajësohej ndihmësmjeku,- punë e thjeshtë është, por asaj vetë do t’i vinte rëndë t’ia ndërroja unë teshat.

– Mos e zgjat,- tha komshia e iu përvesh punës.

Punë vullnetare, keqardhje dhe mëshirë për plakën. Solli ujë të ngrohtë nga shtëpia e saj, rroba grash të lara e të hekurosura. Më vonë përgatiti ushqim të shijshëm, të ngrohtë. Kur ndihmësmjeku u fut sërish në dhomën e të sëmurës, bardhësia e çarçafëve dhe aroma e rrobave të pastra e kishin thyer disi dekorin e zymtë, në të cilin lakohej profili i mjerë i plakës. Skena po bëhej e denjë për t’u luajtur epilogu i dramës së një njeriu të mirë. Ndihmësmjeku e afroi stolin afër shtratit të plakës. I gëzohej si fëmijë përmirësimit të saj të rrufeshëm dhe e zmbrapsi thuajse plotësisht dyshimin se vdekja do të vinte në atë dhomë pas disa orësh. Nuk e mbajti dot gëzimin:

– Pate, fat, pate fat,- foli me zë të lartë dhe brofi më këmbë.

Komshia tundi kokën në shenjë miratimi, plaka u buzëqeshi. Mbase dhe ajo e kishte ndier se kishte ndodhur një ndryshim i madh me trupin e saj. Filloi t’ju merrte erë duarve, mëngëve, nënkresës. Lëvizjet i kishte të ngadalta, por sistematike. I pëlqente aroma e sapunit, ngrinte vetullat, rrudhte ballin duke u shëmtuar padashur. E habiste prania e pastërtisë si dhuratë nga njerëzit që po i shërbenin vullnetarisht. Pastërtia ishte dhuratë e çmuar që e priste prej kohësh, por ndërkaq i dukej si e pamerituar, si e gënjeshtërt, si e panevojshme. Fundja ishte pajtuar me fatin e saj të mbramë, pse t’i vinte të tjerët në mundim, në përfundim të rrugës së saj…

– Duhet ta mbarosh,- tha komshia për pjatën me gjellë,- mbaroje të bëhesh e fortë, të dalësh në oborr me këmbët e tua, të ushqesh pulat, të ziejmë kafet dhe të llafosemi bashkë.

Plaka u përpoq të bindej, kapërdiu disa lugë gjellë. Ndihmësmjeku e përgëzoi. Me zë të ulët i tha komshies:

– Jepi më vonë përsëri. Ka vite që vuan nga uria kronike, ka shkrirë, jepi pak e nga pak disa herë në ditë.

– E gjora!

– Shëëtt!

– Nuk dëgjon, jo.

– Ashtu?!

– Kam qenë në qytet dy muaj, te vajza. Dje u ktheva. Nuk e lija unë të katandisej kështu,- u shpjegua komshia, sikur ta ndiente veten të akuzuar.- Do t’i sjell kafe të ngrohtë. Kur të kthehesh do të na gjesh në oborr duke kuvenduar.

– Shumë mirë,- tha ndihmësmjeku,- ndërkohë unë lajmëroj djalin e saj ose Shtëpinë e Pleqve.

– Me Demirin mos u lodh, nuk ia vlen,- tha komshia.

– Atëherë, Shtëpia e Pleqve, mbase bie dakord me drejtoreshën…

– Nuk të vjen në azil kjo,- pohoi komshia,- turpëroj fëmijët, thoshte.- Nuk dua t’ju lë nam të tillë.

I la komshies disa ilaçe, i shpjegoi rastet e përdorimit për secilin, masën dhe mënyrën e dhënies. Komshia i përvetësoi udhëzimet. Dukej sheshit se i kishte ndodhur shpesh të përkujdesej për të sëmurët.

– Të rëndova ca,- i tha ndihmësmjeku.

– Asgjë, asgjë,- kundërshtoi komshia. Faton (kështu quhej plaka) e kam si nënën time. Kemi ardhur nuse në këtë fshat nga larg, kemi kaluar dyzet vite bashkë. Ia kemi kaluar për mrekulli, ka qenë grua e urtë, e dashur.

Gjurmë në oborr

Në mbarim të asaj dite, pasi bëri vizita të tjera në fshat, ndihmësmjeku zbriti për në qytet. Rrugën prej 7 kilometrash deri në xhadenë kryesore e bëri në këmbë. Nuk kishte furgona. Në atë orë furgonat zakonisht ktheheshin për në fshat duke rënkuar nëpër rrugën e gjatë malore. Në shtëpi nuk gjeti ndriçim elektrik. Gruaja pati padurimin ta qortonte në errësirë:

– Humbe fare. Ku ishe? Të pritëm! Djalin e zuri gjumi pa ngrënë darkë.

– Rast urgjence në fshat, rast fatkeq.

– Ka njerëz në fshat?!

– Ka, tek-tuk, disa të moshuar.

– Uff…

* * *

Ditën e rrogave dhe pensioneve ndihmësmjeku u përball me zotin Demir në zyrat e komunës. Demiri bisedonte me zë të fortë me një shofer furgoni. Me sa kuptohej, ishte grindur me arkëtarin e komunës. Shoferi e tallte duke i bërë lajka:

– Je i zoti, Demir. Di t’i trajtosh problemet. Po lekët e pensionit të plakës i more?

– I mora, deri në qindarkën e fundit i mora.

– Këtyre u le bakshish?

– T’ju lija bakshish, përse? Për pensionin e sime mëje?! Kurrë! Pak zhvatin këta të korruptuar, duan dhe nga unë. Maskarenjtë.

– S’janë aq të këqij sa duken,- vijoi të tallej shoferi.

– I njoh me dhëmbë e dhëmballë. Vampirë janë, pisa, horra të poshtër.

– Po, po,- dha pëlqimin shoferi,- janë të poshtër.

– Përveç kryetarit,- plotësoi Demiri,- kryetari është burrë i rrallë, fisnik, rob zoti. Kësaj komune vetëm kryetari i ka mbetur. Zotni burrë. Të tjerët futi në thes e hidhi në det të mbyten. Kot sa hanë bukën e qeverisë.

Ndihmësmjeku u ngjit sërish në fshat atë ditë. Plakën dhe komshien i gjeti bashkë. Komshia kishte lyer me gëlqere faqen ballore të shtëpisë, kishte larë dyshemetë dhe perdet. Pas një jave ndihmësmjeku shkoi përsëri atje me autoambulancën e spitalit. I kishte telefonuar komshia:

-Fatua është shumë rëndë.

Komshia kishte dalë në qendrën e fshatit. Atje e priti autoambulancën. Iu drejtua ndihmësmjekut:

– Po jep shpirt. E ktheni kot në jetë me gjilpëra. Sa ka vuajtur…

– Si?

– Dy herë i ndali pulsi. Pandeha se mbaroi, por i hapi sytë kur i fola në emër. U kthye në jetë nga meraku.

– Ҫ’farë meraku?!- pyeti ndihmësmjeku i befasuar.

– Meraku për djalin e saj. Pret Demirin t’i vijë. Këndej nga këto anë njerëzit nuk japin dot shpirt pa e parë edhe një herë, për herë të fundit, njeriun e tyre më të dashur.

Kishin arritur ndërkohë në oborrin e shtëpisë së plakës. Ndihmësmjeku ia la komshies çantën e punës. Me hapa të nxituar e përshkoi rrugën deri te dera. Gjunjët iu drodhën, diçka po i mblidhej në fyt. Me kurrizin e dorës fshiu sytë që iu njomën papritur, mandej u fut brenda dhe thirri:

– Erdha, mama, erdha. Ja ku më ke.

(2001)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!