ADIL OLLURI – ARKËMORTET DHE VDEKJA E MALËSORËVE
ADIL OLLURI
ARKËMORTET DHE VDEKJA E MALËSORËVE
Të rinj e burra të fuqishëm të Pjetërshanit i morën sakicat me vete dhe ia mësyen malit. Do t’i prenin lisat e gjatë, do t’ua shkurtonin degët, do t’i gdhendnin trupat e tyre, dhe me ta do të bënin arkëmorte, ashtu siç kishte porostitur prifti i fshatit. Po aq arkëmorte sa varret boshe që i kishin hapur më parë në cepin lindor të fshatit. Marashi i gjatë i gdhendte bukur arkëmortet, i maste ngadalë dhe i gozhdonte pa u ngutur. Nuk i ngutej fare dhe kjo ra në sy të bashkëfshatarëve që ishin me të.
– Nuk kem shumë kohë për lëmime, o Marash burri!- e qortoi Frroku i Ndocit, që ishte më i moshuari i burrave që ishin aty.
– Nuk mund t’i qojmë njerëzit tanë anej edhe bash krejt shkel e shko. Së paku dërrasat e vorrit t’jua bajmë qysh duhet. Ashtë mëkat t’i hedhim në dhe si trupa t’pavlerë,- arsyetohej Marashi i gjatë dhe të gjithë e miratonin me tundje koke.
– Kjo mordje e zezë nuk na dvet për ndere e e as nuk na i tumirë lutjet. Kjo nuk zgjedh kohë e as vend. Andaj, të mos vonohemi shumë se mund të jetë vonë.- sërish qortonte Frroku i Ndoci dhe asnjërit nuk i pëlqeu arsyetimi i tij, por nuk mund të vepronin ndryshe. Thuajse të gjithë u pajtuan se koha nuk pret dhe nuk do të arsyetoheshin vonesat në asnjë mënyrë.
Shiu i imtë i lagte trupat e malësorëve, por ata nuk ndalonin. Duhej t’i bënin aq arkëmorte sa kishte porositur patër Frani. Plisat dhe tirqit e tyre u lagën nga shiu dinak që iu pikonte mbi trup, por ata nuk ndaluan. Arkëmoret bëheshin gati njëri pas tjetrit dhe liheshin në një kthesë mali, për t’u shpënë në varrezën e re të fshatit, te “vorret e murtajës”, saherë që do të vdiste një pjetërshanas dhe saherë që do t’i kërkonte prifti i tyre.
Shiu ishte dhelpërak, sepse as nuk binte në masë të madhe, sa për të ikur prej tij e për t’u fshehur në ndonjë qoshe a në ndonjë shpellë që ishte afër lisave të mëdhenj të Pjetërshanit e as nuk ndalej fare për të mos e pasur si pengesë të punës së këtyre malësorëve, që kishin marrë mbi supe një mision që nuk do ta dëshironin në asnjë rrethanë tjetër.
Binte pak, binte imët, vetëm sa për t’i lagur, vetëm sa për t’i lodhur e për t’i pënguar ata në punën e tyre. Mëgjithatë, ata nuk përtuan dhe i përfunduan të gjitha arkëmortet e porositura nga patër Frani. I rënditen njëri pas tjetrit në një kthinë mali, duke krijuar pamjen e një porta të madhe e të drunjtë, të shtrirë hapekrah në tokë, që e priste vdekjen, mordjen e zezë, që kishte ardhur edhe në malësinë e tyre. Kjo portë arkëmortësh, më e gjerë dhe e gjatë se portat e përandorive të mëdha të kohës, e priste vdekjen si gjenë më të zakonshme, si gjenë me të cilën ishin mësuar malësorët.
Ata nuk ia kishin frikën vdekjes. Nuk përtonin të vdisnin në lufta e beteja me armiq, saherë që thërrisnin prifërinjtë e kapedanët me nam, por ata i frikësonte mënyra më të cilën i vriste murtaja e zezë. Ata nuk donin të vdisnin duke lënguar e duke u përballur me dhimbje të pashërueshme trupi. Ishin mësuar të vdisnin në luftë, të vdisnin nga plumbi i armikut, që donte t’ua ndryshonte emrat e sjelljet ose t’ua merrte jetën. Ishin mësuar të vdisnin dinjitetshëm.
Malësorët nuk e donin një vdekje joheroike. Vdekjet e pleqve nga murtaja edhe mund të kuptoheshin nga ta, por vdekjet e të rinjve, sikurse ajo e Martinit dhe Ndojës së Bdekut, nuk mund të kuptoheshin assesi. Ata jetonin me bindjen se lëngata e trupit nuk e prek një trim malësie.
Burri malësor, i ri e i fuqishëm, vdes vetëm nga plumbi dhe shpata. Ky ishte qëndrim i palëkundur e mitik i malësorëve në raport me vdekjen. Dhe thyerja e një miti të tillë i trishtonte po aq sa vdekjet. Ata nuk ishin të fuqishëm sa kishin menduar. Ata nuk mund t’i përballonin secilit armik. Ata frikësoheshin dhe vdisnin nga murtaja njëjtë sikurse qytetarët e Gradishtës. Edhe ata ishin të rëndomtë sikurse të tjerët. Dhe ky po që quhej thyerje miti.
Legjenda thotë që kishte malësorë të frikësuar që bënin veprime të çuditshme, herë qesharaka e herë të neveritshme. Bënin aso gjërash e aso veprimesh, për të cilat nuk do të besonte kush, po që se një gjë të tillë do ta thoje para ardhjes së murtajës në Pjetërshan. Sjelljet ishin nga më të ndryshmet. Dikush qante tërë ditën rrugëve, dikush fshihej në shpella të thella mali e dikush tjetër kishte ngjeshur armët në brez dhe me çdo kusht donte të merrte rrugë e ta luftonte armikun e njëmendtë të malësorëve. Ishte lodhur duke u fshehur nga një armik që nuk të dilte përballë, nga një armik dinak.