BRANKO MERXHANI – PSE NUK JAM MARKSIST?

BRANKO MERXHANI – PSE NUK JAM MARKSIST?
BRANKO MERXHANI

PSE NUK JAM MARKSIST?

Pa një përpjekje të tillë nuk ka Shqipëri! Ndryshe le të përgatitim që tani trastat t’ona. Toka e Evropës u ngushtua shumë. Për parasitët vetëm një fat është shkruar: Pas prishjes primitive historike vjen katastrofa moderne historike. Dhe atëhere plaçkat në krah dhe mbeç t’u mirë o Vatan!

* * *

“Ideali i Evropës, methodhat e punimit t’evropës frymëzohen nga parimet e liris, të personalitetit, të varietetit dhe përmbi çdo gjë tjetër nga parimi i »ndarjes së punës shoqërore«. Dhe nga ky shkak të gjithë problemat që paraqet jeta shoqërore evropiane ose edhe e evropianizuarë, pa përjashtuar edhe problemin e ekuilibrit në Shtet, janë probleme të koklaviturë që s’mund të zgjidhen menjëherë. Një filosof engles shkruante pak kohë më parë: “Në se kohët janë të këqija, në se njerëzit mbetën pa punë, në se djemt nuk gjejnë gjë për të shuar urinë e tyre, Njerëzimi është sëmur. Emëri i vërtetë i kësaj sëmundjeje është injoranca”…

Pse nuk jam marksist?

Ndryshimet shoqërore nuk mund të parashikohen as të shmangen. Gjithashtu edhe sëmundjet. Kjo është një nga të vërtetat e para që njeh bota. Të paktën Evropa ka disa shekuj që provoi në trupin e vet qënien dhe vuajtjen e kësaj së vërtete. Rusia u mundua shumë të përhapij gjëmimin revolucionar ndërkombëtar që prej kufivet të sajë perëndimore gjer në bregdetet e Atlantikut. S’bëri gjë. Ose bëri vetëm këtë: Thelloi më tepër hendekun e ngatresavet midis popujvet, madhëroi dallgën e mizerjes dhe në disa vënde të perëndimit shkaktoi një kthim qoftë edhe të përkohshëm në kohët mesjetare. Por a nuk do të ishin njohur dhe do të kishin arrijtur në një marrëveshje popujt midis tyre më lehtë në se rryma demokratike e Evropës do të kishte ndjekur rrugën e sajë pa patur vështirësirat që duallnë mu në gjirin e vet? Të paktën kemi para nesh një shëmbëll mjaftë me rëndësi që na jep besimin se popujt mund të kuptojnë shumë më mirë një Evropë të çliruar prej idherave të huaja: Asia sot arriti të kuptojë se methodhat e punimit evropian mund të zbatohen në çdo kënd të botës dhe të përdoren prej tërë popujvet; kudo që janë pranuar këto methodha suallnë përfundime të mira dhe të shkëlqyera. Kjo është e mjaftuarshme sot për sot. Është një çapë përpara. Një çapë që s’mund të mbetet e mbërthyer atje ku arriti. Do të vazhdojë edhe më përpara. Do të vijë dita në të cilën bota mbarë do të kuptojë më mirë parimet e Fesë së Lirisë, atë gjë që një Kant e quajti »Feja e Vërtetë«. Dhe ata nga bashkatdhetarët t’anë që kanë nëpër dejt e tyre disa pika gjaku fisnik dhe në shpirt ambicjen të punojnë dikur që të nxjerrin gërmadhën t’onë nga pellgu i varfëris mendore dhe i mizerjes lëndore, le të përpiqen të mësojnë përmënç dhe të çajnë në thellësit e zëmrave të tyre me një dorë që nuk dridhet para punës së tmerëshme që i pret, këtë varg të pavdekshëm të Goethe-s:

»Wer immer strebend sich bemuht,
Den können wir erlösen!«

(“Kush përpiqet pa rreshtur
Ai është shpëtuar!“)

(Faust, II, 7324-5)

Pa një përpjekje të tillë nuk ka Shqipëri! Ndryshe le të përgatitim që tani trastat t’ona. Toka e Evropës u ngushtua shumë. Për parasitët vetëm një fat është shkruar: Pas prishjes primitive historike vjen katastrofa moderne historike. Dhe atëhere plaçkat në krah dhe mbeç t’u mirë o Vatan!”

Artikulli i Branko MERXHANIT, me një titull kaq të drejtpërdrejtë “Pse nuk jam marksist?” u botua në periodikun “Përpjekja shqiptare”, në numrin 4-5-6 të saj, në mars të vitit 1937, që ishte dhe viti i parë kur nisi të botohej kjo revistë.

Shënim. Materiali i mësipërm është shkëputur nga profili personal në Facebook i Agim Morinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!