FLURANS ILIA – LUFTA E TRE MAMUTHËVE

FLURANS ILIA – LUFTA E TRE MAMUTHËVE
FLURANS ILIA

LUFTA E TRE MAMUTHËVE

Pëlhurë e skajshme, endur me gishta dhe mendje të hollë, është kjo mjegull që mbështjell fushnajën e pa anë. Nëpër erë ndihet ngazëllimi që buron nga zemrat e njerëzve. Kopeja e mamuthëve gjendet aty pranë. Jo shumë larg kafshëve, shtrirë rrafsh me rrafshin, rrafshëtarët përgjojnë gjahun me heshtat e thepisura ndër duar.

Ka kaluar një kohë e gjatë që janë ushqyer vetëm me vemje dhe rrënjë. Një fërshëllimë e largët e përhumbur e zogut të ëmbël të paradoksit paralajmëroi praninë e gjahut. Ata tinguj prej vetmie ëmbëloshe, përzier me fëshfërimën e fijeve të barit, tik-tak-un e zemrave, zukatjen e insekteve, hungërimën e shtruar baritone të mamuthëve. Gjithçka është aty. Pas gjithë atyre lutjeve, shpresat e tyre nuk kanë humbur. Të gjithë janë në pritje të gjahut.

I kanë ngulur sytë te Kryeshigjetari i cili ngrihet si një mace e egër në gjunjë dhe, fërkon dy gurët e strallit që mbartin mes tyre një copë eshkë. E vendos eshkën mbi shtullungën e barit të thatë mbështjellë mbi hushtë. Një fjollë e hollë tymi fillon e lëngon. Shtrin krahun sa hapësira e heshtës dhe, e lëshon vrullshëm mbi savanë, duke shpuar pëlhurën e bardhë të mjegullës.
Si të kishin mbirë nga dhéu i fushtinës, qindra zëra, klithje, heshta, u zhvendosën drejt e mbi kryet e mamuthëve. Klithje. Dhimbje. Fshikullim shigjetash. Mish i shpuar në zverk. Thirrje të uritura. Rënkime kafshërore. Maja shigjetash që mbërrijnë në kockë. Era e bajgave të mamuthëve përzier me aromën e barit të porsadjegur. Baltë dhe aromë gjaku të freskët. Këmbë që përshpejtojnë hapat. Hapa që pengohen nën këmbë. Trupat e mamuthëve shemben mbi bajgat dhe gjakun që kullon çurg mbi llucë. Sërish klithje. Dhimbje kockash të thyera. Brinjë të shkallmuara. Trokthe putrash që marrin arratinë. Tre mamuthë të shtrirë në mezin e rrethimit.
Kryeshigjetari i çan gjoksin Kryemamuthit. Shkul prej trupit të ngrohtë të kafshës zemrën që përpëlitet. Me atë masë muskujsh përpëlitës dhe gjaku bubrrues, e ngul organin vital mbi shqytë, nis e i këlthet turmës me brohorima triumfuese. Shpura e fisit e brohoret me uri. Fytyrat ngadhënjimtare mbështjellin trupat ende të avullt të kafshëve që janë duke dhënë shpirt nën dhëmbë. Kryemamuthi ka një shtizë të ngulur në sy.
– Mamuthë 3 (tregon me gishta)! Sulm 1 (po me gishta)! Kjo: (shikon qiellin) është shejza! Shejzaaa! Shëno fito fisi lavdishëm! – Thirri Kryeshigjetari duke shkulur shtizën e ngulur në sy të Kryemamuthit tashmë zemërshkulur.

– Lavdi! Lavdi! Lavdi! – Ia kthehu turma e uritur për mish.
Brohorima e fisit të Petashuqëve u përhap në të gjithë hapësirën e asaj fushnajë të pa anë e cila në fakt nuk ishte gjë tjetër veçse një fushtinë e vogël, e quajtur Liliko.

Hareja e tyre nuk zgjati aq sa për të shuar tërësisht urinë që mbizotëronte instinktet e tyre.

Një shigjetë me kërbishte kockeje në majë, lyer me helm gjarpri, përshkoi hapësirën e ndezur duke u ngulur mu në syrin e Kryeshigjetarit të Petashuqëve.

Si të mbirë nga dhéu, Petashuqit trupvegjël u gjendën të rrethuar nga fisi i Sheshtaxhinjve të zbritur nga kanionet gjigante të luginave të thella të Çupetes.

Mjekroshë e vetullzinj, të veshur me lëkurë mamuthësh, Sheshtaxhinjtë janë dy pëllëmbë më shtatlartë se Petashuqët. Ata udhëhiqen përherë nga ujqër të zbutur.

Hapërndarë dhe të çoroditur nga ky sulm i papritur, të mbetur pa prijës, Petashuqsit u zbythën. Braktisën gjahun dhe ja dhanë vrapit nga sytë këmbët nëpër savanë, sërish të uritur.

Kryemjekërtari i Sheshtaxhinjve i kërreu syrin tjetër Kryemamuthit. E gëlltiti të gjallë. Vështroi kundërshtarin që ishte duke dhënë shpirt, me shigjetën e helmatisur në syrin tjetër.

– Uhhh … ç’a kënaqësi … ?!– Psherëtiu dhe syri i’u drodh nga kjo shije prej syri.

– Prej një kohe të gjatë,– u foli njerëzve të tij,– jemi ushqyer me zvarranikë të pjekur në hell dhe supë me lakuriqë nate mbërthyer shpellave të luginës së Çupetes. Tashti … jaaa! Për të gjithë! Mish mamuthiii!!!

Sheshtaxhinjtë brohorasin. Qentë e egër, apo ujqërit e zbutur, kruajnë kockat e gjymtyrëve të viktimave.

– Kjo (tregon me gisht qiellin) është shejza! Shejza! Kjo, shenja që shënon triumfin e fisit tonë të lavdishëm!

– Lavdi! Lavdi! Lavdi!- Brohoret e uritur turma.

Kryemjekërtari kërpitet i krekosur pa e ditur se pikërisht brenda atij çasti fatlum, lumturia e Sheshtaxhinjve ishte e rrethuar nga uria e fisit të Tokësheshtëve.

Tokësheshtët janë dy pëllëmbë më të gjatë se Sheshtaxhinjtë. Njihen si zbutës të kuajve të egër të racës së lëngatës.

Sa hap e mbyll sytë, Sheshtaxhinjtë u gjendën të kapur në befasi. Topuzi i rëndë i Kryekalorsit të Tokësheshtëve u përplas mbi një nga sytë e Kryemjekërtarit.

I ngelur edhe ky tashmë me një sy, kërkon syrin e shkalafiqur mbi rrafshin e përbaltur të shkelur nga thundrat e kuajve të racës së lëngatës. Një goditje e dytë ia ndan kafkën më dysh.

Kur vunë re se ngelën pa prijës, Sheshtaxhinjtë ja dhanë vrapit nga sytë këmbët andej nga kishin ardhur. U futën thellë luginës së ngushtë të Çupetes e cila nuk ishte aspak një kanion gjigant ashtu si e mendonin ata.
Tokësheshtët e lidhën gjahun pas kuajve. Përshkuan hapësirën e fushës së Lilikos, përmes luginës së ngushtë të Çupetes, dolën mbi viset e tyre majëlarta në shpatin e përndritur të Marakuja Azedos.

Drejt atyre majave kryelarta, Kryekalorësi mendon veç për shejzat që dëshmojnë lavdinë e fisit të tij. Sepse çdo fis jeton për lavdi.

Midis kësaj melodie gjumëvënëse nga ritmi i trokthit të kuajve, Tokësheshtët u gjendën të rrethuar jo nga një, por nga dy fise të bashkuara, Dystabanët dhe Tokëdystët.

Dystabanët e kanë shputën e këmbës si trung peme. Pëllëmbën e dorës si putër ariu. Arma e tyre vrastare janë trarët dhe gurët të cilët janë të aftë t’i lëshojnë nga hapësira të paparashikuara me një lloj shpikjeje, sekretin e të cilës vetëm ata e zotërojnë.

Vijnë nga Marsiano, krahinë prej së cilës vijnë edhe Tokëdystët që janë një derivat i fisit të Dystabanëve.

Dy fiset po aq sa përzihen në dasma dhe varrime, aq edhe grinden midis tyre për shenjat e territorit, hartat topografike, gardhet, muret, pronat, eposin, varrezat, puset dhe depozitat e lotëve. Por në raste luftërash, sulmesh hegjemonike, mbrojtjeje territoresh, dinë të bëhen një dhe të flasin gjuhën e përbashkët të triumfit.

Tokësheshtët nuk patën kohë të kuptonin se gjendeshin nën breshërinë e gurrëve që lëshoheshin me katapult drejt kokave të tyre. Gurrë që vërshonin si breshër nga qielli, nga të gjitha drejtimet. I goditur pas koke, Kryekalorësi i përgjumur u këput nga maja e kalit drejt e përdhé me sy të perënduar.

Dystabanët dhe Tokëdystët fillojnë të sulmojnë ballasi me çomange ç’të gjeni përpara.Tokësheshtët braktisën gjahun dhe grahën kuajt nga sytë këmbët me sa fuqi u kishin ngelur për nga rrafshnaltat e ulëta të Marakuja Azedos të cilat, në të vërtetë nuk ishin aspak majëlarta dhe aq të përndritura sa ç’i mendonin ata.

Tashmë kemi tre mamuthë të ngarkuar në qerret e Dystabanëve dhe Tokëdystëve të cilët marrin udhën drejt Marsianos.

Toka të bëshme dhe pjellore janë këto vise që zbresin butësisht drejt detit. Për të mbërritur gjer në kryeqendrën e tyre, duhet me doemos të kalosh nga gjinjt e bëshëm të Mare Nostrum, ku i presin Pallapetsat dhe Dërrasë5çat, dy fiset që popullojnë krahinën e Parçës.

Këto fise jetojnë në bregdet. Janë zdruktharë, peshkatarë dhe lundërtarë, më të zotët e krejt Rrafshit. Kanë përshkuar pothuajse të gjitha brigjet e kripura të lotëve. Shpesh herë në grindje me njëri tjetrin megjithëse nuk ndryshojnë aspak nga njëri-tjetri. Si të thuash, një dërrasë i ndan. Pallapetsat akuzojnë Dërrasë5çat se kanë një dërrasë mangët, dhe anasjelltas. Por nuk mendohet se është dërrasa arsyeja kryesore e grindjes. Grindja është thjesht për hegjemoni dhe mbizotërimin e Mare Nostrum. Për trafikun klandestin me bregun tjetër të detit ku jeton fisi i Terrapiattisti që grumbullon miellin e fushave të Marsianos.

Lufta e tre mamuthëve

Në marrëveshje e sipër mbi një nga kuvertat e anijeve filloi një grindje e pa parë. Pallapetsat kërkojnë si tarifë një mamuth e gjysmë që të kryejnë transportin drejt Marsianos.

50 % të gjahut!

Dystabanaët kundërshtojnë kategorikisht duke e zbritur tarifën në gjysmë mamuthi dhe as një llokmë më tepër.

20 % të gjahut!

Dërrasëat negociojnë duke e rritur tarifën e transportit në dy mamuthë.
70 % të vlerës totale!

Tokëdystëve u lëvis kuverta e anijes nën këmbë duke pretenduar veç një gjysmë mamuthi dhe as një dhëmbë ekstra. Pra veç një 5 % të fitimit edhe ik pirdhuni!

Plas grushti!

Dystabanët dhe Tokëdystët janë buqër që lëvrojnë arat me elb. Tërheqin qerret me drithëra. Ngrehin thasët me miell. Kanë shpikur transportin tokësor dhe artilerinë e rëndë të Rrafshit. E kanë grushtin gur. Shkelmat i kanë predhë. Por Pallapetsat dhe Dërrasë5çat janë detarë, të hanë të gjallë në mundje klasike dhe mbajnë frymë në sherr. Të bluajnë si mielli që transportojnë ilegalisht. Të dyja palët nuk i lëshojnë rrugë njëri-tjetrit. Për një arsye thelbësore. Fushat e krahinës së Marsianos nuk janë edhe aq pjellore sa brohorasin me lavd e mburrje Dystabanët dhe Tokëdystët. Janë ca fushtore gërrmuqe ku të përpijnë barërat e këqija dhe kunupi. Gjithashtu, ujërat e Bregdetit të Lotëve nuk janë gjithmonë të lundrueshme. Në kohë thatësirash kur mungojnë lotët bregdeti thahet, tërhiqet i gjithi duke lënë një grusht dhé.

Grushti grusht e gjaku çurg. U la kuverta e anijes në gjak dhe gjakrat nuk po shternin gjersa në bregun ku është ankoruar anija, pllakosën Pllakatorët.
Me këta nuk bëhet shaka.

Pllakatorët janë vendosur në qytetin e gurtë të Çinos. Janë arkitektë, inxhinierë, mekanikë, gurëgdhendës të lindur. Kanë ndërtuar rrugë, ura, mure, kështjella, agoranë, çisterna, statuja prej mermeri. Kanë formuar një lloj organizmi të gjallë që quhet shtet. Kanë ushtri të organizuar dhe armë bronzi. Rrasa guri ku gdhendnin ligje. Harpa ku këndohet eposi. Harta të vizatuara në lëkurë të regjur kafshësh.

Me të mbërritur aty, Pllakatorët i vunë prangat kryesherrxhinjve dhe vendosën rregullin.

1. Dystabanët dhe Tokëdystët (secili fis) do të merrnin me vete nga një mamuth të plotë, me një kusht, deklarimin e pasurisë dhe pagesën e taksës për gjënë e gjallë.

2. Pallapetsat dhe Dërrasë5çat do merrnin një mamuth të vetëm të cilin do e ndanin më gjysmë, duke kryer njëherazi transportin e detyruar kolektiv të gjahut dhe pagesën e taksës për transportin e gjësë së gjallë.

3. Pllakatorët do konfiskonin të 6-ë dhëmbët e fildishtë të mamuthëve si vënës të rregullit dhe ligjit, si edhe do mblidhnin taksën për sa u vendos më sipër.

Grindja që do të hynte më vonë në histori si Lufta e Tre Mamuthëve u mbyll. Secili fis shikon udhën e vet.

Mjegulla në fushën e Lilikos është hapërndarë. Rrezet e dritës depërtojnë në grykat e Çupetes. Ndriçon rrafshnalta e ulët e Marakuja Azedos. Shkëlqejnë edhe tokat e vobekta të Marsianos. Vezullisin ujërat e Mare Nostrum përgjatë Bregdetit të Lotëve brigjeve të Parças. Për së largu feksin si sfinks kështjella dhe muret misterioze të Çinos.

Granadillo, kryeqendra e kryeqendrave të Rrafshit. Kreshta e kësaj rrëfenje. Si qershia në degë. Të gjitha rrugët të shpjenë aty.


Biografi e shkurtër e autorit

Flurans Ilia u lind në Berat më 16 Maj 1971 në një familje intelektualësh ku biblioteka dhe librat zënë vend qendror në mjedisin familjar. Humbja e babait do ta shtynte qysh në fëmijëri drejt botës magjike të artit. Përgjatë viteve të shkollës shkruan poezi, skica, tregime, pa publikuar asgjë. Fillimi i viteve 1990 e gjen në një udhëtim bohemian nëpër Ballkan, Evropë, Amerikën e Veriut, për t’u ankoruar përfundimisht në Montréal të Kanadasë. Mërgimi mban gjallë dëshirën dhe kontaktin e tij të vazhdueshëm me Fjalën.

Në fillimin e viteve 2000, nëna e tij publikon në atdhe fletoret e tij të braktisura me vjersha. “Atavizëm” titullohet libri i tij i parë në poezi, i ndjekur nga gjashtë tituj të tjerë vëllimesh në vargje, si dhe përmbledhja me tregime “Baraka e kopshtit të mollëve”. Në vitin 2008 publikon në Tiranë përmbledhjen me proza “Thembra e kujtesës”. Në vitin 2014 publikon në Prishtinë romanin “Jashtë sezonit”. Bashkëpunimi i tij i vazhdueshëm me organet dhe suplementët letrarë brenda dhe jashtë vendit, në lëmin e publicistikës, esesë, prozës, përkthimit, e kanë renditur emrin e Fluransit krahas bashkëkombësve të tij në lëmin e kulturës dhe fjalës shqipe.

Këtu mund të lexoni edhe një cikël me poezi të këtij shkrimtari.

Vepra

“Atavizëm”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2000)
“Refleksione”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2000)
“Ditë endacake”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2000)
“Të rilindë poezia”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2001)
“Kumbim shpirti”, poezi (“Dritëro”, Tiranë, 2001)
“Himn njerëzor”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2002)
“Baraka e kopshtit të mollëve”, tregime (“Uegen”, Tiranë, 2003)
“Zogjtë qiellit i mungojnë në veri”, poezi (“Uegen”, Tiranë, 2004)
“Thembra e kujtesës”, proza (“Ideart”, Tiranë, 2008)
“Jashtë sezonit”, roman, (“Buzuku”, Prishtinë, 2014)

One thought on “FLURANS ILIA – LUFTA E TRE MAMUTHËVE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!