ARSHI PIPA – HISTORIJA E DHIMSHME E «SHPIRTIT TË RI» (pjesa e parë)

ARSHI PIPA – HISTORIJA E DHIMSHME E «SHPIRTIT TË RI» (pjesa e parë)
ARSHI PIPA

HISTORIJA E DHIMSHME E «SHPIRTIT TË RI»

Jeta qi mbyllet si nji libër, sado i hollë, i shkruem deri në faqen e fundit, ka me vehte ngushllimin e vet.
Te drami i jetës, jo te fundi i saj asht dhima.

Në Nr. 51, d. 11 Prill 1936, e përkohshmja «Illyria», ku u botuen e shumta e prozavet të Migjenit dhe disa nga kangët e tija, lajmonte botimin e afërm të «Vargjevet të Lira». Disa muej ma vonë libri ishte gati, i mungonte vetëm indeksi. Kur befas. Migjeni e pezulloi botimin, dhe libri i paplotsuem, shtypun në njimij copë, mbeti atëherë e deri sot ndër depot e shtypshkrojës «Gutenberg».

Ndërkaq, tue pritë rasën e volitshme për t’a botue, kalonte koha. Migjeni ndodhej asohere mësues në Pukë, nji qendër nënprefekture e Shkodrës, qi asht nji vend i mirë klimaterik. Në Pukë aj kishte dashtë të shkonte për arsye të shëndetit të tij të dobtë. Mësimi atje bahej ndër muejt e stinës së ngrohtë, kështu qi njikohsisht me mësimin bahej dhe verim. Në Pukë Migjeni kaloi edhe verën e vjetit t’ ardhshëm. Ftisija, e përgjumun për do kohë, kish nisë t’ i çfaqej atëherë, shëndeti i tij ishte tronditë ; dhe kjo tronditje ndihet qartë n’ ato kangë të fundit të cilat u shkruen në kët stinë (Prill-Qershuer 1937). Në Dhetorin e 1937-ës Migjeni vinte në Torino për me u regjistrue në fakultetin e Letersìs. Në Mars të 1938 ës hynte në sanatorium. Do të vuente aty nja pesë muej, derisa me 26 Gusht 1938 vdiste në Torre Pellice, nji naltësí afër Torinos, ku kishte shkue me ndrrue klimë. Ishte atëherë njizeteshtat vjec, tue pasë lindë me 30 Shtatuer 1911.

«Vargjet e Lira» mbetën kështu pa u botue. Por emni i Migjenit ishte tashma i njoftun, dhe vdekja e tij e trishtueshme në dhé të huej, lëshoi rreze të ngrohta simpatije mbi veprën e tij. Libri i paplotsuem u kopjue me dorë, u daktilografue, dhe qarkulloi nepër popull. Botimi i soçëm[1]1), vjen për me i dhanë fund peripetivet të këtyne «vargjet të lira» qi, kontrast i bindshëm, patën fatin e atyne qi ma shum se të gjithë dashunojnë lirín – e janë të ndrymunit, tue mbetë per tetë vjet të mbylluna ndër faqe librash të harrueme.

Ky botim i dytë ndjek botimin e parë deri në poezín e mbrame të grupit «Kangët e Rinís» I mungojnë vetëm dy poezí: «Parathanja e Parathanjevet» dhe «Blasfemi». Kan ma tepër ato gjashtë poezí të kapitullit të mbramë të cilat janë nxjerrë nga nji fletore në dorëshkrim e poetit. Ndoshta prej nguti, nuk janë botue kto kangë në rendin e tyne kronologjik në të cilin i kishte vue autori. Ky rend fillon me «Kangën që s’kuptohet» (Maj, 1936), dhe vijon me «Nji natë pa gjumë», «Vuejtja», «Frymzim i pa fat», «Vetmija», «Nën flamujt e melankolisë”, shkrue të gjitha në Pukë, në periudhën Prill-Qershuer 1937.

Historija e dhimshme

Janë në kët vëllim gjithsejt 41 vjersha të ndame ndër gjashtë kapituj si vijon: «Kangët e Ringjalljes», «Kangët e Mjerimit», «Kangët e Përndimit», «Kangë në vete», «Kangët e Rinís» dhe «Kangët e fundit».

Kjo ndamje, mund të vrehet lehtë, nuk asht kronologjike por logjike. Janë përmbledhë në nji grup ato kangë që janë gjiní mes tyne. Edhe rendimi i ktyne asht bâ mbas nji plani. Poet qi rrëfen ndër vargje historín e jetës së vet, Migjeni ka pasë kujdes t’u api ktyne kangëvet at zhvillim logjik nepërmjet të cilit jeta merr kuptim. E mbasi poezí e jetë te poeti i njimendtë japë synonime, e shofim Migjenin tue modelue jetën e vet mbas melodís së mbrendëshme. Kur vdes poezija e tij ka vdekë edhe aj. Burue nga rrajët e thella të jetës, poezija i prîn asaj tue e tejkalue : njef fatin e vet para se me e pasë jetue deri në fund.

*

*        *

Mund të quhet Migjeni «poeti i të mjervet» dhe vepra e tij nji «poemë mjerimi» e vazhdueshme e ndërpreme prej hovesh të flakta për me i shpëtue ktij mjerimi fatal.

Ndër skutat e qelbta të rrugavat, mes poteravet të tymosuna të mejhanavet, mbi shtratet e zhyeme të prostitutavet, ndër burgje, ndër kësolla edhe ma t’errta se burgjet, lohet nji tragjedí (apo nji komedí?) e përherëshme. Njerëzt qi e losin (njerëz a maska?): lavira, rrugaça, dobiça, hajna, pijanecë, të burgosun, të sëmundë, të çmendun, sillen në nji valle fantasmagorike turpi e uje të pa-fund.

Lavira :

Hesht njeriu pranë grues që qan e turpnueme …
Syni i venitet
në tê loti vërvitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues i a lê – dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodinë e këputun.
(Melodi e këputun)

Valltare rrugash lavira :

Dy hapa para, dy hapa mbrapa
me kambë të zbathun
me zêmër të plasun,
dy hapa djathtas, dy hapa majtas . . .
. . . . . .
Jeta e saj asht këjo vall’ e çmendun
Në rrugat e qytetit t’ onë…
(Baladë qytetse)

Lypsa :

Nga mshira e pamshirve
lypsi i vogël gjallonte.
Jetën e rrokullonte
nepër udha t’ ndyta
nepër skaje t’ errta
nepër pragje të ngurta . . .
(Fragment)

Pijaneca :

Mjerimi ka motër ngushëlluese gotën.
Ndër pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
në fyt për me harrue nândhetenand’ halle.
(Poema e mjerimit)

Rrugaça, hajna, të burgosun e prap e gjithnji lavira :

Pralla mbi fëmi rrugaça
bark-jashtë e me hundë të ndyta
që dorë shtrijnë me vjedhë, me lypë,
e ngihen me fjalë të ndyta.
Pralla mbi varza të fyeme
me faqe e me buzë të thithna.
Prralla mbi djelm, me të thyeme
shprese, në burg me duer të lidhna . . .
(Lagja e varfun)

Ky asht skenari qi zbulon syni i Migjenit. Tjerët kan kalue pa e shënue. Vagabonda, të burgosun, lavira ! Bota sjell kryet mënjanë për mos me i pá kto qenje të mjera të neverituna . . . Migjeni i ban protagonista të poemave të tij. Nji simpatí e fortë e afron kah kta të dënuem, kah kto viktima të shoqnis. Kush asht aj tekembramja ? Nji mësues katundi, nji i s’mundë qi nuk mund të shërohet pse nuk ka pare. Por ndërsa të tjerët kan heshtë aj çon zanin. Të tjerët ngushëllohen me mëshirë. Aj bërtet :

Mjerimi s’ do mshirë. Por don vetëm të drejt !
Mshirë ? Bijë bastarde e etënvet dinakë
të cilt në mënyrë pompoze po si fariseut
i bijnë lodërtinës me ndejt dhelparak
tu’ i a lëshue lypsit një grosh të holl’ në shplakë.
(Poema e mjerimit)

Historija e dhimshme e
Numri tre i revistës “Kritika”, ku u botua pjesa e parë e punimit të Pipës kushtuar Migjenit

«Kangët e mjerimit» përbajnë grupin ma të gjatë të poezivet të librit. Disa prej tyne, sidomos të parat, janë ma fort përshkruese (Baladë qytetse, Melodi e këputun, Lagja e varfun, Rima e tretun, Fragment). Titujt spjegojnë motivat. Janë motiva të dalun nga nji botë reale, jo nga kujtime t’ ambla fminije, jo nga malle dashunore : motiva qi «shkarraviten» nepër fëtyra të skamnoret vetvetiu, si me dhunë (Motivet). Të gjithë kta motiva orkestrohen të «Poema e Mjerimit», pasqyrë e lakueme ku vuajtja del me trajta të dhimbshme të shtrembnueme për bind.

Në kët fantasmagorí zgërdhimjesh e vajesh aj cakton vendin e vet :

Unë-lugat! Si hij’ e trazueme,
trashigimtar i vuajtjes dhe i durimit
endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaqura t’ instinktit.
(Recital i Malsorit)

Por klithmat e tija mbesin pa jehonë. E i duket atëherë vetja si në nji burg, në burgun e të gjallëvet, aj fantazëm uje e shekujve qi endet mes tyne tue virrun kot.

Hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj’ e eme
dy armiqtë të betuam, luftojnë dit’ e natë ;
por hekri i fortë e mund ndërgjegjen t’ eme
dhe në deshprim përplasem si një qen i ngratë.
(Kanga e të burgosunit)

Lugat ! por edhe i burgosun ! Fillon me njoftë ku gjindet. Por nuk dëshpërohet. Përkundrazi merr zemër. U ka britë njerzvet e ata kan heshtë. Njerzija asht si nji mal, i pandishëm. Dhe i del përpara, ja mbyllë rrugën, ja pret hovin. Aj i kërcnohet me i rá grusht në zemër, me e shkundë . . . maraz titajsh ! i pafrytshëm. Mali heshtë e në heshtje e tallë. Tallja atê e tërbon. E ndërsa ndihet «luâ i ndryem në kafaz», urrejtja e tij endet kërcnueshëm brenda hekuravet.

Nuk ka me heshtë pra. Dhima e tij do të jetë jo e butë, por e egër, gërthitse : «dhimbë krenare» :

O kangë e dejë e dhimbës krenare . . .
Mos pushò kurrë ! Por bashkë me vaje
si dy binjokë këndoni mjerimin
se koha do të ju bijë ngushëllimin.
(Kanga e dhimbës krenare)

N’ at burg vetmije të trishtueshme ku aj gjindet, shpresa në t’ ardhshmen e ngushëllon e i ep zemër me jetue. E atëherë kanga e tij, mrekullí e besimit të plotfuqishëm ndër ideale, naltohet me vërtik shqyponje, e në mes t’ asaj mizerje ku dergjet tragjikomedija njerzore, ndërmjet zgërdhimjevet t’ atyne qi tallin idealet, prekë për herë të parë kulpoezije. Vetmija e rritë para syvet të vet. Nji emën i vjen te buza : Nietszche ! E për nji ças, kangatari i të mjervet puqet me kangatarin e Mbinjeriut. Kjo botë duhet rrenue ! Kjo botë asht e padêjë ! Njeriu duhet të zhduket për t’ ardhë Mbinjeriu ! Atê qi filosofi-poet tha me kuptime metafizike të veçanta, Migjeni e përsëritë në nji valë dëshpërimi të mbytun në nji hov dithyrambi :

N’ ardhmeni të trash’ gueme Mbinjeriu vrehet
ndërgjegjë pa dyshime,
ndërgjegjë pa trillime,
me një grusht graniti që kurr nuk do të thehet.
Një sfings i madhnueshëm Mbinjeriu i ardhshëm,
pa zêmër, pa ndjenja,
syt e tij rrufena –
qarkullojnë rreth rruzullit tue synue vrânshëm.
Kohnat e kalueme në ballë të Mbinjeirut
janë gjurma luftimi
janë shenja hidhnimi
– se jetë e ré lindet me vdekje të njeriut.
(Trajtat e Mbinjeriut)

Duhet nji rigeneracion i shoqnís prej themelesh. Njerzija asht kalbë. Duhet pastrue ! Tradita («pesha e fatit») ndrydhë e shtypë.

Na shtypi fati e na bani krymba
ne kensit dykambësh që zbuluem hy’ n
edhe aq ma tepër e ngatrruem ny’ n . . .
shpirtent t’ onë skyfera deshen të bahen pëllumba.
(Rrini mor skyfera ! Pse të baheni pëllumba ? . . )

E ma poshtë:

Të vërtetat dhe rrenat ? – Xhevahirët e çmuem.
Me ta kur të duesh e shet dhe e blen botën.
(Pesha e Fatit)

Dallimet konvencjonale mes së vërtetash dhe së rrêjshmesh janë false. Si pat thanë Nietzsche. Njeriu (o Mbinjeriu) i rigeneruem, nuk duhet të ketë dyshime, iluzjone. Duhet të jetë nji sfinks : pa zemër, pa ndjenja ; vetëm logjik e violent. Influenca e Nietzsche-s puqet këtu me atê të Dostojevski-t (Raskolnikov, Stavrogin, Kirilov). Njeri prej hekuri : mekanik, do të precisojë ma andej, nën influencën e qytetnimit mekanik modern.
Këtu Migjeni ndeshet me fén, antagonisten e tij.
Fén (ortodokse) aj e njifte mirë, tue pasë krye seminarin e Manastirit. Nuk e kishte bâ prej qejfi kët jetë seminari. Kishte fitue nji bursë dikur dhe, për me e ruejtë, i ishte dashtë me kalue në seminar, ndryshej nuk do të kishte mujtë me vijue studimet. Mandej, si mbaroi seminarin, në vend qi të vazhdonte karrierën priftnore, erdh n’ atdhé, u fut në jetën e të vorfënvet. Kontrasti i madh e shtangu :

Xhamijat dhe kishat madhështore ndër vende t’ ona të mjerueme . . .
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shpijat t’ ona përdhecke.
                                                                               (Blasfemi)

Atëherë aj dyshoi dhe ky dyshim i tij qe i idhtë e plot mllef, paditës :

Për ditë përndojnë zotat
dhe rrëshqasin trajtat e tyne
mbi vjet dhe shekuj
dhe tash s’ po dihet ma kush asht zot e kush njeri.
(Parathanje e parathanjevet)

Historija e dhimshme e

Por aj adhuronte edhe Alioshën Karamazof. Dhe njeriu qi adhuron Alioshën, në mos qoftë fetar, asht thellësisht njerzuer. Si Aljosha prej monastirit, edhe aj kishte dalë prej seminarit, tue u përzí me turmat ku vlojnë epshet e mbrapshta. Dhe ishte i mirë e i pastër gati si Aljosha. Dashunitë e tija ishin platonike, adhuronte bukurín si ideal qi frymzon. Gruen e dashunueme e këndoi me ekstazë shpirti, jo me epsh pasioni. E quejti : «grue a hyjneshë» (Nji natë). I përshkroi jo trupin por fëtyrën, dhe te fëtyra sidomos sytë : «të kaltër» (Z. B.), «të zez» (Një natë). Sensualiteti i tij nuk shkoi përtej buzvet, «të njoma» (Një natë), «të kuqe», «të flakta» (Dy buzë) – dhe te kjo poezí puthja nuk ep andje por dhimë. Edhe atëherë kur përshkroi lavirat, aj mbeti i pastër. Lavirat aj i spiritualizoi – i «sublimoi» (Sonia e Dostojevsky-t, e Panjohuna e Blok-ut). Harroi epshin në lotin e tyne «melodi e këputun», (Grushenjka mbi prêhën t’ Alioshës). E kështu dashunija e tij qindroi «e pastër», «e hijshme» (Z. B., Një natë). Epshi nuk asht dashní :

Vashë e djalë përputhen
mbrendë dy zemra digjen
por me u puthë – nuk puthen !
(Mbas tryezës)

Dhe si Aljosha ka dashunín humanitare. Vetëm se Aljosha beson në Zotin, prandej asht i paqët e i qeshun. Migjeni, «bir i nji shekulli të ri», ka humbë besimin. «Cmirë u a kam shejtenvet !» rrëfen te «Kanga skandaloze», e nuk asht krejt ironí, sadi qi tingllon blasfemë. Fëtyra e Alioshës vegohet në largësí ndër tiparet e zbehta të murgeshës ku flêjnë lutjet, «(jo tallse)». Por aj nuk mund të lutet. E atëherë shfren :

O murgeshë e zbetë që çon dashtní me shejtent,
që n’ ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit
dhe ua zbulon veten . . Cmirë u a kam shejtenvet !
Mos u lut për mue, se due pash më pash t’ i bij ferrit.
Unë dhe ti murgeshë, dy skâje po të nji litari,
të cilin dy tabore i a ngrehin njeni tjetrit –
lufta asht e ashpër dhe kushedi ku do të dali,
Prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit.
(Kanga skandaloze)

I njajti ideal humaniteti pra : por i kapun ndër dy skaje, dhe kto dy skaje nuk afrohen, por ngrehen në vështrim të kundërt. Te «Kanga skandaloze» Migjeni, tue prekë kulmet e poezisë së vet, prekë edhe fundet e vehtes : i zbulon pa dashtë. Bashkë me mallin e tij për «engjëjt e arratisun» mbi dhé (Aliosha, murgesha), zbulon trishtimin e tij të pamasë në nji botë t’ errtë, të zbrazët nga feja e vjetër, ende të pangushllueme nga feja e ré.

E mbrrijtun në kët pikë, poezia e tij merr nji frymë universale, në nji pesimizem qi buron nga libri i Jobit. Nga «Trajtat e Mbinjeriut» përmes «Vjeshtës në parakalim» e «Kangës skandaloze», kemi ardhë te «Rezignata», ndjekun nga «Shpirti i Ri». Jemi në thelbin e poezís migjenike. «Rezignata» asht jehona e fikun e asaj klithme : «Shpirti i im asht i trishtuem deri në vdekje». Te «Vjeshta në parakalim» luftari nuk ka mujtë me qindrue ma : ka dnesë për herën e parë. Asht nji ças kur vuen jo vetëm shpirti por edhe trupi, vuen edhe natyra me njeriun :

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra t’ ona.
.   .   .   .
Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
tundet dhe përgjaket në pasjon të viganit :
«Jetë ! Jetë unë due !» – e frymë merr prej fellit,
si stuhi shkynë ajrin . . . por në fund i a nisë vajit.
(Vjeshta në parakalim)

E kishte besue vehten të fortë si nji lis. Por qe se lisi shpërthen në vaj kur shef kotësin e mundimeve të veta për me jetue si lis. Ky dëshpërim përcillet te «Kanga e skandaloze» nën nji maskë sarkazmi. Te «Rezingata» shpirti zbulon se jo vetëm njerzija por gjithë rruzullimi asht fatzí, dhe se prandej nuk mbetë vjetër veç me ju shtrue fatit ose me vajtue.

Na shprehun të ngushlluem gjetme në vaj . . .
Mjerimet e morme në pajë
me jetë . . . se kjo botë mbarë
ndër gji t’ Univezumit asht një varrë
ku qenja e dënuese shkrrahet rrshân
me vullnet të ndrydhun në grusht të nji vigan’.
(Rezignata)

Loti i kulluet i heroit për dhimat njerzore, ku kish vetue urrejtja për padrejtësí, bjen për dhé trishtueshëm, thërmohet,

e ndër thrimet e vogla të lotit ka një njeri lindet.
                                                                                 (ibid.)

Dhe nuk ka randsí fati i mjerë i apostullit, por asht e tmerrshme me vrejtë se si mundimet e tija për të mirën e njerzís dështojnë tue mbarue ndër lotë qi shtojnë mjerimin e botës.
          Por shpirti nuk i shtrohet fatit. «Rezignata» asht nji meditacion i thellë mbi kotësín e jetës, por jeta vetë asht ma e thellë se të gjitha meditacionet së bashku të filosofëvet të dhimës, dhe triumfon mbi ta përherë. Duhej të heshte e nuk heshtë. Do të jetojë edhe pse jeta duket absurditet. «Shpirti i Ri» asht gërthitja e parë për qindresë.

Shqyponjë me krah të thyem ! Vall shpirt i molisun !
Qëndrò ! Qëndrò krenarë ! mu si një zot i stolisun
me diell t’ artë në ball, me qiella t’ azurta në sy . . .
Qëndrò ! si vaj skamnori – ende ka frymë në ty.
O shpirt ! Pëllumb i gjorë ! Lajm i idealit të ri . . .
Çgule shëgjetën nga vetja, e rishtaz, me dhimsuni
flutrò mbi valët e jetës e fjalë ngushëllimi përshpirt,
shërò plagat skamnore e shpresën në jetë u a rrit.
(Shpirti i Ri)

Por rrëzimi asht i njathershëm. Shpirti-shqyponjë i ka njëmend krahët e thyem, nuk lëvizë. E edhe shpirti-pëllumb asht i plagosun e nuk mund të fluturojë. E heshtë tue derdhë lot.

Me «Shpirtin e Ri» mbyllen «Kangët e Mjerimit». Nji frymë e thellë pesimizmi zotnon ndër kto kangë. Poeti pa dashtë me njoftë shoqnín ku jetonte, dhe kur e ka njoftë e ka dashunue për mjerimin e saj. Por asht gjetë i ndrymë si më nji burg kur ka dashtë me kerkue të drejtën. Atëherë në vend qi të ligështohet, ka marrë pezëm e ka qitë kushtrimin. Por shpresa e tij ka qenë e shkurtë. I nisun shqiponjë në nji fluturim fantazije nietzsche-ane, i janë thye shpejt krahët dhe kur ka rá asht zbulue «pëllumb i gjorë». Dhe kështu shpirti i rí, ndërsa çfaqet i përbamë prej dy shpirtënsh antagonistë qi alternohen në vehtje të Migjenit, njeni skyfer e tjetri pëllumb, tregon se asht nji plagë e pambyllun ndër të dyja alternativat («Plaga» titullohej ma parë «Shpirti i Ri»). Shqyponjë me krah të thyem apo pëllumb me shigjetë në gjí, në dhimë nuk ka ndryshim. Dhima asht origjina e përbashkët prej kah dalin e ku kthejnë dy shpirtënt polarë të Migjenit.

(Vijon)  

ARSHI PIPA


[1] 1) MIGJENI: VARGJET E LIRA – Bot. I. Mal’ Osmani, Tiranë, 1944

Shënim. Ky artikull u botua për së pari në numrin e tretë të revistës “Kritika”, e cila nisi të botohej në vitin 1944 dhe doli me vetëm katër numra. Drejtues i kësaj reviste ishte vetë Arshi Pipa.

Të gjitha hapësirat apo shenjat diakritike janë lënë të tilla në përputhje me tekstin origjinal.

Pjesën e dytë të këtij materiali mund ta lexoni këtu.

2 thoughts on “ARSHI PIPA – HISTORIJA E DHIMSHME E «SHPIRTIT TË RI» (pjesa e parë)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!