SADIK BEJKO – NDERIM PËR POEZINË (ese)
SADIK BEJKO
NDERIM PËR POEZINË
Nganjëherë më ka ngjarë se poezia e ka kositur livadhin e vet. Ajo nuk i shkon kësaj klime të shpejtësive lemerisëse, klime të imazhit mediatik, lumit të imazheve në ekrane që veç shtohen dhe përkryhen. Poezia do tërheqje në anën e brendshme të padukshme. Vërshimi i poezive ka përmbytur FB-në. Më duket se poezia e mirë në këto erëra ka turp të shfaqet. Ajo struket.
Por këto pandehma ogurliga të miat morën një goditje që prej ditës kur dëgjova recitimet nga Gëzim Basha. Më duket se kjo përvojë e kulturës së lartë amerikane solli një erë të freskët në këtë klimë të gulçuar të.poezisë te ne. Përvoja e recitimit, komentimit, e përzgjedhjes së poetit Laureat, kritikët e shquar si H. Bloom etj. janë shpresë se poezia ka jetë ende. Ende ia vlen të shkruash, të lexosh, të komentosh, të recitosh poezi.
Për këto ogure të mbara duhet ta falënderoj Gëzim Bashën. Ishte veçanërisht emocionuese të të vinin në ajër nga matanë Atlantikut jonet e fjalës shqipe, e poezisë shqipe. E falënderoj dhe për atë që është një njohës i mahnitshëm i poezisë dhe letërsisë, një mik i madh i kulturës sonë të shkruar. Po mjaftohem me kaq. Ç’duhet bërë më tej? Unë tani kam shumë shpresë se Gëzim Basha e rrethi i tij (ata që mendojnë si ai), që e kanë pasion lëvrimin, leximin e poezisë lirike si ai, e dinë më mirë…
2. Çfarë është poezia lirike?
Do të flas nga praktika ime. Jam një lexues tashmë i vjetër (dhe recitues, besoj). I kam lexuar dhe vazhdoj t’i lexoj lirikat që nga Konfuci (shih Ching), nga Alkeu, Safo, Horaci, Katuli, psalmet e Davidit, ashtu si hajkun japonez, poezinë e romantikëve, e Rembosë, Bodlerit dhe gjithë autorëve të shquar të shekullit të 20.
Cila është poezia lirike? Ajo përtej përkufizimeve, përtej larmisë, diferencave, kundërvënieve të qytetërimeve, të religjoneve, të filozofive… mbetet, lind, e përtërin veten në të gjitha kohërat nëpërmjet tingëllimit të fibrave të lindura në trurin e poetëve. Mbase ka një kënd shumë të veçantë në atë masën e krejt trurit njerëzor. Te ky kënd që e kanë ata që janë të projektuar të jenë poetë ka lindur dhe do të lindë poezia në të gjitha kohërat. Ajo do të jetë e njëjta poezi lirike dhe njëherësh e ndryshme. Parnasi, muzat janë te këto fibra tingëlluese në trurin e poetëve.