FLORESHA DADO – Rexhep Qosja: Postmodernizëm në letërsinë shqiptare

FLORESHA DADO – Rexhep Qosja: Postmodernizëm në letërsinë shqiptare

Rexhep Qosja: Postmodernizëm në letërsinë shqiptare

Ç’është Postmodernizmi dhe cili është raporti me Modernizmin, mbetet një problem i diskutuar midis filozofëve dhe teoricienëve të letërsisë.

FLORESHA DADO

Shihen jo si dy lëvizje të ndryshme, por si dy pole të një eksperience, domethënë si një vazhdim e jo si shkëputje nga njëra-tjetra. Por, nëse ndalemi te Postmodernizmi, a ka të bëjë parafjala post me aspektin kronologjik të shfaqjes, apo me dukuri të tjera të brendshme të zhvillimit të letërsisë?

Njihet një shumllojshmëri përcaktimesh mbi Postmodernizmin. Ta përkufizosh dhe ta përshkruash atë nuk janë e njejta gjë; madje pikërisht dallimi i këtyre dy koncepteve vazhdon ta komplikojë përkufizimin e kësaj mënyre të konceptimit të veprës letrare, apo nëse do ta quanim drejtim letrar. Në raport me ndryshimet historike që sollën lindjen e Modernizmit në letërsinë evropiane dhe anglo-amerikane, T. Eagleton përcakton se “Postmodernizmi është një stil kulturor që reflekton diçka nga ndryshimet e kësaj epoke, në një art… të decentralizuar, … vetërefleksiv, plot lojra, … eklektik, pluralist, i cili mjegullon kufijtë midis kulturës së “lartë” dhe “popullore”, si dhe midis artit dhe eksperiencës së përditshme.” Gjithashtu, nëse në Evropë Postmodernizmi formësohet përmes një grupi shkrimtarësh, që krijuan romanin e ri në Francë, që në fillim të ½ së dytë të shekullit të kaluar, në letërsinë shqiptare ai shfaqet gati ½ shekulli më vonë. Si çdo drejtim letrar, që në letërsinë shqiptare do të vinte me vonesë, edhe Postmodernizmi shfaqet, gjithsesi, me një lloj ndrojtjeje tek autorët e Kosovës në vitet 80, ndërsa në Shqipëri vetëm pas viteve ’90. Qoftë dhe vetëm për këtë fakt (kur situatat historiko-kulturore janë shumë të ndryshme), Postmodernizmi në letërsinë e sotme shqiptare ka specifikat e veta.

Me tre romanet, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Një dashuri dhe shtatë faje” dhe “Nata është dita jonë”, në të cilat ndahen, bashkohen, pajtohen, shpërbëhen tiparet moderniste dhe postmoderniste, R. Qosja mund të konsiderohet si një ndër përfaqësuesit më të konsoliduar të letërsisë postmoderniste shqiptare.

Postmodernizëm në letërsinë shqiptare

Në literaturën teorike mendimi mbizotërues është se tiparet postmoderniste nuk mund t’i fusim në një “kategori apo kuti të përcaktuar”, sepse bindjet dhe praktikat krijuese të shkrimtarit postmodernist janë më shumë personale se sa të identifikueshme me një grup të caktuar. Gjithashtu të vështirë e bën përkufizimin edhe fakti se postmodernizmi mund të jetë i ndryshëm tani në raport me sot, sepse ai vazhdimisht është në procesin e të bërit, të rishfaqjes, sepse Postmodernizmi nuk mund të karakterizohet vetëm nga një tipar. Kjo i çon mjaft teoricienë të shtrojnë pyetjen nësë Postmodernizmi është thjesht bashkim eklektik i karakteristikave që nuk kanë asgjë për ta njësuar atë? Po aq i ndërlikuar është dallimi i saktë i Postmodernizmti nga Modernizmi, për faktin se tipare të tilla si vetë-reflektiviteti, mbizotërimi i aspektit psikologjik dhe subjektiv, mënyra alternative e të menduarit rreth asaj që pasqyrohet, eksperimentimet radikale në formë, fragmentizmi në formë dhe në pasqyrim, ambiguiteti ekstrem dhe karakteri simultan në strukturë, etj. i hasim si në veprat moderniste, ashtu dhe në ato postmoderniste.
Sido qoftë, brenda enigmave të brendshme të Postmodernizmit si dhe raporteve të diskutueshme të tij me Modernizmin, kur bëhet fjalë për letërsinë shqiptare kjo problematikë shfaqet edhe më e komplikuar. Dukuria postmoderniste shfaqet në një konceptim origjinal në romanet e R.Qoses. Vepra e fundit “ Nata është dita jonë”, me tiparet thelbësore të poetikës së saj, në një aspekt plotëson makrostrukturën e prozës së tij, ku kufijtë midis modernizmit dhe postmodernizmit nuk janë lehtësisht të dallueshëm. Nga ana tjetër, romani shfaqet si nje mikrostrukturë, ku postmodernizmi qosjan është sa i qëndrueshëm, aq dhe në proces lëvizjeje. Kjo shfaqet si në krahasim me veprat e mëparshme “Vdekja..” dhe “Një dashuri…”, ashtu edhe në raport me tiparet e letërsisë postmoderniste evropiane apo amerikane, apo dhe asaj shqiptare. Tiparet postmoderniste në këtë vepër lëvizin si në strukturën e brendshme të saj, ashtu dhe në aspektet e ndërtimit të jashtëm, duke dëshmuar jo rregullsi, por çrregullim, jo logjikë, por spontanitet të çuditshëm, jo raport mimetik me realitetin por një liri ekstreme në konfigurimin e tij, jo një logjikë gjuhësore, por lojë kapriçoze me të etj. Dukuria Postmodernizëm letrar shfaqet në disa aspekte të poetikës së veprës, të cilat, megjithatë, nuk përfaqësojnë një sistem solid, të qendrueshëm, por lëvizin edhe brenda përfytyrimit artistik të autorit.

Gjuha

“Romani, si një tërësi, është fenomen multiform në stil dhe variform në ligjërim dhe zë. Në të studiuesi përballet me shumë njësi stilistike, të gjendura shpesh në subjekte dhe nivele të ndryshme gjuhësore, në rregullime të ndryshme stilistikore” . Në romanin e Qoses synohet të krijohet një strukturë gjuhësore alternative, që e shtyn lexuesin të familjarizohet me një konceptim të ri të tekstit. Romani krijon dilemën midis konceptit mbi gjuhën, si një sistem vetëpërmbajtjesor, që gjeneron kuptimet e realitetit, dhe karakterit metagjuhësor të saj, domethënë “pasqyrimi” i ligjërimit të botës që është objekt i veprës. Në thelbin e strukturës gjuhësore të romanit qëndron një lojë e re gjuhësore, dinamike në evoluimin dhe ndryshimin e saj. Në këtë lojë autori tërheq vemendjen e lexuesit drejt dimensioneve të tjera. Që të kuptosh postmodernizmin e këtij romani, do të thotë në radhë të parë të kuptosh këtë gjuhë të re, këtë metagjuhë, të ballafaqohesh me çeshtjen se cili është kuptimi i një strukture ligjërimore të caktuar. Ligjërim, në dukje pa lidhje:

“Kreshniku i nënës. Në qoftë se nuk i japin punë mund të marrë çka i duhet.
Dyzet e pesë vjet frenim dhe pesëmbëdhjetë vjet shfrenim.
Shpagim përkatës. Baras: një me një!
Ndalu! Perceptim i botës vetëm me sy. Pa mend! (f. 27)

Një gjuhë që i përket, në të vërtetë metagjuhës, një mendim që shihet si një sistem strukturor, mendor dhe jo si një akt i një vetëdije me lidhje të drejtpërdrejtë me realitetin. Në romanin “Nata është dita jonë” loja gjuhësore përfshin përzierjen e stilit publicistik me përdorimet metaforike të fjalës, me stilin informativ telegrafik, ku mbizotëron metonimia, ku ndryshimet rrokin letërsinë, historinë gjatë shekujve…, me stilin lirik, pohime që kanë brenda kontrastin, absurdin; shpesh herë humbet sqima gjuhësore, ligjërimi zotërohet nga vulgariteti, që, siç do të shihet më poshtë, nuk është i rastësishëm, por lidhet më metaforën themelore të romanit.
Vihet re se, në lëvizjet midis Modernizmit dhe Postmodernizmi, romani risjell, në makrostrukturën romanore të Qoses, një identitet unik, që krijon stilin personal, sipas pikëvështrimit individual. Autori bëhet manipulues i shenjës gjuhësore. Një kapitull i tërë (243) është loja e gjuhës, loja e lakimit të emrave… Një faqe e tërë është anaforë (250) etj. Loja me gjuhën, si një ndër tiparet më të dukshme të Postmodernizmit, merr rrjedha të çuditshme, deri në ndërtimet e një sintakse të pazakontë (416), apo në rrëfimin e një dialogu, që duket sikur ka protagonistë dy hije njerëzore(62), apo të një bisede e kundërbisede të vetë autorit (149). Rrëfimi braktis format e strukturat gjuhësore formale, në sintaksën e përgjithsme. Kjo loje gjuhësore i jep lexuesit një dimension të veçantë, jo thjesht në kuptimin, por dhe në ritmet e ndjekjes së saj. Të kuptosh këtë vepër do të thotë të bësh një lexim tjetër, do të thotë të kuptosh këtë gjuhë të re.

Eklektizëm, apo intertekstualitet (apo eksperimentim)

Estetika e Postmodernizmit hedh poshtë idenë e kufijve të letërsisë me forma të tjera të krijimtarisë, duke pretenduar se dallimet janë të padëshirueshme, madje të pamundura. Që në konceptimin e strukturës së romanit, shihen përfytyrime sa të “çuditshme’ aq dhe të pazakonta në prozën realiste. Prologu shfaqet me një funksion krejt të ndryshëm, jo thjesht të paralajmërojë romanin, por : së pari ndërton një dialog paralajmërues me lexuesin, së dyti: kërkon një lexues të ri, duke i dhënë atij një rol të rëndësishëm në kuptimin e romanit, së treti, bashkon autorin-rrëfimtar me personazhin, duke ndërtuar një raport sfidues, që shkatërron kufijtë midis reales dhe trillimit : “unë dhe personazhi jemi marrë vesh!”, së katërti : si në teatrin brehtian, fton lexuesin-spektator të ndjekë personazhin “Zonja e zotërinj! Kaloni në faqen tjetër : personazhi kryesor ka filluar ta kallëzojë jetën e tij. … T’ia çmojmë sinqeritetin edhe në qoftë se ato që do të tregojë do të na trenojnë”. Kundër çdo përkufizimi e klasifikimi, dhe e prirur drejt perceptimit ambig, drejt një forme të hapur, pa kufij, kjo lloj letërsie, që shkruan Qosja, i lejon atij liri ekstreme. Romani krijon raporte nga më të papriturat midis formave letrare dhe jo letrare. Kolazh formash, ndërfutje ligjërimesh të sferave jo letrare, si historike dhe publicistike…

“Çka nuk është e mundshme në romanin e sotëm. Romani bashkëkohor është mrekullia letrare e kohës sonë: në të bashkohen poezia , filozofia dhe shkenca; njëmendësia dhe fiksioni; e vërteta dhe misteri. Autori i romanit nuk do të shënohet me emrin e vërtetë po me pseudonimin Kentauri. Dhe le të dalë ku të dalë” (f.121) Kombinime stilesh të ndryshme brenda një strukture, kapërxime pohimesh, në dukje pa logjikë, pa lidhje, kalime të papritura nga një ambjent në tjetrin, shpesh shpërthime të një agresiviteti seksual. Autori ruan elemente të prozës moderne, ndërthur ndonjëherë edhe me forma klasike. Ndryshe nga letërsia moderniste, romani rimerr forma rrëfimtare të përrallës, si format e quajtura “të ulta”. Gjithashtu shfrytëzimi i mitologjisë shqiptare dhe greke, fjalë të urta të krijuara nga vetë autori, me ngarkesë sociale, politike, moralo-etike, rrëfim në stilin e përrallës, referim në historinë e afërt dhe të aktualitetit, personazhe të ditëve tona, vargje nga muzika rrep e kohës, etj. etj. përbëjnë disa nga tiparet më të dukshme të një letërsie postmoderniste. Do të ishte një hulli më vete interpretimi i thelbit të citimeve që merren nga autorë të huaj, absurditeti i shprehjes së mendimeve, personazhe historikë të njohur, tituj librash, mistere njerëzore etj. Siç është karakteristike për letërsinë postmoderniste, edhe roman i Qoses parodizon lloje të ndryshme meta-narrative dhe kode themelore të formës letrare. Duke shpërbërë kufijtë midis trillimit artistik dhe jo artistik, ai hyn në arsyetime të drejtpërdrejta, që janë jashtë natyrës figurative, metaforike të letërsisë, ndërton një marrëdhënie të pazakontë me lexuesin, lidhur pikërisht me mënyrën se si pasqyron realitetin, si ndërton personazhet, etj.:

“Pse po shkruaj kështu siç po shkruaj?
Kur duke ia dhënë fjalën personazhit e kur duke u bërë vetë personazh. Jo. Ndoshta u shpreha gabimisht. Do të duhej të them: kur duke e bërë personazhin kryesor autor të parë e kur duke e bërë veten autor të dytë… Nuk e di kush do të hidhërohet më shumë: letërsia? Lexuesit? A Juria ?… Vetëm një gjë është e sigurt si një e një bëjnë dy: nuk do të hidhërohet njëmendësia… Ajo do të më thotë: bravo! Përpara ! Ti nuk po më tradhëton. Ti po e tregon fytyrën time siç është. Ti po më shikon në loçkë të zemrës! Dhe, në bebëzat e syve!… letërsia do të hidhërohet në mua pse nuk po trilloj asgjë… Ku dhe kur ke dëgjuar, or shkrimtar, që të ketë letërsi pa fiksion, pa trillime, pa gënjeshtra?”, ndërsa për zemërimin e lexuesit autori shkruan “sa më përtacë që të jenë aq më shumë do të hidhërohen”, sepse-ironizon autori, ata duan një letërsi tjetër, prandaj “Atyre që në letërsi kërkojnë dashuri, madje dashuri sa më lakuriqe, unë do t’ua bëj qejfin me fjalë të pista, me pak lakuriqhane dhe, pse jo, me sjellje prej dylberi të ndonjerit nga personazhet.” (2001). Ndërsa ironia e tretë shkon te ata që do të gjykojnë veprën, të cilët, shkruan autori: “E njohin ata mirë krejt letërsinë evropiane, madje, letërsinë botërore… E dinë për mrekulli ç’është romani, e dinë historinë, teorinë e tij dhe tipologjinë e tij – e dinë se kanë lexuar shumë romane: tradicionale, moderne dhe postmoderne. E dinë ata – e kanë dëshmuar me artikuj, me sprova, me trajtesa, me studime e monografi si është përdorur ndërteksti dikur, në romanin modern, e si përdoret sot në romanin postmodern.” Duke ndjekur këtë ligjërim, për një moment e ke vështirë, që sipas formave tradicionale, të kuptosh që je në kufijtë e një vepre artistike, njihesh me argumentimin teorik që i bën R.Qosja romanit të tij postmodernist, njihesh me një raport special që ndërton ai, brenda dhe jashtë romanit, me lexuesin e sotëm, me konceptin dhe preferencën e tij krijuese për romanin postmodernist.

Realiteti dhe e vërteta

Sipas konceptit postmodernist nuk ka një realitet koherent dhe të unifikuar. Vepra e R.Qoses, duke u ngritur shpesh mbi paradoksin, mbi transformime radikale, mbi parodinë, fragmentizmin, synon të ndrydhë rrëfimin kryesor, çka, në të vërtetë, i jep theks të veçantë synimeve ideore të romanit.
Përfytyrimi postmodernist afrohet me prirjen për shkatërrimin e logjikës, neverinë për të sigurtën, mospëlqimin e qartësisë. Nihilizmi shfaqet nga njera anë përmes frymës së revoltës, neverisë së përgjithshme që ndjen autori-personazh ndaj realitetit, njerëzve që e rrethojnë. Nga ana tjetër përmes përplasjes kontradiktore të realitetit dhe “banalitetit” që mbyt shpesh ligjërimin. Një kënaqësi “sfiduese” në këtë liri të zbuluar në përmasa të çuditshme, që shpreh subjektivitetin ekstrem, që paraprin konceptimin e strukturës së romanit. Në dialogun e çuditshëm me personazhin (vetvetja!), autori afirmon “Unë e dua realizmin e tillë – hyperrealist.” me të cilën nënkupton pasqyrimin e realitetit ashtu siç është në problematikën e pa mohueshme të tij. Raportin me realitetin, të vërtetën Qosja, e ndërton pikërisht në këtë kahje : e vërteta njihet aq e pështirë, aq tronditëse, sa pasqyrimi i saj i kalon të gjitha kufijtë e etikës krijuese. Shkrimtari ynë postmodernist është “refleksiv”, në kuptimin që ai përfshihet në procesin e të menduarit për realitetin që e rrethon në një mënyrë dekonstruktive. Realiteti, e vërteta vjen në mënyrë ekstreme vetëm sipas përjetimeve emocionale, tepër të tendosura të shkrimtarit. Sigurisht, është në thelbin e Postmodernizmi që vëzhgimi dhe pasqyrimi kalon përmes një subjektivizmi ekstrem, një pozicionimi të ashpër e pa asnjë lloj kufizimi. Ambiguiteti i arsyetimeve të rrëfimtarit-autor, të lidhjeve që krijon me personazhe të tjerë dhe me dukuri të realitetit që e rrethon, një logjikë e paqartë, e turbullt që shfaqet herë pas here tek ai, janë forma të përcjelljes të së “vërtetës” në një letërsi të tipit të veçantë, e cila e fut prozatorin R.Qosja në drejtimin postmodernist bashkëkohor.

Personazhi

Në prozën postmoderniste nocioni i “karakterit” ndryshon: nën ndikimin e filozofisë ekzistencialiste shfaqja e personazhit përballë realitetit zëvendësohet me shfaqjen përballë zhdukjes. Ky karakter i pakapshëm i karakterit, e bën rrëfimtarinë postmoderne “të palexueshme” dhe, për ndonjë lexues, të lodhshëm. Autori ka braktisur teknikat realiste të karakterizimit të individit, duke u përqendruar në pozicionin: bartës i një qëndrimi kundërvënës, pa kufij. Ndryshe nga letërsia e mëparshme, ku lexuesve u ofrohen disa raporte, ngjarje, që zbulojnë thelbin e personazhit, në romanin “Nata është dita jonë” ofrohen shumësi pozicionesh, qëndrimesh emocionale të personazhit, ku nuk mund të përcaktosh prioritetin e njerit mbi tjetrin, nuk mund të përcaktosh, madje, edhe identitetin e vërtetë të tij. Problemi themelor i kuptimit të personazhit lidhet së pari me metaforën e emrit të tij. Budin Buda! Nëse kuptimi i fjalës “buda” është “ai u zgjua’, dhe, nëse dihet se kjo fjalë nënkupton një qënie njerëzore që është zgjuar dhe sheh si funksionon bota, shoqëria njerëzore, njohje që e ndryshon njeriun dhe e ndihmon të qartësohet, atëhere nuk është e vështirë të kuptohet thelbi metaforik i personazhit. Sipas filozofisë së budizmit, e cila është një mënyrë për të gjetur realitetin, ne vuajmë për shkak të dëshirës, zemërimit dhe budallallëkut. Ky moral, që përcjell filozofia budiste, përshkon romanin “ Nata është dita jonë” , por jo me butësinë dhe intonacionin moralizues. Përkundrazi, ashpërsia, tërbimi zemërak i personazhit është pothuajse shpartallues ndaj njerëzve dhe botës së mbrapshtë, ndaj rrënimit të saj, që s’njeh kurrfarë pengesash : as ligjore, as morale, as shpirtërore. Personazhi-rrëfimtar përballë turmës së shfytyruar, që shfaqet në metamorfoza nga më të neveritshmet “pas orionit ecën duke lehur:ham,ham,ham,ham; pse je këtu dhe pse je kështu e pyes nuk di i qeshur apo i tërbuar; e pse ti nuk je këtu dhe nuk je kështu: këtu liria përjetohet pa kufizime dhe vetëm përjetimi i këtillë i lirisë, pa kufizime, pa censurë, më frymëzon….dhe vazhdon të lehë shpesh dhe me të madhe…”(428) Më poshtë “e pyes nëse dëshiron t’ia heq prangat; Më përgjigjet: e shijoj lirinë vetëm kur jam i pranguar” Një turmë njerëzish të shfytyruar, skena monstruoze që të rikujtojnë Ferrin, banalitet ekstrem, janë tiparet që shfaqin personazhet gjatë romanit. Hakmarrja që përjeton rrëfimtari është e pandalshme…Kapitulli, ndër më interesantët, “Hallet rreth përfundimit”, krijon një raport të veçantë midis autorit, personazhit-rrëfimtar dhe personazheve të tjerë. Si në fundin e shfaqjes së një drame, rregjizori duket sikur i duhet të bëjë një analizë të asaj që ka ndërtuar dhe dirigjuar, por sidomos i duhet të dëgjojë vërejtjet, kënaqësitë dhe pakënaqësitë e tyre. Në dialogun me ta R.Qosja e ndan veten, papritur, në dy role: roli i Qoses, si autor real dhe roli i Budinit, personazhit rrëfimtar, për të cilin thotë : “Më në fund, ai është zëvendësi im, mendja dhe goja ime, sado që të bërat e tij në roman nuk janë edhe të miat”. Duke hyrë në një lloj debate me krijesën e vet, Budinin, autori shkruan : “E po mirë, Budin, i them, meqenëse nuk ke durim të presësh që jeta ta bëjë të vetën, përdor fiksionin, domethënë trillo. Po ta jap këtë të drejtë. Personazhet kryesore si ti bëjnë siç u thotë kryemjeshtri, por bëjnë edhe siç duan vetë. Urdhëro, rrëfeje përfundimin ashtu siç dëshiron ti. Ndoshta do të pëlqehet edhe prej lexuesve.” (414).

Në letërsinë postmoderniste është jo heroi, por antiheroi që mbart një tërbim të brendshëm, shpërthime revoltash ndaj realitetit të degraduar. Antiheroi i romanit “ Nata është dita jonë” sfidon “moralin” e kohës, sfidon pushtetin, sfidon gjithshka, bastardon gjuhën, përjeton madje situata sadizmi, sepse brenda vetes ka një revoltë dhe neveri për degradimin moral të njeriut, që ai e quan : politikan, biznesmen, intelektual etj. Një galeri, gati e pafund, personazhesh, që s’kanë pothuaj fare lidhje njeri me tjetrin, një sarkazëm rrënuese përmes lojës me pseudonimet e personazheve të tjerë, figura që hyjnë e dalin, duke sjellë apo fshirë realitete dhe qëndrime (sh)njerëzore, një murmurimë pa fillim e fund pëshpëritjesh, në thelb të të cilave duket se trondit pohimi : “ Besoj, Mulla Tajar, se ke dëgjuar për krime të tilla, të bëra ngadalë, ngadalë, por egër dhe me shumë, shumë mjeshtëri, në të katër anët e botës. Ato s’mund t’i bëjë gjithkush. I bëjnë ata që kanë kryer shkolla të larta, që kanë fuqi dhe që kanë kohë. Një sëmundje e re, një tërbim i ri, bëhet thelbi i botës.” (390)

Në romanin postmodernist të Qoses ndihet, siç ndodh në gjithë letërsinë postmoderniste evropiane dhe amerikane, ndjehet ndikimi i filozofisë ekzistenciale. Kjo sidomos te mënyra e konceptimit të personazhit. “Kush isha unë?” (30) “Ku do të më çojë kjo rrugë?” (48) janë udhëkryqet dhe dilemat e antiheroit. Por ky antihero rebel, pohon “Dua të jem i çmendur!”, “Nuk dua të jem më i mrekullueshëm! Dua të jem i lirë! I lirë! E morët vesh : i lirë!” (51). Situata të absurdit sjellin kundërvënien e antiheroit me trurin. Letërsia postmoderniste është kundër logjikës, arsyes, sepse ato, tashmë, fare pak e kanë ndihmuar njeriun. Antiheroi proteston ! Liri pa kufi, në ekstrem, ashtu siç është pakufi edhe ndrydhja, poshtërimi i njeriut të ndershëm. Sepse ka një logjikë tjetër, antilogjikë, që e detyron autorin-antiheroin të nënshtrohet.
Historinë e bëjnë urithët!
Fushetë, Gebelsët dhe zhdanovët !
Dhe, shërbëtorët e tyre. Shërbëtorët e shërbëtorëve!
Mjerë historia.
Dhe zbres. Në baltë. Me gjithë historinë! (17)

Simbolika

E gjithë simbolika e romanit “Nata është dita jonë” ngrihet mbi shfrytëzimin e aspekteve të margjinalizuara të jetës dhe të shoqërisë së sotme. Megjithatë, filozofia e veprës shkon përtej një mjedisi kohor dhe hapsinor, ajo ka në thelb pikëpamjen se jeta jetohet në një botë të degraduar, që sundohet nga imoraliteti, në kuptimin më të gjerë të fjalës. Ne jetojmë në një terren të sunduar, në mënyrën më paradoksale, nga pushtete dhe instikte morale. Filozofia e veprës zbulohet duke u njohur qoftë edhe vetëm me katër metafora themelore: Metafora e pare : “ Nata është dita jonë” me thelbin pardoksal të saj e vendos filozofinë e veprës në një sfond tronditës, që e bën më drithëruese dramën njerëzore, sepse nata është natën, por nata është edhe ditën. Metafora e dytë: Shtëpia e të Çmendurve, rrezaton gjithë filozofinë e romanit, ku simbole të pjesshme, si harta e botës në dysheme me kafshë gjakpirëse, piktura e oktapodit në një faqe muri, portretet monstruoze të burrit me gjarpër në gojë, të gruas, gjoksi i së cilës rridhte jo qumësht, por gjak që e pinin nëntë shtrigjër të rinj, etj. ndërtojnë realitetin tronditëse të kohës së sotme. Pamje të tilla, të llojit të ferrit dantesk nuk janë krijuar për të shprehur ndëshkimin e imoralitetit politik e social (siç bën Dante). Qosja ka një konceptim tjetër : ai do të thotë se këta njerës janë atje, janë ketu, janë rreth nesh, se ata dinë ta jetojnë jetën vetëm në këtë disekuilibër moral.

Metafora e tretë : vargu “Se ç’janë mbushur malet me borë…!”, që shërben si lajtmotiv pothuaj në fund të çdo kapitulli, është kontrast filozofik, është kundërvënie, pozicionim ideor. Do të duhej një mal me dëborë, siç është ajo, e bardhë, e pastër për të larë mëkatet e një realiteti aq të përdhosur. Mund të jetë diçka tjetër? Këtë e di autori.

Metafora e katërt : Buda thotë se jeta nuk është perfekte dhe ne do të vuajmë. Njeriu duhet ta njohë këtë botë për t’u dhënë fund vuajtjeve të tij. Metafora është e qartë për atë lexues që di të lexojë.

* * *

Romani “Nata është dita jonë” konsolidon më tej imagjinatën krijuese postmoderniste të R.Qoses. Individualiteti i tij shfaqet si në thellimin e tipareve postmoderniste, karakteristike për këtë drejtim letrar në letërsitë evropiane e anglo-amerikane, ashtu dhe në origjinalitetin, veçanësitë e parimeve dhe teknikave origjinale të ndërtimit të strukturës së brendshme dhe të jashtme të veprës. Mendoj se R.Qosja afirmohet, me çdo vepër të re, si përfaqësuesi më i konsoliduar i postmodernizmit shqiptar, duke dëshmuar se letërsia e sotme, ndonëse e vonuar, po provon me sukses kërkimet e reja në parimet estetike të saj.

A është interpretimi i bërë prej meje i vërtetë? Kjo pyetje provokohet nga fakti se thelbi i kësaj kritike buron nga natyra e vetë letërsisë postmoderniste, ku subjektiviteti është pothuajse ekstrem. Duke qenë më shumë një sofistikim letrar, sipas Postmodernizmit teksti është vetë kontradiktor, prandaj, edhe për kritikun e një vepre postmoderniste, hapen një numur i pafund interpretimesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!