KLARA KODRA – ARSHI PIPA DHE POEMA E TIJ “RUSHA”

KLARA KODRA – ARSHI PIPA DHE POEMA E TIJ “RUSHA”
KLARA KODRA

ARSHI PIPA DHE POEMA E TIJ “RUSHA”

Arshi Pipa është një nga figurat tepër të veçanta të kulturës shqiptare që shkëlqeu me erudicionin e vet dhe shijen e sigurtë estetike si studiues dhe kritik me erudicion perëndimor. Ai bëri objekt analize figura që shënuan maja të letërsisë shqiptare, ka qenë një nga kritikët e parë dhe origjinalë që dalluan yllin në lindje Migjeni në horizontin e letërsisë shqiptare, i kushtoi një monografi të veçantë De Radës (Hieronymos De Rada) shkruan studiuesi me vulë vetjake për Camajn, Nolin, Kadarenë, evidencon tipare të romantizmit të arbëreshëve dhe të letërsisë bashkëkohore. Si studiues dhe kritik Pipa është kompleks, do të thoshnim se i ngjan Konicës duke pasur shpirtin e vet një pjesë faustiane, krijues që i jep origjinalitetin kritikave dhe studimeve të tij dhe një pjesë mefistofelike që e bën të jetë tepër i rreptë ndaj krijimtarisë ambivalente, madje polivalente të Kadaresë dhe gjithashtu të mos pranojë origjinalitetin e poezisë së Nolit, duke e përkufizuar si gjeni si krijues, po jo si poet (në kundërshtim me Mitrush Kutelin).

Arshi Pipa është edhe vetë poet që piqet ngadalë nga vjershat e viteve të rinisë të përfshira në vëllimin “Lundërtarë” të 1944-ës deri në realizimin rrëqethës të ndërthurur me elemente natyraliste të “Librit të burgut”, një lloj ditari poetik autobiografik ku pasqyrohet realiteti i vrazhdë i kampeve komuniste të përqendrimit.

Po ne tani do të ndalemi në një vepër të tij poetike të llojit të gjatë, të lënë mënjanë nga kritika dhe që përfaqëson një fazë të ndërmjetme në krijimtarinë e tij, e shkruar që në vitet 50-të (më 1956) dhe e botuar për herë të parë jashtë shtetit, në Mynih, më 1968 (do të ribotohet më 1995) që paraqet interes për veçoritë e problematikës dhe për karakterizimin psikologjik të personazheve. Është një poemë që ndërthur realizëm dhe romantizëm. Realizmi shfaqet në pasqyrimin e saktë të kodeve të ngurta zakonore dhe në krijimin e personazheve të mbrujtura me botëkuptimin patriarkal dhe një konceptim tepër të ngushtë të nderit, romantizmi në kultin e ndjenjës dhe të natyrës.

Është një poemë epiko-lirike ku mbizotëron rrëfimi epik dhe shkëputet nga rregullat e ngurta të realizmit socialist dhe mediokriteti që mbizotëronte në atmosferën letrare të asaj kohe. Po t’u kishte arritur lexuesve në atë moment do të kishte spikatur për arritjet e veta.

Le të kujtojmë që vitet pesëdhjetë kanë qenë vitet më të errëta për letërsinë shqiptare kur letërsia proteiforme e viteve 40-50 pësoi një ndërprerje të papritur në zhvillimin e vet të natyrshëm për hir të një letërsie të re që udhëhiqej prej një drejtimi letrar si i ashtuquajturi realizëm socialist, programi i të cilit nuk lindte nga vetë shkrimtarët, po imponohej nga faktorë ekstraletrarë. Në mjegullën e asaj kohe shfaqeshin vetëm disa shkëndija të zbehta si ndonjë poemë e Llazar Siliqit dhe belbëzimet e para të një individualiteti të ri krijues siç ishin “Frymëzimet djaloshare” të Kadaresë.

Poema “Rusha” do të botohej jashtë atdheut dymbëdhjetë vjet më vonë në Gjermani, në Mynih për një publik që do të mund të tërhiqej vetëm nga elementët e saj ekzotike dhe do të ribotohej në atmosferën kaotike të viteve 90-të kur pas shpërbërjes së realizmit socialist do të nxirrnin krye elementët modernistë në letërsinë shqiptare.

ARSHI PIPA DHE POEMA E TIJ

Kjo poemë, e lënë mënjanë siç thamë nga kritika, ka megjithatë vlerat e veta. Është strukturuar si rapsoditë epike të Veriut me proliksitetin dhe atmosferën legjendare të tyre, po edhe me pasqyrimin e fuqishëm të dashurisë dhe urrejtjes, me evidencimin e virtyteve tradicionale shqiptare dhe ndrydhjen e ndjenjave që shkaktonin rregullat e rrepta të kanunit.

Mund të krahasohet në këtë drejtim me “Martesën e Halilit”. “Rusha” mund të përkufizohet edhe si poemë social-etike – psikologjike, e afërt me poema të tjera si “Andrra e jetës” e Mjedës dhe “Mrika në shkangull” e R.Siliqit që trajtojnë temën e madhe sociale-ekzistenciale të dashurisë në kushtet e vështira të patriarkalizmit.

Te “Andrra e jetës” kjo është vetëm një nga temat e veprës që himnizohet në rrafsh social-psikologjik dhe ekzistencial duke e lidhur me temën e familjes dhe amësisë. Te “Mrika në shkangull” vihet në qendër, po i jepet një përfundim tragjik, në përputhje me kushtet e kohës. Po autori i saj shpreh empati dhe dhimbje të sinqertë për protagonisten që e sheh si viktimë të pafajshme të zakoneve, nuk dënon rreptësisht gabimin e saj madje as atë të të dashurit, shumë më fajtor se ajo, dënon rreptësinë e ambientit që e çon në vetëflijim, vlerëson stoicizmin me të cilin ajo i kundërvihet fatit të vet tragjik.

Te “Rusha” dashuria erotike mbrohet dhe madje lartësohet si ndjenjë e madhe jetëdhënëse dhe burim lumturie duke ia kundërvënë paragjykimeve patriarkale që nuk e lejojnë vajzën të zgjedhë shokun e jetës dhe kodit të ngurtë të hakmarrjes. Te kjo poemë, ashtu si te poema e Risto Siliqit, kapërcehet tabuja e një lidhjeje jashtëmartesore që heroina e përligj më me guxim se heroina e Risto Siliqit duke mbrojtur të drejtën e vet për dashuri si ndjenjë e natyrshme.

Po në poemë shkohet edhe më tutje, dashuria e protagonistëve kapërcen edhe paragjykimin për ndryshimin midis kombësive. Madje kombësive tradicionalisht armike njëra me tjetrën si shqiptarët dhe serbët.

Pra, përveç idesë së lartësimit të dashurisë erotike, në poemë gjejmë edhe idenë e sublimitetit të agapes, dashurisë së madhe njerëzore dhe solidaritetit që kapërcen armiqësinë midis familjeve dhe kombësive, një mesazh ky tepër aktual edhe sot.

Poemës nuk i mungojnë skenat e fuqishme si momentet e njohjes së dy të rinjve të dashuruar, Rushës dhe Melisdravit, të pikës kulminante të vrasjes së Kozelit, të fejuarit me mblesëri nga i dashuri i vajzës dhe shpjegimit të Rushës me të vëllanë ku ndeshen pikëpamjet patriarkale të këtij të fundit me çiltërsinë, guximin dhe forcën e ndjenjës së saj. Pas fjalëve të rënda dhe të pamerituara që i vëllai lëshon mbi të (Djall me njoftë çka dijsha engjëll plot hir?/ idhullin e zemrës ba lavire?) ai lutet që vajza ta pranojë veten si viktimë të një mashtrimi, kështu që ai të mund sipas ligjeve të pashkruara “t’i marrë gjakun mikut dhe motrës”.

Vajza afirmon me guxim dashurinë e saj, madje edhe rrëfen amësinë e saj jashtë martese që dyfishon ndjenjën e saj ndaj dashnorit si baba të foshnjes së pabindur po ky zbulim nuk i zgjon vëllait të saj asnjë mëshirë njerëzore, madje ia përforcon vendimin për t’i vrarë dy të rinjtë. Këtë fund e shmang djali që detyrohet të përdorë dhunën për të mbrojtur veten dhe të dashurin, pra, t’i vrasë asaj të vëllanë. Po vajza e ndodhur midis dy dashurive njësoj, të forta që s’ka mundur të ndjejë urrejtje për të vëllanë edhe pas sjelljes së tij të dhunshme, vendos t’i marrë atij hakun.

Rusha të kujton në një çast Zhulietën e Shekspirit që vë dashurinë e vet mbi hasmërinë e dy familjeve, mbase s’është e rastit ngjashmëria midis mbiemrit të saj Kapulaj dhe mbiemrit Kapulet të heroinës së Shekspirit. Po në rast se Zhulieta e Shekspirit fal gjakun e kushëririt, kjo Zhulietë e re nuk mund ta falë gjakun e të vëllait. Ajo e puth të dashurin, duke e helmuar me atë puthje.

Me këtë helm njëkohësisht ajo ka vrarë veten dhe fëmijën e palindur, duke marrë kështu hakun e të vëllait. Në këtë moment të zhvillimit të subjektit Rusha të sjell ndërmend një figurë tjetër letrare, Doloridën e një balade të poetit romantik Alfred de Vinji që i jep kupën e burrit të pabesë i cili, i penduar, lë dashnoren dhe kthehet pranë gruas, duke i kërkuar falje po ajo nuk e fal, vetëm e plotëson hakmarrjen e saj duke e përfshirë edhe veten kur pi pjesën tjetër të helmit.

Në poemën “Rusha” djali ndërgjegjësohet për vrasjen e tij nga ana e së dashurës, po nuk e qorton për këtë, po vetëm për vrasjen e të birit të tyre të palindur dhe të pafajshëm. Këtij qortimi vajza i përgjigjet me vendosmëri që jeta e vëllait vlente sa tri jetët e tyre “Ti dhe unë dhe foshnjën për një vëlla”, duke harruar se i vëllai s’kishte ngurruar ta vriste atë vetë.

Duket sikur fjalën e fundit e thotë hakmarrja, forcë shkatërrimtare, megjithatë fjalët me të cilat djali e mbyll agoninë e vet përmbajnë një mesazh faljeje dhe paqeje “Rushë … nuk vdes me mllef”. Ai pranon që vajza t’ia marrë sërish jetën që dikur ia kishte shpëtuar.

Ndërsa vargjet e fundit të poemës i kushtohen s’ëmës së Rushës, serbes së ëmbël dhe shpirtbutë, gati si shenjtore, që jetoi vetëm për dashuri dhe bamirësi “e shenjta grua Svjetllana”.

Vizatimi i këtij personazhi si edhe i të dashurit të vajzës, serbit Melisdrav, me ngjyra pozitive, përmbajnë një mesazh hapjeje për vëllazërim të kombeve.

Personazhet janë kompleksë, Rusha, bijë e dy kombësive të ndryshme është e bukur fizikisht dhe shpirtërisht, e aftë për një dashuri të përkushtuar si motër, po edhe për një dashuri të thellë si grua, bujare, mikpritëse, plot respekt për kujtimin e s’ëmës që, s’e ka njohur, po që përjeton një konflikt shpirtëror midis konceptit sipas të cilit një vajzë s’e ka në dorë fatin e vet dhe forcës së dashurisë që ngre krye.

Ky konflikt e bën të ngurrojë për t’u arratisur me të dashurin, ndonëse kur i vëllai e njofton se e ka fejuar sipas zakonit ajo me guxim i përgjigjet se është fejuar tashmë me Melisgravin.

Melisgravi jepet si trim dhe krenar, po edhe i gatshëm të bëjë gjithçka në emër të dashurisë.

Dardhojmali, vëllai i Rushës është trim dhe mikpritës, po sipas kanunit beson se e ka në dorë fatin e së motrës, madje edhe jetën e saj, çka ia zbeh ndjenjën e natyrshme të dashurisë vëllazërore.

Kozali, i konceptuar si karakter i kundërt me Melisdravin, është trim, po edhe egoist i skajshëm që beson se ka të drejtë për ta shtënë në dorë vajzën që s’e dashuron.

E ndërlikuar është edhe Vida, rivalja e Rushës, vajzë e re e çiltër, po që me xhelozinë e vet e shpejton fundin e çiftit.

Pra, konflikte të fuqishme, ndeshje pasionesh të zjarrta ku dashuria ndërthuret me urrejtjen, hiperbola subjekti në funksion të ideve që e përshkojnë veprën.

Një personazh që shfaqet në poemë, “në mungesë”, përmes retrospektivës dhe optikës së atyre që e kanë njohur, është Svetlana, e ëma e Rushës, vajzë e çiltër dhe me kurajë që guxon të lidhet me anë të rrëmbimit me shokun e jetës të një kombësie tjetër, e pajisur me një bukuri që tërheq lakminë e burrave dhe xhelozinë e grave dhe megjithatë, besnike ndaj të shoqit, njerkë e dashur për djalin e gjetur që për një kohë të gjatë e njeh si nënë, bujare për të gjithë ata që e rrethojnë dhe që vdes tragjikisht para kohe, duke e nxjerrë në dritë të bijën.

Autori shfrytëzon në vepër një teknikë të veçantë në shtjellimin e subjektit, teknikën e vonesës, që mban në ankth lexuesin, në fillim ngurrimin e vajzës për t’u arratisur me të dashurin, më vonë ndërhyrjen e faktorëve të tjerë siç janë intrigat e grave dhe xhelozia e të fejuarit me mblesëri të vajzës që pengojnë zbatimin e planit të arratisjes dhe bëjnë që ngjarjet të rrokullisen drejt katastrofës finale.

Gjithashtu në poemë luan rol elementi i së papriturës si zbulimi që Dardhojmeli dhe Rusha nuk janë bij të së njëjtës nënë dhe që e ëma e Dardhojmelit ishte arbëreshe.

Poeti përdor te “Rusha” dhjetërrokëshin trokaik të rapsodive kreshnike të Veriut që vetë ai në shënimin në fund të botimit të dytë dallohet për rimën e puthur si karakteristik shqiptar. Ky varg krijon një atmosferë solemne, ndërsa rima e puthur nënvizon ndjenjën dhe mendimin. Figuracioni, ku mbizotërojnë krahasimet, ushqehet nga burimi popullor.

Mund të përmendim si të goditur krahasimin që jep fundin e Melisdravit “Kishte sytë e kaltër bâ si qelq/ buzët rî me shkumë si vesë mbi kelq”.

Edhe mbyllja me pemët e mbira mbi varr, dardha, qershia dhe hardhia e egër, dy të parat që synojnë të lidhen me njëra-tjetrën dhe hardhia që i pengon është tipike e poezisë popullore.

Poema ka aty-këtu zgjatje, veçanërisht në linjat dytësore të subjektit si linja e dashurisë së Vidës për Melisdravin dhe linja retrospektive. Po proliksiteti i dallonte edhe rapsoditë kreshnike që u morën për model nga poeti.

Risitë e veprës dhe vlerat e saj qëndrojnë në tematikën, problematikën dhe mesazhin e vet të veçantë që ka gjetur shprehje në një konflikt të fuqishëm me patos dramatik dhe tragjik dhe karakterizimin psikologjik të personazheve.

Poeti ka përdorur në vepër një gegërishte të pasur dhe të larme që ka ditur ta shndërrojë në gjuhë poetike.

Materiali i mësipërm është marrë nga “Revista Time” dhe mund ta gjeni në linkun në vijim: http://www.revistatime.al/arshi-pipa-dhe-poema-e-tij-rusha-klara-kodra/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!