ERVIN HATIBI – KRONIKË NGA KËTO DITË
Ervin Hatibi
KRONIKË NGA KËTO DITË
I iki vetes me ditë të tëra
Me javë
Dy qenie që rrojnë si t’ua dojë qejfi
Po ti njësosh, del një jetë qeni
Ai këtu, unë tej çapitem
Kohë kam: këpucët ende mbajnë
Arna
Dhe dhëmbë të thyera të udhës së hiçit
Dhe shkoj në vete, i parruar
I ndyrë
Me plot zakone të reja rruge
Dhe vij në vete, heshtas e takoj
I marr bukë, vargje, raki
Fjalët e pakëmbyera-grenxa në zgjoin e kokës
Dhe udha e hiçit vazhdon të m’i hajë
Opingat e arnuara me lëkurën e faqes
Se unë vazhdoj kështu të jetoj
Me një lumturi të lodhur, pa bujë
Gjysmën time të jetës sonë prej qeni.