BEQIR MUSLIU – MBRETËRIA E RRËNUAR E KOSOVËS
BEQIR MUSLIU
(1945 – 1996)
MBRETËRIA E RRËNUAR E KOSOVËS
Zemra kemi mundur të nxjerrim në secilin trëndafil
Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri,
Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit
Përse nuk arritën ta krijojnë as pamjen e mykur.
Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë,
As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata.
Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten,
Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë,
Luftëtarët i varëm për degët e historisë.
Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra,
Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve
Apo i ndrydhën në këtë ditë, që është jatagan.
Nëse prapë zë fill beteja, atëherë ku jemi ne
Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim
Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër,
Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë,
Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh.
Dy fjalë për autorin*
Beqir Musliu u lind në Gjilan, Kosovë në vitin 1945; vdiq më 24.06.1996, në Prishtinë dhe u varros në Gjilan. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjilan, ndërsa fakultetin filozofik drejtimi i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Prishtinë. Gjenerata e Beqir Musliut në Gjilan patën për ideolog të shkrimeve dhe të jetës politike Rexhep Elmazin, andaj që në shkollë të mesme u mor në biseda informative dhe u burgos. Po në këtë kohë Beqir Musliu filloi të merret edhe me shkrime letrare. Në fillim me poezi e pastaj edhe me tregime, romane, drama e kritika letrare dhe dramaturgjike.
Mënyra e të shkruarit dhe metaforat e simbolet e përdorura në shkrimet e tij, e renditën atë menjëherë në rangun e shkrimtarëve me një perspektivë të theksuar. Punimi i parë iu botua në revistën letrare “Jeta e Re” të cilën e udhëhiqte Esat Mekuli. Po kjo revistë, tri vite më vonë, në vitin 1965, ia botoi edhe librin e parë.
Shkrimet e Beqir Musliut janë të një niveli të lartë dhe përdorin me mjeshtri të madhe metaforat dhe simbolet, andaj mund të quhet edhe shkrimtar i simboleve.
Puna e tij kryesisht ka të bëjë me gazetari, publicistikë dhe redaktim të revistave. Së pari punoi si gazetar e redaktor në revistën “Zëri i rinisë”, e pastaj edhe në “Fjala” të Prishtinës. Së bashku me disa krijues të gjeneratës së vet, sa ishte student, nxori dhe redaktoi revistën letrare “Plejada”, e cila arriti të botohet vetëm deri në numrin 6, sepse pushteti i atëhershëm, duke parë ndikimin e krijimtarisë letrare në masën e gjerë, nuk e financoi dhe e shantazhi për të mos u botuar. Më vonë Beqir Musliu ishte anëtar i redaksisë, e një kohë edhe redaktor në revistën “Jeta e Re”.
Beqir Musliu është prezantuar thuaja në të gjitha antologjitë e shkrimtarëve shqiptarë të kohës së tij e më vonë. Punimet e tij janë përkthyer në gjuhën frënge, angleze, spanjolle, italiane, arabe, gjermane, hungareze, rumune, turke, sllovake, maqedonase, sllovene, serbe dhe kroate.
TITUJ VEPRASH
Poezi
– “Rima të shqetësuara” (Jeta e re, Prishtinë, 1965);
– “Lulëkuqet e gjakut” (Rilindja, Prishtinë, 1966);
– “Skënderbeu ose shqiponja e maleve” – kurorë sonetesh (Jeta e re, Prishtinë, 1968);
– “Bukuria e zezë” (Rilindja, Prishtinë, 1968);
– “Sezamet” (Rilindja, Prishtinë, 1972);
– “Parabola” (Rilindja, Prishtinë, 1976);
– “Darka e magjisë” (Rilindja, Prishtinë, 1978);
– “Metafizika e Sfidimit”;
– “Mandragora”;
– “Klepsidra e Magjisë”;
– “Martirium”;
– “Magna Karta”;
– “Ekzodus”;
– “Kodeksi i Argasit”.
Vepra në prozë
– “Vegullia”, roman (Rilindja, Prishtinë, 1979);
– “Mbledhësit e purpurit”, roman (Rilindja, Prishtinë, 1982);
– “Kori i gjelave të vdekur”, tregime (Dukagjini, Pejë, 2002);
– “Makthi”, roman (Faik Konica, Prishtinë, 2004);
– “Amullia”, roman (Faik Konica, Prishtinë, 2004);
– “Krupa”, roman (Faik Konica, Prishtinë, 2004);
– “Skërluta”, roman (Faik Konica, Prishtinë, 2004);
– “Ndeshtrasha”, roman (Faik Konica, Prishtinë, 2004);
– “Skënderbeu”, poemë (Faik Konica, Prishtinë, 2004);
– “Orfeiana” – Shtatë libra anatema – (Faik Konica, Prishtinë, 2004).
Dramë
– “Shtrigani i Gjel-Hanit” – libër-teatër, tetralogji (Rilindja, Prishtinë, 1989);
– “Unë Halil Garria”;
– “Faustiana”;
– “Ora e Kukuvajkës”;
– “Panari i Gjilanit”;
– “Rrakullima II – teatër-libër, tetraptik (Flaka e vëllazërimit, Shkup, 1990);
– “Murana”;
– “Kori i Korbave”;
– “Familja e Shenjtë”;
– “Antifona”.
* Bibliografia është marrë nga linku i mëposhtëm: http://orashqiptare.blogspot.com/2013/07/beqir-musliu.html
One thought on “BEQIR MUSLIU – MBRETËRIA E RRËNUAR E KOSOVËS”