ILIR BELLIU – MË LINI VETËM
MË LINI VETËM
POEZI NGA ILIR BELLIU
GJYMTYRË
S’më shihni?!
Hedhurina ëndërrore
Mbledh padukshëm…
Doemos, për t’iu shmangur
Këtij shkatërrimtari
Që gri ekziston…
Tek e mbramja
Gjithkush bie pre
E gjymtyrëve që flasin.
MË LINI VETËM
Më lini vetëm!
Kam nevojë të qaj!
Në shkëmbim të vetvetes.
Shi…
Shi që puth me epsh
Buzët e Tokësores
Shi…
Shi që trishtëm kotet
Si qen i qelqtë.
Më lini vetëm!
Për ju të festojmë,
Të këndojmë të varur
Në trekëndëshin e diellit.
JEMI NJERËZ
E shoh…
Fushën femërore
Mbjell bujku I puthjes.
Jemi njerëz…
Fatmirësisht kafkat
Nën hënë na kullosin
Barinjtë e nëndheshëm.
BRENDA TEJE KËNDOJNË
GJITHË ZOGJTË E BOTËS
Fisnike je
Si një gjethe e kuqe dielli
Brenda teje gjithë zogjtë e botës këndojnë
Dhe askujt s’i shkon ndërmend
Se aty jepen koncerte.
Ndryshme, me orë të tëra
Do të mbanin vesh
Dhe agimi i prirur
Për të qeshur me lotë
Dhe princi i shndritshëm i shiut
Që duket shkoqur që qan
Dhe mëzi i pashtruar
Prej gjithkujt i harruar
Që me siguri kish për t’u madhëruar.
LOJË
Harrova të vish.
Po ç’them?…
Gishtat e mi
Kanë kohë që lozin
Me bishtalecat e tua
Si ca pinguinë të vegjël.
BABAI
Kot fle pa trup
Sikur jam në rrugë.
Troje cicërimash
Vershët e mia gri
Liridashës si ky qiell
Që vdes së jetuari
Në çastin e orgazmës!
Domethënë babai
Më ndjek me zë
Si një lepur që e ka krizë
Një dorë të ngordhur.