PETRO MARKO – LOTËT E MËRGIMTARIT
PETRO MARKO
LOTËT E MËRGIMTARIT
Lot’ i humbur
Dolli loti që të los
Nëpër faqet e të mjerit.
Ra më posht’ e u fundos
Në pellgun e zi të vrerit.
Qau pik’ e lotit qau
Plot me lot’ e s’u mbajt dot
Syt’ i thau e kur shkau
Ra në rrug’ e humbi kot!
Rrugaci
Rrugash lindi, rrugash rron
Dhe ndër rruga do të vdesë.
Vetëm rrugat adhuron
Se ndër rruga gjen një shpresë.
Ecën rrugave dhe qesh,
Qesh kur qan e qan at’her
Kurse rrugave në terr
E rrëmben ndonjë rrebesh.
Fati
Kurse linda ai vdiq!
Vdiq e s’u varros gjëkund…
Kërm’ e tija e pa-dukur,
Kush’ e di prej kujt u mund!
Mirse ike me pahirë!
Por o fat pse më ndalon
Të marr pak erë të lirë?
Kërm’ e jote kundërmon!…
Ankim’ i kotë
Mos u qa o qënie e vdekur
Prej jetesës suferinë,
Se ajo më kot ka prekur
Perin që lidh drejtësinë…
Ja e hoqi me fuqi,
E këputi. Po pastaj?
Kush hedh jetën në padi?
Kush ankohet? kush ka faj?
Lot’ i fundit
Rrokullisu me pahirë
Në fytyrën tharë-petë,
Se kjo botë jetë-nxirë
S’ të merr vesh o mor i shkretë!
Rrokullisu edhe larg
Për të fundit her’ o lot
Se ndër rruga ngrite varg
Këngash që nuk ndihen dot!
Ligjërim
O këng’ e ëmbël plot liri
Që ke vdekur e palerë!
Dil një her’ për kërshëri,
Preki leht telat e mjerë.
…Por o lum, ti sot u mbolle!
Veç s’ lajmimtar na solle,
Me vajtim zërin e lotit,
Që me ligje del së kotit.
P. M.
Botuar në “Bota e re”, revistë kulturale, letrare, shoqërore, ekonomike, nr. 1 dhe 2, 1936