ISMAIL KADARE – BREZNITË E HANKONATËVE

ISMAIL KADARE – BREZNITË E HANKONATËVE

ISMAIL KADARE

BREZNITË E HANKONATËVE

Basri Hankoni, që i kishin vënë emrin e gjyshit, ishte më shëndetligu nga djemtë e Hatibit. Por mbase tamam ai shëndeti i tij i lig u bë shkak që për Hankonatët të hapej një rreze drite.

Dhe kjo ndodhi kështu: për shkak të shëndetit të dobët ai bënte një gjumë të keq, me shumë ëndrra e makthe. Në muajin dhjetor se si i shkrepi dhe e dërgoi përshkrimin e njërës prej ëndrrave që kishte parë, në Tabir Saraj (Pallati i Ëndrrave), në kryeqytetin e perandorisë, ku dërgoheshin ëndrrat që shikonin shtetasit në të gjitha skajet e mbretërisë. Pas katër muajsh, për habinë e tij dhe të të gjithëve, i erdhi një përgëzim nga zyrat e Tabir Sarajit, ku i njoftohej se ëndrra e tij, pasi qe shqyrtuar prej komisionit përkatës, ishte gjetur tepër e vlefshme, sepse në bazë të kuptimit të saj, qe zbuluar dhe parandaluar një komplot në qytetin Karagjymryk.

Basri Hankoni as që e dinte se ishte në botë ky qytet, pale pastaj të parandiente edhe një komplot që po bëhej në të. Megjithatë, për shkak të ëndrrës që parashikoi një të keqe kundër qeverisë, Tabir Saraji i fuqishëm i dërgonte një rekomandim, për t’u pranuar në punë të shtetit.

Me të në dorë Basri Hankoni u paraqit në hyqmet dhe pas ca kohësh, për gëzimin e gjithë fisit ai u emërua si nëpunës në gjykatore. Ishte Hankonati i parë që hynte me rrogë në punë të shtetit.Hankonatët po mëkëmbeshin dalëngadalë. Megjithëse ishin gjallë Haxhi Bardhushi e Kaskapani, gjithmonë e më tepër frenat e shtëpisë po i merrte nipi i vogël shëndetlig, Basri Hankoni. Shkak për këtë gjë ishte pa dyshim nëpunësia e tij.

Haxhi Bardhushi e Kaskapani ishin pothuajse të mënjanuar nga drejtimi i shtëpisë. I pari merrej gjithë ditën me lutje dhe në atë pak kohë që i tepronte nga lutjet, merrej me lyerjen e lëkurës me ca melhemra. Kurse Kaskapani pinte vazhdimisht. Dhe, sapo kthente gotën e tretë, niste të tregonte për kaurkën e dikurshme.

Ca nga rroga e Basri Hankonit, ca nga Ara e Mullenjave, me të cilën merreshin gjithë ditën vëllezërit e Basriut, dhe nipërit e tjerë, Hankonatët arritën të hidhnin gjysmën e zahiresë së vitit. Po kryesorja qe rroga. I shpëtoi Hankonatët një copë ëndërr, thoshin njerëzit. Shumë njerëz nisën të dërgonin ëndrrat që shikonin, ose që gjoja i shikonin, por që në të vërtetë i shpiknin, në kryeqytetin e shtetit. Por nga Tabir Saraji nuk vinte asnjë përgjigje. Qatipët që merreshin me hartimin e letrave, fituan në atë kohë mjaft para, gjersa njerëzit u lodhën së dërguari ëndrrat dhe hoqën dorë nga ajo punë.

Sa për Basri Hankonin, ai thoshte se tani nuk e kujtonte mirë atë ëndërr të bekuar. Ishte një shesh me pluhur, me ca letra të grisura tejembanë dhe ca barraka të braktisura përreth, prej nga doli një dem i kuqërremtë. Kaq mbante mend ai.

Në atë kohë, si për të gëzuar atë pak mëkëmbje, u martua njëri nga djemtë e Muqerremit, si edhe të dy vajzat jetime të Didinit. Ishin ca dasma të varfra, as hija e dasmave të bujshme të djemve të Hatibit, por sidoqoftë ishin gëzim, për të cilin kishte aq nevojë kohët e fundit fisi i Hankonatëve.

Në ditën e parë të pranverës erdhën papritur korrierët nga Stambolli bashkë me një të dërguar të veçantë të sulltanit. Ata hynë në Gjirokastër në kohë të muzgut, kurse herët në mëngjes u hap lajmi se i kishin prerë kokën valiut dhe ia kishin marrë me vete në kryeqytet. Ca kohë qyteti mbeti pa vali.

Hankonatët u trembën nga ndryshimi i qeveritarit të vendit. Kujtuan se valiu i ri do t’i ndërronte nëpunësit. Por ai, megjithëse vonoi shumë gjersa të vinte (dhe zakonisht për valinjtë që vononin të vinin, ashtu si për një dënim kur vononte, bëheshin parashikime të këqija), pra, megjithëse valiu i ri mbërriti në fillim të verës, nuk bëri asnjë ndryshim midis nëpunësve të vegjël apo të lartë.

BREZNITË E HANKONATËVE

Të tjera tekste nga Ismail Kadare dhe për Ismail Kadarenë mund të gjeni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!