MANJOLA BRAHAJ – ANDRRAT TONA PËR VETVRASJEN

MANJOLA BRAHAJ – ANDRRAT TONA PËR VETVRASJEN

MANJOLA BRAHAJ

ANDRRAT TONA PËR VETVRASJEN 

A  asht heshtja nji kangë për mendimet e mia t’lodhuna
prej bojnash t’zbeme,
prej shpish plot andrra për vetvrasjen.
Dhe ndalem e mendoj…
T’kishim me u vetvra dhe ne si nji trumcak
veç për me shpëtue pa hangër mishin e njeni – tjetrit
me anë t’frymës tonë t’verdhë.
Po nuk jem’ na aq t’fortë e di,
ndaj ia marrim kangës kryeulun
Nisim e kcejmë me tinguj t’vramendjes së kotë
e i thrrasim vetit.
I thrrasim për me e pa se na ka marrë malli.
Pasqyrat nuk na e shfaqin,
uji jo se jo.
Zani na shterret n’thirrjen e heshtun
mesnetëve me shi.
Tash veç dimë me u kqyrë n’kokërdhokët tanë,
jo t’dashnorit, as t’burrit.
Në tanët.
E pyesim a asht kangë heshtja e mendimeve?
Nisim prapë andrrat tona për nji vetvrasje t’bardhë,
që e kem’ dashtë aq fort
e i kem’ ikë aq fort!
Burrnisht,
për me zgjedhë gjithmonë udhën
ma t’ligë e ma t’lehtë.
Mbledhjen e gjetheve
e kaiherë t’luleve,
e shpesh zhbimjen e tyne,
t’pagueme këto me monedha fryme n’andrrën fantastike,
t’atij që nuk e kem’ pa,
as nuk e dimë ku rri.
E prapë nuk mujmë me vdekë e rrimë e kqyrim
qiellit tue andrrue për nji vdekje
t’lehtë,
rastësore,
t’pa dhimbje,
si nji lamtumirë,
n’gjumë,
n’gjuj,
Lutemi për nji fund t’mirë…

Shkëputë nga libri “Na nuk jena t’ktuhit”

ANDRRAT TONA PËR VETVRASJEN

Të tjera poezi nga poetja Manjola Brahaj mund të gjeni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!