FLURANS ILIA – VARIACION MBI TË NJËJTËN NOTË

FLURANS ILIA – VARIACION MBI TË NJËJTËN NOTË
FLURANS ILIA

VARIACION MBI TË NJËJTËN NOTË (cikël me poezi)

KUAJ TË BARDHË SI KRESHTAT E VALËVE

jam njëri prej tyre
pa flatra me flegra
në Adriatik
as njëbrirësh
as pegaso
plaga përfund
përpjekja nën magmë
shkumë e bardhë
det që dëshmon me shkulm
tallazet e të gjitha kalërimeve
nga një pelë e hajshme e hajnive

jam harta të cilën duhet të përshkoj
për hir të të tjera qytetërimeve
Fjalës ndënë rrënojë
në gjoks i digjet një liburnë
dhe mermeri i’a merr frymën
gufon si grifon në koralin e ngurtësuar
midis teje dhe paranojës
të të gjithë Trojave
dhe trojeve
që do vendoseshin më pas

TY DETI TË PËRKET

Mbë gji sheshbeteja rreket me kap pamjen e kepit
Natyrë e vdekur ay diell ndënë parzmore trupat
Rremat pozojnë në breg ndën çukitjen e sqepit
Pesha e krrokamës të një tjetër qyteti të flijuar.

O Redon, pas çdo humbje fryma nis e merr frymë
Sërish ushqehet me çka je dhe përzgjodhe të jesh
Hyjni i detrave huktinave të këtij kepi nën brymë
Të qenit zjarr dhe parzmore ku digjen trupat tanë.

Por më tepër se flaka, ah, pamja e këtij zalli
O Rodon i dashtun, aty, shoh zjarre përfund
Zjarre që i ndezëm me dy gurë stralli
Me dy fije eshkë me dy fije frymë.

Shpirtrat e rremtarëve që dogjëm sot mbi det
Dy fije dritë i dhanë shtatores tënde nga larg
Redon i madh prej këtij kepi, ty deti të përket
Oh, shpirti im ndëshkuar përjetësisht me zjarr.

Dy zjarre mblodhëm me dy pishtarë në kthim
Dy duar përpjekja për të mbijetuar dy kujtesa
Dyzim paralel kjo bukë e ndarë më dysh
Oh Rodon i përjetshëm, e fundit vdes shpresa.

NOTA TË BEFTA

një ditë pikë pikë
do pikojm’ edhe ne
si nota
të befta në pentagram
tretje prej akulli
trajta e mbrame e dimrave
në sytë e tu si kamera të vockla
regjistron HESHTJEN
kasandrat
kamaret
kështjellat
bishtukun dhe pishtarin
motin e mureve
(celularin)
koha është një koncept
me caqe të caktuara
hapësira flë ndënë ura
ninëza e syrit të të pastrehëve
murmura e mureve të spitaleve
qirinjtë
librat
poetët
bulëza
vreshtari
koha që i duhet verës
përtej territ
të maturoj kohën
e rishtarit
vargje vargje parmakët e urës
vështrojnë lumin
ujëpakët
për miliona vjet asnjëherë
kaq madhështor
nuk ka qenë ai i një çasti më parë
sepse një ditë pikë pikë
edhe ne do të pikojmë
si nota të befta në pentagram

BUSULLA

Shpirt i busullës është zhvendosje e vendosjes
Në kohën e hartës që ËSHTË hapësirë.
Shpirti luftarak i busullës mosplakje bri udhës
Të një pasaporte të vjedhur me iluzione.
Të gjitha Atlantidat mbartin fatin e busullës
Si me thënë Fatin e Çirçes,
Për të mos thënë «fatin e kurvës»
Gjuhës së dragonjtë të furrnaltës.
Dremit shpirt i busullës bri bregut
Ku flë ndryshkja e anijes
Që pret dhëmbët peshk-a-qen të skrapit.
Tulatet shpirti prej busulle
Beson në paanësinë e horizontit
Ngulet pingul mbi pikën e pyetjes
çengel
spirancë
grep
Imazhi kaleidoskopik i Hënës
Ngreh zhivën e atij deti
Ku kristalizohen shtatoret e kripës
Lëkurës së rregjur të Uliksit

Variacion mbi të njëjtën notë
Flurans Ilia
SHISHE PLASTIKE

kujtesa
burg i mollëzave të gishtave
ësh’ çast
kanione drastike
me arkitekturë gotike
progresi
zhvesh vetvetet e veta prej vidash
mbërthyer me ndërfarëzim formash
kryq
katror
vijëdrejtë
formëylli
(programuar)
si ditët tona
si krahët tanë
prej dylli
qarkuar nga një qark i mbyllur
ku nuli i brishtë është i domosdoshëm
për zgjimin e dritës, ku Zgjohet
herë pas here ai çast,
si një shportë me manaferra
e gjithë gurgullima e pyllit
nën krahët e oksigjenit
(dhe unë që jetoj në shishe plastike)
si me qenë në rrjedhën lakuriqe
të lumit të fëmijërisë sime

PËLHURË

Buka e thekur
zgjimei i blirit
bulkthat në jug
zbusin kthetrën
si lugat
ngujuar në muzg
gjer në zverk
Zvarrisin zefirin
imazh zafir
prej kafeje të fortë
në xhezve të bronxtë
(gjurmët mbi rërën e shkrifët
lëçisin filxhanin)
Bunaca e Gushtit ç’vesh
gjuhën e kostelacionit
gjumi i galaktikave gllabëruar
si një ballamar i kruajtur me dhëmbë
nga Ballabani

Kështu mundësohet nisja, këmbëzbathur
Ball këtij muri të vjetër perpirë kah deti
Përtej gjumit të galaktikave flë
Madhërishëm gjiri i Rodonit
Si çdo gji Hyu mbart në gji
Praninë e zehfirit mbi trup të hyjnisë
A thua se po shkel një sarkofag?
Aty ku busulla kapton kuptimin
veç nën det
te kjo liburnë e mbytur
humbas
me fushqet
duke kërkuar 8-këmbëshin
e fjalës
i cili duhet plandosur 40 herë mbi gurë
duke i lëshuar tendinat
duke i varur jargët
si një kërmill ndajnatenë ditët e gushtit
ku nata bëhet pëlhurë

VARIACION MBI TË NJËJTËN NOTË

Lulet e egra shfaqur mbi çdo gur
Janë shpirti yt i ngjeshur në gjoksin
E të tjera hapsirave që bëhen plitharë
Në arkipelagun e mbushur me këngë
Si kthimi i peshkatarëve te po ai breg

KËTU

Murg i fjalëve ngele peng
psherëtimë e asaj psherëtime
dihat te të gjitha ritmet
varrosja dhe zhvarrosja e shqisave
në këtë pikë të gjithësisë
Piketon aty të pakëtat shenja të pikësimit
në lartësinë e duhur nga niveli i detit
buzëve të Drinit liqeri dremit
nën barkun e xixëllonjave
si një mendje e hapur
fëmija ngujuar në vargje
këtu, ku ende lexohet toka
si testament i një libri të shejtë


Biografi e shkurtër e autorit

Flurans Ilia u lind në Berat më 16 Maj 1971 në një familje intelektualësh ku biblioteka dhe librat zënë vend qendror në mjedisin familjar. Humbja e babait do ta shtynte qysh në fëmijëri drejt botës magjike të artit. Përgjatë viteve të shkollës shkruan poezi, skica, tregime, pa publikuar asgjë. Fillimi i viteve 1990 e gjen në një udhëtim bohemian nëpër Ballkan, Evropë, Amerikën e Veriut, për t’u ankoruar përfundimisht në Montréal të Kanadasë. Mërgimi mban gjallë dëshirën dhe kontaktin e tij të vazhdueshëm me Fjalën.

Në fillimin e viteve 2000, nëna e tij publikon në atdhe fletoret e tij të braktisura me vjersha. “Atavizëm” titullohet libri i tij i parë në poezi, i ndjekur nga gjashtë tituj të tjerë vëllimesh në vargje, si dhe përmbledhja me tregime “Baraka e kopshtit të mollëve”. Në vitin 2008 publikon në Tiranë përmbledhjen me proza “Thembra e kujtesës”. Në vitin 2014 publikon në Prishtinë romanin “Jashtë sezonit”. Bashkëpunimi i tij i vazhdueshëm me organet dhe suplementët letrarë brenda dhe jashtë vendit, në lëmin e publicistikës, esesë, prozës, përkthimit, e kanë renditur emrin e Fluransit krahas bashkëkombësve të tij në lëmin e kulturës dhe fjalës shqipe.

Këtu mund të lexoni edhe një rrëfim në prozë të këtij shkrimtari.

Variacion mbi të njëjtën notë

Vepra:
“Atavizëm”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2000)
“Refleksione”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2000)
“Ditë endacake”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2000)
“Të rilindë poezia”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2001)
“Kumbim shpirti”, poezi (“Dritëro”, Tiranë, 2001)
“Himn njerëzor”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2002)
“Baraka e kopshtit të mollëve”, tregime (“Uegen”, Tiranë, 2003)
“Zogjtë qiellit i mungojnë në veri”, poezi (“Uegen”, Tiranë, 2004)
“Thembra e kujtesës”, proza (“Ideart”, Tiranë, 2008)
“Jashtë sezonit”, roman, (“Buzuku”, Prishtinë, 2014)

One thought on “FLURANS ILIA – VARIACION MBI TË NJËJTËN NOTË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!