VIRION GRAÇI – SENDET E TË VDEKURVE

VIRION GRAÇI – SENDET E TË VDEKURVE
VIRION GRAÇI

SENDET E TË VDEKURVE

*
Në çelje të programit
Valltaret mulate derdhin tajfune epshi
Mbi minutat e dlira të paqes.

Gjatë shfaqjes i blen patatinat
Nga mulati i vafër.

Mbas darke merr në telefon
Dhe përunjësisht i kërkon lejë për nesër
Shefit mulat.

*

Pasi doli nga kulla i hypi kalit
Pasi i hypi kalit u largua nga kulla
Pasi u largua nga kulla i’u afrua lumit
Pasi u takua me lumin ajo i mbajti frerin kalit
Pasi i mbajti frerin kalit zbriti në zallin e nxehtë
Pasi zbriti në zallin e nxehtë
Kërkoi me sy një vend të fshehtë
Pasi e gjeti vendin e fshehtë
Filloi të zhvishej
Pasi u zhvesh plotësisht
Ajo kërkoi rrobat e banjos
Pasi kërki rrobat e banjos
U kujtua se nuk i kish marrë me vete
Pasi u kujtua se nuk i kish marrë me vete
Nxitoi të fshihej në kallamishtë
Pasi u fsheh në kallamishtë
Lumi ngriti valë e shkumë
Pasi lumi ngriti valë e shkumë
S’u dukëm më as kallamat, as ime zonjë.
Pasi s’u duk më ime zonjë në kallamat e përmbytur
Unë u ktheva pa hingëllima për në kullë.

*

Lumturia ime varej kryekëput
Nga kërcinjtë e nyjëtuar të asaj specieje
Të cilën botanistët e quajnë karkalec.

Lumturia ime varej kryekëput
Nga trajektorja e tij tërë dredha
Aty bëhej kulm i trekëndëshit barabrinjës
Këtu përmesore e këndit të gjerë
Fushat humbisnin fëmijët e gjelbër
Nga shikimi i tij tejet i vëngër
Vajzat humbisnin pastërtinë e syrit
Nga harku i tendosur prej tij në skuta.

Karkalec quhet. Me pëlqimin e tij
Po i’a shpall sekretin:
Ndodhej nën juridiksionin e një shteti tjetër

Lumturia ime – specie e ndaluar
Dezinfektohej me aksione të vrullshme lokale.

*

Shumë gjëra na dorëzohen të gjalla

Sendet e të vdekurve
Dorëshkrimet e të heshturve
Këpucët e ulokëve, albumet familjare
Vajzat e hoteleve.

Shumë gjëra na dorëzohen të heshtura

Sendet e të vdekurve
Dorëshkrimet e të heshturve
Këpucët e ulokëve, albumet familjare
Vajzat e hoteleve.

Shumë gjëra na dorëzohen të mplakura

Sendet e të vdekurve
Dorëshkrimet e të heshturve
Këpucët e ulokëve, albumet familjare
Vajzat e hoteleve.

Shumë gjëra na dorëzohen të shenjtëruara

Sendet e të vdekurve
Dorëshkrimet e të heshturve
Këpucët e ulokëve, albumet familjare
Vajzat e hoteleve.

E vërteta s’është vetëm e tashme.

*

Eh… Këngë e filluar me tytë pistolete
E vazhduar me bisht fshese
E vulosur me të kuq buzësh.

Eh… Dramë e filluar me perde të mbyllura
E vazhduar me vernik të skaduar qyshkur
E vulosur me të kuq buzësh.

Eh… Mbrëmje e filluar me brumë petullash
E vazhduar me tehun e një thike
E vulosur me të kuq buzësh.

Eh… Perëndoi ai shekull i artë
Ai shekull përsiatjesh, dilemash, psherëtimash.

Shekull me ethe, serenata
Semaforë, senatorë.

Perënduan vargmalet, gadishujt, lagunat.

Në perëndim e sipër perëndoi
Vetë perëndimi.

Marathonë breshkash

*

Ngadalë.

Femra është një vegël buqësore
Që vihet në lëvizje pa asnjë lëvizje
Duke ndenjur duarlidhur e këmbëkryq.
Kujdes. Ti je pema që pritesh rrafsh
Je Kolosi i Rodit që mbytesh në det
Je pisha e njomë me krah të thyer
Ashkla e djegur e drurit, qymyri
Hiri në kavanoza salce. Je. Kujdes.

Burri është një gjigant industrial
Që vihet në lëvizje pa asnjë lëvizje
Duke ndenjur shpinëkthyer dhe kryelartë.
Kujdes. Ti je sharra që thyhesh në erë.
Je shporta, je ashkla, je fosfori
Litari që kalbet në pus
Salca që ndrydhet në tubet.

Je sallata ime
Me valë të mesme
620 m
Me valë të gjata
221 m.

*

Vishet dhe zhvishet krejt
Pa pikë mëshire për ata që e shohin
Këtu ajo s’ka emër.

Ajo këtu është njeri me gjini, me seks,
Me numur dhome, me krevat, me çarçafë
Madje, ajo ka arritur deri atje
Sa të jetë edhe njeri me vaskë banjoje
Me shampo, me pudra
Me togëza sandalesh, me libra, me krëhër
Dhe me një valiçe të vogël, të zezë
Që mua më kujton ngaherë
Të hershmin falltar shëtitës të qytetit.

Ajo këtu s’ka emër… pjesë e stolave
Pjesë e llogaritur e tabelave, e reklamave
Pjesë e cigares për të shtyrë mërzinë
Regëtin si zhivë helmuese nëpër fytin tim.

Lëkurën e tharë të një krokodili të ngordhur
do t’ia gjeni në ngushticën midis gjinjve pastaj

Në qoftë se e doni më tepër se unë
Nëse e vishni forcërisht pa pikë mëshire.

*

Të mallëngjehem pak
Në vetminë time të thellë
Rrezik se më shpallin publikisht
Poet kombëtar, Eros me pak Mars
Material i gatshëm për dritare burgu.

Ta shpall rrezikun e humbjes së shqisave
Muza vetë do të ndukë buzët mishtore
Duke rrahur faqet me shuplakat e thara.

Jo. E pashë para pak vitesh
Të mbështjellë me lakuriqësinë e saj të bardhë
Në miliarda rrjeta prej rrënjësh trifili.

Me forma biskotash ribëj të parën dregëz.
Të parën plagë e ribëj.
Rruzulli këlthet nga habia.
Zgërdhihet.

Të dal në dritë – objekt joshës për snajperët
Të gatshëm për punë në rrugën “Kurrizo.”

*

Ulemi bashkë me vetmitë tona
Para ekranit të vogël bardh e zi
Si përpara Borëbardhës dikur.

Është gjethja e kuqërremtë e lisit të tharë
Ajo që shkoqet përunjësisht mëngjezeve
Në numratorin e ashensorit: Gjethja .

Më kot kilometrat e kapilarëve të gjakut: Gjethja.
Më kot përcjellësat milimetrikë të bakrit: Pema.
Më kot motorinot, kamionët, satelitët: Njerëzit.
Rruzulli ulet mbi karrige mishi: Popuj.

Së bashku me xhuxhat dhe Borëbardhën
Ulemi këmbëkryq mbi vetmitë tona: Fati.
Me gjak përlyhen sondat e kallaisura.

*

Rrjedh nga një familje e vjetër peshkatarësh
Im gjysh
Im atë
Unë
Im bir
Dhe biri i tim biri – peshkatarë.
Pse të jesh kaq e gërvishur?! Nuk e kuptoj!
Rrjedh nga një familje e vjetër fermerësh
Im gjysh
Im atë
Unë
Im bir
Dhe biri i tim biri – fermerë.
Pse të jesh kaq e zhdërvjellët?!
Rrjedh nga një familje e vjetër xhenerikësh
Im gjysh
Im atë
Unë
Im bir
Dhe biri i tim biri – xhenerikë
Pse të jesh kaq e vëmendëshme?! Nuk e kuptoj!
Nuk po rrjedh më.
Nuk po vjen kush më pas.

*

Vetura ime është e serisë së fundit
S’kanë dalë katalogët
Me pamjen e saj, reklamat
S’janë montuar.

Është e serisë së fundit.

Zyra ime oaz drite
Folezë e ngrohtë, e këndshme
E padiktuar nga peneli i lejlekëve
Që vijnë verojnë karshi nesh.
Liqen i kthjellët zyra.

Zonja ime është e mbajtur
E pëlqyer në pritjet ceremoniale.
Ime zonjë – tokë e shkripëzuar
Ngrë në qiell tulipanë dashurish
Dëshirash, dështimesh.
Është ende e re.

Biografi im përfaqësohet
Nga bishti i këputur i një dhelpre të vrarë
Varur nga shoferi përbrenda veturës.

Ka mjaft punë për të bërë
Përpara se të arratiset për në pyll
Biografi im. Është ende me mua.

*

Eja nga unë sonte. Vetëm sonte pres, ta dish.
Për një kafe eja nga unë. Vetëm një kafe, ta dish.
Ruaje sekretin e vizitës. Vetëm të tjerëve t’iu ruhesh
Jo vetes. Duhet ta kuptosh ç’do më thënë – eja.
Të pres sonte. Jam i vetmuar. Jam kaq i vetmuar
Sa të ftoj me gjysëm zëri – sa për një kafe – pasi
Mandej, askush se di ç’mund të ndodhë.

*

Të plagosur e mora në krahë
Nëpër rrugën e vështirë tërë gropa
Llucë dhe pengesa. Të plagosur e shtriva
Në kasollen e saj prej kashte. Ndeza zjarr, mbusha
Një kupë druri me ujë dhe i’a lashë pranë.

Flakët asaj – erashka rreth hundës kryeneçe
Buzëve nazike e qafës së bardhë.
Unë se zgjova kurrë atë.

Virion GRAÇI, (1991)

Sendet e të vdekurve
Virion GRAÇI dhe Andri XHAHU
duke diskutuar “Në radio”
për romanin me titull “Dead End
Sendet e të vdekurve
Vëllimi me poezi
“San Valentino”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!