IBRAHIM RUGOVA – KRITIK LETRAR (shkruan Sabri Hamiti)

IBRAHIM RUGOVA – KRITIK LETRAR (shkruan Sabri Hamiti)
SABRI HAMITI

IBRAHIM RUGOVA – KRITIK LETRAR

I. QARKU KULTUROR I PRISHTINËS

Ibrahim Rugova i përket brezit të 68-tës, dhe më tej Qarkut Kulturor të Prishtinës. Në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit njëzet Prishtina u bë qytet universitar duke u prirë nga një lëvizje e fuqishme studentore e kulturore, që mblidhte për të parën herë të rinjtë e tokave shqiptare: në Kosovë e rreth Kosovës. Kjo lëvizje kulturore e intelektuale, krejt natyrshëm e bëri qendrën në Universitetin e Prishtinës, për ta shpërndarë ndikimin e vet çlirues edhe në shtresa të tjera të shoqërisë. Fuqia e kësaj lëvizjeje u përqendrua në kulturë e krijimtari, me artikulim më të fuqishëm në letërsi, me shenjën e fuqishme nacionale e autentike dhe me shenjën e modernitetit përnjëherësh. Në këto vite Prishtina, si dhe gjithë Kosova, kishte një gazetë të përditshme, një revistë letrare, një radio, një shtëpi botuese në shqip. Lëvizja kulturore e intelektuale e përqendruar në brezin universitar e bëri gazetën e vet kulturore, revistën e vet kulturore dhe formoi shtëpinë e vet botuese. Kjo, në mënyrë të pashpallur, artikulonte alternativën e njëshit pushtetor në kulturë. Protagonist në të gjitha këto lëvizje kulturore e letrare, që përqendroheshin në Fakultetin Filozofik ishte Ibrahim Rugova me krijuesit e brezit të tij studentë, kryesisht të gjuhës e të letërsisë shqipe. Disa nga nismëtarët e këtij qerthulli kulturor e letrar janë ngritur tanimë në shkallën më të lartë në fushat e tyre krijuese në shqip. Njëri nga më përfaqësuesit është Ibrahim Rugova, me përcaktim kritik letrar e studiues i letërsisë dhe i kulturës shqiptare. Qerthulli kulturor i Prishtinës, që më vonë do të zhvillohet edhe në një kulturë letrare, në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit njëzet kishte përqafuar një program letrar e kulturor, qoftë pa e afishuar: të hyhet sa më thellë në njohjen e trashëgimisë shpirtërore nacionale e në të njëjtën kohë të ketë një hapje ndaj kulturave të tjera perëndimore, sidomos të modernitetit të tyre. Ibrahim Rugova si krijues e kritik nuk u është larguar asnjëherë këtyre dy kërkesave të qerthullit kulturor të Prishtinës, për dy decenie të plota të krijimtarisë letrare kritike.

II. SHKRIMI KRITIK I ARGUMENTUAR (Kah Teoria)

1. Teorizime e likuidime

Librin e Ibrahim Rugovës Kah Teoria duhet të fillojmë ta diskutojmë që nga titulli dhe nga teksti hyrës, që e shenjuam në ballë të këtij shkrimi. Së pari parafjala Kah e vënë para Teorisë, në një titull që është më shumë metodik sesa ekspresiv, në radhë të parë tregon një orientim këmbëngulës të autorit, të merret kryekëput me probleme teorike të letërsisë, por jo edhe të vërë pikën fundore në çështjet që studion dhe diskuton; një pikë të tillë autori nuk e kërkon në asnjë faqe, në asnjë tekst të gjithë librit. Pra, çështjet i hap dhe i lë të diskutueshme edhe më tutje. Do të thotë: libri, që me titullin flet për një orientim, lëshon një thirrje për kërkim e diskutim të hapur të problemeve të letërsisë. Këtë insistim të vetin këmbëngulës e eksplikon qartë e përafër teorikisht në tekstin hyrës, inaugurues të librit, Teorizime e likuidime, ku në krye të punës bën përkufizimin e shpejtë të veprës artistike: “të bësh një libër artistik: një roman, për shembull, do të thotë të ndërtosh një botë – të sjellësh një botë në botë”, në anën tjetër bën përkufizimin e librit teorik: “të bësh një përmbledhje do të thotë të bësh një tërësi dokumentesh mendimi”… Më tutje, duke eksplikuar mendimin, kërkimin e vet dhe mënyrën e diskutimit të çështjeve letrare, autori shton: “të shkatërrosh, do të thotë “të ndërtosh”, e jo përfundimisht të shkatërrosh. Të kritikosh do të thotë të vësh në krizë”. Karakterin e diskutimit shterues e të argumentuar, përmbysës e ndërtues, që jo rrallë shprehet me një gjuhë të ashpër e polemike, autori e thotë në fillim të librit, e këtij parimi të vet i mbetet besnik që nga fillimi deri në fund edhe kur kërkon, shqyrton e diskuton çështje të letërsisë, që te ne deri vonë kanë qenë të paprekura për arsye të niveleve më të ndryshme; diskuton dhe përmbys pa kompromis e pa mëshirë, i vetëdijshëm se në diskutimet teorike s’ka zigzage. Këtë mënyrë të mendimit nuk duhet ta kuptojmë si dogmatizim të një varianti të mendimit, por si qëndrim kritik të domosdoshëm në diskutimin e mendimeve të të tjerëve. Autori është për diskutime të hapura, po argumentuese, në mënyrë që të mos krijohen mjegulli të reja rreth çështjeve të shtruara. Qartësi e hapësi ka ky libër.

2. Letërsia dhe detyrat

Dy artikujt e parë të librit: Letërsia si differentia specifica dhe Një korrektiv estetiko-teorik janë pjesët më kryesore të veprës dhe shtrojnë problemin e krijimit të një rrafshi sa më autentik të trajtimit të letërsisë si krijimtari shpirtërore intelektuale. Problemi i parë që del në këtë udhë është përkufizimi i letërsisë si fushë e veçantë e veprimit krijues të njeriut, përballë veprimeve të tjera krijuese, shpirtërore e intelektuale. Ky diferencim i letërsisë është bërë me të vështirë në meset krijuese, ku letërsisë i përcaktohet, në radhë të parë, funksioni shërbyes në shoqëri. Kështu asaj i ndryshohet natyra, i shtrohen kërkesa që edhe nuk mund t’i përmbushë, dhe, si krijim e veprim krijues mitizohet. Kështu ka ndodhur, ta zëmë, me letërsinë shqipe deri në ditët tona. Këtë letërsi njëherë e pushton miti nacional, më pastaj barazia sociale si mit, diku më vonë edhe miti ideologjik. Letërsia i merr të gjitha këto fytyra mitike, mbasi t’i jenë përcaktuar asaj funksionet shërbyese, mbasi t’i jenë caktuar detyra që nuk ka si t’i kryejë. Ibrahim Rugova, më tutje, shtron problemin e demitizimit të letërsisë, bile në kohën moderne, pra trajtimit të saj si differentia specifica, si një botë më vete, që ka ligjësitë e veta të qenies e të qeniesimit (terma të përdorur dendur në këtë libër) si dhe të jetës së saj në gjiun e shoqërisë. Këtë rrugë të përkufizimit çlirues të letërsisë autori e provon me argumentime edhe në nivelin teorik të diskutimit të çështjeve që i përkasin kësaj. Ndjek e diskuton mendimet e shfaqura në rrjedhë historike të cilat letërsinë e kanë zbritur në nivelin e kryesit të detyrave, që nga Platoni, nëpër mendimin e shekujve 18 e 19, nëpër artin e angazhuar të Sartrit, deri te pikëpamjet e Lukaçit dhe të realizmit socialist. Kjo rrugë e zhvillimit të mendimit mbi letërsinë ka bërë ideologjizimin e metodave krijuese dhe të pikëpamjeve mbi letërsinë. Gjithnjë në këtë rrjedhë të mendimit autori do të konstatojë se përballë shundit kapitalist në letërsi, ekziston edhe shundi socialist. Ndërsa ballafaqimi i tipeve të autorëve s’thotë gjë në karakterizimin e tipit të letërsisë me konstatimet: letërsi progresive, letërsi reaksionare, sepse në këtë mënyrë thjeshtësohet vepra letrare, zhvishet nga shumë vlera dhe vlerësohet vetëm nga aspekti ideologjik e shpesh edhe nga qëndrimi politik. Edhe mendimet më radikale, kur interpretohen njëanshëm, thjeshtësohen dhe dogmatizohen. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me vetë mendimet e Marksit mbi letërsinë, të cilat shpeshherë janë rimarrë e janë diskutuar e keqtrajtuar duke u larguar nga konteksti dhe mënyra e përgjithshme e të menduarit të këtij dijetari. Si kundërvënie mënyrës së mbyllur dhe dogmatike të të menduarit mbi letërsinë, si dhe artit e letërsisë që përkufizohet vetëm në disa pika të interesimit, Ibrahim Rugova ia vë artin e hapur, term i dalë nga një koncept i Umberto Ekos, Vepra e hapur, e cila i përgjigjet një shoqërie funksionaliste e të hapur. Kjo është vepra që nuk mbështetet në definitet (përmbyllje), por në apertativitet (hapje); gjithë kjo edhe në nivelin e hapjes dhe thurjes së jetës në vepër, si dhe të hapjes së vetë tekstit artistik për komunikime të pareshtura, lexime e interpretime.

3. Arti i interpretimit

Në artikullin Nga ontologjia e veprës artistike letrare autori jepet të shpjegojë mënyrën e objektivimit të veprës artistike, do thënë ndryshe fenomenologjinë e krijimit të saj në një qenie të mëvetësishme, për veten më parë, që ka një sistem të vetin të të qenit dhe të qeniesimit. Argumentimi nis këtu që nga teoria e Marksit: “Në prodhim objektivohet personaliteti e në personalitetin objektivohet sendi”. Pra, rruga e transformimit krijues të një “prodhimi” shpirtëror siç është vepra letrare; për t’u mbështetur më vonë në argumentimet e dijes fenomenologjike të Huserlit, Hartmanit, Ingardenit, dhe së fundi të Martin Hajdegerit, i cili thotë: E vërteta e botës është një vetë-vendosje-e-të-vërtetës-në-vepër. Shkallët e objektivimit të veprës letrare derisa ajo bëhet qenie për veten në të parë e mandej edhe qenie në botë, janë përcjellë edhe në mendimet e Mihail Bahtinit. Në këtë rrugë të argumentimit fenomenologjik dhe ontologjik janë hetuar e pranuar si të vlefshme tri planet qendrore të veprës artistike: material-fizikal, paraqitës-objektor dhe shpirtëror-metafizik. Plani i tretë është më i rëndësishmi, pra është vepra vetë, dhe interpretimi i letërsisë duhet të lidhet më shumë për këtë plan. Autori, posa përfundon diskutimin e mënyrës së objektivimit ose të krijimit të veprës, i jepet problemit të trajtimit të saj, pra interpretimit. Prandaj, shtron çështje metodologjike të kritikës e nëpërmjet diskutimeve, shpesh shteruese, e ç’është me rëndësi bindëse, vjen në përfundim se kritika qëndron në mes theorisisit dhe praksisit. Barti do të thotë: shkenca i hulumton kuptimet e kritika i prodhon ato. Pra, kritika nuk e “përkthen” veprën, por krijon sistematikisht një kuptim të saj. Përfundimi: kritika letrare si disiplinë e letërsisë gjendet midis teorisë dhe artit letrar… midis shkencës dhe artit. Kjo do të thotë se interpretimi duhet të niset nga vetë teksti, nga ajo që është e dhënë në atë formë, për t’i nxjerrë më tej edhe relacionet e tjera edhe të jashtë tekstit. E teoria që është sistem i përvojës dhe i dijes është bazë për interpretimet konkrete. Kështu interpretimi, duke u ngritur nga teksti, për të prodhuar kuptime të reja të tij, të tekstit; është pra një art, art i interpretimit.

4. Vlerësia e metodave

Intelektualisht i formuar si armik i të gjitha tipeve të dogmatizimit të mendimit mbi letërsinë dhe i provuar me shkrim në këtë vepër, Ibrahim Rugova asnjëherë nuk flet për Metodën, po për metodat, nuk flet për Interpretimin, po për interpretimet. Ai rimerr, shqyrton dhe vlerëson rezultatet e metodave të ndryshme të kritikës në shekullin 20, të cilat i lidh një karakteristikë e përbashkët se i kundërvihen pozitivizmit; dhe përfill rezultatet e çdonjërës veç e veç, pa pas kërkuar që ndonjëra prej tyre ta marrë flamurin e proklamimit të së vërtetës mbi veprën letrare. Me sa fytyra del e vërteta letrare në shqyrtimin e letërsisë? Vlera e këtyre teorive është se i ikin empirizmit dhe pozitivizmit dhe merren drejtpërdrejt me objektin, me veprën. Dëshirës klasifikuese të këtij autori nuk i shpëton edhe kësaj here grupimi i këtyre metodave në teori filozofike estetike dhe në teori scientiste, që si rrugë të sjell në pikën e parë: në studimin filozofik të letërsisë – në filozofi të letërsisë dhe në studimin letrar të letërsisë – pra në estetikë dhe në poetikë, në dy anë, në dy fusha, që prapë nuk janë një. Kjo vetëm tregon për heterogjenitetin e sotëm të metodave interpretuese dhe shpjeguese të letërsisë, të cilat, prapë, nuk janë shpikje të rastit, por të kushtëzuara nga tekstet artistike moderne edhe përnga idetë edhe përnga ndërtimet. Kjo sjell te mohimi edhe i njëhershëm i normimit të mendimit mbi letërsinë. Pra, çështjet duhet të lihen të hapura. Më shumë duhet të shtrohen pyetje sesa të jepen përgjigje të përfunduara.

5. Tekstet shqipe

Në vijim autori bën interpretimin e dy teksteve kritike të traditës sonë: një të Faik Konicës dhe një të Migjenit, nëpër interpretimin e të cilëve dalin dy qëllime të para të autorit, që duhen të përshëndeten e të përkrahen. I pari, të vlerësohet e të rivlerësohet mendimi ynë teorik, kritik e estetik, që krijon një bazë të fortë që në shekullin 19, edhe pse ndonjëri në mesin tonë edhe sot mund të thotë se kjo punë fillon me ne, me kohën tonë. I dyti, këto interpretime përforcojnë mendimin e autorit të kërkuar kudo se veprat e tekstet duhet të diskutohen haptas me argumente e pa komplekse. Në të ardhmen kështu duhet të bëhet edhe me tekstet teorike e kritike të autorëve të tjerë që tashmë i përkasin fondit të traditës. Në diskutimin mbi tekstin e Konicës, Ibrahim Rugova pranon mendimin dhe përkufizimin e drejtë të kritikës shqipe nga ky autor i shqipes e dijetar me interesime të gjera që në vitin 1906. Nga ana tjetër, interpretimi i një letre teorike të pabotuar të Migjenit, nxjerr në shesh se poeti ynë i njohur ka qenë i preokupuar me probleme të përgjithshme të artit dhe ka pasur pikëpamje të drejta e të gjera për artin; e që ky poet në studimet shqipe deri vonë është krijuar si miti i poetit social. (Një përpjekje demitizimi të Migjenit, duke u mbështetur në tekstet e tij artistike, e ka bërë Mensur Raifi në librin e vet Fan Noli dhe Migjeni). Këto dy interpretime na thonë edhe më shumë, na tërheqin vërejtjen se mendimi ynë teorik i të shkuarës ka mbetur edhe sot i panjohur për lexuesit, i pasistemuar dhe i pavlerësuar si duhet nga pozita e sotme. Le të përkujtojmë edhe një herë këtu mendimet dhe idetë e Çabejt shumë të drejta për letërsinë shqipe, që nuk janë zhvilluar si duhet më vonë, apo ndonjëherë janë marrë nga studiues të mëvonshëm pa u pasë përmendur burimi. Në frymën e kërkimeve teorike në librin Kah Teoria, janë edhe dy studime tipologjike për letërsinë shqipe. Njëri për letërsinë e re shqipe te ne dhe njëri për letërsinë e Rilindjes në lidhje kontinuitive me letërsinë e sotme. Duhet të thuhet se këto dy studime janë mjaft të bazuara në studimet tona në këto fusha e tema, edhe pse në shumë pika mendimet e të tjerëve rimerren dhe diskutohen. Pra, ka përpjekje të sistemohet një dije. Më duket interesant përfundimi se temat e poezisë së Rilindjes janë bartur në letërsinë e sotme; ndryshimet më shumë konsistojnë në shpërndërrimet poetike.

6. Vetëdija kritike dhe Qëndrimi

Ibrahim Rugova ndër elemente të kritikës njeh: shqyrtimin, vështrimin, argumentimin, vlerësimin, qëndrimin. Kësaj radhe metodike e metodologjike nuk i përmbahet symbylltas, po e gjejmë të aplikuar në diskutimet e tij në këtë libër. Sidomos del në pah një vetëdije kritike e plotë, e mbështetur në argumentime gati shteruese, ç’është më e rëndësishme, e shoqëruar përherë me një qëndrim kritik. Vlera e librit hetohet në shumë pika. Së pari pse sjell shumë informacione mbi dijen moderne për letërsinë, të cilat informacione nuk kanë munguar te ne, jo sidomos në decenien e fundit, po këtu marrin një formë teorike më të sistemuar. Vlera tjetër e librit është se gjatë diskutimit, përherë i drejtohet gjendjes së studimeve tona teorike dhe kapet me probleme të letërsisë shqipe, duke u përpjekur edhe të propozojë zgjidhje. Etja e tij për hapje të madhe me dijen moderne dhe të kohës shihet edhe nga interpretimi i ligjëratës së Rolan Bartit, këtij dijetari të madh dhe burimi të shumë ideve të reja për letërsinë, pra ligjëratës inauguruese të një semiologjie letrare. Pra, vlera e parë e librit është hapja ndaj ideve të reja, diskutimi argumentues, qëndrimi kritik, dhe së fundi shkrimi i ngjitur në një sistem të qëndrueshëm, që krijon një vijë mjaft të fortë të trajtimit të çështjeve të letërsisë te ne, të cilat kur diskutohen, shpesh më shumë mjegullohen sesa ndriçohen. Në fund, këtij shkrimi duhet t’i bëhet një vërejtje, jo sa për të thënë, po vërejtje që ndoshta e shtyn të mendojë autorin. Ibrahim Rugova, duke ndjekur me ngulm një metodologji, nganjëherë zbret në një metodikë të trajtimit. Kjo ngjet më së shpeshti kur diskutimin dhe idetë e veta ia adreson e i detyron rrethit tonë letrar, i ushqyer nga kërkesa që libri i tij të jetë i aplikueshëm në këtë situatë, do të thotë i udhëhequr nga dëshira që gjendja të ndryshohet. Në këso rastesh teksti kritik i ngjet ligjëratës, mësimit. Për të gjitha çështjet e riaktualizuara në këtë shkrim dhe për ato që nuk janë prekur, libri Kah Teoria i Ibrahim Rugovës është ngjarje në kritikën tonë dhe hyn në familjen e librave të tjerë, mbi të cilët në të ardhmen nuk mund të kalohet, kur bisedohet për letërsinë tonë, besoj, u pajtuam apo nuk u pajtuam me ta.

III. TEORIA E POEZISË (Strategjia e kuptimit)

1. Eseu, Kritika

Libri i tretë i Ibrahim Rugovës, Strategjia e kuptimit, ndahet në tri pjesë: Ese, Kritikë dhe Teori e poezisë shqipe në Jugosllavi. Duke lexuar këto emërtime të pjesëve menjëherë mund të theksohet se në këtë libër më së miri përfaqësohen pikëpamjet e këtij autori për kritikën, përkufizimi i së cilës bëhet gjatë vetë procesit të njohjes dhe të studimit të letërsisë, pra në vetë trupin e saj. Tre kapituj shenjojnë qartas pikat kryesore të interesimit të Rugovës si kritik qe një decenie e më shumë, dhe jo vetëm që përfaqësojnë farët më kryesore të manifestimit të kritikës për letërsinë. Në fillim është eseu si kontakt i parë i drejtpërdrejtë dhe i domosdoshëm me letërsinë, për të provuar e formuar një ide apo një pamje të artit letrar. Në këtë formë, shkrimi kritik është më tepër kërkim dhe është i liruar nga formulimet e përfunduara. Si i tillë, pos gjakimit të rezultatit, gjakon edhe provën e sharmit në shkrim. Kështu që del shkrim që lexohet me interes dhe me një kënaqësi. Në këto tipe të shkrimeve kritike, kërkohen, hetohen e gjurmohen tema letrare dhe fenomene që nuk janë të lidhura as vetëm me një gjini letrare, e as me një autor, apo një periudhë. Thelbin e shkrimit të eseut letrar e përbën interesimi i autorit në fushën e letërsisë. Nga ana tjetër, moskërkimi i formulimeve përfundimtare, shkrimin kritik e bën më të çlirë dhe të lexueshëm. Prandaj, shpesh na duket se në këtë tip shkrimi edhe mund të lexohen faqet më të suksesshme të kritikës së Ibrahim Rugovës. Pjesa e dytë e librit, Kritikë, ka të bëjë vetëm me poezinë tonë më të re, dhe për aq sa i largohet shkrimit të lirë të eseut, për aq i afrohet shkrimit të destinuar. Kritika realizohet tash më afër tekstit dhe bazohet në analiza të shkurtra e të shpejta, konkrete, duke përmbajtur në vete kërkesën hetuese e shpjeguese, gjithë në vijën e destinimit të tekstit; shumica janë të shkruar si parathënie veprash të autorëve tanë. Po, në të njëjtën kohë, kjo kritikë mbështetet në mendimin e formuluar dhe të karakterizuar duke e parë fenomenin konkret letrar brenda poezisë shqipe bashkëkohore. Kjo pjesë e librit, në këtë aspekt, është e lidhur funksionalisht me pjesën e tretë që merret me teorinë e poezisë. Duhet të shihet si lexim konkret i veprave, si kërkim dhe prodhim i kuptimeve, a priori, për të artikuluar një klasifikim e tipologji, a posteriori. Kjo kritikë e dëshmon këtë kërkesë të veten nga rasti në rast mjaft qartë, sepse formulimet e saj do të përsëriten, do të rimerren në kapitullin vijues, të teorisë së poezisë, duke u vënë në një kontekst më të gjerë të poezisë bashkëkohore shqipe. Me një fjalë, kjo pjesë e librit manifestohet si një lexim i zgjedhur, si kritikë e zgjedhur, apo si shkalla e parë e përgatitjes për të kaluar në terrenin e teorisë.

2. Teoria e poezisë

Pjesa kryesore e librit është kapitulli Teoria e poezisë shqipe në Jugosllavi, që ka, prapë, dy pjesë themelore: Teorinë e tipologjisë dhe Artikulimin tiplogjik. Do të thotë pjesa e parë e studimit ka të bëjë me metodën dhe me metodologjinë, më saktë me disiplinën e studimit të poezisë, ndërsa pjesa tjetër me artikulimin konkret të këtij studimi, apo mbi rezultatin e kërkimit në veprën letrare. Kjo nuk është e rastit në këtë studim. Esencialisht, është vetëm sublimim i një kërkese, e cila shtrohet herë më haptas e herë më tërthortë në gjithë shkrimet kritike të këtij autori: kritika nuk duhet të synojë vetëm mendimin, po në trupin e vet duhet ta përmbajë qartë edhe demonstrimin e kërkimit si një proces, gjë që bën nganjëherë kritikën të marrë trajtën e librit të mësimit të letërsisë. Fundja, kësaj radhe, në këtë libër kjo kërkesë është thënë qartë në vetë parathënien “… për të vërejtur jo vetëm ç’thotë vepra, po edhe ç’thotë dhe si e thotë kritiku”.Kërkesa themelore e kapitullit qendror të librit është ndërtimi teorik i një sistemi poetik të poezisë sonë bashkëkohore, duke hetuar dallimet mbrenda këtij sistemi si dhe funksionalizimin e tyre në procesin e formimit të tij. Ngritjen teorike të këtij sistemi të poezisë sonë Ibrahim Rugova e provon me analiza, me formulime dhe, diku më në fund, edhe me ilustrime, që kanë formën e zgjedhjes së teksteve poetike. E gjithë kjo për të provuar tezën e vet dhe për të përforcuar me të gjitha mjetet demonstruese të kërkimit edhe vlerësinë e rezultatit të saj. Vetë titulli i studimit, Teori e poezisë, nënkupton një nivel më të lartë të abstragimit në shkrimin për letërsinë që do të dallohet dukshëm nga shkrimet e përparshme të tij edhe në këtë libër. Tashti gjuha e kritikës merr nivelin e formulimeve që kanë karakter të përfaqësimit të një ideje për një fenomen duke gjakuar theksimin e esencave të tij. Analizat këtu më nuk duken, mendimet e formulimet vetëm shfaqen si rezultat i tyre. Fundja, e gjithë kjo bëhet për të artikuluar tri tipe të poezisë sonë bashkëkohore. Për të ngritur një teori të poezisë, e cila është në zhvillim, punë e rëndë për t’u përballuar.

3. Tri tipe të poezisë

Tri tipet e poezisë bashkëkohore shqipe që artikulohen këtu: 1. Poezi afirmative, 2. Poezi subjektive dhe 3. Poezi objektive, janë në një mënyrë vijim i klasifikimit: poezi e entuziazmit, e lirizmit dhe objektive, të cilave u atribuon elementet estetike, të pasqyrimit, përjetimit dhe trajtimit, që e kishte bërë po ky autor në librin e vet Kah teoria. Dallimi është në esencë se atje më shumë idetë artikuloheshin si teza dhe kapnin gjithë korpusin e letërsisë sonë bashkëkohore, kurse këtu përqendrohen në ngritjen e sistemit teorik të një gjinie letrare, të poezisë. Duhet theksuar menjëherë se teoria e Rugovës rreth poezisë sonë të re dhe vetë ky klasifikim, që del në bazë edhe të analizave letrare paraprake, nuk mbështetet vetëm në një kriter qendror. Përfundimet e tij bazohen në kërkime në nivele të ndryshme të tekstit të poezisë që kapin figurën, dallimet në funksionalizimin e saj, më tutje edhe vetë diskursin poetik, për të prekur dhe preokupimet themelore të saj, si dhe idetë. Megjithëkëtë në klasifikimin e tij hyn domosdo koha, me një fjalë, konteksti shoqëror, pra edhe elementi i kushtëzimit shoqëror të formave dhe të tipeve të shkrimit. Kjo vërehet edhe në vetë emërtimet. Po, mbi të gjithë ngritet një kriter që do të shqiptohet në emërtimet e tipeve, është ky raporti i krijuesit, subjektit krijues dhe materies letrare, duke e marrë këtë në procesin e formësimit letrar, po dhe si rezultat të përfunduar, tashti si objekt, që do të përfaqësohej me terma të tjerë, si realitet tjetër letrar karshi një realiteti jetësor. Pra, në esencë, ngritet raporti Subjekt – Objekt, që del në dy nga tipet. Ndërsa tip i parë, që dikur shihej si entuziazëm, pra gjithnjë në një ndërvarshmëri me një ide shoqërore, tashti del si afirmim. Rugova klasifikimin e vet tipologjik do ta bëjë edhe me vlerësinë e vetë teksteve, pra nuk ka të bëjë vetëm me karakterizim po edhe me vlerësim. Prej këndej, poezia objektive i del përnga vlerat më e rëndësishme se dy tipet e para. Kjo do të thotë se në teorinë e vet të poezisë sonë ai, nga ana tjetër, krijon edhe një pamje të zhvillimit të poezisë sonë. Dy kërkesat e tij janë vështirë të provohen sidomos në shkrimet që kanë karakter kryesisht teorik e formulativ. Tezat e veta Rugova i argumenton me libra dhe sidomos me autorë të veçantë. Edhe nga ky aspekt sikur krijohet një kronologji e veprave dhe autorëve dhe më në fund e vlerave, në aspektin e paraqitjes. Mirëpo, problemet dalin pikërisht me autorët, nga një anë, dhe me poezinë që kapet të trajtohet teorikisht në një prerje sa kohore aq aktuale. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse kemi pak poetë që kanë të formuar një sistem të vetin të ideve, madje edhe të shkrimit poetik. Me një fjalë, pak ka individualitete që pa mungesë dhe pa tepricë mund t’i përgjigjen një tipi të shkrimit apo, më në fund, një tipi të poezisë. Kjo shtron çështjen e bashkëjetesës përnga kushtet e krijimit, për të mos thënë për ndikimet e ndërmjetvetshme që janë të dukshme dhe nganjëherë prekin problemin e imitimit. Natyrisht që këto probleme në këtë studim të Rugovës nuk janë trajtuar deri në fund, gjë që nuk ka lejuar dhe mënyra e kërkimit, po duhet të theksohet se janë të mëdhenj, bile nganjëherë të pakalueshëm, në rrugën e çfarëdo shkrimi që ka karakter përgjithësues për poezinë tonë të re. Këtë problem, shihet, e ka hetuar edhe vetë autori kur me emra bën ilustrimin e tipeve të poezisë, disa emra autorësh i dalin në më së paku dy tipe, dhe jo vetëm në aspektin e zakonit të pranuar ndërdijshëm se në rininë e parë poetët e shkruajnë më fuqishëm intimën, por edhe në aspektin e trajtimit letrar dhe të vetë ideve dominuese në poezi. Një problem të tillë do ta ndriçonte një studim i natyrës pak më tjetër, i natyrës së hetimit të tendencave kryesore në poezinë tonë, duke nisur nga akti i paraqitjes së tyre, nëpër pikat e realizimit të tyre kryesor. Me një fjalë: për t’u parë ku janë ato artikulime poetike autentike, e ku janë të bartura nga të tjerët apo edhe të imituara e të shpifura.

4. Vlerësimet

Është e qartë, problemi i hetuar më parë e ka shpënë autorin që në fund të teorisë së vet të poezisë të shtojë kapitullin Vlerësime, që përnga natyra e të shkruarit dhe destinimi, njëmend nuk ka shumë të bëjë me një teori të shtruar më parë me sistemin poetik. Do të thosha më mirë, është tepricë e këtij sistemi. Teksti i vlerësimeve ndërron kryekëput nga teksti kritik i gjithë librit, nga ai sharmant e iniciues i problemeve në esetë, nga analiza argumentuese në kritikat dhe nga abstragimi i ngritur në sistem në teorinë. Ky tashti është një tekst formulativ i prerë, i përfunduar totalisht, që në aspektin përfundimtar të mendimit dhe të formulimit merr karakterin edhe të ekskluzivitetit në vlerësimin e poezisë dhe të librave të autorëve veç e veç. Duhet të pranohet menjëherë, një tekst i rëndë kur kemi të bëjmë me poezinë dhe kur të jetë i lexuar menjëherë mbas shkrimeve të tjera të përmendura. Në shkallët e vlerësimit të veprave konkrete poetike këtu është më e larta: libër i mirë e me ndikim, formulim që vetvetiu e fut në lojë problemin e ndikimeve e ndërndikimeve në poezinë tonë, jo vetëm në një aspekt. Mirëpo, çështja është theksuar, është markuar përfundimisht e nuk është shpjeguar në proces, e pse jo, u përmend edhe më parë. Nga ana tjetër, ky lloj shkrimi e nxjerr kritikën në fushën e funksionalizimit të saj shoqëror e letrar para së gjithash, në fushën e mohimit, pranimit, vlerësimit. E kthen atë në një instrument shoqëror e letrar veprues. Duket se një natyrë e këtillë e manifestimit të kritikës nuk mund të rrinte mirë në një tekst të shqyrtimit teorik, pra më lehtë do të rrinte sa më larg tij. Sepse derisa i pari me gjithë forcën e dijes tenton të krijojë një sistem të argumentuar poetik, shkrimi i dytë kthehet në ekskluzivitetin e pranimit apo mospranimit konkret të vlerave të dhëna, me një fjalë është një aparaturë për mbrojtjen e sistemit të parë të krijuar, i cili mund të jetë i pranueshëm për aq sa është i argumentuar mbrenda kërkesave që ia shtron vetes dhe jo në mënyrë tjetër. Këtu nuk diskutojmë për pajtimin apo mospajtimin me vlerësimet konkrete të veprave. Niveli i tillë i diskutimit mund të jetë gjithmonë i papërshtatshëm, qoftë ai pranues apo mohues, sepse fundja autori e ka të drejtën e vet që të mohojë apo të pranojë dhe së fundi të vlerësojë në bazë të kritereve të veta letrare dhe të pikëpamjeve; e më në fund të botëkuptimit.Më duket se edhe këtu, në këtë vepër me interes të kritikës sonë të re, poezia nuk kalon mirë me sistemin. Ndoshta pse poezia përnga natyra e vet shkruhet dhe lexohet më së miri jashtë sistemit. Poetët do të thoshin edhe më shkurt: poezia nuk i ka punët mirë me erudicionin. Mund të jetë.

IV. KËRKIMI I KUPTIMIT (Vepra e Bogdanit 1675-1685)

1. Karakteri i veprës

Vepra e Pjetër Bogdanit Cuneus prophetarum, para së gjithash, është një doktrinë e krishterë, pra një mësim, që jepet në arsyetimin e fesë dhe ngre nevojën e forcimit të besimit duke pasur parasysh një ambient konkret, ambientin e shqiptarëve. Shpjegimi për fenë dhe mësimi për krishtenizmin është nisur në Biblën e Vjetër, po mbështetjen kryesore e ka në Biblën e Re dhe në shpjegimet e dijetarëve të hershëm teologë, e sidomos te Shën Augustini, veçmas në veprat e tij De Civitate Dei dhe Rrëfimet. Ndoshta pikërisht mbështetja në Shën Augustinin i jep jetë një përjashtimi kaq të fortë dhe me çdo kusht të argumentimeve fetare të Ebreizmit dhe Islamizmit, përjashtim që do të provohet në secilën pikë të diskutimit me radhë. Po u desh të gjinden dhe të hetohen elementet origjinale të Bogdanit në shpjegimin dhe trajtimin e këtyre problemeve, pa tjetër shtrohet përpara kërkesa që vepra e tij të lexohet duke e pasur përpara Vulgatën latine të Biblës, në të cilën i është dashur të mbështetet atij në thelb. Pra, origjinaliteti i tij mund të kërkohet në tepricën e argumenteve që mund të gjendeshin karshi tekstit bazë ku është mbështetur; në këtë mënyrë mund të hetohen idetë e tij origjinale në shpjegim, por jo edhe në doktrinë. Trajtimi i problematikës së Shkrimit të shenjtë në veprën Cuneus prophetarum është krejt në frymën e interpretimeve latine, në radhë të parë të Shën Augustinit, simbas të cilit, çdo gjë në këtë shkrim (është fjala për Biblën e Vjetër) që nuk mund të lidhet direkt me nderin (apo njerëzinë) e zakoneve dhe me të vërtetën e fesë (katolike), duhet të konsiderohet alegorike. Kjo ka të bëjë sidomos me interpretimin e pikave ireale të Shkrimit të shenjtë, që bëjnë besimtarin të largohet nga udha e fesë, besimit. Nga ana tjetër, për judaistët, të gjitha të vërtetat morale dhe filozofike janë të fshehura në Biblën e Vjetër. Duke u nisur nga tradita latine e shpjegimit të Shkrimit të shenjtë, shkrimi i shenjtë në këtë vepër trajtohet në katër kuptime, nivele: njëri prej tyre është i fjalëpërfjalshëm, i drejtpërdrejtë, dhe tre të tjerët janë të figurshëm: tropologjik, alegorik dhe anagogjik.

a). Kuptimi alegorik:është kuptimi kryesor i figurshëm në raport me mësimet e Ungjillit.
b). Kuptimi tropologjik:përmban një kuptim moral, individual, duke kaluar nëpër të cilin Zoti qorton apo lavdon shpirtin njerëzor.
c). Kuptimi anagogjik:është ai që dallon në mesazh një aluzion në të vërtetat metaforike e morale: jeta e ardhshme, gjyqi i fundit, dënimi i përjetshëm…

Në mbështetje të këtij interpretimi, Shën Augustini këtë princip më shkurt e formulon kështu: “Në Dhjatën e Vjetër është e fshehur Dhjata e Re, Dhjata e Vjetër zbulohet në Dhjatën e Re”, parim i po këtij autori që kur citohet nga Bogdani në veprën e përmendur ka këtë formulim: “Marrëm vesh sa mundemi, qish mos mundëmi besojmë”.Kjo frymë teorike e shpjegimit të Shkrimit të Shenjtë është trajtuar pikë për pikë kështu në veprën Cuneus prophetarum, në Shkallën II, Ligjërata I, nga interpretimi i së cilës mundet dhe duhet të lexohet e gjithë vepra e tij e përmendur. Në aspektin e shpjegimit të Krijimit të shenjtë dhe të Trinisë, vepra e Bogdanit si ide nuk ka ndonjë të re dhe nuk mund të kishte. Kërkimi i origjinalitetit të tij, prapë, çon në hetimin e shpjegimeve të tij konkretizuese, pra në mësimin e tij të fesë, që në një anë do ta kenë bazën e vet argumentuese në filozofinë e filozofëve antikë, Aristotelit, Platonit e Senekës, që ngritet nganjëherë edhe deri te sensualizmi i mëvonshëm, dije që citohet herë me emra autorësh e herë pa ta. Konkretizimi i shpjegimeve të tij, nga ana tjetër, ka të bëjë me gjeografinë dhe me dijen e mesit, prandaj mund të gjejmë në veprën e tij të përmenden, Pashtriku, Prizreni, Shkupi, Shkodra, Drini, Vardari, madje edhe referencat historike të ambientit: mundja e Vuçi Pashës në Malësi, apo ndonjë përshkrim sociopsikologjik i banorëve të vendit të vet. Shpjegimin e doktrinës së vet, më tutje, e forcon me një ton të rreptë, të sertë të polemikës me karakter kundërshtues, ndaj Islamizmit dhe të Judaizmit. Polemika e tij, karakteri përjashtues është i pandalshëm, sa që mendimin e Muhamedit se me ujë lahet të fëlliqtit, mëkati, duke aluduar për abdesin, e quan mashtrues, sepse, simbas tij, shpirti lahet nga mbrenda. Po me këtë sertësi përjashtuese diskuton shkallët e krijimit dhe të njohjes së ebrejve, duke përjashtuar triadën e Talmudit dhe të Kaballës.Dokumentimin dhe arsyetimin e moralit, etikës së krishterë, Bogdani e jep në veprën e vet në Shkallën II, Ligjëratën VI, duke njohur dhe emërtuar të këqijat e djallit që kanë hyrë në shpirtin e njeriut: madhështia, smira, mëria, pritesa, lakmia, gryksia, kurvnia; dhe shërimin e njeriut nga këto e jep nëpërmjet shembullit të kryqimit të Krishtit, Krishtit të kryqëzuara.

a). Me uljen e kokës në kryq, u mjekua madhështia.
b). Me uratë për armiq, ndiqet mënia.
c). Me të çelurit e krahërorit largohet smira.
d). Me te bajturit e kokës, pritesa.
e). Duke u dhënë teshat e veta atyre që e kryquan, mundet lakmia.
f). Me pirjen e helmit, gryksia.
g). Me të rrahurat që duroi, flaket kurvnia.

Gjithë kjo edhe nga aspekti moral e etik shpjegon dhe përfaqëson filozofinë e flijimit të krishterë, që si dimë ka marrë karakterin e një maksime të hetuar edhe te Tolstoji: jo kundër të keqes me dhunë. Filozofia e flijimit të Krishtit-hero këtu gjen një shpjegim të saktë moral dhe një përfaqësim shembullor.Nga sa shihet, vlera e parë e veprës së Bogdanit, Cuneus prophetarium, nuk është filozofia dhe ideologjia e tij fetare e krishterë, por se është vepra e parë e shkruar në shqip, më së pari për rëndësinë e kapjes së një shqipeje të vjetër në provën e saj me një dije dhe diskutim të kohës. Studimet shqiptare gjithmonë do të jenë më të dobishme dhe më produktive kur merren me këtë anë të kësaj vepre të rëndësishme të kulturës sonë.

Ibrahim Rugova - Kritik letrar

2. Kërkimi, Metoda, Rezultati

Ibrahim Rugova në studimin e vet monografik, Vepra e Bogdanit 1675-1685, i ka hyrë një pune të rëndë dhe të rëndësishme, me përpjekje e synim që këtë vepër ta bëjë të njohur sot, të kapshme sot, me një fjalë ta riaktualizojë, duke bërë analizën e saj dhe duke u përpjekur edhe të krijojë portretin krijues dhe intelektual të Pjetër Bogdanit. Puna është e rëndë, sepse për të, para së gjithash, nevojitet një formim i fortë filologu, madje filologu klasik dhe albanologu në të njëjtën kohë, dhe e dyta se studime të kësaj natyre ka pak deri më tash në kulturën tonë. Për kërkimin e tij, mandej metodën, dhe për rezultatet mund të fillohet diskutimi ndoshta duke cituar disa nga mendimet që gjinden në monografinë e tij, të cilat e shqiptojnë gjendjen e subjektit kërkues para veprës që studiohet, apo edhe para një subjekti tjetër krijues (Bogdanit) të larguar në kohë për tre shekuj. Citatet përfaqësojnë edhe mënyrën e përjetimit të kontaktit të parë, familjarizimin me veprën dhe më në fund disa nga përfundimet:
Dhe njëmend, u habita, u befasova… Mirëfilli u entuziazmova dhe iu ktheva punës, që këtë intuicion dhe entuziazëm ta kthej në argument dhe në vlerësim, shkurt, në njohje të veprës. f. 11.
Kështu gjenetikën e tekstit të veprës së Bogdanit e ndërtuam kryesisht në bazë të literaturës ekzistuese, e jo të hulumtimeve burimore, sepse ajo ende njihet pak f. 12.
Kemi bërë një kompromis metodologjik: Kurcius, Bart, Lihaçov. f. 13. Pra, kemi bërë herë-herë një modernizim terminologjik e disiplinar… f. 13.
Marrë realisht, pjesa e parë e librit është një traktat filozofik e shkencor në kuadër të teologjisë. f. 77.
Me këtë nuk kërkojmë ta zhveshim atë nga filozofia e teologjia katolike, çfarë absurdi (!)… f. 203.
Nuk e kemi ndjekur metodën e projektimit të problemeve, po të afirmimit të atyre që ekzistojnë, shtrohen e zgjidhen në veprën e tij. f. 148.
Sa i përket leksikut, mund të themi se aty është thuaja e gjithë gjuha jonë, po edhe këtë duhet parë në raport me atë të shkrimtarëve tjerë… f. 208.
Shkurt: është një Komedi hyjnore shqiptare marrë në planin e aksiologjisë historike-letrare e filozofike. f. 226.
Pra, Cuneusi është vepër bazë e humanistikës shqiptare. f. 226.
Nga citimet e përmendura shihet se kontakti i parë i studiuesit me veprën ka prodhuar habinë, dashurinë dhe adhurimin, gjendje që janë të mirëseardhura në komunikimet letrare, po nga të cilat nuk mund të lirohet lehtë studiuesi, sado që përfundimet do t’i nxjerrë nga kërkimet dhe analizat e veta. Sepse edhe vetë metoda e kërkimit dhe përdegëzimi i saj më tutje mbajnë diçka nga ngjyra e kontaktit të parë, sidomos kur të kihet parasysh një kritikë subjektive produktive në leximin e tekstit, çfarë është ajo e Ibrahim Rugovës në pjesën më të madhe të monografisë së tij për Bogdanin. Sa i takon problemit të vetë natyrës së shkrimit që mbështetet shumë në citimin e tekstit dhe në interpretimin e tij, kjo është kushtëzuar në një masë edhe nga shkaku se vepra Cuneus prophetarum është ende e panjohur si tekst për mesin tonë, dhe nëpërmjet analizës autori ka bërë përpjekje që të japë sa më shumë tekst përfaqësues në studimin e vet. Mu nga këto arsye edhe monografia është shkruar e ndarë në dy pjesë të mëdha: Gjenetika e veprës dhe Analitika e veprës. Në të parën është munduar të japë sa më shumë material dokumentues, aq sa mund të jepet nga Prishtina jonë e sotme, dhe jo vetëm për të regjistruar sa të jetë e mundur më shumë tituj rreth veprës së Bogdanit, por edhe për të rikrijuar sa të jetë e mundur atmosferën dhe kohën kur u shkrua vepra. Pra, kjo pjesë i përket në një mënyrë parapërgatitjes për lexim të drejtpërdrejtë të tekstit të veprës që do të bëhet në pjesën e dytë të monografisë, në Analitika e veprës. Prandaj, sado që kërkimi përgatitor për studim, i përfaqësuar në pjesën e parë të monografisë, është i punuar me pedanteri, rezultati themelor i kërkimit të tij është në pjesën e dytë, që del më e lirë jo vetëm në kërkim po edhe në përfundimet, të cilat shpesh dalin prapë në formën e metaforës, duke lënë mundësinë e kapjes së dykuptimshme, qofshin edhe këto rezultate të analizave të përparshme. Le të përkujtojmë këtu vetëm dy përkufizimet e fundit të cituara më parë: se Cuneus prophetarum është një Komedi hyjnore shqiptare, apo tjetrin se kjo vepër është bazë e humanistikës shqiptare. Sa për metaforën e parë, ajo mund të pranohet si një përafrim përnga ndërtimi i veprës së Bogdanit, ndërsa konstatimi i dytë më duket se rrin fort pak, qoftë edhe kur krahasohet me një argumentim që sjell Bogdani për moralin e krishterë nëpërmjet flijimit, në shembullin e Krishtit, që e përmendëm më parë. Po nga një anë tjetër, kur të hapet ka problem në koordinata të kulturës sonë kombëtare dhe popullore, sa qëndron ky vlerësim do të provohej po të hapej një dialog ndërmjet veprës së Bogdanit dhe Kanunit, duke e njohur këtë dokumentin e dytë si kodifikim gojor që vjen nga mësimet që sjellin situatat jetësore të këtij populli, i cili kthehet në model, dhe jo vetëm model i sjelljes po edhe detyrim i saj.
Edhe vlerësimi se në veprën e Bogdanit është e përfshirë gati e gjithë gjuha jonë duket si një kompliment për të adhuruarin, sidomos kur të jetë ofruar pa analiza paraprake të gjuhës së tij, jo vetëm në nivelin e të shprehurit po edhe në sintaksën e saj. Sa për këtë problem, vetë Bogdani në veprën e vet thotë:
Po përse gjuha jonë Arbëneshë asht e vobekë për fjalë qi duheshin për t’i çtiell ndjerë në skajt’, përse ende ndër për ato arrësenje përsipëri, mejaft jet mujtun e shtremena, prashtu qendrojnë e nukë shkruejmë tjetër për këtë punë. Cuneus…f. 31.
Ndanë këtyre përfundimeve që donë të diskutohen, vlera e studimit të Ibrahim Rugovës për Bogdanin është e pakontestueshme, sidomos në pjesën e dytë të tij, e sidomos në kapitujt ku flitet për praktikën e tij teorike letrare dhe për praktikën poetike. Më qëllim lëmë manash praktikën filozofike, sepse ajo më nuk del esencialisht dhe nuk kishte si të dilte jashtë konvencës së kohës të mendimit teologjik, sado që ky mendim në farën e vet të shtrirjes si libër, si mësim, në udhën e shpjegimit dhe të argumentimit domosdo do të ketë marrë diçka nga dija dhe shkenca e kohës së vet. Projekti i Ibrahim Rugovës në studim realizohet duke e trajtuar Bogdanin në gjiun e retorikës klasike. “Modernizimi” si e quan ai i termave, distribuimi i materies së veprës së Bogdanit dhe i pikëpamjeve të tij nëpër disiplina më të reja të studimit letrar mund të bëhet dhe bëhet për aq sa kjo dije moderne ka trashëguar në trupin e vet pikërisht nga retorika klasike dhe ajo e mesjetës.
Po ajo që është më e rëndësishmja dhe që manifestohet esencialisht si fryt i kërkimit të këtij studiuesi është ta provojë të vërtetën se vepra mbetet gjallë dhe komunikon me kohët e mëvonshme, për aq sa këto kohë mund ta marrin dhe ta interpretojnë nga pozita e vet dhe e dijes së vet, qoftë ky interpretim edhe kaq i larguar nga destinimi i parë i autorit. Me një fjalë, Rugova veprën e Bogdanit do ta aktualizojë sot, jo vetëm si vlerë, si fakt kulturor të së kaluarës sonë, po edhe si një qenie të gjallë që jeton edhe sot, qoftë edhe e përfaqësuar përnga ndonjë figurë, përnga ndonjë ide në veprat e letërsisë sonë të mëvonshme. Studiuesi këtë tezë të veten e provon edhe me përafrime me letërsinë tonë bashkëkohore dhe në këtë mënyrë do të hetojë disa konstanta shpirtërore, gjakime a ideale, që duke qenë karakteristike të një vendi, të një populli e karakteri, trashëgohen, përsëriten nga koha në kohë. Në këtë aspekt, duket se teksti i kritikës së Ibrahim Rugovës në pikat e tij më të suksesshme merr trajtën e ëndërrimit, ëndërrimit mbi fjalët dhe kuptimet në veprën e Bogdanit, duke bërë edhe vetë provën e produktivitetit të shqipes në mendim. Ky orientim edhe e shpie patjetër në kërkimin e atyre pikave të shkrimtarit tonë të madh të vjetër, që unë më herët i quajta “teprica”, do të thotë të dhëna e interpretime që i shpëtojnë sistemit të tij të fortë të doktrinës fetare të krishterë. Se pikërisht këto pika japin idetë e rëndësishme për vendin, për popullin e autorit, dhe indirekt krijojnë biografinë e tij shpirtërore mbrenda veprës së tij. Ibrahim Rugova i kërkon, i gjen këto teprime, që i ikin doktrinës së Njëshit teologjik, dhe i interpreton me dashuri të pashoqe.
Për shumë veti që mund të jenë përmendur këtu apo jo, vepra e Ibrahim Rugovës Vepra e Bogdanit nganjëherë më tepër duket si vepër letrare sesa si vepër shkencore. Diçka si metaforë e dytë e një metafore më të vjetër bogdaniane. Apo si provë e pranimit, e përqafimit të një rrezmi, trashëgimie të Bogdanit në letërsinë e sotme shqipe. E gjithë kjo në frymën e kërkimit të tij. Vlera e kësaj vepre tash për tash nuk duhet të shikohet vetëm në vlerën e rezultateve përfundimtare që i sjell, po mbi të gjitha në nivelin e çështjeve që thelbësisht kanë të bëjnë, më së pari me studimin e veprave të vjetra të letërsisë shqipe, më tutje në qëndrimin tonë aktiv ndaj traditës sonë letrare e kulturore, edhe më tutje në vënien e lidhjes së bashkëkohësisë me traditën kulturore, për të arritur në fund te kërkesa kryesore: duke aktualizuar një shkrimtar, të hapë një problematikë kaq të rëndësishme të kulturës sonë.
E, si vepër më vete, Vepra e Bogdanit e Ibrahim Rugovës hyn në radhën e studimeve kryesore për këtë shkrimtar, dhe bëhet në të ardhmen, padyshim, vepër përkrah të cilës nuk mund të kalohet në çfarëdo studimi të ri për këtë shkrimtar.

V. KRITIKA LETRARE SHQIPTARE

(Kahe e premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983)

1. Problemet me kritikën

Ibrahim Rugova, në pjekurinë e vet krijuese, i ka hyrë projektit më të madh kritik, që i përfunduar ka titullin Kahe e premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983. Vetë titulli i monografisë dëshmon që projekti studimor i Rugovës ka brenda komponentën teorike dhe komponentën historike, duke shfaqur esencën e kërkimit ndërmjet historisë së kritikës dhe teorisë së kritikës me shfaqjet e saj në kohë. Për lehtësi të të kuptuarit të objektit autori pranon kornizat karakterizuese të periudhave letrare të letërsisë shqipe, si kulturë e trashëguar. Prandaj, studimi ka Pjesën e parë me ndarjet (klasifikimet): A. Fillimet e mendimit kritik, B. Kritika e Rilindjes Kombëtare dhe C. Kritika e periudhës 1912-1944, dhe Pjesën e dytë me klasifikimet: A. Kritika bashkëkohore me prerjet: a. Kritika në Shqipëri, b. Kritika shqiptare në Kosovë, c. Kritika te arbëreshët. Pra, sado që është shenjuar një kuadër kohor, që sugjeron kronologjinë, kërkimi i Rugovës është më tepër diskutues e klasifikues, duke parë fenomene kritike të trashëguara, pra që vijojnë në kohë të ndryshme, si dhe fenomene të thyerjeve e të ndryshimeve. Studimi i bazuar në kahe (orientime) që nënkuptojnë metodat kritike dhe në premisa, që nënkuptojnë bazën teorike të fenomenit, i kanë nxjerrë jo pak probleme studiuesit, sepse këto nuk duken njësoj e me të njëjtën vlerë në tekste të ndryshme kritike të shfaqura kaq larg në kohë. Problemi i parë për të zgjidhur është vetë përkufizimi dhe dallimi ndërmjet asaj që është kritikë dhe asaj që është kritikë letrare, sepse në vështrimin modern të termit kritika letrare është prodhim i letërsisë (pra vjen a posteriori), prandaj, si mund të ketë kritikë pa pasur letërsi (kemi parasysh shkrimet fillestare në kohë). Autori e ndien këtë problem, por nuk e shtron shkoqur në studim, duke u mjaftuar me shenjat e kërkimeve e të kërkesave të tij ndaj teksteve, kështu që përkufizimi del implicit. Pra, kemi kritikën si mendim për letërsinë apo ndonjë fenomen të shkrimit, madje dhe kritikën mbrenda doktrinave religjioze, estetike e ideologjike, që anon nga fenomenet letrare, dhe kritikën letrare, që prodhohet si interpretim apo analizë letrare. Prandaj, kur trajton tekstet e Barletit, të Bogdanit apo të Nezimit, autori gjen më tepër elemente të poetikës klasike, të shenjtë apo orientale, ashtu si dhe të retorikës. Prandaj, kur trajton tekstet e De Radës a të romantikëve të tjerë shqiptarë, autori gjen më tepër elemente të estetikës apo të ideologjisë kombëtare të artikuluar edhe si letërsi kombëtare.

2. Konteksti sociokulturor

Para çdo kapitulli të librit të tij, që shenjon periudha kohore, Rugova vë hyrjen e emërtuar Konteksti sociokulturor. Këto janë tekste kuadro, që përpiqen të ruajnë dallimet ndërmjet Tekstit dhe Kontekstit ashtu si dhe lidhjen e tyre qoftë në një zhvillim historik të jetës shpirtërore të shqiptarëve, qoftë në dialog të saj me të tjerët, qoftë, në fund, në fazat e kërkimit, të studimit e klasifikimit të autorit. Pra, ndonëse autori është zotuar të merret me tekstin, ai nuk i shpëton shqyrtimit të kontekstit, qoftë ky përcaktues apo vetëm ndikues në tekstin kritik. Bie në sy, pra, që nuk ka të bëhet vetëm me kontekstin letrar, po shumë më gjerë me kontekstin sociokulturor. Ky problem nxjerr në shesh, qoftë në mënyrë të ndërmjetme, që zhvillimet letrare, madje kulturore, shqipe kanë një fytyrë të veçantë, madje atipike, sado që studiuesin e mban dëshira e qëllimi që ato të jenë të krahasueshme me kulturat e tjera. Ajo që quhet histori apo gjeografi apo më në fund karakterologji nacionale nuk le të kalohet lehtë, qoftë në shqyrtimet teorike, që në thelb e kanë universalizmin. Rugova i ka provuar këto probleme edhe në studimet e tij të mëhershme: kemi parasysh studimin Vepra e Bogdanit, apo edhe më saktë veprën Kritika letrare (1979) të bërë bashkë me Sabri Hamitin, libër që përbën bazën themelore të studimit të tashëm të kritikës letrare shqiptare. Do të thotë Ibrahim Rugovës i është dashur të kalojë shumë sprovime interdisciplinare që këtu të kalojë nga konteksti në tekst, që të kalojë nga kritika te kritika letrare shqiptare, nga venerimi historik në venerimin teorik e klasifikues.

3. Kritika letrare shqiptare

E thëna e Mishel Montenjit se “më vështirë është t’i interpretosh interpretimet se t’i interpretosh gjërat” është bërë moto e punës së Ibrahim Rugovës në këtë vepër, duke artikuluar zinë e kërkimtarit nëpër labirintet e ideve të të tjerëve, aq më tepër në kaosin e mendimeve e të shkrimeve të shqiptarëve, pa asnjë sistemim deri në këtë kohë. Kjo vështirësi, prandaj, mund të lidhet edhe me përkushtimin për të sistemuar, klasifikuar e vlerësuar idetë, që janë vetëm evidenca dhe idetë që mbeten të gjalla e prodhore edhe në kohët përtej kohës kur linden. Të gjitha problemet bëhen më të kapshme në fazat a periudhat kur artikulohet përfundimisht kritika letrare shqipe, që zhvillohet e perfeksionohet më së pari në dialog me vepra të letërsisë shqipe, pra si “interpretim i gjërave”. Kjo lidhet me shfaqjen e kritikës letrare në kuptimin modern, që do të lidhet teorikisht e praktikisht me emrin e Faik Konicës, me kohën e zhvillimit të letërsisë shqipe, me modernitetin e me shekullin njëzet. Tanimë Rugova del në terrenin e vet të preferuar, kalon në tekst të kritikës, dhe kërkimi i tij bëhet krejt substancial duke hetuar premisat si bazë teorike të kritikës letrare dhe kahet si paraqitje apo orientime të metodave të diferencuara të kritikës letrare. Kjo është koha të cilën autori e cilëson si “konsolidim i kritikës”. Tanimë interpretimet e autorit janë të argumentuara në tekste dhe kanë mbështetjen klasifikuese, që reflektojnë përgjasime me metodat e kritikës letrare moderne në qarkun kulturor e letrar evropian. Rugova flet për vetëdijen kritike (F. Konica), kritikën introduktive (Fan S. Noli), kritikën psikanalitike (K. Maloki), kritikën filologjike e kulturohistorike (E.Çabej), kritikën imanente (M. Kuteli), kritikën e romanit (V. Koça), letërsinë realiste (Dh. Shuteriqi), kritikën estetike-historike (A.Pipa).Kërkuesi i palodhshëm empirik i shkrimeve kritike shqipe dhe teoriku modern i kritikës, Ibrahim Rugova dëshmon gjerësinë e tij në metodë e në trajtim, ndonëse edhe vetë do të bjerë në kontekstin sociokulturor, qoftë në vështrimin e mungesës së riprodhimit sistematik të shkrimeve kritike, qoftë i shtrënguar nga premisat ideologjike dominante të kontekstit kulturor shqiptar kur është shkruar vepra. Ndryshe nuk ka si të dëshmohet vlerësimi i paktë në shkalloren kritike i Vangjel Koçës ashtu si dhe mungesa e vlerësimit kritik të Gjergj Fishtës e të Ernest Koliqit. Kjo çështje bëhet edhe më problematike në trajtimin e kritikës letrare në Shqipëri në periudhën e pas luftës së dytë, ku ideologjia bëhet amëz e mendimit për letërsinë dhe ku metoda e realizmit socialist e “dekretuar” e fut letërsinë nën mbretërinë e dogmatizmit. Rugova përkrah karakterizimit mundohet të gjejë shkëndija të dinamizimit të brendshëm letrar, duke diskutuar kujdesshëm atë që do të quhej “dialog” ndërmjet tradicionalizmit dhe novatorizmit. Në këtë fushë, kërkuesi brilant, Rugova, lodhet duke gjetur sjelljen e mirëkuptimit, por edhe duke prodhuar faqet më jointeresante të studimit të tij. Kur është çështja e vështrimit të kritikës letrare shqiptare në Kosovë, Rugova është në shtëpinë e vet dhe në formatin e vet, prandaj gjykimet i ka më të lira e të vërteta, të mbështetura në argumente. Ai karakterizon e klasifikon orientime kritike dhe vlerëson kritikën me lehtësi të pazakonshme. Mirëpo, edhe këtu i del para një problem, të cilin nuk ka si ta zgjidhë aty për aty. Disa nga kritikët, që i sheh më prodhorët në vështrimin e pranimit e të vlerësimit, ishin në kulmin e tyre të krijimtarisë, prandaj vlerësimet e studiuesit vetvetiu marrin trajtën e paravështruesit, që nuk është një pozitë e dëshirueshme e njeriut që nuk do të duhej të klasifikonte pa e pasur bazën e plotë argumentative.

4. (Si) Enciklopedi e kritikës

Libri i Ibrahim Rugovës Kahe e premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, përpos tekstit themelor autorial në të cilin është krijuar harta e shfaqjeve kritike dhe harta e vlerave, ka dhe një pjesë me peshë të madhe të tekstit që quhet Bibliografia, e cila me 1. Bibliografinë përshkruese të librit 1861-1944, me 2. Bibliografinë komentuese të kritikës në shtypin shqiptar 1883-1944 e me 3. Listën e organeve të shtypit 1848-1944 krijon kuadrin e referencës shkencore të domosdoshme për një projekt të madh, të parin sistematizues. Kjo ndërmarrje dokumentuese kaq e madhe e kaq e mundimshme e autorit lidhet me mungesën e teksteve të vjetra në qarkullim deri në vitet tetëdhjetë të shekullit njëzet, e sidomos me mungesën e leximit të tyre sistematik. Prandaj, autori citon pjesë të gjata, komenton dhe jep shënime. Prandaj, konsiderojmë që kjo pjesë e librit krijon një pikë tjetër në të cilën mbështetet teksti i parë sintetizues; kemi këtu një interkomunikim të botëve. Një vlerë të veçantë ka Treguesi historik i termave, që është në fakt një koncentrat teorik i gjithë kërkimit. Tanimë niveli i zhvillimit teorik të kritikës do të duket në bazë të sistemimit të termave fundamentalë, gjithsesi me mundësinë që këta terma të jenë të krahasueshëm me terma teorikë të kërkimeve letrare evropiane. Sepse, u tha më parë, që në fushën e teorisë gjithmonë jemi në fushën universale. Kurse studiuesi Ibrahim Rugova e ka për dëshirë, mall e qëllim që kulturën nacionale në këtë domen (në kritikën letrare), po dhe në domene të tjera, ta shohë të krahasueshme e të matshme edhe me literaturat e me kulturat e tjera. Vepra Kahe e premisa, me ndërtimin, strukturimin, kërkimin, argumentimin, referencat gati shteruese, kapërcen qëllimet fillestare të një monografie dhe merr përmasat e një enciklopedie për kritikën shqiptare si disiplinë të mendimit dhe kritikën letrare shqipe si zhanër letrar. Kjo pa dyshim është vepra më e madhe e më e ndërliqshme kritike e Ibrahim Rugovës, një nga veprat më të mëdha të kritikës shqiptare, duke e bërë vetvetiu autorin njërin ndër mendimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë për letërsinë.

VI. REFUZIMI ESTETIK (Refuzimi estetik), 1987

1. Trajta e kritikës

Libri Refuzimi estetik, është libri i fundit kritik i Ibrahim Rugovës, ndërsa në trajtën e ndërtimit formal duket të jetë vazhdim i librit të mëhershëm Strategjia e kuptimit. Kjo jo vetëm sepse e përbëjnë kryesisht tekste kritike që lidhen me autorë bashkëkohorë dhe vepra e ide letrare aktuale, por edhe pse kapitujt e tij nuk emërtohen në bazë të çështjeve të shqyrtuara, por në bazë të klasifikimit të formave të kritikës së autorit. Në këtë vështrim, kemi një vetëklasifikim të shkrimit të autorit. Libri Refuzimi estetik ka këtë strukturë: I. Ese, II. Kritikë, III. Studime, vështrime, IV. Teori e kritikës. Duke parë këta kapituj, që shenjojnë format e kritikës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kuptojmë edhe format e domosdoshme apo të preferuara që diskursi kritik i këtij autori merr në dialog të përhershëm me fenomenet letrare, me veprat konkrete dhe me autorët shqiptarë. Është e natyrshme që shkrimet e lidhura me një ambient konkret letrar e me një kohë i lidh një sensibilitet i veçantë, ashtu dhe një mori formulimesh e formulash të ngjashme apo të përbashkëta, të cilat i di autori dhe i sipërthekson në Parathënie. Ai aty shkon një hap më tej dhe në mënyrë implicite kërkon moralitetin kritik e vlerën që do të sprovohet në kohë. Rugova tashmë është kritik i sprovuar dhe kalon me lehtësi tekstet e veta në rrjetin e klasifikimeve formale e zhanrore. Si gjithnjë eseun e mban formë të lirë për të shpalosur ide të lira, pa u munduar me argumentimin e tyre shterues. Me këtë lehtësi të idesë së re ai trajton romanesken te romani, perceptimin e historisë në korpusin romansor, retorikën e formës poetike, apo dhe guximin interpretues që nëpërmjet një vargu të identifikojë një poezi, madje një poetikë personale. Nën masën e kritikës si interpretim konkret i veprës konkrete dhe më tej si dialog të gjallë me aktualitetet letrare, Ibrahim Rugova shkruan për vepra në gjini të ndryshme, të botuara gjatë viteve tetëdhjetë, të Azem Shkrelit, Fahredin Gungës, Musa Ramadanit, Teki Dërvishit, Jusuf Buxhovit, Mehmet Krajës, Ibrahim Kadriut, Qerim Arifit, Abdullah Konushevcit. Të gjithë këta gati shkrimtarë të brezit të kritikut. Sikur për të provuar që kritiku i brezit është njohësi më i mirë i po këtij sensibiliteti letrar, që nënkupton një përgjithësim, ashtu dhe njohja e stilit individual të autorëve, që i bën të ndryshëm dhe të veçantë. Mundet që këto dy elemente i bëjnë tekstet e Rugovës të kenë në brendësi përballë një diskutimi letrar edhe një mirëkuptim gati miqësor.

2. Opusi e Sistemi

Në kapitullin e studimeve e të shqyrtimeve letrare Rugova demonstron gjerësinë e dijes letrare, shkathtësinë e analizës dhe mjeshtërinë e argumentimit, qoftë kur shkruan për romanet e Nazmi Rrahmanit, për pikëpamjet estetike të Esad Mekulit, burimsinë e poezisë së Din Mehmetit, apo dramën shqiptare të Josip Relës. Megjithëkëtë, kredon e vet kritike ashtu dhe shkathtësinë diskursive ai e provon edhe një herë në studimet për poezinë e dy autorëve të brezit të vet. Opusi poetik i Beqir Musliut dhe Sistemi poetik i Sabri Hamitit duket të jenë studimet më të mira të këtij kapitulli. Kjo ka të bëjë më tepër me fenomenin letrar sesa me rastin apo me përkushtimin. Në të vërtetë të dy studimet janë shkruar në trajtë të studimeve hyrëse për veprat poetike të zgjedhura që u kishte bërë kritiku autorëve për një koleksion të botimit të poezisë. Rugova do të sprovohet me poezinë e dy autorëve, të cilët që në rini ishin admiruar, por në të njëjtën kohë edhe keqkuptuar. Kritiku tani merr riskun që të krijojë tekstin interpretues dhe vlerësues, i cili i botuar si parathënie, rri binjak me poezinë dhe mund të sprovohet përgjithmonë nga secili lexues. Kjo është një ego kritike e çuar deri në fund, një aventurë e krijuesve të njëmendtë edhe në kritikë letrare dhe, më në fund, një moral kritik i provuar në vepër. Dhe Rugova ia del, meqë tekstet e tij është parë të jenë bërë më vonë pika të mbështetjes për kërkimet e mëvonshme për këta autorë. Një studim për romanin bashkëkohor shqiptar, që megjithatë mbetet në nivel të skicimit të ideve kryesore, ashtu dhe një bibliografi e romanit bashkëkohor shqiptar (1949-1986), sikur japin sinjale që autori do të punonte në një studim për romanin shqiptar, që nuk është shfaqur më vonë.

3. Teoria e kritikës

I obsesionuar me kritikën, sidomos me teorinë e kritikës, Ibrahim Rugova, edhe këtë libër e mbaron me një korpus tekstesh rreth problemeve teorike të letërsisë e të kritikës letrare. Ai i kthehet sërish leximit dhe diskutimit të librit të tij të dashur të rinisë, Teorisë së letërsisë të Rene Velekut dhe Ostin Uorenit; për të parë dy funksionet e kësaj teorie. Ibrahim Rugova, kritiku i mileut të Prishtinës, studenti i Rolan Bartit në Paris, apo dijetari që nuk përjashton asnjë ide pa e diskutuar: cili nga këto përcaktime ka ushqyer një diskutim problemor për kritikën letrare dhe marksizmin si njohje apo ideologji?. Dijetari i Prishtinës, si krijues, të cilit pushteti politik dhe ideologjia i shkojnë mbas si hije, sqaron që kishte një kritikë tradicionale ideologjike, dhe një tjetër të modernizuar, e cila do të merrej më në fund me Kafkën, Prustin e Xhojsin, duke i vënë në shtratin e vet të realizmit të paanë, përderisa të parët e tyre tradicionalistë i patën hedhur si dekadentë. Një diskutim i sofistikuar për kohën, që nuk do të mbërrinte askund tjetër pos në diskutimin final të raportit të letërsisë me politikën, këtu e tjetërkund. Rugova më në fund e vijon diskutimin e vet teorik lidhur me interesimet teorike e letrare të aktualitetit shqiptar, duke bërë përpjekje që fenomeni të shihet në gjithë botën shqiptare, ndonëse kjo botë jeton në kërkimin e ideve të kundërshtueshme deri në skaj. Studiuesi përpiqet që të sistemojë grimcat e ideve shqiptare, për t’i bërë të krahasueshme me drejtime teorike në Evropë, qoftë kah ato që mbështeten edhe më tutje në termat e funksionit si: angazhimi apo mesazhi i afishuar, qoftë nga ato që shpien kah analiza e strukturave letrare duke pranuar pluralizmin e tekstit letrar. Ibrahim Rugova nuk i shpëton as këtu një tipi të diskutimit teorik letrar me premisa të dedikimit dhe të edukimit, ku metoda vetvetiu shndërrohet në demonstrim. Kjo dhe mund të jetë karakteristikë e teksteve që shkruhen për t’u lexuar para një auditori të caktuar, kur teksti përballë shpalimit të idesë dhe argumentimit ka dëshirën për të bindur e për të mësuar.

4. Refuzimi estetik

Eseu Refuzimi estetik, që mban kohën e vendin ku është shkruar (Prishtinë, shkurt, 1987), është padyshim teksti më i rëndësishëm për autorin, jo pse është shkruar i fundit, por pse ka dalë në ballë të librit dhe pse këtë titull e merr krejt libri. Është e qartë që autori i jep peshë të veçantë këtij teksti, qëkur e merr në trajtë të përmbledhur edhe Parathënie të librit. E pra çfarë ka të veçantë në këtë ese?

Refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe nga i përgjithshëm.

Kjo është fraza nistore e eseut, që nuk ka asnjë shenjë që ka të bëhet me letërsinë, dhe vazhdon:
Njeriu në këtë plan ka vetëm dy zgjidhje, thjesht e shkurt: po e jo. Refuzimi ngritet kundër imponimit kur ai është represiv.

Dhe më tutje vijon eseu duke u demonstruar ideja:
Imponimi bëhet më i ndërlikuar kur gjendet në kuadër të përfaqësueses, sepse njeriut ekzistuesja i largohet për disa shkallë… Raporti ndërmjet të vërtetës dhe të vërtetës së përfaqësuar…

Edhe më tutje eseu eksplikon si ngritet pushteti individual e kolektiv, për të arritur ngadalë te pushteti, demokracia, zgjedhja e lirë, manipulimi, plebishiti: jemi pra në gjirin e shoqërisë, në diskutimet e pushtetit e larg, tepër larg, letërsisë. Rugova më dramatik e bën diskutimin pikërisht kur kalon në domenin e letërsisë që do të refuzojë duke heshtur apo duke folur. Nëse flet, ajo refuzon me format e sarkazmit, të groteskut e të ironisë. Ai kërkon dallimin midis pushtetit e politikës në letërsi – politizimin e saj. Loja, pra, është e rëndë: si të ruhet letërsia si qenësi e jo si letërsi në funksion, në shoqëritë e politizuara në mënyrë agresive. Pamja është e aktualitetit, kurse diskutimi don t’i demonstrojë rrënjët e fenomenit në kohë e në kultura të tjera. Por në pikën 3 të eseut tanimë tema afishohet: Estetika e Politika. Historia e fenomenit të shpie te Platoni e te inkuizicioni mesjetar, madje te përmbysjet revolucionare, që si censurë apo si ndikim rrafshojnë vepra, ide e njerëz. Furtunën shkatërrimtare Rugova e gjurmon më tepër në kulturën historike të të tjerëve e më pak në realitetet dhe aktualitetet shqiptare. Kujdes! Autocensura e shpikur nga Sartri në kohët moderne, mund të jetë shpëtim i shkrimtarit (njeriut), por jo i letërsisë. Atëherë, nëse nuk i mbetet alternativë letërsisë a i mbetet alternativa shkrimtarit. Rugova, në kërkimin historik të fenomenit, thotë se po: të bëhet shkrimtar i oborrit apo prijës i popullit. Por, për pasojë: në të dyja rastet vrasës i letërsisë së vet. Ashiqare që shkrimtari i angazhuar dhe letërsia e angazhuar nuk është një zgjidhje. Këtë e kanë pranuar shkrimtarët ideologë romantikë tjetërkund e te ne. Si të ruhet, pra, qenësia estetike, e bashkë me të “refuzimi estetik”. Pyetja nuk ka përgjigje të pëlqyeshme, sidomos jo kur shtrohet kaq ashpër raporti ndërmjet letërsisë e politikës. Ibrahim Rugova në eseun e vet rezonon që tanimë është bërë legjitime vetëdija se imponimit të jashtëm letërsia duhet t’i përgjigjet me refuzim estetik. Ky është refuzim estetik kundër diskursit represiv. Mirëpo, çështjet praktike çojnë në argumentime selektive:

Te kombet e mëdha, kur rreziku politik është më i vogël, apo edhe nuk është i pranishëm fare, refuzimi estetik i letërsisë është më i madh, më autonom e më veprues…
përfundon Rugova eseun e vet të vitit 1987.

Po çfarë të bëhet me kombet e vogla e me letërsitë e rrezikuara, përgjegja është e kuptueshme apo e nënkuptueshme. Nuk ka shpëtim të autorit, mund të ketë shpëtim të njeriut: duke ikur nga tipi meditant kah tipi militant. Kështu shkroi Rugova, në tekstin e vet të mbramë kritik, para se të nisej.

VII. PROFILI I KRITIKUT

Pak nga miqtë e tij e dijnë që Ibrahim Rugova në moshën e re shkollore ka shkruar lirikë dhe ka përkthyer poezi. Mirëpo, emri i tij letrar publik është bërë i njohur me shkrimet letrare në rubrikën “Zenite letrare” në revistën Fjala. Tekstet, që rimerrnin në një lexim krejt subjektiv e të lirë, vepra të shkrimtarëve botërorë e shqiptarë, lexoheshin me mallin e leximit të letërsisë së vërtetë. Këto shkrime Ibrahim Rugova, pas një rileximi redaktues, i botoi në librin Prekje lirike. Vetë titulli përcakton natyrën e shkrimeve estetike-poetike, që nuk i iknin lirizmit në interpretim. Ky ishte një revolt kundër shkrimeve kuaziobjektive që shkruheshin për letërsinë duke zbritur më shpesh në një sociologjizëm vulgarizues.Në librin e dytë Kah teoria, të botuar shtatë vite më vonë, e gjejmë Rugovën në skajin tjetër të diskursit kritik. Tashmë ai, gjithë dijen e madhe letrare, gjithë mjeshtërinë e shkrimit kritik të argumentuar, e çon kah qëllimi suprem: të artikulohet në nivelin më të lartë teorik letërsia si krijimtari individuale e veçantë, e ndryshme nga të tjerat, që duke pasur praktikë origjinale të krijimit, kërkon edhe kritere të vetat të interpretimit. Tashmë, revolta lirike e librit të parë kthehet në sistem vetanak të mendimit e të argumentimit. Dy polet kritike, të shfaqura në dy librat e parë, e kanë përcaktuar fuqishëm gjithë krijimtarinë kritike të Ibrahim Rugovës në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë të shekullit njëzet. Ky ndikim në një anë ka prodhuar një diskurs kritik të çlirshëm, shpesh me gjuhë konotative, madje në nivel të metaforës, për t’u kurorëzuar me trajtën e eseut e të kritikës interpretuese; kurse në anën tjetër ka prodhuar diskursin kritik të argumentuar, duke e ngritur në nivel të abstragimit teorik, madje krejt në teori të letërsisë e të kritikës; por gjithmonë me kërkesën për kultivimin e temave abstrakte në shqip, nëpërmjet rindërtimeve terminologjike. Dy libra të ngjashëm, përmbledhje esesh e kritikash, kapin tekstet kritike të Ibrahim Rugovës të viteve shtatëdhjetë në Strategjia e kuptimit dhe të viteve tetëdhjetë në Refuzimi estetik. Sharmi themelor i shkrimeve kritike, që korrespondojnë në radhë të parë me librat e botuar gjatë këtyre viteve dhe me autorët kryesisht të brezit të tij, është se janë shkruar rëndom si kritika të para (punë tepër e vështirë në interpretimin e vlerësimin e letërsisë), duke prodhuar edhe mendimin e parë publik për veprat, e njëkohësisht duke krijuar aureolën e kritikës së respektueshme. Në shkrime të tjera, në këta libra, Rugova lëshohet ngadalë në kohë për të studiuar formacione artistike e doktrina letrare shqiptare, po ashtu autorë të njohur të traditës; ashtu edhe fenomene letrare, kryesisht kritike të modernitetit evropian. Dy libra të tjerë, tani monografikë, që provojnë deri në skaj fuqinë krijuese e intelektuale të Ibrahim Rugovës, janë Vepra e Bogdanit dhe Kahe e premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983. Në të parin bëhet interpretimi i fuqishëm i tekstit bogdanian në librin e parë origjinal shqip Çeta e profetëve, duke analizuar të gjitha aspektet e strukturat e tekstit bashkë me domethënien e tij. Rugova këtu ribën gjenetikën dhe bën analitikën e veprës së autorit të madh të vjetër shqiptar, duke e parë atë të njënjëshëm, nëpërmjet temave, strukturave letrare, domethënieve nacionale; duke analizuar sistemin e plasat e tij. Studiuesi, i formuar me dijet moderne letrare, dëshmon që teksti bogdanian nuk është dëshmi por është një qenie e gjallë kulturore, madje bashkëkohëse, një vlerë që jeton. Vepra shpejt u bë paradigmë e studimeve shqiptare, jo vetëm bogdaniane. Mirëpo, projekti më i ndërliqshëm e më i rëndësishëm studimor i Ibrahim Rugovës mbetet monografia për kritikën shqiptare. Ky libër është dhe kurora kritike e tij. Aty gjejmë një sistematizim të mendimit kritik shqiptar që lidhet me letërsinë dhe kritikën letrare, dhe më thellë një vetëdije kulturore të shqiptarëve. Idetë themelore, duke u fiksuar nga Barleti deri te autorët bashkëkohorë, janë trajtuar jo si rend kronologjik i shfaqjeve, por si vlera në një sistem të sprovuar të mendimit letrar. Rugova lucid këtu informon, analizon, interpreton. Vepra merr vlerën e një projekt-enciklopedie për kritikën letrare shqiptare duke u bërë, që nga shfaqja, një pikë reference e pakalueshme për këtë fushë. Përfundimisht Ibrahim Rugova është një kritik modern që teorinë e ndërton si majë që del nga interpretim i tekstit letrar, kurse vlerësimin e bën si një përqasje me universalitetin e krijimit letrar. Kjo e shpie nga qerthulli i letërsisë kombëtare në universumin e literaturave të tjera. Një të tillë sprovë e kishte nisur Rugova në shkrimin për rrënjët e degët letrare, pra për trashëgiminë origjinare dhe shpërndërrimet e mëvonshme duke sjellë në relacion krijues Shqipen, Aristotelin e Xhojsin. Kjo aventurë krijuese ishte ndërprerë përnjëherë. Dhe kjo duhet të quhet humbje për kërkimet në letërsinë shqipe. Vepra e madhe dhe e ndërliqshme kritike e Ibrahim Rugovës e ka bërë autorin njërin ndër mendimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë për letërsinë. Konteksti sociokulturor, thuhej më parë, por rrethanat nacionale, do të thuhej më vonë, e bënë apo më saktë e detyruan Ibrahim Rugovën që nga njeriu meditant të kalojë te njeriu militant. I pari i përket domenit të kritikës. I dyti domenit të veprimtarisë nacionale. I lejojmë vetes të mbyllim këtë shkrim me një metaforë: Prekje e Gurit. Brezat e idealistëve (nëse mbeten gjallë) do të tregojnë a u formësua guri nga prekja dhe për sa kohë ndodhi kjo.

Prishtinë, tetor 2005

* Ky material është marrë nga faqja “Rugovaupdate” dhe mund ta shfletoni në linkun: http://rugovaudate.blogspot.com/2005/11/ibrahim-rugova-kritik-letrar.html

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!