ANTON HARAPI – PJESË NGA “ANDRRA E PRÊTASHIT”
ANTON HARAPI
(Shkodër, 5 janar 1888 – Tiranë, 20 shkurt 1946)
ANDRRA E PRÊTASHIT
“A e dini se çdo ndêrtese i vihen temelet n’dhé? Edhe pse n’vàrr, ne hijshëm duhet t’jemi gurt’ e temelit t’njiasaj bînaje t’cillin sot e quejm Shqypni”
Pjesë nga vepra “ANDRRA E PRÊTASHIT”:
“Nji ditë prej ditësh, përveç projektit të bamë për pajtimin e gjaqevet, me tana imtimet e rrethanat, në mâ të madhen konfidencë i a zbuloj pjanin tem, si kishem qitë cekën m’u rá mbrapa atyne krahinavet, në rasë qi do t’u zbatojshin 14 pikat e Vilson-it e do t’u dajshin kufijt e shtetevet mba gjuhet e mbas kombsijet. Në marrveshtje me nji komitet të përkohëshëm, të ngrehun në Bashkí të Shkodrës, po për këso çashtjesh, kishim sajue:
1) me bâ nji shkresë me sa mâ shum nënshkrime për t’a dërgue në Konferencën e Parigjit, tue lypë të njiten me Shqipní, Hot, Grudë e Triepsh;
2) me ngrehë nji Bashkí të përkohëshme me flamurin shqiptár në Hot;
3) me rá në Shkodër me përfaqsuesa të bajrakëvet të Cemit për nji dimostracjon.
Të trija këto pika i a spjegova Dodës sa mâ mirë dijta as nuk hoq keq me i shtij në krye, pse për tê, shkado t’u lypte, mjaft t’ishte për Shqipní, se nuk i u dukte e vështirë as e pamujtun.
Pajtimi i gjaqevet u bâ çashtje e dytë; Doda e dinte mirëfilli se dér ku kanë mbërrijtë përpjekjet, por si e ndjeu edhe prej meje punën gjithsi, ndër tana imtimet e me tana rrethanat, e bâni llafe, e më tha: Ku je me tjerat, Patro, se këjo tek e ka pasë; po të hij dorzanë û’ se nuk po të vritet kush as s’po të bín kurrfarë ngatrrese për Prêtash Zefin e për Lucë Prelën.
Jitshin për t’u çue në vend trí pikat e sajueme mbi çashtjen shqiptare për ato vende. Me të cilën me fillue e në çë mënyrë me i zbatue? Ata pakë sllavofila të vendit kishin çue krye, merrshin e epshin për ditë me Podgoricë, kishin hetuesat e vet, e për çdo lëvizje, sado të qetët e të mshehët, lajmojshin ku dijshin. Mâ tepër po t’i u kujtojshin programit tem, e dijshem mirë se s’do të lêjshin gur pa luejtë, për me m’a çpartallue punën.
Doda si u mendue teksá, i sigurtë se nuk do t’i binte fjala në tokë, me nji risolucjon të plotë, sjellet e më thotë: Edhe kësajë i a dalim. Njimend se luftat e mjerimet e vuejtuna na i kanë përqokue edhe fort njerzët, por në Hot e në Grudë ka endè burra bese, ka Shqiptarë të qitun, ka djelm si zana, me të cilt, më thotë mendja, se jo kaq, por edhe mâ tepër mund të shtyhemi, po e lypi puna. Këtu veç na duhet edhe Lulashi.
Aty-për-aty çuem për Lulashin, i cili s’vonoi e erdh porsa ndora.
Me besë të Zotit i a zbulova edhe atij tanë sekretin; Lulashi për nji herë disi u pí; ishte mësuem me i kundrue punët hollsisht e me veletí; parashifte vështirsít e u mbat me e thanë fjalën, pse kah del fjala del shpirtí.
Shndërruen do fjalë me Dodën, përmendën disa emna, zemruen njani tjetrin edhe nji goje, sjellen e më thonë:
– Ti, Patro, shkruena letrën gjithsi të dijsh mâ mirë e mâ, e puna jonë âsht mbandej, t’a shetisim ndër bajrakë e të marrim duerët qi lypen; na marrim mbi veti edhe m’e çue në vend ku lypet, në Shkodër a edhe përte Shkodre. Tue marrë duerët njerzëvet, qi u besojmë, po përkasim, si të mujmë, edhe.për të rá në Shkodër, e t’a merr mendja, se edhe atë punë e bâjmë. Sa për me ngre- hë nji bajrak Shqipnije e me bashkue katër-pêsë vetë kudo në Hot, âsht puna mâ e kollajta: Hoti, si â’ kenë gjithmonë i dhanun për këto punë, i djegun e i pjekun mâ se nji herë për Shqipní, edhe sot âsht gati të nisë luftën, jo mâ të ngrehë nji bajrak Shqipnije mbi nji shpí. Bafti i Zotit, e veç, por në na laçin Krajlat në rrugë, se na s’po t’i lâmë gjâ mangut kësajë punë, për shka të lypet me pështue Hot e Grudë e Triepsh me Shqipní. T’e mbramja, na fikë se fikë, edhe në mbarojshim me tana, bilè të jesë e shkrueme e të përmendet se djelmt e Hotit e të Grudës e çuen punën deri në xhet, as s’e lanë vendin me rá në dorë të Sllavit, pse nuk pat kush me luejtë, por – po s’pat kenë shkrue – për dhunë e të padrejtë qi na bânë Krajlat.
Atë ditë u dame me punë të vendueme. N’e nesre vinë e marrin shkresën për t’u nënshkrue: u kishem bâ dy kopje, qi kështu të mujshin m’e shetitë mâ shpejt e mâ kollaj.
Në krye të javës, m’a bien shkresën e nënshkrueme prej burrave mâ në shêj në Hot, Grudë e Triepsh. Ishin mâ se 200 gishta të vumë.
Përshkrova me nji herë në të ré kërkesën; origjinalin e ndala vetë e kopjen e dlirtë u a dorzova atyne për nisje. Shend e verë e marrin letrën dhe aty-për-aty nisen për Shkodër. Atë natë duelën në Hot, për me u kapë n’e nesre në qytet me i a dorzue A.Gjegj Fishtës e Luigj Gurakuqit, atëherë pjestarë të komitetit të përkohëshëm, të ngrehun në Bashkín e Shkodrës, për me shikjue çdo çashtje shqiptare, m’atë kohë turbullimi, si ishte, me nji herë mbas luftës botnore.”
Shënim. Materiali i mësipërm është marrë nga profili personal në Facebook i Agim Morinës.