ARSHI PIPA – Poezia dhe poetika e Martin Camajt
Arshi Pipa
Poezia dhe poetika e Martin Camajt
1. Hyrje
Në shumë aspekte, Martin Camaj është intelektuali tipik europianolindor, që, për arsye politike, lë atdheun e vet dhe endet nga një vend në tjetrin. Por kur zë vend – dhe në këtë kohë nuk është më i ri – ai e ndien se është e pamundur për të të zërë rrënjë në tokën e re. Atë e përshkon nostalgjia për atdheun e vet. Dhe nëse ndodh që ai është shkrimtar, do ta shprehë nostalgjinë duke u prirë ta modulojë mbi një temë bazë, atë të humusit të vet kulturor.
I lindur në vitin 1925, Camaj iku në Jugosllavi në moshën mbi njëzet vjeç. Kur ishte student në Universitetin e Beogradit, ai botoi dy vëllimthe me poezi, Nji fyell ndër male (1953) dhe Kanga e vërrinit (1954). Nga Beogradi, ai shkoi në Romë, ku fitoi një diplomë italiane (laurea) në Departamentin e Letërsisë dhe Filozofisë. Teza e tij, Meshari i Gjon Buzukut (1960), një studim për gjuhën e librit më të vjetër shqip (1555), e orientoi drejt një karriere linguistike. Ernest Koliqi, profesori i tij i shqipes në Universitetin e Romës, sapo kishte filluar botimin e revistës letrare, Shêjzat (Le pleiadi). Camaj u bë redaktor i kësaj reviste, ku botoi gjithashtu poezi dhe artikuj për kritikën letrare. Në Shêjzat u botua si vëllim më vete vepra e tretë poetike e Camajt, Djella (1958), një prozë e ndërthurur me poezi. Universiteti i Munihut e emëroi pedagog të gjuhës shqipe. Ai dha me sukses provimin për aftësimin profesorial me disertacionin Albanische Wortbildung (1966) dhe fitoi më pas titullin e profesorit të asociuar, e më vonë atë të profesorit në albanologji si drejtues i së vetmes Katedër të Albanologjisë në Gjermani. Në atë pozitë, Camaj ka shkruar artikuj të shumtë mbi gjuhën shqipe, letërsinë dhe folklorin shqiptar; mblodhi folklor arbëresh (italo-shqiptar) dhe studioi disa dialekte arbëreshe (1971 dhe 1977); përzgjodhi si bashkautor një numër përrallash popullore shqiptare; shkroi një manual të gjuhës shqipe (1969), si edhe veprën Gramatikë shqipe (1985), një vepër e madhe që krahason katër variantet ekzistuese të shqipes letrare: Gegë, Toskë, Arbëresh dhe variantin letrar të shqipes staliniste. Prodhimi i tij letrar harmonizohet me veprën e tij studimore. Dy vëllime me poezi: Legjendat (1964) dhe Lirika mes dy moteve (1967) u pasuan më pas nga tri vëllimet: Njeriu më vete e me tjerë (1978), Poezi 1953-1967 (1981), një antologji të poezive të tij të hershme dhe Selected Poetry [Poezi të Zgjedhura] (1990) që përfshin poezitë e fundit. Dranja (1981) është një vëllim në prozë poetike. Vepra e tij në prozë përbëhet nga romanet Rrathë (1978) dhe Karpa (1978), si dhe përmbledhja me novela Shkundullima (1981).
2. Veprat e hershme
Që me vëllimin e tij të parë me poezi, Camaj angazhohet me një temë, atdheun e vet, i cili do të jetë fokusi i gjithë prodhimit të tij letrar. Dushmani, një fshat në krahinën malore të Dukagjinit në Shqipërinë Veriore, shtrihet aty ku lumi Drin gjarpëron përgjatë kanioneve piktoreske, përpara se të mbërrijë në Zadrimë dhe më pas të derdhet në detin Adriatik. Jeta ekonomike e Dukagjinit është një kombinim i rritjes së deleve dhe i bujqësisë. Sistemi social është fisnor, i qeverisur gjatë nga kodi zakonor, i njohur si Kanuni i Lek Dukagjinit, një princ i shekullit të pesëmbëdhjetë dhe aleat i Skënderbeut në luftën kundër turqve. Feja e tyre është katolike, disa prej fiseve janë të kthyer në fenë islame. Sidoqoftë, thellë-thellë, ata kanë mbetur paganë, siç tregon qartë mitologjia e tyre, një mitologji animistike e mbështetur në kultin e heronjve. Korniza e mendjes së tyre është heroike, e ekzaltuar nga këngët epike heroike që lartësojnë ndeshjet dhe luftimet me fqinjët e tyre sllavë, malazezët dhe serbët. Disa prej këtyre këngëve janë të një cilësie të lartë artistike dhe mund të thuhet se përfaqësojnë shprehjen autentike të gjenisë poetike të shqipes së veriut.
Camaj e kaloi fëmijërinë në këtë mjedis kulturor. Gjatë adoleshencës, ai ishte një student i teologjisë në Kolegjin Jezuit në Shkodër. Një prej mësuesve të tij ishte Ndre Mjeda, një poet i madh lirik gegë, si edhe gjuhëtar. Ndikimi i Mjedës mbi Camajn është i dallueshëm në metrikën e mësuar të vëllimit të tij të parë me poezi, si edhe në konceptimin idilik të jetës që përshkon poetikën e tij në përgjithësi. Por vjershës së Camajt i mungon ai lëmim i vargut që zotëron mjeshtri i tij; ndjenjat e vrullshme të poetit të ri priren të thyejnë kufijtë e rregullt të metrikës klasike, e cila madje në vëllimin e tij të dytë me vjersha gjendet e alternuar me vargun e lirë. Poezitë më të mira në këto dy përmbledhje janë tablo idilike, ku ndjeshmëria shprehet në mënyrë eliptike dhe aluzive, si në poezinë popullore. Një shembull është “Tregimi i vajzës”:
Kur ruejsha lopët te zalli i lumit n’mrina
Unë dymbdhetë vjeç – fëmí,
Hyna tinëz n’pemishtë rrethue me trina
E ika me molla n’gjí.Nji plak, që lopët i ruente pror’ me mue,
Më shikoi me plot deshirë
E m’tha gëzueshëm: “Po qenke zhvillue!
Qè, besa! po m’vjen mirë!”U skuqa e plaku ’i çast m’u duk si shoq:
“Janë molla!” i thashë tue qeshë
Përdhunë, e plakun nuk dij çka e dògj
E m’briti rrebët: “Hajneshë!”
Disiplina teologjike dhe arsimimi klasik mezi mundën ta zbusin natyrën e malësorit. Një shpërthim i parë është Djella, një lloj rrëfimi prozometrik, ku skenari idilik zgjerohet deri në përfshirjen e temave sociale. Tregimtari, me origjinë malësori, është një mësues në një shkollë fillore (siç ishte Camaj para ikjes nga atdheu i tij) në një fshat në fushën bregdetare të Shqipërisë Veriore. Libërthi flet për dashurinë fatkeqe të mësuesit për Djellën, bijën e një malësori të shpërngulur, e cila përfundon duke u martuar me një shofer kamioni. Mësuesi i ri tregohet i ndarë midis besnikërisë së tij për zakonet fisnore dhe detyrës së tij për të arsimuar fëmijët sipas një etosi të qytetëruar në konflikt me këto zakone. Poezitë që theksojnë tregimin janë shkreptima lirike të asaj situate dramatike. Lidhjen me etosin tradicional e pohon poezia e mëposhtme te Djella:
Dy gjana print më thanë kur ishin gjallë:
Poqese shkel ti bukën gand,
Çoje prej toke, puthe e vêne në ballë!
Ndëgjô, ti djal, pse na jemi pleq.
Kur t’rrijsh te votra mbështetë tue pí duhan,
Mos pshtyj në zjarm,
Mos pshtyj në dritë, pse â keq!
Harrova plot sende që thanë print
Plot tjera mësova e dola ndoshta i lárm,
Por bijve t’mij un kam me u thanë tu’u rritë:
Mos pshtyni në zjarm,
Mos pshtyni në dritë.
I njëjti motiv besnikërie ndaj tokës së lindjes është temë e një poezie tjetër, thuajse në të njëjtën kohë, “Vendit tem”:
Kur të vdes le të bâhem bár
në malet e mija në pranverë,
në vjeshtë do të bâhem farë.Kur të vdes le të bâhem ujë
e fryma e eme avull,
në fusha do të bie si shí.Kur të vdes le të bâhem gúr
në skâjin e vendit tem
të qindroj kufî.
Strofa e parë dhe e dytë e tregojnë poetin të interesuar për kushtet ekonomike të njerëzve të tij: shi që të rriten drithërat, bar për t’u ushqyer delet. Strofa e tretë ka mbitone autoktone. Ndjenja e poetit për përkatësinë fizike ndaj tokës së lindjes përkthehet në përcaktimin e tij për të qenë roja e saj kundër pushtuesve të mundshëm. Në poezinë që vijon, mënyra heroike e jetës së malësorëve, që lartëson varfërinë e tyre të brendshme, i nënshtrohet lirizmit të poetit të ri, duke e sfiduar atë.
Në motin kur hyjt për menden tonë janë bindë,
Në verën kur në fusha tona rá tri herë shi,
Nën qiellin e bjeshkës im vllá ka lindë;
At ditë e mbrapa ime amë s’më dha mâ gji.
Pra bimë që rron një verë nuk jam as drû
Që rritet rranxë shkambit në pýll.
Gacat e votrës, vetëm, m’i dinë fshehtësitë n’trû
Si bleta n’terr të zgjonit fejzit n’dyll.
Zdathun shkela mbi gúr, n’ferra e n’gjarpën
Mes barit t’njomë, e mandej n’kalldrêm
N’fund të shpirtit ndij një zâ që harpën
E kangës s’fortë mos ta var kurr në gêmb.
3. Zhvillimet moderniste
Këta theksa autentikë nuk do të gjenden në vjershërimin pasues të Camajt. Djella u shkrua në Romë, në një kohë kur shumë të arratisur shqiptarë veriorë jetonin atje dhe kujtimet e atdheut ishin ende të freskëta. Në Munih, ku poeti u vendos pas intermexos së tij italiane, nuk kishte shqiptarë dhe ambienti kulturor ishte krejt i huaj. Camaj nuk dinte një fjalë gjermanisht dhe i duhej së pari të mësonte të fliste atë gjuhë, të merrte kurse shtesë në Universitet dhe pastaj të shkruante një disertacion tjetër. Pak ose aspak kohë i mbetej për shkrimin krijues. Legjendat, prodhimi poetik i kësaj periudhe studentore, është një vëllim poezish, që janë, në fakt, prozë e vjershëruar që e nxit vargu i lirë, një metër, i cili gjithashtu frymëzon metrikën e poezive te Djella. Rima, pjesërisht ende e përdorur në veprat më të hershme, është eliminuar. Vargu pa rimë dhe aritmik sheshohet në prozë. Shumë prej “legjendave” janë parodi erotike prej përrallave popullore. Skënderbeu shfaqet si një kalorës i rastit, i vendosur në një natë me një grua të vetmuar: “Gruaja i pruni Gjergjit / venë të kuqe e ‘i rrotull djathë, / fier t’njomë e gjij të bardhë” (“Skënderbeu dhe gruaja”); një çakall arratiset me gruan e një malësori; hyjnia e lumit Drin është një dhi e bardhë; një djalosh që niset të vrasë një dhi të egër ndesh një Orë (Zanë) që e josh atë për vdekje. Sipas mitologjisë së folklorit, një shpirt i Orës banon në brirët e një dhie të egër – dhe helmeta e Skënderbeut kurorëzohet nga brirë të tillë. Elementi heroik i këngëve dhe i përrallave popullore, i erotizuar si rregull, priret për t’u zhvilluar në një gjë tallëse-heroike; forma bëhet xhelatinoze, elementet e stolisura shtohen, figurat janë të përsëritura.
Djella mbyllet me një poezi në të cilën narratori shpreh çmagjepsjen e tij me konceptin heroik të jetës së malësorëve, ndërsa ngushëllon vetveten me kujtimet nostalgjike:
Nuk e dija se mali ish një andërr,
thepat dhe shkambijtë e tij, mjegulla,
degët e bredhit flokët e orëve.
Do të vajtoj
blerimin e luginave, flladin e mugut
yjet qi shuhen, jehona
e zanit tem humbun
në skutat e vetmisë. Do t’i vajtoj.
Mbushe kupën teme këtu mes njerëzve të mi
qi të mund të pushoj truellin e shkelun
me bredhin si shtratin tem dhe
nji shkamb të coptuem si jastekun tem,
kudo qi të shkoj. Mbushma kupën
qi ta harroj ku jam.
Duke paraqitur aspekte të tilla negative të etosit heroik, si hakmarrjen (Vrasja e njeriut të vetmuar), dëshirën për lavdi që sjell krimi (Korbi), babëzi që përfundon në vëllavrasje (Vada), Legjendat tresin një poetikë, e cila, e filluar me poezi idilike, mbaron me një parodi të heroikes dhe legjendares. Një cikël i jetës mbaroi; poeti duhet të zbulojë një poetikë të re dhe të përpunojë një stil të ri. Lirika mes dy moteve paraqet atë përpjekje.
Antiheroizmi dhe vargu i lirë, karakteristika të modernizmit, shqiptohen madje më shumë në vëllimin e ri, shkruar në pjesën më të madhe gjatë udhëtimeve verore të autorit në fshatrat arbëreshe të Italisë Jugore. Lirikat janë kryesisht poezi dashurie. Ato janë të shkurtra, duke hequr mënjanë zhavorrin narrativ që karakterizonte Legjendat. Stili merr një eptim të brendshëm, gjuha është guximshëm më figurative. Një shembull është “Pesha ndoshta edhe vdekja”:
Bjen terri përmbi pullaze, i randë.
Hija salvuese e sáj pështet kryet plumbit
për shpirtin tem të lodhun.
Mue më trand densija e shikimit
në thellsinë e sendeve
dhe syni nxihet e nxihet e bâhet
gúr, djamant i murrmë,
e nën peshën e hijes në lëvizje
ndrydhet e shtrydhet.Por syni qindron pa u shtypë në thërmija.
Dorën e çoj në ballë e përkas ujë.
Të shkruash “ujë” në vend të “djersë” nuk është inventive dhe një sy si diamant që “ndrydhet e shtrydhet” është një oksimoron i sforcuar. I ndikuar nga poezia moderniste, poeti e gjen rrugën me të prekur përreth, duke u përpjekur të sajojë një gjuhë pa shembull në letërsinë shqipe. Ja disa mostra: “…fëmij të bardhë / mbi ranën e detit – luejnë me dritë / kodrinave” (Pranvera e Jugut, fq. 90); “heshtja prek qiellin me dorë” (Mbramja âsht larg, fq. 91); “deti i vjetër ka krahët për t’rrokë / shpatullat tona” (Syni, fq. 98); “harusha e bardhë / e shtrime aty ku mbaron pylla / nxen dhenat e Nordit” (Notte bianca, fq. 106); “Mbylle derën mbasi kumbona, nàlt, / të shpupurisë shtrojen muzgut / me fjetë” (Në kohën e vjeshtës, fq. 126); “mbi maje fluturojnë korbat / e mbi krenat e njerzve kacavarë / ndër rrathët e shkambit” (Dashnorët e malit, fq. 139); “heshtnimi mishnohet në kambët e marimangave” (Passio Vestra Pulchritudo, fq. 144).
Piroteknika e fjalëve fërshëllen lehtë, ashklat e çara rrafshohen mbi tokë. Ambicia e Camajt është të konkurrojë me poetët europianë në një fushë të huaj për të. Kujtimet stërgjyshore ndërhyjnë pareshtur me përpjekjen e tij për të lëruar tokën e re.
“Pranvera e dytë”, një poezi që fillon me një fotografim të një vajze qyteti që ecën përgjatë rrugës, mbaron me një shndritje nostalgjike ndaj përvojave të më të vjetërve:
Pranvera e dytë vjen me zjarm
e bulzat pëlsasin në degë.
Rrugë.
I shkreti trup i rí
i lënduem prej breshnit të njimij
drita sýsh: Ai trup ka zemër!Zyfti që kapet për këpucë
ka pluhën, thumba kundrash,
biljeta tramesh dhe muzikën
e hapave të panjehun
mes pikave të shiut në dimën.Anavet të udhës këndojnë xhingallat
e copa copa na lëshojnë ndër duer verën.
Poezia përbëhet nga katër strofa. Strofa e parë shpreh gëzimin e harlisur të poetit në rikthimin e pranverës, e provuar si një rinim (“Pranvera e dytë”). Strofa e dytë përqendrohet në “trupin” e një vajze seksi, objekt i “njimij drita sýsh”. Strofa e tretë është një enigmë. Nëse “zyfti… kapet për këpucë”, koha duhet të jetë e nxehtë, pra stina e verës. Por në të njëjtën fjali ku thuhet se asfalti duhet të ketë shkrirë, na thuhet se njerëzit po ecin në “shiun e dimrit”. Filluam në pranverë, lëvizëm te një verë e nxehtë dhe, tashmë, krejt papritur, përballemi me dimrin. Por vendi nuk ka ndryshuar, ai është një “rrugë”, një rrugë qyteti e përshkuar nga “tramet”. Për ta kuptuar strofën, duhet të pranojmë se perceptimi i poetit për një vajzë që ecën në një rrugë një ditë të nxehtë kryqëzohet me imazhin e një rruge tjetër në një ditë dimri me shi, që ndikon mbi përshtypjen e parë dhe e përçan atë. Me strofën e katërt dhe të fundit ne kthehemi në kohën e verës. Por, ndërsa kuadri i përkohshëm këtu është i njëjti me atë të pjesës së parë të strofës së tretë, vendi nuk mund të jetë krejt e njëjta rrugë qyteti, sepse gjinkallat nuk dëgjohen në rrugët e qytetit të përshkuar nga tramet. Poezia është një pranëvënie e rastit e shkrepjes së kujtimeve të “fragmenteve” të ngjarjeve të ndryshme të ngjashme, të nxitura nga perceptimi pamor i një gruaje të bukur. Lexuesi nuk mëson asgjë për natyrën e këtyre ngjarjeve, të cilat mbesin të pakapshme për të; poezia priret të bëhet një enigmë.
Njeriu më vete e me tjerë e çon në ekstrem këtë prirje të dhënies së një poezie opake përmes asgjësimit të gjuhës që tregon kalime logjike. Kopertina e vëllimit të ri pohon se poezitë e tij u shkruan njëkohësisht me romanin Rrathë, duke shtuar se “lexuesi do të ndeshë tash e më vonë mendimet dhe një atmosferë (të mendimeve), që janë të njëjta në të dyja veprat”. Kopertina specifikon më tutje se poezitë janë përpjekje për të rigjetur “fillin e humbur të ndjenjave”. Si një shembull i këtij kërkimi introspektiv, poezia që hap vëllimin, “Fill i gjetun”, thekson:
Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
qyteti në terr deri n’agim.Amvisat kërkuen llampat vojguri
e s’i gjetën në terr.Në nadje ra dielli e zbeu
faqet e rrokaqiellëve.Në nadje vrejta rrethin e andrave
në truell
e gjeta fillin e tretun
në pikën e daljes së dritës.
Meqë dritat në fjalë janë elektrike dhe elektriciteti prodhohet artificialisht, kontrasti eliptik midis dritës elektrike dhe asaj të diellit është domethënës. Poeti jep mospëlqimin për një qytetërim që ka skllavëruar njerëzimin me shpikjet e tij mekanike. Poeti parapëlqen llambat e vajgurit ndaj poçave elektrikë, ndoshta duke menduar me nostalgji fshatin e tij, ku elektriciteti ishte ende i panjohur kur ai u largua. Filli i humbur në labirintin e jetës së qytetit modern dhe i gjetur në një çast kur ky i fundit vjen në një vendqëndrim duket se simbolizon një vendim të rëndësishëm të bërë asokohe në jetën e poetit: kthimi i tij prapa në Munih për t’u vendosur në Lenggries, një fshat piktoresk në rrëzë të Alpeve bavareze.
A mundet detaji i llambës së vajgurit të lexohet ashtu që të nënkuptohet se poezitë e vëllimit të ri kundërmojnë nga llamba në një mënyrë që të kujton ato te Djella? Titulli i vëllimit duket se godet një ekuilibër ndërmjet jetës private dhe asaj shoqërore. Në kopertinën e vëllimit të ri gjithashtu lexohet: “Ngjan se çdo vjershë fsheh njëfarë ndjenje të dhimbshme të autorit, që kthehet në gëzim pikërisht në çastin kur autori ia përcjell atë të tjerëve”. Titulli i vëllimit, poezia që e hap atë dhe madje shënimi shpjegues i kopertinës, sugjerojnë një heqje dorë prej stilit të mëparshëm modernist të përshkuar nga narcizmi. Le ta shohim nëse kjo është e vërtetë.
“Bleta në Veri” përmban një epigraf: “Kundër thanjes së Herodotit simbas të cilit andej Istrit nuk gjallnuekëshin bletë (libri V, 1)”:
Doli agimi e avulli
zbuloi trajta të ajthta
para derës së Veriut.Sytë e errët mbas një nate
pa gjumë
u prirën andej Istrit e panë
si me qenë në Jug
bletë përpara zgjonit me krahë ari
gati me u lëshue fluturimkah rrezet për net të mungëta.
Çfarë nxjerr lexuesi nga ky tekst? Metafora e rëndomtë e “krahëve të artë”, që zbukuron një përshkrim prozaik të një përvoje personale, e cila përgënjeshtron thënien e Herodotit rreth bletëve nuk është e mjaftueshme që ky tekst të quhet poezi, sikur edhe po të jetë rreth poezisë, këtu e simbolizuar nga bletët. As edhe një term gjeografik i tillë si Ister-i, emri grek për Danubin, apo fraza gjeografike “dera e Veriut” për Munihun, nuk i shton shumë poezisë. Pjesa duket se lidhet me një përvojë personale, largimi i autorit nga Roma për në Munih, emri gjerman i të cilit, München, të vjen ndër mend nga mbiemri “i mungët”, që rrjedh nga mung (ar) apo murg – gjerm. Mönch, angl. monk, ital. monaco. Poezia përçon vendosmërinë e poetit për të mos e braktisur poezinë, madje edhe në një qytet “veri(or)”, të tillë si Munihu, klima kulturore e të cilit nuk është e përshtatshme për të, një mesdhetar. Poezia është një enigmë, çelësi për zgjidhjen e saj mbështetet në mbylljen e saj, “net të mungëta”, net të kaluara në Munih, duke përgatitur disertacionin e vet gjermanisht, të ngjashme me netët e kaluara në manastire nga murgjit që kopjojnë libra të rrallë.
E interpretuar kështu, poezia konfirmon shpjegimin në kopertinën e librit, që çdo poezi fsheh një përvojë disi të pakëndshme, e cila, kur ndahet me të tjerët, bëhet e këndshme, kujtimet e lumturisë kapërcejnë çastet e vështira në jetën e çdokujt, duke qenë një burim kënaqësie. Çështja qëndron nëse kjo kënaqësi ndahet me lexuesin. Që të ndodhë një komunikim ndjenjash ndërmjet autorit dhe lexuesit, ky i fundit duhet të dijë jo vetëm se Ister-i është emri grek i Danubit dhe se “e mungëta” i referohet Munihut, por gjithashtu se autori iku nga Roma pa dëshirë, i vendosur të shkruajë poezi. Këto gjëra lexuesi mund t’i dijë vetëm nëse ai i përket një elite intelektuale. Një lexues i thjeshtë nuk do të mund të depërtojë në sekretin e poezisë; poezia nuk është shkruar për të. Me këtë poezi poeti është “më vete”, jo “me tjerë”.
Kjo mënyrë e të shkruarit për një elitë, që konsiston më tepër në fshehjen se në zbulimin e kuptimeve, është po ashtu e një modeli modernist, megjithëse mostrat gjenden në trobar-clus-et e poetëve provansalë. Mallarmé tregon një shembull në fund të shekullit, të pasuar nga poetë të tillë, si: George, Valéry, Eliott, Ungaretti dhe Montale. Komunikimi me lexuesin nuk është preokupimi i këtyre poetëve, që gjejnë “kënaqësi” pikërisht në qëndrimin e kundërt, atë të ironikut që e largon veten prej të “tjerëve” duke përdorur një gjuhë të pakapshme për ta.
Qëndrimi i Camajt në vëllimin në fjalë është në përputhje me këtë qasje elitiste për poezinë. Le ta nisim me një lexim të një poezie me titullin pretendues të “Ndër mija trajta ideja”:
Prej dite në ditë nji tingull
treqind e gjashtëdhetë herë,
prej zgjimi në zgjimfrymë mali n’pullaz
ose trumcaku lypës meli
në dritare.
Në vargun e parë, individi pret “treqind e gjashtëdhjetë e pesë herë” në vend të “treqind e gjashtëdhjetë herë”. Duhet të ketë një arsye, mund të mendohet, për humbjen e numrit pesë. Në tercinën tjetër, ilustrimet e “idesë në mijëra trajta”, një prej të cilave është “frymë mali n’pullaz” dhe tjetra “trumcaku lypës meli / në dritare”, nuk janë ndihmë për lexuesin në marrjen me mend të idesë që ata supozojnë të sugjerojnë. Mbetemi me hamendje të egra. Duke supozuar se të dyja imazhet përshkruajnë kushtet ekzistenciale të poetit, mund ta përfytyrojmë atë si një malësor të çuditshëm (“fryma e malit”) pa shtëpi (“i pastrehë”), që mund të krahasohet gjithashtu me një trumcak të vetmuar (Leopardi shkroi një lirikë të mirënjohur me titull “Harabeli i vetmuar”). “Ideja në mijëra trajta” do të jetë kështu ndjenja e vetmisë që viziton shpesh poetin dheshkulur, përveç pak çasteve (mungesa e pesë ditëve). Pas shumë vrâmendjeve, kemi mbërritur në një interpretim pak a shumë të mundshëm. Por, përsëri, ky interpretim mund të ecë përpara vetëm nga një person që njeh letërsinë italiane dhe është i afërt me teknikat hermetike, por jo nga lexuesi i thjeshtë. Jo më pak e ndërlikuar është një poezi tjetër, “Ajo erë”:
Ajo erë than lotët ndër sy
trumcaku, urryes
pluhni e resh kemi n’tempull.
Ngashrimi kur dheu u shprish
thërmia mbi ftyrën e tij
u kap te gryka e vorrit
me amzë qiriu deri n’qiell.Kur sosi çdo gja
na u përzien ndër duer
veprat e dorës së tij:
ngjyra e tyne humbi bardhsinë.
Këtu trumcaku (ndoshta i njëjti me atë në poezinë pararendëse) ka lot në sytë e tij, i provokuar nga “pluhni e resh” në një kishë, të cilën e “urren”. Ndërsa atje, poeti-trumcak ka vizionet e Ditës së Gjyqit (“ajo erë” – një poezi pararendëse titullohet “Dita e Gjyqit”). Tufani shkatërron kishën dhe hap varret, avulli i të cilave, bashkë me “erën e qiriut”, arrin qiellin. Strofa e dytë është një përshkrim i asaj çka mbetet pas fundit të botës. Na thuhet se “na u përzien ndër duer / veprat e dorës së tij, / ngjyra e tyne humbi bardhësinë”. Ndërsa “duart tona” simbolizojnë duart njerëzore, “duart e tij” u referohen duarve të Zotit. A po aludon poeti se era teologjike (Vico) ka mbaruar dhe ajo histori tanimë ka një gjurmë posaçërisht humane? Poezia pohon një qëndrim agnostik nga ana e seminaristit të dikurshëm. Por ai e përballon druajtjen e shprehjes së tij, duke përfunduar me një varg që të shtie ndër mend fajin njerëzor.
“Kush i bani mëngji qytetit?” është një shprehje e mbuluar e antikomunizmit.
Shí te kambët e përmendores
në sheshin e madh të qytetit milionësh
gdhiu nuska e mëngjishme
me nji pe të kuq në qafë.
“Shej i tmerrshëm për këtë qytet!”
Tha pastruesi i rrugëve
nga fushat e Anadollit.
“Shej i tmerrshëm për këtë qytet!”
Vargu i parë specifikon që nuska shtrihet “te kambët e përmendores”, ndërsa vargu i katërt nënkupton që ajo varet prej një filli të kuq rreth qafës së përmendores. Si do ta shpjegojmë kontradiktën që përmban? Përmendorja është e një lideri komunist (“të kuq”). Gjatë natës një disident ka vendosur një fill të kuq rreth qafës së përmendores, në të cilin varet një nuskë që përmban një dëshirë për rrëzimin e përmendores, simbolizuar me anë të vendosjes së fillit të kuq dhe duke nënkuptuar si pasojë rënien e regjimit të urryer. Të shkruarit sheshon dy tekste të ndryshme që u referohen dy çasteve të ndryshme: së pari, varjes së fillit të kuq mbi qafën e përmendores dhe pastaj rrëzimit të kokës së saj dhe të nuskës bashkë me të. Komenti i pastruesit të rrugëve bart dëshirën e poetit. Ai e ka prejardhjen nga Anadolli – Greq. ανατωλη do të thotë “lindje”. Ajo që imagjinon poeti është ndoshta përmendorja e Stalinit. Tani një statujë e Stalinit është diçka që gjendet në një qytet të madh europianolindor, ndërsa punëtorët turq gjenden në vendet europiano-perëndimore – në Munih, për shembull. Përsëri këtu, njëlloj si në rastin e “Pranverës së dytë”, një imazh (përmendorja e rrëzuar) ndikon në perceptimin e një tjetri (pastruesi turk i rrugëve), i marrë me mend nga një asociacion idesh të pashprehura.
Shembujt tregojnë se gjuha e “Njeriu më vete e me tjerë”, jashtëzakonisht eliptike dhe madje e fragmentuar, shpërfill të kuptuarit. Imazhet shmangen prej kuadrit të zakonshëm hapësinor-kohor, krahasimet janë të pangjashme, metaforat piskatin e rropasin. Të krijohet përshtypja e një gjuhe me zemërim shpërthyes në një përpjekje të pakuptimtë për të qenë origjinal, duke shkaktuar probleme me gramatikën dhe logjikën. Fjalët janë zhvendosur nga vendi i tyre normal në fjali, sikur të ishin goditur nga një tornado, sintaksa vuan prej pikësimit të pakujdesshëm, duke krijuar probleme referimi, cilësorët janë shpërndarë bujarisht, emërimi është i çrregullt. “Alter ego” mund të shërbejë si një mostër tjetër:
Nji zezak i verbët
me nji qen në mantel lëkure
mjedis kalldremit në qytetin e madh
të USA-s
qëndrojnë palëvizë në kambë.Njerzia u vjen rrotull
ujë rreth nji curri binjok
në zemër të lumit.Ujë i larmë përreth plagës
në trupin e nji gjiganti.
“Manteli i lëkurës” nuk i atribuohet njeriut të verbuar, por qenit të tij. Strofa e parë lexohet si një diçiturë fotografie në një gazetë. Në vargun e parë të strofës së dytë, ose një presje ose lidhëza “si” mungon dhe “zemra” është edhe e tepërt, edhe e rëndomtë. Në strofën e tretë, imazhi i Shteteve të Bashkuara si një trup gjigant i gërryer nga kanceri racial bartet përmes një zezaku që së pari metaforizohet në një “curr” (shkëmb) dhe pastaj me një “plagë”, dy metafora që janë kryekëput dëshpëruese. Titulli shoqërizon poetin shqiptar me zezakun amerikan – njeriu çuditet se çfarë kanë të përbashkët të dy mbi tokë, përveç faktit se janë qenie njerëzore. Ideja lidhëse që u përket të dyve është mungesa. Asnjë kalim logjik dhe asnjë kuptim i realitetit. Aty ku njerëzit normalë shohin një zezak dhe një qen, poeti shikon një “curr binjok” (shkëmb binjak).
“Alter ego” do të shkonte mirë si një titull për vëllimin në shqyrtim, nëse me anë të atij titulli kuptohet gjuha me të cilën u shkrua shumica e poezive. Gjuha nuk është ajo e Camajt autentik, por e personit të vet modernist. Camaj i shkroi poezitë e tij më të mira kur modernizmi nuk kishte ndikuar ende mbi të dhe ai mundi të reagonte ndaj thirrjes së gjakut me një dëshirë për emancipimin bujarisht të ofruar ndaj njerëzve të tjerë përveç vetes. Poezia hyrëse te Djella, ndoshta më e mira që ka shkruar Camaj ndonjëherë, shërben si ekzemplar i kësaj. Poeti zhvillon temën e vet, solidaritetin dhe miqësinë njerëzore, duke filluar me krahasime të të folurit të përditshëm, duke kaluar në një kreshendo të metaforave të fuqishme:
Më falni diçka që më kënaq
si puthja e nanës në ballë;
më gëzoni nji herë
si gëzohet gjethi i njomë në puhi,
më shikoni si hana nëpër rrema
e kam me ju falë gjithçka:
mordjen do të puthi ndër buzët e ngrime
dhe në zgavrat e synit të saj
do të derdhi lot.
Avytu, njeri!
Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
si bima prej fare në pranverë.
Arshi Pipa
“Letërsia bashkëkohore shqiptare”, Columbia University Press, Nju-Jork, 1991