AZEM SHKRELI – KATËR KËSHILLA VETES (cikël me poezi)

AZEM SHKRELI – KATËR KËSHILLA VETES (cikël me poezi)
AZEM SHKRELI

KATËR KËSHILLA VETES (cikël me poezi)

KATËR KËSHILLA VETES

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh
me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë.

Ngrehu mbi veten në do t’rrokësh frerët e erërave,
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat e gjakut tënd.

Nëse dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,
jo ne sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.

Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë.

KËNGË E VRUGËT

Mëtim i truar fshihu te pendimi
S’ka ndëshkim për mëkatet nga ligështia
Ky rrëmbim i çmendur është i imi
Apo lindi befas trimëria

Nga të errëtat e gjakut. S’di po fryma

Kërkon shkakun t’i vijë era dhe
Diç të kësaj koke do t’pëshpërisë bryma
Ime ndoshta. Do të jetë fjalë e re

Bari të egër. Fjollë e saj nga rrashta
Do të përvidhet me dhunë e pa hir
Sikur ç’linda. Do të kundrojë përjashta
I gjelbër e i qetë do të jem më i mirë

Dhe voglushë të verdhë do të therrin ditën
Me vaje të hollë dhe do të pushojnë së qari
Kur të kuptojnë se për nën këmbë u rriten
Dheu im. E hiri im. E bari.

LIQENI

Flas me ty
Ti hesht e luan me valë.

Ti s’je më syri
Im as loti i saj.

Flas me ty
Ti shikon pulëbardhat.

Për Shën Naumin
Paske zemër t’gjerë

Flas me ty,
Ti kotesh mrekullie.

Më vjen të zbres në fund t’fundit
Të vdes i gjelbërt me algjet.

DHJATË E RE

Sikur erdhën, panë e bënë e shkuan
Do bjerë edhe mbi ne njëherë këmbona
Vinë të etur tjerë. Njësoi afshëm duan
S’jemi ne. Por nuk mungon e jona

Thot njeriu dhe zbret i urtë ndër bimë
Djalli e di se në ç’vend u poqën të parat
Pemë të mendimit të mirë. Me urtinë
E kësaj dhjate ne stërpikim arat

Shollit të ditës s’i duhet spermë komete
Ky lloj Shën Njeriu don bibël të re
Një fe tjetër. Fe besimi në vete
Amen. Koha jonë s’guxon të kohosh pa ne

VDEKJA E MALËSORIT

Asnjë kokë përkulur
Se ja rrëxoni lisat

Asnjë gjëmë mësa guri
Se ja shembni majet
Asnjë lot asnjë
Se ja shteroni krojet

Në sytë e tij vetëm
Harroi prendimin dita

Ç’mendim i vrugët
Ç’mendim i ftohtë ndër vetulla
Lum ky çfarë vdekje

PSALME PËR KOSOVËN

Po Kur pikon gjak
Kalliu, kur piqet vera

Kur hyn në gjakun tim
Nusërore e të bëhem krushk

Më mëso vetëm t’i bie
Kitarës, më mëso të vdes bukur

DUKAGJINÇE

Po vinë argatët
Të heshtur. Të muzgët. Po vinë

Po vini. Err e terr
Brodhi arave të tyre dita

Po vinë. E poqën
Diellin e bakërt të bukës

Po vini. Po vinë
Me bimët mugullore ndër muskuj

Po vinë. Ditë argëtare
Grua që do t’ua mbash mend farën

SOGJE

Sonte ne të dy
jemi dy sy të kësaj sogje

Orët zgjuar
Do të rrinë, këmbanat zgjuar

Sonte unë e ti
jemi ai zgjim i zekthët

Ujqit në këmbë
Do të jenë, Kosova në këmbë

Natë që s’more
Pushkë, as të mori pushka

PËRSHËNDETJE ME MIQ (ISMAIL KADARESË)

Plot fjala është me ju, plot kupa, plot gjiri i nënës
Kudo e ngado është e juaja pos mohit, pos orës së prapë
Dhe krismës prapa shpinës, po unë me se të ju zbukuroj
në baladë, o miq, me se, o dega ime e epër e fisit,
Atij tisi të hollë e tisi të rrallë, tri herë të zier
Në ashtin tuaj e timin, po unë me se të ju kem, me se-
Të ju përyjnoj, e vetëm ju e dini atë bar të mirë
Atë lëng rrëzë fjale me të cilin m’i mëkoni plagët
Ethet e qentë m’i përzeni kur kam zjarrmi, kur digjem
Ujë etjes m’i jepni bri kroit të Martinit e bri Kruje
Ullirin e moshës ma piqni, zotynë shëndet iu dhashtë
Nga jeta e vet e popullit, nga gjaku, nga shpendi ynë
Ju dhashtë, me se të ju di, me se të ju zbukuroi në baladë,
e jeni sa krip ka koka, sa fij bari, sa deti, Alkal
Me Alkal ju dëgjoj e më ktheni me mallë në shtizë

NATA NË KËSHTJELLË

I mbrami peshkatar me ditën e bjerrun n’rrjeta
Po kthehet. Unë eci duke prekur nëpër mur
Pas zërit të heshtjes zvarem ngadalë përpjetë
Hapin gur e kam. Edhe zemrën, gur.

Ja, tani kështjellës i kam hypë përmi
Vonë është terr. Nata, disi lëmekur
Merr frymë n’për vrimat që mezi shihen zi
Dhe ankthëm m’kundrojnë si sytë e prindit t’vdekur.

Mejtuar si fëmija i shkruaj do emra n’rrasë
E m’duket dashurisë sonë ia fala një grimë amshim
Por gjerbë e rigës s’motit gurin do ta plasë
T’parën pranverë duke tallë mashtrimin tim.

Prandaj me dorë, drithtueshëm, pak’ nga pak’
Faqen e shkëmbit fërkoj si vashën. Dua të fshi
At marri t’vogël. Vesë? jo, por gjak
I vokët kullon gishtat t’mij.

Harroj përse, e si, e nga kam ardhë.
Harroj të flas, të lëviz. Harroj pa parë
E ndër gërmadha bëhem një copë gërmadhë,
Një gur mbi gur që gurit s’don të ndarë

Katër këshilla vetes

KAFSHA E ZEZË

Heshtja det i lëkundur dhe vetimët
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët
Një langua leh e s’ik as lidhet

Ulurin përmotshëm mbase së ligës
Ja ndjen erën diku në gjakun tim
Ai rrëmbimit të vet i turret digë
Rreptas pastaj etur merr gufim

Tej durimit dhimshëm. Të trazuara
Ngrihen grevë të pabërat duan dëshmi
Protestojnë. Gjithë gjërat e ndaluara
Bredhin mëllefit të vet me zhauri

Dhe leh kafshë e zezë e s’ik as lidhet
Heshtja det i lëkundur dhe vetimët
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët

Ja që kështu na qenka kafshë e dehur
Mëtimi. Pastaj vetëm cuklat kur të na mbeten
Do thonë: Ai me fjalë e ajo me të lehur
Të rrojnë se njerëzisht e hëngrën veten
Të pastë ndjesë harrimi hero i herave tjera

BREGU I MOLLËS

Kurrgjë s’qenka kurrgjë
Si e kemi lënë njëherë unë e Lami
As Lugu i Helmit as hijet Bregut të Mollës
Ku mollët veç i kujtonim të kuqe
E na kuqeshin faqet gjithë verën e lume
As mrizi degëbigë mes të cilave
Rrinte dielli në dymbëdhjetepesë
Kurrgjë s’qenka kurrgjë as ai zjarri i rnadh
Që ra shi i mbarë e na e fiku
Që ra shi i mlrë e na e fiku se digjen malet
Se digjen more malet e na flet Shaban Syla
Kurrgjë s’qenka kurrgjë
Si e kemi lënë njëherë unë e Lami o zot
Po kush i paska prekur
Po kush i paska prishur e ndërruar të gjitha
Si të mos kishin qenë asnjëher këtejpari
Unë e Lami me delesykat me bukë e djathë
Në gjeth paje dhe me fyell
Kurrgjë s’qenka kurrgjë
Si e kemi lënë njëherë unë e Lami
As Shpella e Bli Hunit as turra e gurëve
Mbi të cilën hypnim të rritemi as lisat as
Gurra e Magjupit Ujëhollë
Gurra e Magjupit ujëmirë
Ku pinim në fletë kërsane
As gjollat e kuqe as
Kurrgjë s’qenka kurrgjë
Si e kemi lënë njëherë unë e Lami
Veç toka e vjetër dhe era
Veç toka e vjetër dhe retë përherë shtegtarë
Të më thonë se rrodhi këtyre lugjeve koha
Rrodhi si s’rrodhi dhe asgjë nuk gjeti
Pos dy pushkëve të vogla shtogu lidhë me tojë
Ose të më thonë
Të gjitha janë këtu të gjitha janë
Pos fëminisë suaj e barit të njomë e qingjave

MOTIVE TË VEDHA

Po ikim nga gjaku im motive të verdha
Po ikim nga gjaku ose një herë tjetër
Po lindim mes bimëve tjera

Aty e tej janë poshat
Shtatgjata të vendlindjes janë delet
Të bardhat dele blegërore dhe bari
I njomë i qumështit po ikim
Nga gjaku im aty e tej janë zogjt
Pupëlvogël zogjt pupëlgjelbër dhe krojet
Të cemtat kroje ujëloti aty e tej
Janë vashat më të egrat vasha
Të bukurisë që falet dhe vetima
Po ikin nga gjaku im motive të verdha
Aty e tej nuk vdesin vetëm sytë
Na ngjethen dhe gishtat na ngjethen e fjalët
Po ikim nga gjaku im më mirë po ikim
Nga gjaku ose një herë tjetër
Një herë tjetër po lindim mes bimëve tjera

KËNGË E TURPSHME

Këngë e turpshme
Sonte
Qava sonte për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Me vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava

DITIRAMB

Kemi me u zgjue edhe na të vdekunit
Në dasmën e kuqe të kësaj toke.
Mos na i harroni emnat,
Mos na i harroni vorret.
Me duert e thyeme tonat kemi me shkrue
Hymnin e shekujve n´qiell.
E do të kallen zamaret e gjakut,
Do t´kallen tarabukat e gëzimit
Kemi me u zgjue edhe na të vdekunit
Në dasmën e kuqe të kësaj toke.
Mos na i harroni vorret,
Mos na i harroni emnat…


Dy fjalë për autorin

Ali Aliu*

I. Azem Shkreli është poet e kritik letrar shqiptar. Ka qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues dhe drejtor i “Kosova Film”. Lindi në vitin 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë vazhdoi shkollën e mesme dhe më pas, Fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht, kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të pasluftës. Shkreli u ngjitnatyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurc”, botuar më 1997. Vdiq në pranverën e vitit 1997. Azem Shkreli u ngjit në majën e letrave shqipe.

* Shkëputur nga “Letërsia Bashkëkohore Shqipe”: I. Azem Shkreli, II. Dritëro Agolli, III. Fatos Arapi, IV. Ismail Kadare, V. Kim Mehmeti, VI. Majlinda Rama, VII. Zija Çela

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!