AZEM SHKRELI – PSALME PËR KOSOVËN (cikël me poezi)

AZEM SHKRELI – PSALME PËR KOSOVËN (cikël me poezi)

AZEM SHKRELI (1938-1997)

PSALME PËR KOSOVËN (cikël me poezi)

NJERËZIT

Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy,
do të putheshim apo kishim për tu pështy?

MANIFEST I MARRË

Mësojeni kohën te mos i hajë të vetët,
Ç’u shemb shëmtije do të ngrehin poetët…

KATËR KËSHILLA VETES

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh
me secilin varg, të lindësh me seicilën fjalë.

Ngrehu mbi veten në do t’rrokësh frerët e erërave,
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat
e gjakut tënd.

N’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,
jo në sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.

Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë.

NËNAT

Ato lahen në gazin
tonë e në lotët e tyre.

Bëhen rojë murane
te krojet e shtera të gjirit.

Në ballin tonë për herë
u bëjnë dritë shejt gishtat.

Ditët na i prarojnë dhe rrugët
me nga një bekim më t’mirin.

Me rrëmetën e krrusur t’moteve
na ruajnë nga hijet e liga.

Një ditë shkojnë si të shkonin,
të mos vijë më vdekja.

E s’na kërkojnë asgjë,
pos një grusht dhe mbi krye.

Shkojmë. E sa herë vdes nënë,
vdes nënëmira ime.

NË RRUGË

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah më tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?

Jam ba përshëndetje e harrueme e kalimtarëve,
jam ba lot e kangë,
jam ba betim i rrugëve dhe rreze e shkrepun
majë gurit.

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë ku sosin
fijet e këputuna t’kësaj kange?

Jam ba pre shitimi i syve zjarr,
jam ba bekim e namë,
jam ba zog e re n’krah t’agsholeve t’bardha?

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah m’tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?!

PARA ELEGJISË

Një ditë do t’i marrësh në gji gjethet e rëna të stinëve të tua
dhe do të kërkosh kot veten shtigjeve të harruara të një moshe
e nuk do të kesh më as flokë ere, as shikim ylberi ta matësh fillin
dhe fundin e mashtrimit tënd të shkurtër.
Një ditë do t’i shpalosh vjetët tua si pajën e nuses së vdekur
e do të numrosh fluturat e shkuarat’agsholeve t’prenduara
e s’do të kesh më as zjarr në buzë, as lot në sy të qeshësh ngrohtë,
të qajsh rrejshëm dhe t’i mahnitësh djelmoshat.
Një ditë dot’i hash buzët e tua, gjurmët e tua do t’i pështysh
dhe secilin muzg do ta pagëzosh me nga një pendim që dhemb
e s’do të kesh me as sy deti, as hap të hedhur sorkadheje
të shohësh si t’përqeshin gonxhet dhe të ikësh prej hijes sate.
Ruaju, moj, se vashat më të bukura i vret bukuria e vet.

DUKAGJINÇE

Po vinë argatët
Të heshtur. Të muzgët. Po vinë

Po vini. Err e terr
Brodhi arave të tyre dita

Po vinë. E poqën
Diellin e bakërt të bukës

Po vini. Po vinë
Me bimët mugullore ndër muskuj

Po vinë. Ditë argëtare
Grua që do t’ua mbash mend farën

DHJATË E RE

Sikur erdhën, panë e bënë e shkuan
Do bjerë edhe mbi ne njëherë këmbona
Vinë të etur tjerë. Njësoj afshëm duan
S’jemi ne. Por nuk mungon e jona

Thot njeriu dhe zbret i urtë ndër bimë.
Djalli e di se në ç’vend u poqën të parat
Pemë të mendimit të mirë. Me urtinë
E kësaj dhjate ne stërpikim arat.

Shollit të ditës s’i duhet spermë komete
Ky lloj Shën Njeriu don bibël të re,
Një fe tjetër. Fe besimi në vete.
Amen. Koha jonë s’guxon të kohosh pa ne!

PSALME PËR KOSOVËN

Po kur pikon gjak
Kalliu, kur piqet vera

Kur hyn në gjakun tim
Nusërore e të bëhem krushk

Më mëso vetëm t’i bie
Kitarës, më mëso të vdes bukur

PSALME PËR KOSOVËN

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!