VIRION GRAÇI – DITA E PESTË E PUNËS

VIRION GRAÇI – DITA E PESTË E PUNËS
VIRION GRAÇI

DITA E PESTË E PUNËS

Ja më në fund, pas shumë vitesh shërbim në radhët e policisë, mu dha mundësia të ha drekë te “Dajë Qamili” me një ministër, po, po, me një ministër dhe pikërisht me ministrin tim. Jemi së bashku te “Dajë Qamili”, unë, ministri im, truprojat e ministrit. Tre tavolina më tej është ulur Selimi, sipërmarrës ndërtimesh, bashkë me disa miq. Është Selimi ai që më këshilloi të tregohesha dorëlëshuar me ministrin sepse do t’i paguante ai harxhet e drekës sonë.

Ministri është djalë i ri në moshë, është gati sa Violeta, vajza ime e madhe. Më pyet për familjen, për veten time. I raportoj me pak fjalë: Shkollën tetëvjeçare në vendlindje, shkollën e mesme bujqësore pa shkëputje nga puna, ushtrinë në Sauk duke u stërvitur për dy vjet si polic i forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Dy herë kam qenë në prag të lirimit nga detyra për motive politike, tre-katër vjet më ngelen për të dalë në pension, dalja në pension është vdekje, është më e keqe se vdekja, e… vdekja është lule para daljes në pension.

Ministri im më dëgjon duke mbledhur buzët, herë si me dashamirësi, herë si me përçmim. Porosit sërish meze, verë, pilaf dhe mëlçi. Selimi më shkel syrin së largu, shtyp në tavëll bishtin e ngelur nga cigarja e porsa pirë. Ministri rrëfehet me dorë në zemër: U përfshiva në ndryshimet demokratike si vëzhgues, isha student, në fakt u tregova largpamës, kur shumica kundërshtonin diktaturën, unë dëgjoja, dëgjoja dhe heshtja, heshtja për të kapur ndonjë pozicion… derisa erdhi ora jonë.

Ia dolëm në krye me sukses, përsëri në pushtet, të vlerësuar e të respektuar, me popullin me vete, populli na do, na do dhe na kupton, na ndjek me vendosmëri dhe bindje në shtigjet e pashkelura ku po e çojmë. Është me rëndësi të gëzosh besimin e popullit. Duke të dashur pa interes, populli të fal ndonjë çapkënllëk. Ti e di se paraja e pistë, seksi, krimi ndërkombëtar, mafia përpiqen të na joshin. Njerëz jemi, tundohemi, gabojmë, disa më tepër, disa më pak, por populli na kupton, na fal.

Kryesorja është t’i kuptosh të metat e të përsosesh vazhdimisht. Zotëria juaj i keni provuar këto sulme të ëmbla që na bëhen nga forcat e errëta të shoqërisë.

Dita e pestë e punës
Virion Graçi

I përgjigjem hollësisht ministrit. Ai përtyp bërxollat, mezet, mëlçitë, pi nga pak verë, më shikon në sy herë me aprovim herë me habi, tund kokën çuditshëm, u mëshon më me gjallëri pirunit dhe thikës mbi mishrat pjekura në skarë me qymyr druri.

Befas fshin buzët, më ndërpret: Punoni nga pak për veten tuaj, punoni, do të dilni në rrugë për të lypur po s’u munduat sadopak për veten. Ne në Tiranë jemi më keq, kostoja e jetesës – e papërballueshme, çmimet – në stratosferë. Miq të Shqipërisë, ekspertë ndërkombëtarë, dashamirës të spektrit tonë politik vijnë të na takojnë, të bisedojnë shtruar me ne, të marrin vendime jetike, konsensuale sipas nevojës dhe rastit. Po ku t’i presësh? Në lulishte? Në zyrë? Në shtëpi? Pra, atje ku vete unë me lekët e mia për të diskutuar çështje me rëndësi gjeostrategjike-globale vetëm një gotë ujë mineral kushton një djall e gjysmë. Pra duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin.

Biseda po bëhet më konkrete. Sinqeriteti është i dyanshëm, prekës. Po më bën efekt vera. Shishja e pestë që po mbarojmë. Bie telefoni.

– Si? Para pak minutash? Pas një debati me një persona të rrezikshëm është … vrarë … polici … Dalan Musha?! Po, erdha menjëherë.

Ministri im më bën shenjë të mos çohem, ka në dorë një gotë të porsambushur. Qetësohem, mbush gotën time me verë. Nga tavolina matanë Selimi çohet, ma bën me sy, shkon te shërbyesi, paguan, del qetë-qetë.

– E njeh?- më pyet ministri im.
– E njoh,- i them,- është përfshirë në radhët e policisë para një muaji. Sot Dalani e kishte ditën e pestë që dilte në shërbim, pas instruktazhit.
– Të pyes për atë që pagoi,- nervozohet ministri im,- mu duk tip interesant,- thotë për Selimin,- dua të më prezantosh pak me të.

* * * *

Me lutjet e mia të përsëritura ministri erdhi në varrimin e policit Dalan Musha, vrarë me armë zjarri, në krye të detyrës nga shoferi i Selimit. Ministri kishte harruar në çantë fjalimin që kishte mbajtur para ca javësh në varrimin e një polici tjetër, i shtypur në autostradën Gjirokastër-Kakavie nga një kamion-cisternë për transport nafte. Bëmë dy-tri korrigjime tek emri, te mosha (Dalan Musha ishte 28 vjeç, viktima e kamionit cisternë ishte 47 vjeç), korrigjuam dhe rrethanat e vdekjes. Për Dalan Mushën ministri im tha:

– Ende pa përvojën e duhur për të komunikuar natyrshëm me qytetarët, por plotësisht i arrirë për të ndriçuar për një kohë të gjatë në historikun e lavdishëm të policisë sonë.

Pas disa ditësh, me të tjerë miq e kolegë, të një shkalle më të ulët se unë, u ula të darkoja te “Dajë Qamili” aty ku kisha drekuar me ministrin tim. Me emocion dhe delikatesë kryeshërbyesi më kujtoi ndër të tjera edhe llogarinë e asaj dite…

-Pse,- thirra unë i zemëruar,- nuk e pagoi Selimi drekën tonë?! S’paska qenë mik i sinqertë, aspak!
– Drekën e pagoi, sigurisht,- saktësoi kryeshërbyesi,- ato i pagoi, por kur po dilnit, në nxitim e sipër ju morët një paketë “Malboro” dhe, nga pakujdesia harruat ta paguani.
– Ah, po,- kujtohem,- u nxituam pak me ministrin, ka qenë ajo dita kur ai polici… më kupton besoj…,- i them.
– Të kuptoj, zoti shef,- më thotë kryeshërbyesi e më vendos në prehër menynë me më tepër se njëqind gatime, sallata dhe pije.

(1999)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!