ERNEST KOLIQI – UJIT TË FTOHTË (POEZI)

ERNEST KOLIQI – UJIT TË FTOHTË (POEZI)
ERNEST KOLIQI

Ujit të Ftohtë

Miqvet Vlonjakë

As qiella e prirun mbi blerime t’ tueja,
as deti i yt ku Dielli bjen me fjetë
s’ ngushullojn’ syt e mi
qi kan’ pá tepër shum prendvera t’ hueja.
As ti, as ti me gjith kët bukurí
kujtimin nuk m’ a tretë
të viseve ku qesh’ i lum dikuer,
o Uj’ i Ftoht gazmuer.

Por n’ tý nji send m’ pelqei : heshtija e jote.
(Un kam për tê nevojë !)
Kur zên n’ Shashic Agimi t’ zbardhullojë,
zhgatrron mbi terr t’ ksaj’ bote
heshtas zambak’t e bardh’ ; paprâ mbi valë
drita tue heshtun lot ; e prej Sazanit
perëndimi kah hesht’ me mija i falë
drandofille limanit ;

mali lulzon e heshtë
e amsime lshon prej rrâzes deri n’ kreshtë ;
e n’ heshtje rrin Karaburuni prorë
n’ mes t’ valve qi këndojn’ : mbi tê, përpjetë,
rét si tisa hyjnorë
zojash t’ padukshme gjasin, t’ cillat letë
n’ nji valle t’ heshtshme siellen
tue shtrimun krah’t e tue përkitun qiellen.

Kisha me dashun t’ heshtin dhe deshiret
qi dërmojn’ zêmren t’ ime ;
por, jo : jehona e bot’s, ku vlojn’ endiret,
m’ a mbush shpirtin gjithnji me shqetesime.
Mêndova kot kur erdha
se n’ kët kunor’ ullijsh, prân’ val’s s’ kalterë, –
ku shpalis Dielli shtroje drite, t’ verdha, –
do t’ rrijsha i qet’ njiherë.

Mêndova se do t’ ishem si shtegtari
qi kërkoi papushue
vise t’ panjehne e kur arriu papritë
n’ mâ t’ bukrin vênd qi syni i kish kundrue
thei shkopin tue peshpritë :
“ Der’ t’ des, do t’ rrij’ ktu pari ! ”
Nga tërhjekja e nga lodhja un ktu kam ngecë;
por vetëm trupi rrin, shpirti prap m’ ecë.

O val’ qi puthni Vlonën, val’ kângtare,
n’ dijshmi gojdhâna t’ bukra m’ i kallzoni
e me lavdí shqiptare
shpirtin, plot et madhnije, m’ a qetoni.
E ti, o Uj’ i Ftohtë,
bân me kendue bylbylat t’ tuej n’ ullishta
sa t’ ulet Mbrâmja e ngrothë
e májit, qi xhixhlloja ka npër gishta.

Dikò mbi mue kur t’ dali hâna e ré
freskín flladitse t’ ânde,
at ândrrën qi m’ a kânde
m’ a fal në fjetsha n’ bar qi endè s’ âsht pré ;
e tue shetit’ npër ara
nga zêmra viset shlyej qi pásh përpara ;
e bân qi n’ ty kujtimi i tyne t’ tresë.
Shpirtin m’ mbush me heshtje e me harresë.

Mâj, 1930                      Ernest Koliqi

Ujit të Ftohtë
Pjesë nga botimi në origjinal

Kjo poezi u botua te “LEKA”
E PERKOHSHME MUEJORE E SHOQ. “LEKA”
VJETI III, DHETUER 1930, N. 12,
FAQE 373-374
Shtypshkroja “ZOJA E PAPERLYEME” SHKODER

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!