ILIR BELLIU – BEFAS NA U FANIT DETI (cikël me poezi)

ILIR BELLIU – BEFAS NA U FANIT DETI (cikël me poezi)
ILIR BELLIU

BEFAS NA U FANIT DETI

Ti fërgëllove…
Në një nga vatrat e mia të malleve
përqasej vdekja.

Diçka po ngjet mikesha ime:
jo gjithçka
thëngjij të vdekshëm jemi –
Pjesëza të së tërës.

Në një qoshe të errët
befas na u fanit Deti
ky instrument virtuoz
që mendjet i shpërndan
si grumbuj puplash.

Eh, ç’botë!

I.

Të sfilit e zakonshmja e gjërave. Pulit sytë e lëshon lot të hekurt. Kujdes! Majtas të përbuzin, djathtas të mëshirojnë…

Lëshohu në vetvete e kujtohu se dita po ikën. S’kanë të mbaruar rastet, kridhu në ferr me flokë të lyer në ngjyrë parajse. Jeto!

II.

Njerëzit u mërzitën me vetveten. Duken të plakur e të lumtur.

Lumturia të helmon, po s’e pive. Ke kohë të dish. Bëj çmos të shfarosësh mundësitë që të afrohen.

III.

Ç’natyrë mortore ka shekulli! Ej, njerëz, zhvishuni nga tabutë! Bini erë toke! Keni frikë nga malli e lëngoni për para!

Eh, ç’botë!

IV.

Dje vdiqën shumë gjëra. Dje humbën fitoret. Dje u çmallën të pathënat! Sot është ditë tjetër. Sot bëri vetëvrasje e zakonshmja. Sot u përbuz madhështia. Nesër lavdia do të bëhet NËNË! Nesër Kozmosi do të rritet edhe pak. Nesër bota do të jetë ndryshe.

V.

Ke merak mos vyshkesh? E po, mendo si të të vijë. Dije se s’ka kuptim të qash. Është e egër kjo botë e të fundos sapo të ngrihesh. S’je fluturak, s’ke fat. Budalla qiell! Mban retë me bukë e s’di të notojë. Kush e pa të ri? Kush e pa të plakur?! Qëndron lart i përulur!

VI.


Ja, edhe pak e shpëtove. Po ti s’kërkon shërim. Ty s’të arrijnë dot. Ti i ke muskujt prej shkëmbi. Ti varros imitime. Ti plaçkit kafshime. Ti përçmon lavdinë. Ti…je…Bota!

VII.

Mos përkëdhel njeri! Ti je kështjellë me bisht egërsire. Ti s’ke të sosur. Nuk vdes as për sport, as për dert. Të do Perëndia se nuk i bie në qafë. S’të do njerëzia e s’të fal një krah. Ç’e do të të ndihin! Më pengo, njeri, se më ndihmon shumë!

VIII.

Ti ndjen se je përsosur e këtu merr fund gjithçka .S’ka prozë më rozë se sa të të braktisin. Gjej një shok në zbrazëtirë e ndihu mirë! Merre me mend, hiç s’ka të sosur. Lumturia vlen po aq sa hidhërimi. Hidhërohu në do të jesh i lumtur!

IX.

Disa vrapojnë. Të tjerë qëndrojnë në vend. Fluturimi i tepërt të lë ulok. Sa më gjatë të mbetesh në vend, aq më tepër do asgjësohesh. Kë të dish më të afërt, aq më larg e ke. Nuk ke se ç’të kuptohesh. Shtrëngo grushtin e NISU, NISU NË PARAJSË!

X.

U lodhe së kërkuari. Ruaj formën e ndrysho frymën. Ke kohë për çikërrimat. Mos e përbuz materien se s’ke as ideale… Të lënë fukara, po qe se s’ëndërron shpejt. Se të gjithë luftojnë, ti mbete duarkryq. Kaq zog qenke o Zot!

TANGO ME PESHKAQENIN

Ti mezi fsheh defektin e luan
tango me peshkaqenin. Kjo
fantazmë me azmë, ngatërron
ushqimet e shkul inatshëm
qimet. Fati i mpreh majën
e lapsit e i bën një portret
gjarprit. Kolosi çartet me
një kokërr hudhër e i shtrydh
diellit një puçërr. Njerku u
martua me një bletë
bleu një apartament të
blertë.

E NJERIUT

Duke udhëtuar
për në ishullin e njeriut,
nuk e di pse u shemba
në këtë pus të hapur,
ku i vdekuri blu
i bie borisë.
Për në ishullin e njeriut
duke udhëtuar,
pata frikë
mos më vërente i vdekuri,
dhe u struka
në ekzistencë.
Duke udhëtuar
për në ishullin e njeriut
për fat, pavetëdija,
treni që ecte mbrapsht,
s’ka folur mbi mëzin,
që lexonte
abetaren e pafundësisë.
Për në ishullin e njeriut
duke udhëtuar,
sepse s’guxova të mbërrija.

ÇMALLJE

Cicëritëse çmalljet
nën mjegullën e qenies.
Vyshken apo trillen
në një pranverë pa njerëz?!

I vdekur jetoja
në lindje e sipër
Tani një rrebesh dënesjesh
përmbyt.

VIZATIM I SHPEJTË

Pothuaj e huaj
kjo hënë e ngrënë.
Shpërfaq mes rrathësh vetmie
një rrënim fëmije…

TROKET NË DERË NJË PANTERË

Gjarpri zhvirgjëron
një vaginë në greminë
çupkë e vogël qan
ka humbur shtëpinë.
Si prej një krateri
rrjedh nga goja vreri
e kur bie terri
një panterë besëprerë
troket tri herë në derë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!