JORGE LUIS BORGES – LEGJENDË (rrëfenja)

JORGE LUIS BORGES – LEGJENDË (rrëfenja)
JORGE LUIS BORGES

LEGJENDË

Abeli dhe Kaini u takuan pas vdekjes së Abelit. Po ecnin në shkretëtirë dhe e dalluan njeri-tjetrin që larg, pasi të dy ishin shumë të gjatë. Të dy vëllezërit u ulën përdhe, ndezën një zjarr dhe filluan të hanin. Qëndronin në heshtje, në heshtjen e njerëzve të lodhur kur perëndon dielli. Në qiell shfaqej ndonjë yll, që ende nuk kishte emër. Në dritën e zjarrit, Kaini vërejti shenjën e gurit në ballin e Abelit dhe lëshoi nga dora bukën që po e çonte në gojë e i kërkoi t’ia falte krimin. Abeli u përgjigj:

– Më ke vrarë ti mua apo unë ty? Nuk më kujtohet; tani jemi këtu së bashku, si dikur.

– Tani e kuptoj se vërtet më ke falur, – tha Kaini. – Sepse të harrosh, do të thotë të falësh. Edhe unë do të mundohem të harroj.

Abeli tha ngadalë:

– Ashtu është. Sa kohë zgjat brejtja e ndërgjegjes, zgjat edhe faji.

NJË ËNDËRR

Në një vend të shkretë të Iranit është një kullë prej guri, jo shumë e lartë, pa dyer e pa dritare. Në dhomën e vetme të saj (dyshemeja e së cilës është prej dheu dhe ka formë rrethi) është një tryezë druri dhe një stol. Në atë qeli rrethore një njeri që më ngjason shkruan me shkronja që s’i kuptoj një poemë të gjatë për një njeri, i cili në një tjetër qeli rrethore shkruan një poemë për një njeri, i cili në një tjetër qeli… Procesi nuk ka mbarim dhe askush nuk do të mund ta lexojë atë që shkruajnë të burgosurit.

DIALOG PËR NJË DIALOG

A – Të shpërqendruar prej arsyetimit mbi pavdekësinë, kishim lënë të na zinte terri pa e ndezur llambën. Nuk ia shihnim fytyrat njëri-tjetrit. Me një indiferencë dhe një ëmbëlsi më bindëse se sa zelli, zëri i Masedonio Fernandesit përsëriste se shpirti është i pavdekshëm. Më siguronte se vdekja e trupit është krejtësisht e parëndësishme dhe se të vdesësh duhet të jetë ngjarja më e pavlerë që mund t’i ndodhë një njeriu. Unë luaja me biçakun e Masedonios; e hapja dhe e mbyllja. Një fizarmonikë e afërt shpërhapte pafundësisht “Komparsitën”, atë kotësi të pikëlluar që iu pëlqen plot njerëzve, pasi i kanë gënjyer se është melodi e moçme… Unë i propozova Masedonios që të vetëvriteshim, për të vazhduar diskutimin pa bezdisjen e zhurmave.

Z (tallës) – Por ma ha mendja se më në fund nuk vendosët të vetëvriteshit.

A (tashmë krejtësisht mistik) – Sinqerisht nuk më kujtohet nëse e vramë veten atë natë.

DY MBRETËRIT DHE DY LABIRINTET

Rrëfejnë njerëzit besimplotë (por Allahu e di më mirë) se në ditët e fillimit na ishte një mbret në ishujt e Babilonisë, i cili mblodhi arkitektët e magjistarët e tij dhe i urdhëroi të ndërtonin një labirint aq marramendës dhe të stisur saqë djemtë më të mençur nuk e merrnin guximin të hynin në të dhe ata që hynin, humbisnin. Ajo vepër ishte një marrëzi, pasi çoroditja dhe mrekullia janë punë të vetë Zotit dhe jo të njerëzve. Pas disa kohësh, shkoi në oborrin e tij një mbret i arabëve dhe mbreti i Babilonisë (për t’u tallur me thjeshtësinë e mysafirit) e bëri të hynte në labirint, ku ai u end i fyer dhe i çoroditur deri në rambrëmje. Atëherë luti ndihmën e shenjtë dhe e gjeti derën. Buzët e tij nuk shqiptuan asnjë ankesë, por i tha mbretit të Babilonisë se ai kishte në Arabi një labirint tjetër dhe se, me dëshirën e Zotit, një ditë do t’ia tregonte. Më pas u kthye në Arabi, mblodhi kapitenët e rojet e tij dhe i rrafshoi mbretëritë e Babilonisë me një fat aq të madh saqë ua rrëzoi kështjellat, ua theu ushtritë dhe zuri rob vetë mbretin. E lidhi mbi një deve të shpejtë dhe e çoi në shkretëtirë. Kalëruan tri ditë e i tha: “O mbreti i kohës, i substancës dhe i shifrës së shekujve! Në Babiloni deshe që unë të humbisja në një labirint bronzi plot shkallë, dyer dhe mure; sot i Gjithëfuqishmi deshi të të tregoj labirintin tim, ku nuk ka shkallë për të ngjitur, as dyer për të shqyer, as tunele të rraskapitshëm për t’u endur e as mure që të bllokojnë rrugën.” Pastaj i zgjidhi litarët dhe e braktisi në mes të shkretëtirës, ku vdiq prej urisë dhe etjes. Lavdia qoftë me atë që nuk vdes.

ODINI[1]

Thuhet se në oborrin e Olaf Trigvasonit, që ishte shndërruar në fenë e re, mbërriti një natë një plak, mbështjell me një pelerinë të errët dhe me strehën e kapelës mbi sy. Mbreti e pyeti se çfarë dinte të bënte, i huaji u përgjigj se dinte të luante harpën dhe të tregonte rrëfenja. Luajti në harpë tinguj të moçëm, foli për Gudrunin e për Gunarin dhe, së fundmi, tregoi për lindjen e Odinit. Tha se erdhën tri parka, se dy të parat i premtuan lumturi të mëdha dhe se e treta tha, e xhindosur:- Fëmija nuk do të jetojë më gjatë se qiriri që po digjet pranë tij.Atëherë prindërit e shuan qiririn që Odini të mos vdiste. Olaf Trigvasoni nuk e besoi historinë, i huaji përsëriti se ishte e vërtetë, nxori qiririn dhe e ndezi. Ndërsa e shihnin të digjej, burri tha se ishte vonë dhe duhej të shkonte. Kur qiriri ishte tretur, e kërkuan. Disa hapa larg shtëpisë së mbretit, Odini kishte vdekur.

THIKA

Në një sirtar është një thikë. E farkëtuar në Toledo, nga fundi i shekullit të kaluar; Luis Melian Lafinuri ia dha tim ati, që e solli nga Uruguai; Evaristo Karriegoja e pati dikur në dorë. Ata që e shohin duhet të luajnë një copë herë me të; vërehet se paskëshin kohë që e kërkonin; dora ngutet të shtrëngojë dorezën që e mirëpret; tehu i bindur dhe i fuqishëm luan me përpikëri brenda millit.Tjetër gjë do thika. Nuk është thjesht një strukturë e bërë me metale; njerëzit e menduan dhe e krijuan për një qëllim shumë të përpiktë; është, në njëfarë mënyre të përjetshme, thika që mbrëmë vrau një njeri në Takuarembo dhe thikat që vranë Qezarin. Do që të vrasë, do që ta derdhë gjakun dhunshëm.Në një sirtar të skrivanisë, mes blloqesh e letrash, pafundësisht jeton thika me ëndrrën e saj të thjeshtë prej tigri dhe dora merr guxim kur e drejton pasi metali guxon, metali që parandien në çdo prekje vrasësin, për të cilin e krijuan njerëzit.Ndonjëherë më jep keqardhje. Kaq shumë ashpërsi, kaq shumë besim, kaq shumë mendjemadhësi e urtë apo e pafajshme, dhe vitet shkojnë, të kotë.

BORHESI DHE UNË

Tjetrit, Borhesit, atij i lindin idetë. Unë eci nëpër Buenos Aires dhe vonohem, ndoshta mekanikisht, për të këqyrur harkun e një oborri dhe portën me kangjella; për Borhesin marr lajme me postë dhe e shoh emrin e tij në një treshe profesorësh apo në një fjalor biografik. Më pëlqejnë orët e rërës, hartat, tipografia e shekullit XVII, etimologjitë, shija e kafesë dhe proza e Stevensonit; edhe tjetri ndan të njëjtat shije, por në një mënyrë sqimatare që i shndërron ato në cilësi të një aktori. Do të ishte e tepruar të thuhet se marrëdhënia jonë është armiqësore; unë jetoj, unë e lejoj veten të jetoj që Borhesi të mundë të trillojë letërsinë e tij dhe kjo letërsi më përligj. Nuk më kushton asgjë ta pranoj se ka arritur të shkruajë disa faqe me vlerë, por ato faqe nuk mund të më shpëtojnë dot, ndoshta pasi e mira nuk i përket askujt, as atij tjetrit, por gjuhës dhe traditës. Sa për të tjerat, unë jam i destinuar të humbas përfundimisht dhe vetëm ndonjë çast imi mund të mbijetojë tek ai tjetri. Pak nga pak po i dorëzoj gjithçka, edhe pse e di zakonin e tij të mbrapshtë për të trilluar dhe madhëruar. Spinoza kuptoi se gjithë gjërat duan të qëndrojnë me ngulm në qenien e tyre; guri përjetësisht do që të jetë gur dhe tigri tigër. Unë kam për të ngelur tek Borhesi, jo tek unë (nëse jam dikush), por më pak e gjej veten tek librat e tij se sa në shumë të tjerë apo se sa në rënkimin e mundimshëm të një kitare. Para disa vitesh u mundova të çlirohesha prej tij dhe kalova nga mitologjia e rrethinave tek lojërat me kohën dhe me të pafundmen, por tani këto lojëra janë të Borhesit dhe do të më duhet të shpik të tjera gjëra. Kësisoj jeta ime është një arratisje dhe gjithçka e humbas dhe gjithçka i përket harresës, ose atij tjetrit.Nuk e di cili nga të dy e shkruan këtë faqe.

ARGUMENTUM ORNITHOLOGICUM

Mbyll sytë dhe shikoj një tufë zogjsh. Pamja zgjat një sekondë apo më pak; nuk di sa zogj pashë. Ish i përcaktuar apo i papërcaktuar numri i tyre? Çështja ndërlikon punën e ekzistencës së Zotit. Nëse Zoti ekziston, numri është i përcaktuar, sepse Zoti e di sa zogj pashë. Nëse Zoti nuk ekziston, numri është i papërcaktuar, sepse askush nuk mund ta bëjë dot llogarinë. Në këtë rast kam parë (po themi) më pak se dhjetë zogj dhe më shumë se një, por nuk kam parë nëntë, tetë, shtatë, gjashtë, pesë, katër, tre apo dy zogj. Kam parë një numër zogjsh midis dhjetë dhe një, që nuk është nëntë, tetë, shtatë, gjashtë, pesë etj. Ky numër i tërë është i paimagjueshëm; ergo (pra), Zoti ekziston.

Përktheu nga spanjishtja Erion Karabolli

[1] Odin – ishte perëndia e gjithëfuqishme e nordikëve. Ndryshe quhet Ati im.

Legjende
Jorge Luis Borges

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!