IBRAHIM RUGOVA – KRITIKA BASHKËKOHORE (Përkufizimi)

IBRAHIM RUGOVA – KRITIKA BASHKËKOHORE (Përkufizimi)

IBRAHIM RUGOVA

KRITIKA BASHKËKOHORE

A) KRITIKA BASHKËKOHORE

I. PËRKUFIZIMI

Kritikë bashkëkohore shqiptare quajmë atë kritikë që krijohet brenda periudhës mbas Luftës së Dytë e këndej.

Këtu hyn kritika që krijohet në Shqipëri, kritika shqiptare në Jugosllavi dhe kritika e arbëreshëve të Italisë. Po të vështrohet në procesin historik, mund të themi se kritika bashkëkohore ka arritur një shkallë të mirë të zhvillimit të vet dhe është kontribut i madh në konstituimin e përgjithshëm të shkencës së letërsisë shqiptare, që u zhvillu me të gjitha disiplinat e saj dhe u bë njëra ndër shkencat më të rëndësishme albanologjike.

Marrë në vija të përgjithshme, kritika bashkëkohore, në fillim u zhvillua në ndikim të madh të kontekstit dhe të pikëpamjeve socioideologjike të shoqërisë, po më vonë erdhi duke e forcuar autonominë e vet si në planin orientues, ashtu edhe në planin teorik, do të thotë në aftësimin e saj për analizimin dhe vendosjen e një komunikimi më të madh e më krijues me letërsinë. Meqenëse kjo kritikë u zhvillua në dy kontekste të ndryshme sociopolitike e socio kulturore, në Shqipëri, kryesisht e lidhur dhe e mbështetur në teorinë dhe në filozofinë e realizmit socialist, e në Jugosllavi, së pari e mbështetur kalimthi në këtë teori, e më Vonë në teori të ndryshme estetike e letrare, madje edhe filozofike, mund të themi se, po të bëhej ndonjë vështrim jashtëmetodologjik, duke pasur për bazë objektin e njëjtë të studimit, letërsinë shqiptare, do të dilnin kërkesa të ngjashme në evoluimin e kritikës dhe të letërsisë, kërkesa, të cilat kanë të bëjnë me ngritjen dhe me aftësimin e kritikës.

Kështu, këto ngjashmëri e afri në procese, janë kërkesa imanente të zhvillimit të kritikës, në të vërtetë për aftësimin dhe forcimin e saj.

Por në realizimin e këtyre tendencave paraqiten rrugë të ndryshme. Në Shqipëri, kërkohet një perfeksionim më i madh teorik e metodologjik i kritikës kryesisht në kuadër të metodës dhe të teorisë së realizmit socialist, në Jugosllavi, kërkohet një pluralitet i teorive dhe i pikëpamjeve letrare e estetike, që konsiderohet si aftësim dhe pasurim i vetë kritikës. Këto tendenca paraqiten si nevojë imanente në rrugën e evoluimit të kritikës bashkëkohëse shqiptare në përgjithësi, kurse për specifikat dhe kontekstet e kërkesat e ndryshme të veçanta të tyre, në vijim do të flasim më veçantë dhe në formë më të argumentuar. Sa i përket kontekstit social, mund të themi se kritika shqiptare bashkëkohëse në fillim lidhet me idenë e progresit social: në Shqipëri kjo vihet drejtpërdrejtë nën kërkesën për edukimin e gjerë popullor, sidomos në fillim, e pastaj në gërshetimin e sociales me nacionalen dhe me artistiken, kurse në Kosovë, që prej fillimit kritika shqiptare si dhe letërsia i ndërlidh këta dy faktorë me artistiken, sepse populli shqiptar në Jugosllavi, nuk kishte përjetuar me pa sadopak, Rilindjen kombëtare, pra produkti i tij shpirtëror, letërsia, nisej aktivisht nga baza e kontekstit social nacional. Pastaj marrë historikisht, ndërlidhjen me epokën  e mëparshme sociokulturore, në Shqipëri e bën një numër më i konsiderueshëm kritikësh e shkrimtarësh, që në vitet 30 ishin formuar në traditat e letërsisë sociale, e në Jugosllavi, letërsia shqiptare, thuajse startonte nga fillimi në formë më aktive dhe kjo ndërlidhje me traditën ishte mjaft e parcializuar, madje deri nga fundi i viteve ‘60. Prandaj, kur bëjmë fjalë për kritikën bashkëkohëse shqiptare, mund të themi se kjo është një kritikë e konsoliduar, e cila bashkë me letërsinë po e forcon stabilitetin dhe perspektivën e zhvillimit të vet normal. Marrë në planin e procesit të zhvillimit, kjo kritikë del mjaft aktive dhe në disa pika e shumanshme, me vetëdije në ngritje e sipër për funksionin e vet dhe për funksionin polivalent të letërsisë.

* Materiali është shkëputur nga libri me titull “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare : 1504-1983”, i Ibrahim Rugovës, i cili është botuar nga shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!