LASGUSH PORADECI – MBARIM VJESHTE
LASGUSH PORADECI
MBARIM VJESHTE
Fluturoj dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që-me-natë sipër malesh me deborë…
Iku rënd’ e i përmallshmë, dhe me sqep të ti të fortë
Zotëriut q’i la folezën i trokiti mun në portë…
Pra, më s’duket shpesh’i fatit prapa bujqësh dhe plorësh,
Prapa brazdës së rrëxuar hap-me-hap prej qe malorësh;
Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë,
Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht’ e shkretëtirtë.
Dher-i i mardhur prej thëllimi dirgjet heshtur nënë brymë,
Fryn veriu në pyll të thatë me zembrim e me fërtymë,
E si shtohet cinërima… Ja! Se ku dinak dh’i voçërr…
Nëpër gardh-e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçër!…
O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,
Kur bariste dal-nga-dale – posi dhëndër me kurorë!…
E kur pranë-i vinte krilla, që shëndrij në kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur – posi vash’ e nusëruar!…
Të tjera poezi nga Lasgush Poradeci mund të gjeni këtu.