LASGUSH PORADECI – VDEKJA E NOSITIT (cikël me poezi)
LASGUSH PORADECI
VDEKJA E NOSITIT (cikël me poezi)
E MORA SHOQEZËN PËRKRAH
E mora shoqezën përkrah,
E matmë rugën ca-nga-ca,
Sikur na ndillte larg diçka.
Pa zu dita perëndoj,
Pa zu nata na mbuloj,
Pa zura shoqen ta pushtoj.
Përse buçet liqer i qet!
Liqer, ti ç’thua ndaj bucet!
Ç’far’ pe, liqer, mi zall të shkretë?
E çasin kur e sjell nër mend,
Kur sjell nër mend, ah! atë vend,
As rroj as vdes, po jam pa mend.
VDEKJA E NOISIT
Me zjarr ju flas… me zjarr
Në gjirin tim kam hapur varr…
Që t’i jap shpresë- edhe t’ja marr…
Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:
Se vijnë- urtuar zogjtë-e mi,
Dh’u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari:
Pa nis ah! Gjirin ta godas…
Dh’e hap ah! gjirin për një ças…
Dh’i nginj ah! zogjtë- e vdes me gas!…
Ahere – helmohet e buçet
Pas mallit tim liqer-i shkret,
E rrit tallazin posi det.
Ay e tund , ay e shkund,
Ay e hap sa me të mund,
Gjer mun në gjit,gjer mu në fund.
E shpirtin dyke ma përcjellë
Më thotë ah! shih sesa ‘sht’i fellë…
Ky gjir’i em që të pat pjellë…
Me zjarr ju flas…
Me zjarr…
VALLJA E YJVE
Yjtë-e ndezur si fingjill,
Që vërtiten palë-palë,
Prej mosgjëje zunë fill
Plot me jetë-e mall të valë.
Zunë fill me dashuri
Që kur bota zu të ngjizet,
Pa sikush për shok të ti
Përvëlohet edhe ndizet.
Ndizet ças edhe për ças,
E si kurrë s’ka të shuar,
Pa pushim i vete pas
Me një sulm të llaftaruar.
E si kurrë nuku mund
Ylli yllin që t’a kapë
Rrotull qiejve pa fund
Venë-e-vinë-e-venë prapë…
……………………………….
……………………………….
……………………………….
……………………………….
Do të venë fluturim
Kudo janë-e kudo s’janë,
Nëpër qjell që s’ka mbarim,
As fillim, as fund, as anë.
Kur mi të, kur nënë të,
Kur me hire-e kur pa hire,
Do përëajnë gjithënjë
Hapësirë…shkretëtire…
Ata ikin varg-e-varg
Me një etje të pashuar:
Sesà fellë-e sesà larg
Shoq me shoq u pat larguar!…
Kùsh j-u fali-aq dëshërim,
Dh’aqë zjarr e aqë flakë,
Dh’i gatoj me aq durim
Yjtë-e lum e varfanjakë?
Se do një, si për çudi,
Ku prej syresh rreh të ftohet,
Shoq i vet, nga mall’i ti,
Më me zjarr zë përvëlohet…
Dh’i vjen qark më me vërtik
E me dhembje më të nxehtë,
E si ik…si gjithë ik…
E pushton me zjarr të vetë:
Sa më pak e shmbëllen:
Aq më shumë-e ndjek dëshira…
Pa nga malli që s’e gjen,
Dridhet gjithë hapësira.
…Kur po ja! Se që përtej
Ndriten erërat nga pakë:
Yll-i çdukur nëpër qiej
Vetëtiu e mori flakë:
J-a pat shtënë me një ças,
Mun në mes në kraharuar,
Shoq’ i vet q’i sillej pàs
Me një sulm të llaftaruar;
Q’e kish flakën mun në gji,
Q’e zhuritte dashurija,
që çkëlqente me zili
Rrotull rrezeve të tija.
Yll i mjerë e yll i lum!
Yll i lum e yll i mjerë!
Sapo drita t’u përgjum,
Sheh një shoq nëpër skëterë;
Ay vin… e gjith vin…,
Gjith më pranë… -e gjith më pranë…-
Sesà ndrin e vetëtin!…
Sesà ndjen një gas pa anë!…
Sesa ndritesh përsëri!
Sesì ndizesh përsëpari!
Sesì djek me dashuri
Posi yll margaritari!…
Dashuri! Heu! Mall i ri!
Dashuri! këng’ e durimit!
Ti liri! Ti robëri!
Ti valim i shkrepëtimit!
………………………………..
………………………………..
………………………………..
………………………………..
Yjtë-e ndezur aqë larg.
Lozin vallen e dëshirës
Dyke ndritur varg-e-varg
Nëpër terr të errësirës.
KUSH TA FALI BUKURINË
Kush ta fali bukurinë
Që t’ë më trerosh të zinë!
Kur të pashë për të vluar,
Pëllumbeshë pendë-shkruar,
Bubu! plumb në kraharuar,
Plumb që vret dyke gjëmuar!
Mbledhur shoqet me një qoshe,
Diç, m’ju flisje, dic m’ju thoshe,
Gushë-e-llërë-e-gji-bardhoshe.
Pa me syçkëzat e tua,
Sy-larme! ç’më fole mua.
Leshrave t’ju binte hija,
Yll i ndezur me shkëndija,
Ndezur mun në mes në ballë,
Të më vesh në dhè të gjallë.
KUR TË MË JESH E ZEMËRUAR
Ti m`u rrëfeve për sëpari shkrepëtimtare në stoli,
Un` ëndërrova se në zemër po më valon një mall i ri.
O, ç’ka që m`u venit qipalla me kaq të ngjethur të pafaj?
Haj!shkretëtirë-e-zemrës`s`ime! Dhe haj! e zeza jetë,haj!
Posi një yll i perënduar më pate humbur gjith më larg…
Nga malli yt i thura fjalët gjith sërë-sërë-e-varg-e-varg;
E çdo mendim e pata tretur vetëm n`ërgjënd e në flori,
O,vashë-e lotit të zhuritur që vetëtin nër syt` e mi.-
Prej largësisë së pa anë kalon durimi mot-me-mot…
Pas kaqe kohë dhemshurije,ndaj vëndi-i lum as eja sot!
Në gjirin t`ënd të llaftaruar m`a lerë mëndjen t`a humbas,
Të ndjej si zemra më gatohet plot me dëshir` e plot me gas.
Ti buzëqesh-më-zilitare,e më çkëlqe si vetëtim,
E më vështro me sy pëllumbi drejt mun në fund të shpirtit t`im;
Se gazi-i-kthjellt` i lumtërisë, që çel si lulja në mëngjes,
Si lule-e pastër do më mbijë në krahruar mun në mes:
Kur të më jesh e zemëruar, më shpirt të vrarë-e varfnjak,
N`e mbajç në zemër zembëratën, prej helmit t`ënd s`do heq aspak;
S`do psherëti n`e lënc të vdesë,a në `m`a thënc,në mos m`a
thënc:
Mjafton një mvrejtje-e buzës s`ate,që të më bësh të prishem
menc.
MAJA E ÇELUR
Lulet lulëzuan
me të parë djellë
kushedi ç’duruan
që kur janë mbjellë:
që kur u përzien
me rër’ e me ujë,
dhe u lagn’ e u lyen
pa bujë e rrëmujë.
Pa zë psherëtimi,
zë e vaj të kotë,
i ngurroj thellimi
nënë dhen’ e ftohtë.
Edhe balt’ e ndotur,
edhe llum’ i ndyrë
i patnë përlotur
me ngjyrë e mënxyrë.
Ato piperonin
me një sulm i qetë
dhe mbinin e shkonin
që përposh përpjetë.
Që ngaj errësira
brenda në dhè thellë
ndillnin krejt të lira
dritën edhe qelltë.
Sa me rënd’ i mbante
rrënj’ e balt’ e nxirë
dh’ i tërhiqte e s’i ndante
për në fundësirë,
dhe sa m’i padukur
edhe sa m’i zjarrtë
ishte sulm’ i bukur
për në qiejt’ e lartë,
aq më lirë e fshehur,
dh’ aq më me ngadalë
rritnin pa pandehur
sulmin e pandalë:
Dhe ja, ndizet era
mbi barishte e bimë!
Ja! qesh pranëvera
nëpër ngashërime!
Ja! sa lul’ e qetë
çeli gjinë e sajë,
përmbi degë e fletë
atje lart në majë!
GJARPËRUSHJA
Haj të mirremi për dore,
Nep-ma zemrën që ma more,
Gjarpërushe pikëlore
M’u vrapo q’andej matanë,
më qëndro në zemër pranë,
M’i vështro sa lot më lanë.
Të fjalonemi ngadalë,
të pushtonemi pa fjalë,
Plot me afsh e duf të valë.
Me atë vetull-vetulluar,
Me atë shtatin-gjarpëruar,
Me ato kraha-fluturuar
Vetullo,moj vetullushe!
Gjarpëro,moj gjarpërushe!
Fluturo,moj fluturushe!
Ç’U MBUSH MALI
Shqipëri! moj nëna ime,
Më ke rritur me thërrime!
Shqipëri! të qofsha falë,
Të kam nënë e më ke djalë
********
Ç’u mbush mali me dëborë,
Ç’u mbush deti me pamporë,
Seç u mbush e shkreta Vlorë
Plot me krushq e me dasmorë,
S’janë Toskë e Malësorë
Me flamur të kuq në dorë
Si dhëndurë me kurorë.
Ç’u zbardhë malet, ç’u zbardhë:
Nga çdo anë seç na ardhë
Shqipëtarët gunë-bardhë,
Seç na ardhë palë-palë
Duke rutulluar malë
Kush më këmb’e kush më kalë
Kush më shpejt, kush më ngadalë;
Kush i lum e kush i gjorë
Kanë zbritur mun në Vlorë,
Mun në Vlorën e lirisë,
N’atë thelb të Shqipërisë.
PORADECI
Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…
E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.
Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…
LODRA E DASHURISË
Kërkova
Lumturinë,
Gjer më sot,
Gjith më të kot.
Shijova
çupërinë,
Një mot.
Me shpirtin plot.
Kullova
Djalërinë
Me lot,
Që s’thahen dot.
Kuptova
Dashurinë
Që lot –
Kur shemb! o Zot!
DIMËR
Shpirti im që sot u mbyll
Dhe gëzimin m’a përzuri.
Nëpër mal e nëpër pyll
Zu dëbora prej qëkuri.
Bjenë flokët një-nga-një
Mi katundin e shkretuar.
Dyke mardhur nënë të
Dheri fjet e ri mbuluar
Flet nga-dal e shpirti im,
Dhe në zi pikoj si fleta,
Pa me qit as pipëlim
Tërë fili, tërë jeta.
Në kaq heshtje-e qetësi
Ndjej vajtimthin e një shpesi:
Psherëtin me zë te ti
Jet’ e trembur se mos vdesi…
KUJTIMI
Edhe në mungove,
Edhe në ndryshove,
Edhe në dredhove,
Në më gjarpërove:
Kujt j-a dhè mungimin?
Kujt ja dhè ndryshimin?
Kujt j-a dhe dredhimin?
Kuja gjarpërimin?
Mungime-e ndryshime,
Mungime-e dredhime,
Dh’ato gjarpërime-
Hon për zemrën t’ime.
Zemr’ e mall i parë,
Zemërëz’ e vrarë
Kujton dyke qarë,
Pushton me llaftarë
Lulen e pavdarë,
Trupin e pangarë.
Pa ri pshoj qetuar
Dyke ëndëruar
Ndaj po puth nër duar-
Si ndaj koh’ e shkuar-
Fort i dëshëruar,
Fort i dhëmshëruar,
Fort i lumtëruar,
Ballin dritë-qëruar
Syrin qjell-kulluar,
Gjirin-vajzëruar,
Trupin-qumështuar
MALLI
Syri-i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon
Do më lerë-a von a shpejt,
Do më lerë-a shpejt a von.
Sapo shpirti m’u delir –
Shpirti im i nxirë krejt –
Do më lerë me pahir
Syri-i bukur që t’u mvrenjt.
E do mbetem përnjëmend
Varfanjak si mbret pa fron:
Mbretëresha që më çmend
Do me lerë-a shpejt a von.
Do me lerë-a von a shpejt,
Do me lerë-a shpejt a von,
Syri i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon.
Do më lerë…A! po si –
Qoftë-aherë-ose tani –
Do të qaj aq dashuri
Që të humb me mall te ti?
MITRUSH KUTELIT
…Pa m’i prit edhe Mitrush Kutelit
…Pa m’i prit edhe këtonë,
Iskëra të zemrës s’onë.
Prit-m’i shok n’ato mërgime
Fjalëzat me regëtime,
Nga buçim’i zemrës s’ime.
Zemra ime buçim-shkretë
Zjen e bren e s’gjen të qetë,
Plaset e përplaset vetë,
Vdes përkohë-e lind përjetë.
SHPIRTIT
Të lus, o Lajmës i qielluar!
O Frym’ e Zotit, vetë Zot!
Me hirin t’ënd të pashteruar
Që ka mburim përjetësije,
Hirplot, o Shpirt, nër gaze Ti-je.
Dhe nër mjerime je hirplot!
Ti botës s’onë-i prure lajmin
E nj’ëndërimi të pafaj:
Për mallin t’ënd me të pastajmin
Ti kuvendon që përmbi botë,
Dhe në gëzim i bije lotë,
I bije gas në zi të saj.
Kur del mi male yll’i ditës
e shuhet nata prapa ti,
Ti me vështrimin vetëtitës
çkëlqen në fund të zemrës s’ime
Dh’i bën prej këngës së një grime
Një të përjetshme-harmoni.
E kur pat humbur jet’ e dherit,
Kur syr’ i lodhur m’u përgjum,
Në shkëndijim të kandilerit
M’i cfaq ylberin e një rruaze…-
Fatlum, o Shpirt, ti je nër gaze,
Dhe nër mjerime je fatlum!
Sot hapa sytë që-me-natë
E po këndoj si kurrëkush:
drejt lartësisë se pamatë
Ah. mëshiro të ngjite- i cmuar
Prej gjirit t’im të përvëluar
Fjalim’i mallit t’im mjerush.
DËGJIMI I ZEMRËS
Kur të më kujtosh,
Kur të vish të shkosh,
Kur të shkosh këtejza pranë
Që të çmallërosh
Ç’po dëgjon kur shkon?
Kur vjen e përgjon?
Ç’përgjon zemra në kët’anë
Fund në këtë hon?
Zemra jote sot,
Zemra jote mot,
sot e mot në ç’mallërime
Zemra që s’fle dot
Seç të ndjen këtaj,
Seç të ndjen pastaj,
Seç dëgjon ndaj vetes s’ime
(Si ndaj vet’e saj):
Mall e vrer që mbaj
Qaj, moj zemër, qaj.
Vrer e mall që flas
Plas, moj zemër, plas.
SYT’ E LUMTUR
Ishe vogeloshe…isha mituri…
Kur më dole mbudhe, ti moj lumja ti!
Vinte perëndimi me të vagëlluar
Pa m’i shtire tinës ata syt’ e shkruar.
Ata syt’ e shkruar, sytë moj të fjetur,
Shtatë vjet me-radhë t’i kam përshëndetur.
Kur më pe së pari, more-e m’u largove,
Kur më pe së dyti, more-e m’u afrove,
Kur më pe së treti, more-e më pushtove,
Të putha në gushë, ti m’u turpërove,
Papo ule kryet e shkove vajtove.
KU VEMI SHPESH
Në zemër t’ënde vetëm unë,
Në zemër t’ime vetëm ti,
dhe jashtë bota fjalëtare,
Dhe jashtë syri plot zili.
Dh’ashtu filluam përngahera
Një vetësi plot ëmbëlsi,
Të mos na shohë syr’i botës,
Mos na zemrosh, moj njerëzi.
Dhe ikm’ e ikmë gjith-më largë,
Dyke kërkuar pak liri,
Që me t’u ndezur flak’e ditës,
Gjer më të mugëtit të zi;
Gjer në mesnatë-e pasmesnate,
Oh! E pangopur e arrati!
Un’ hijerënd’ e mvrerësuar,
Ti buzëndritur në stoli.
Nër ato male shtat-mëdhaja,
Nër ata pyje me fshehtësi,
N’ato mburima lozonjare,
N’ata shkëmbenj plot llaftari;
Ku fryn një erë pastërtije,
E vetëtin një bukuri,
E ritet malli posi deti,
E ndizet zemëra në gji;
Ku nuku duket asnjeri,
Ku vemi shpesh veç un’e ti
Ku djeg si zjarr, moj dashuri!
Ku ndrin si yll, moj perëndi!
JE ULUR FORT
Kujtimi im që më s’më jep të qetë,
Kujtimi im q’ u llaftaris pas teje,
Në qetësi ësht’ isker prej rrufeje,
Në ças llaftare zjarr e flakë vetë.
Çkëlqen si prush kur skëterrohen retë,
Kur mall’ i dhembshur zë buçet ndaj meje.
Kuptimin t’im o! ndjeje-ahere, ndjeje,
Se n’atë hof m’a ndrin ah! zemr’ e shkretë.
Kaq mot-më-mot shkëndijat m’j-u shpërndanë
Gjith përmi kulm të bimës më së gjatë…
M’j-u përeluan gjith me tjetër anë…-
Je ulur fort, po syt’ e mi të panë:
Plot me stoli kjo lul’ e zemrës s’ate!
Si kopsht i mbushur plot me jargavane.
KU SHTROHET VALA… (ROMANCË)
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng’ e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
më pe me shpirt të llaftaruar.
Q’aherë silleshim me nge
Gjith vet-i dytë, vet’e dytë…
Dh’i shtinja sytë gjith përdhe-
Gjithë përdhe m’i shtinje sytë…
Po me t’u ndarë vet e vet,
Më s’kishim turp që s’kishte fjalë…
Na ritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:
E prapë silleshim me nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.
………………………………….
………………………………….
………………………………….
………………………………….
Q’aherë qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng’ e pakuptuar.
Se kish kuptim që s’kish kuptim,
Kuptim’i fellë-i mallit t’onë;
Se malli jon’ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;
Se s’dashuronja-as un’ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri – një fshehtësi
M’e fshehur sesa fshehtësija.
DORA JOTE LEDHATARJA
Dora jote ledhataja, ësht’ e zbetë si qiri.
Dora jote ledhatarja lëshon dritën e dëborës.
Kur t’a ndjeu magjinë-e pastër që të shtrydheshe prej dorës,
Shpirti im i frymëzuar regëtiu në llaftari.
Se me lëndë magjistare u pat bre tul’ i saj;
Tul’i saj u pat gatuar me vaj erë-e brumë dylli;
I dha hëna pak të ndezur, pluhur t’artë-i fali ylli,
E kështu m’u duk hirplotë- haj! o dor’e vashës, haj!
Në vështrim të dorës s’ate ç’pat, o! balli që m’u vdar?
Ç’pat qepall’ e përlotur q’i ra pika tatëpjetë?-
Dor’e bryllt’ e vashës s’ime, dor’e paqme, dor’ e zbetë,
Vetëtiu me prush magjije e më bëri mendimtar.
Dora jote që më dhimbset, dora jote që më çik;
Dora jote që më shtrihet sipër temblave gjumashe;
Dora jote: zemra jote që t’u nda më pesë fashe…
Dh’u bë dorë të më ndali ndaj dyshoj se mos ik…
SYT’ E TU VETËTIMTARËT
Syt’e tu, vetëtimtarët, i mbulon pluhur i zi.
Syt’e tu vetëtimtarët ndezin yj mi vala detesh.
Me vështrim të perënduar, kaq hirplotë ti më mbetesh
Si t’i fshesh qipall’e rëndë të paçmuarat stoli.
Kur i pash’oh! Në nat’helmi, hën’e largë-ish derdhur n’ar.
Kur i pashë në nat’helmi, ar i derdhur m’u bëj zija:
M’u bë gas ndaj fërfëllonte vgjeri-i shenjt’ hijen e tija:
Mi shtrat fletë sapo shtruar…na shij qjelli zilitar…
Syt’e tu- enigm’ e kohës; syt’ e tu-çudi pa çmim;
Syt’e tu- çkëlqim gazmuar i skëterrës dhemshurishte.
Kish durim yll’ i zhuritur, yll me zjarr durimi kishte,
Që krijoj kaq dritë djelli, që mbaroj kaq dëshërim.
Syt’e tu vetëtimtarët, sillen qark gjerakorisht.
Syt’e tu vetëtimtarët ëndërojne-aq të qetuar.
Ndaj shtron hijen vgjeri-i shentë kur i putha-i llaftaruar,
Syt’e tu vetëtimtarët buzëqeshnë dhemshurisht
PAMJA
Sot u pamë-e sot u ndamë
Dhe nuk thamë njëzë fjalë;
Kur u ndamë vamë-e qamë,
Qamë shpejt ca lot me valë.
Edhe shpejt kur me të dalë,
Vamë-u pamë-e shumë thamë,
Thamë fjalë, fjalë, fjalë,
Pastaj kurrë më s’u ndamë.
Nuk u ndamë-e vetë thamë:
ç’këto fjalë? ç’këto lotë?
Ç’ky vajtim q’u vramë-e ramë
Shkrumb e pluhur nënë botë?
Ah kur ramë, kur u dhembmë,
Ndritej dhembja dritë-e artë…
Kur u dhembmë, kur u shembmë,
Shkrepej yll në qjell të lartë…
Yll e dritë bukurija,
Qjell i lartë perëndija,
ç’vjen e shkon e vjen si hija,
Plas e s’plas kjo dashurija.
PËRSE TË DUA
Se të desha vetë,
Dhe t’u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë-
Prandaj.
Dhe të humba largë,
Dhe të ndoqa largë,
Dhe të gjeta largë-
Prandaj.
Se të desha prapë,
Dhe t’u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë-
Prandaj.
Dhe të humba vashë,
Dhe të ndoqa vashë,
Dhe s’të gjeta vashë-
Prandaj.
Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua-
Prandaj.
Dhe s’më flet përhera,
Dhe s’më nqas përhera,
Dhe më plas përhera-
Prandaj.
O, prandaj të dua,
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua-
Prandaj.
ZEMRA
Bëj e ri mendohem,
Të mos t’afërohem,
Bën e ri mendohesh
Të mos m’afërohesh.
Dhe ri bëj e bëjnë
Mos të shkoj andejnë,
Dhe ri e bën bejnë
Mos të shkosh këtejnë.
Ha! tek bëj kështuzë,
Hop! të shoh këtuzë!
Ha! tek bën ashtuzë,
Hop! buzë-për-buzë.
Pa me puth një herë,
Pa të puth dy herë,
Pa më puth tri herë,
Të puth tridhjet herë,
Uf! moj zemrë-e mjerë…
Zemër-lule-e-verë,
Gas-e-vrer-përherë,
Zemër-kopsht-me-erë,
Zemëra-skëtere.
DURIMI
Tashi me gas, tashi me lot,
Tashi dhe nj’herë,
Duro durimin si për-mot
E si përher.
Mendo mendimin zemërak,
Ndaj vjen të sjellë
Sa leu e zjeu e shfreu me gjak
Në zemër fellë;
Sa pati shkrirë aq ëmbëlsi
Dyke kënduar,
E vaj e zi e shkrumb e hi
Të pambaruar;
Dyke përflakur plot me gas,
Plot afsh të ndritur,
Një mall të math që më vjen pas,
Kujtim-zhuritur;
Vjen ku përplaset përmi dhé,
Nër ulërimë,
e greminuar si rrufe,
Kjo jeta ime;
Ku mban shtrëgatën me sa mund,
Dhe kësaj radhe,
E hapur krejt, gjer mu në fund,
Ah plag’e madhe;
Fund e gjehenë e ang i zi,
Jetë pas jete,
Yll-dashuri! Hon-lemeri
Që mbaj me vete!
Edhe mendoj mendim me lot,
Me përvëlime,
Duroj durim të mbushur plot
Me zemrën t’ime.
GREMINA
Ti sot as qesh as qan,
Ri larg e qetë.
Në shpirtin t’ënd ti mban
Një faj për jetë.
Një dashuri me gas,
Siç fryri era,
E zure shpejt në ças,
E le përhera.
U ngrove-ashtu sa mund,
As shumë-as pakë,
S’të ndriu përdrejt në fund
E bardha flakë:
Më ndriu e griu e shkriu
Ah mua zjarri!
U mvarrësh un’i ziu
Mi buzë varri!
E nuk më dhemb aspak
Një vdekje-e gjallë,
Ndaj qava lot me gjak,
Si në përrallë;
Ndaj hoqa rëndë-ashtu,
Gjer në greminë,
Llaftarën që më zu
Për dashurinë;
Për dashurinë-o Zot,
Që shemb një burrë,
Që s’e pat ndjerë dot
Gruaja kurrë;
Që lind e ndritur krejt,
Bukuriplotë!
Me dritën drejt-për-drejt
Nga drita jote!
Që qesh e qan e zjen,
E s’jep të qetë,
E zjen e bren e shfren,
E s’vdes përjetë.
KUR NË FLAKË
Kur në flakë të qiririt zë mendonem net-për-net
Dh’e ndjej shpirtin e kulluar nëpër dritën që më tret
Prej skëterrës se pa matë më del bot’ e ëndërruar,
vetëm ti, o im-e dashur net-për-net më rri larguar
Po çdo ëndërr që më shfaqet prej skëterrës së pafund
çdo mendim i llaftaruar që më dhemb e më përtund,
Duke rënë prej së lartash posi pikë zemërate
T’i përshkohet për-së-thelli bukuris’ së qenies sate.
T’i përshkohet mes-për-mesi dlirësis’ së shpirit tënd,
Ta merr pamjen e fytyrës, bëhet shkronjëz e kuvend.
Ai del prej shkretëtire ment’ e mi të m’i stolisë
E ka tingull llaftarie, ka verbimin e magjisë,
Ndrin i kthjellët e i pastër si pasqyrëz’ e një kroj
Pa nëm fytyrën tënde ta vështroj… nuk ta vështroj…
O! fytyr’ e vjershëruar që më mbush me dëshërime!
Q’i fal gaz përjetësie dashuris’ së zemrës sime!
Që më bën kur ment’ e mia regëtijnë varg e varg
Të të ndjej aq fare pranë, të më jesh aq shumë larg…
Dy fjalë për autorin
Lasgush Poradeci, i njohur me pseudonimin Llazar Gusho, lindi në qytetin buzë liqenit të Ohrit në familjen e Sotir Gushos. I ati, si arsimdashës që ishte, e dërgoi pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në një shkollë të gjuhës rumune në Manastir, nga 1909 deri më 1916. I ati më pas e nisi në Athinë, ku u regjistrua në liceun e Etërve Maristë në kryeqytetin grek. Këtu qëndroi deri më 1920.
Pasi sëmuret, e shtrojnë në sanatorium dy vitet e fundit të qëndrimit të tij në Greqi. Pa u mbyllur viti 1920, e dëbuan nga sanatoriumi sepse e zunë me një infermieri.Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht pas një viti me ankesa për të tejkaluar valën e ksenocentrike që kishte kapluar qeverinë rumune. Atje lidhet me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi si sekretar i përgjithshëm i kolonisë. Por edhe me të riun Mitrush Kuteli; mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit.
Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe “Shqipëri’ e re”, një e përjavshme kombëtare me ilustrime që botohej në Konstancë, dhe te “Dielli” i Bostonit. Vargjet e tij të kësaj periudhe po shfaqnin tashmë një afri teosofike me poetin lirik rumun Mihai Eminescu. Verën e vitit 1924 Qeveria Nolit i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit “Karol Francik” në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike.
Në maj të 1933 doktoroi me temën Der verkannte Eminescu und seine volkstümlich-heimatliche Ideologie (I paçmuari Eminescu dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare). Vitin tjetër u kthye në Tiranë duke mësuar arte në një shkollë të mesme. Pas pushtimit italian, qe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare.
Vitet 1944-’47, vitet e turbulluara të fillimit të regjimit komunist ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me të shoqen. Pas punësimit jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore “Naim Frashëri” deri kur doli në pension më 1974.
Vdes në varfëri të plotë në kryeqytet më 12 nëntor 1987.