MARTIN CAMAJ – MBAS VDEKJES SË POETIT (poezi)
MARTIN CAMAJ
MBAS VDEKJES SË POETIT
Ti qe frymshkurtë
pse guri në mal s’e ndieu
peshën e vargjeve tua.
Emnin tand e harruene vashat
dhe hija e vargjeve tua
vrân vetëm sytë e grave
të pjekuna, andërrtare
të rinisë së kalueme
e të thjeshtë.
Shokët tu, poetën, thonë
se ti more me vete, sall ngjyrat
e sendeve në sý
as me pasë dashtë me ikë e shkue
pa emën.
Dy fjalë mbi autorin*
Martin Camaj lindi në Telum të Dukagjinit më 13 korrik 1925. Ishte i biri i Kolë Camës, njëherësh bari e bujk. Tereza, e ëma, ishte nga Shllaku,(Vukaj). Martini lindi i treti ndër shtatë fëmijë. Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi. Vendlindja e tij është “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit.
Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.
Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”[1], ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegjë. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës.
Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kap. Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetue në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me Át Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetësh. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”
Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 20 korrik 1955 duke dhënë provim diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç.
Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Universitetit të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë. Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.
Po atë vit, duke parë shëndetin në rënie të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ’56s), ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë. I ndihmuar nga Ernest Koliqi dhe profesorë të vjetër të kolegjit jezuit P. Luigi Rosa dhe P. Zef Valentini, atë kohë drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, si dhe kryetar i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Romës, pasi i njihen studimet e kryera ne Universitetin e Beogradit, regjistrohet në vitin e tretë studimor në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të atij universiteti.
Këtu studion letërsi latine, italiane, filologji romane e sllave, si dhe gjuhë e let. shqipe, ndërkohë pati rastin të ndjekë leksione nga Giuseppe Ungaretti dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij. Nën mentoratin e Koliqit, më 15 mars 1960, mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistes “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi.
Gjatë periudhës së studimeve Camaj iu perkushtua veçanërisht kërkimeve shkencore në terren në fshatrat e ngulimeve arbereshe. Qysh më 1959 Koliqi i mundësoi të punojë si lektor pranë Universitetit në Romë, gjë që zgjati deri nga fundi i vitit 1960. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhen shqipe dhe dialektet, në veçanti në gjuhën e arbëreshëve të Italisë jugore. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë baltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.
Në dhjetorin e 1960s vendoset në Mynih të Gjermanisë me një bursë dhjetëmujore të akorduar prej fondacionit gjerman DAAD (= Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik) për të cilën hyn dorëzanë me rekomandimin e vet etnologu dhe folkloristi Alois Schmaus, që drejtonte atëkohë Seminarin e Sllavistikës pranë Univ. Ludwig-Maximilian. Camaj përzgjedh si vend studimi Seminarin e Gjuhësisë me synimin që të përvetësojë metodat e studimit gjuhësor historiko-krahasues.
Për përfundimin me sukses të kësaj ndërmarrjeje Camaj mbështetet për disa vjet me radhë nga fondacioni i DFG-së (Shoqata e Kërkimit Shkencor Gjerman), i cili i akordon një bursë kërkimore për të mbrojtur gradën e habilitacionit. Këtë gradë e fiton më dt. 21 janar 1965 me venia legendi (leje mësimdhënieje në universitet) në albanologji duke fituar në të njëjtën kohë edhe të drejtën për të qenë Privatdozent, përvojë që e kishte ushtruar si lektor vullnetar për realizimin e programit universitar duke dhënë kurse hyrëse të gjuhës shqipes qysh prej semestrit të dimrit në vitin akademik 1961/’62.
E shoqja, Nina, e cila jepte gjuhë ruse në “Bocconi” të Milanos si asistente në vitin akademik 1961-62 shkon pranë Martinit më 1962 ku ajo do të punojë për pak vite pranë “München American Elementary School” si mësuese dhe bibliotekare. Në vitin 1964 Nina hyn në Urdhnin e Tretë Françeskan duke marrë emrin Motër Elizabeta. Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987.
Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm. Më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emerituar[1]. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindur. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.
Vepra
Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.
Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.
Martin Camaj e nisi veprimtarinë e tij poetike me dy përmbledhjet e para që i botoi ne Kosovë: “Një fyell ndër male” dhe “Kanga e vërrinit”. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.
Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991.
* Marrë nga Wikipedia.