MARTIN CAMAJ – RRETH NJËSIMIT TË GJUHËS SË SHKRUEME
MARTIN CAMAJ
RRETH NJËSIMIT TË GJUHËS SË SHKRUEME
“Lexues të dashtun, âshtë e para herë që shprehem botnisht mbi këtë problem tejet të kapërthyem e të randuem nga faktorët gjuhësorë e jo gjuhësorë, d.m.th. shoqnorë e politikë.
Askush prej lavruesve e letrarëve tanë sot as në të shkuemen nuk âshtë as nuk ka qenë kundër njësimit të gjuhës së shkrueme. Mosmarrëveshja nis me pikëpamjen se si duhet bâ normalizimi. Metoda e ndjekun prej 1952 e këndej ka krijue probleme thelbësore në lamën teorike e metodologjike. Normnalizuesit nuk janë nisë prej bazës së traditës gjuhësore të dokumenteve, dmth. nga autorët e vjetër, nga baza kur shqipja ende nuk ishte aq e coptueme si sot në diaiekte. Si shembull, le të krahasohet gjuha e Bogdanit me të folmen e Hasit sot në mënyrë strukturale, dhe do të shihet se çka ka ndodhë mbrenda treqind vjetëve. Në fazën kur u nis normalizimi i gjuhës në Tiranë, gjuha e autorëve të vjetër (gegë, arbëreshë e toskë) nuk ishte e studjueme në sistemin e saj fonologjik, morfologjik e sintaksor. Kjo mungesë nuk i justifikon normalizuesit, përkundra. Ata shpesh flasin për normalizimin e gjuhës së kulturave të përparueme tue u përpjekë me gjetë paralelizma. Tek italishtja, për shembull, apo anglishtja, ka pasë nji kontinuitet zhvillimi qysh nga fazat e lashta deri më sot; format e soçme të shkrueme, gjuhët letrare, janë rezultate të fazave gjuhësore tradicionale. Përkundra ndër ne i âshtë sjellë shpina traditës, shqipja e lashtë e dokumentueme nuk âsht marrë si komponente në këtë njësim gjuhësor. Normat për standardizimin në disa anë jane farkue nga nalt në mënyrë autoritare, jo demokratike. Ato mbështeten në një formë sinkronike të gjuhës shqipe në një variant toskë. Në këtë formë “gjuha e njësuar” e sotme mund të quhet thjeshtësim por jo njësim, mbasi në tê nuk janë integrue komponentet historike dhe kategoritë gramatikore bazore të trungut dhe trevës kryesore të shqipes. Këtë trung indoeuropeistët e quejnë tash mâ se 100 vjet “allgemeinalbanisch”. Pra âshtë e provueme shkencorisht se shqipja e ka një bazë të vetën themelore.
Historia e gjuhës shqipe, si dhe lânda dialektore që po mblidhet e shtohet dita ditës janë tue na bindë se asnjë variantë e shqipes (as gegënishtja veriore, dialekti mâ i pasun e me traditë mâ të gjatë) nuk i përmbledh në vetvete të gjitha kategoritë ose fenomenet gramatikore të shqipes së përgjithëshme. Për deri sa mos të sqarohen aspektet e ndryshme përmes studimeve mâ të thella të komponenteve të ndryshme të gjuhës, në këto kushte, edhe për të mos kriijue ma tepër pshtjellim, do të ishte e përshtatshme lânia e lirë e varianteve gramatikore në gjuhën e shkrimit së paku në gjuhë artistike. Kjo duhet bâ edhe për hir të klasikëve tanë, arbëreshë, toskë e gegë, që ata mos t’u [86] bâhen të huej gjuhësisht breznive të reja. Ndryshe nuk do t’i lêhej shteg i hapët gjuhës letrare për zhvillim të gjithmbarëshëm, tue ruejtë cilësitë themelore të gjuhës shqipe.”
M. Camaj, “Pjetër Bogdani, mjeshtër i gjuhës e i stilit”, Albanica, nr. 1, 1990, 80-89.
Burimi: Profili personal në Facebook i Agim Morinës.
BIOGRAFI E AUTORIT
Martin Camaj u lind më 21.7.1925 në Temal të Mbishkodrës. Në Shkodër ka kenë nxanës i shkollës së jezuitëve italianë, Collegium Xaverianum. Mbas shkollimit punote mësues në fshatnat malësorë. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë dhe mbas nji kohe qe i detyruem me jetue në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavinë fqinje.
Prej 1949 deri më 1955 studiote për sllavistikë, romanistikë dhe albanologji në Beograd.Filloi me punue disertacionin mbi Buzukun. Me ndihmën e ish mësuesve italianë u shpërngul më 1956 në Romë ku e mbaroi, më 1960, disertacionin. Prej vjetit 1961 punote pedagog albanologjiet në universitetin e Mynihut, prej 1971 deri më 1990 si titullar i profesurës së albanologjisë të cilën ai e kishte themelue.
Martin Camaj ka shkrue poezi, prozë dhe punime shkencore mbi shqipen dhe dialektologjinë shqiptare. Dy vëllimet e para poetike e kanë pá dritën e botimit qysh në Beograd. Vepra letrare e Martin Camajt përfshin gjithsejt nantë vëllime poetike, tre romane dhe nji vëllim novelash. Poezia e Martin Camajt u përkthye në gjuhët italiane, angleze dhe gjermane.
Martin Camaj ndërroi jetë në Mynih më 12.3.1992.
Për më shumë lexo: http://www.martin-camaj.de/sq/votra/martin-camaj/biografi.html