MIMOZA HYSA – GRYKA E VULLKANIT (tregim)

MIMOZA HYSA – GRYKA E VULLKANIT (tregim)

MIMOZA HYSA

GRYKA E VULLKANIT

Ajo e dinte se atje jetonin njerëz të mirë. Si shumë e thënë kjo frazë, po ja që besonte. Sa herë kishte qëlluar të kalonte andejpari me trenin përkundës e të ngadaltë të mbrëmjes ia kishte ngulur sytë disa minuta para se të shfaqeshin dritat në kodër. Natën kodra dukej si grykë vullkani prej ndriçimit të kuqërremtë veç në majë. Përqark e errët dhe Sina e kishte të qartë që ai ndriçim ishte shenjë e një shtëpie perëndish. Vetëm shenjtorët mund të ishin të qetë në mes të pyllit të errët dhe larg qytetërimit, të kishin një lumë gazi me drita. U nis pa u ndalur e me shpirtin që i gufonte. Më në fund ia kishte dalë të zbriste.

Kishte dashur kohë më parë ta bënte kur kishte bërë llafe keq me të ëmën. Ishte shuplaka e parë e fortë që i kishte ndezur surrat dhe vrap kishte marrë trenin pa një e pa dy. E dinte që e ëma do të sillej si e çmendur duke e kërkuar te komshinjtë e në kopshtin rreth shtëpisë, po nuk do ta gjente. Le të çmendej! Treni do ta çonte në mes të natës në shtëpinë e babait që nuk e kishte kuptuar asnjëherë në vogëli pse banonte katër orë treni larg.

E. Sina trenit i hipte shumë rrallë asokohe. Në mes të rrugës kur vagoni ishte bërë i frikshëm prej pasagjerëve të paktë, prej dy sarhoshëve që ia kishin ngulur sytë nga fundi i vagonit dhe po prisnin rastin për t’iu afruar, Sina pa shtëpinë me drita në majë të kodrës nga dritarja. Që atë çast i shndriti në mendje se mund të zbriste. Po ndërkohë që e mendonte treni ishte rinisur duke e lënë pas pishtarin ndriçues. Gjysma tjetër e rrugës kishte qenë një pendesë pse kishte ikur nga një shpullë, një drithërimë prej frikës së pasagjerëve në vagon e për më tepër tmerrit nga trokitja natën në shtëpi të babait. Ai mund të ishte xhind atë natë. Më të shumtën e herëve kur e kishte takuar kishte qenë xhind. Domethënë me mendjen avull e furtunë, i nevrikosur me botën dhe atë që guxonte të trokiste në mes të natës. Po ishte fat dhe të ishte xhind, se mund të mos ishte fare. Dhe do t’i duhej ta kalonte natën në oborrin e shkretuar e pa gardh ku nuk kishte as gëmusha për t’u fshehur. E kishte mbajtur kokën gjatë pas dhe herë të tjera duke ia ngulur sytë grykës së vullkanit të ndezur ku besonte se do të ishte ndjerë rehat.

Ndodhi që një herë, në kulmin e marrisë së udhëtimit, kur kishte njohur një djalë me sy të kaltër përballë që ia kishte marrë mendjen me rrëfime përrallash, gryka kishte kaluar pa e parë dhe kishte menduar se kishte qenë udhëtimi më i bukur në jetën e saj. E kishte shtrënguar fort dorën e djalit sykaltër në të zbritur pa mundur ta lëshonte. Dhe që atë natë kishte shkuar në shtëpinë e tij. Kishte qenë një shtëpi me oborr me gëmusha të larta e lule vjeshte. Po shumë shpejt kishte mësuar të flinte në gëmusha. Se shumë shpejt sytë e kaltër të djalit ishin bërë xhind. Dhe në kthim e kishte pasur mendjen top të ndalej në grykën e vullkanit. Po kthimi bëhej ditën dhe nuk kishte mundur ta dallonte kodrën. Nuk i interesonte të zbriste në një stacion të shkretë çfarëdo. Kishte dashur veç dritat e largëta të festës në majë mali. Në shtëpi kishte ngrënë dyfish shpulla të nxehta nga e ëma meqenëse ishte bërë një njeri dyfish, me një bark të madh sa dy kokat e tyre bashkë. Nuk e kishte marrë më trenin për vite të tëra, se xhindi larg saj, shpresa e vetme e arratisë kishte vdekur dhe nuk e priste më as oborri pa gëmusha a as ai me gëmusha. Tashmë shtëpia e nënës, me shpulla a pa shpulla, ishte shtëpia ku mund të rriste fëmijën e xhindit riosh sykaltër. Kur vajza e Sinës i hypi për herë të parë trenit për të shkuar te rioshi sykaltër nuk i kishte mbushur tetë vjeç. Sina asnjëherë nuk i kishte thënë se qyteti kishte tren e as se ku mund të shkohej prej aty. Kur nuk e gjeti vajzën në gëmushat e oborrit e as te fqinjët, Sina pa me dyshim sytë e plakur e qesëndisës të së ëmës. Sina nuk mund të ishte më e mirë se ajo. Do të duhej ta provonte ankthin e arratisë së fëmijës dhe ta ngrinte lagjen në këmbë. Nëna nuk do të tundej nga vendi për t’i thënë kush ia tregoi stacionin vajzës. Po këtë Sina nuk do t’ia falte. Do ta vinte të prehej përgjithnjë nën gëmushë, edhe pse vajzën nuk e kthente dot pas. Atëherë kishte marrë trenin e darkës sërish, atë që i tregonte vullkanin e dritave dhe më në fund ishte ndalur. E vetme në terr në një stacion mjeran pa drita. Do t’i duhej të ecte gjithë natën në pyll për të arritur majën. Por mbërriti në të gdhirë, kur dritat ishin fikur dhe te pragu e lanë forcat e u shemb përdhe. Përqark një oborr si grykë vullkani me shumë xhinde që gërmonin ethshëm.


Biografi e shkurtër e autores

Mimoza Hysa ka kryer studimet universitare në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, për Gjuhë dhe Letërsi Italiane. Është diplomuar gjithashtu për Letërsi dhe Kulturë Italiane nga ICoN (Bashkësia e 22 Universiteteve Italine). Aktualisht është Doktorantë në fushën e Studimeve Letrare pranë QSA-së.

Me përvojë të pasur në fushën e letrave: si përkthyese e autorëve të rëndësishëm të letërsisë italiane (Magris, Montale etj.), si shkrimtare e tre veprave në prozë, si studiuese e letërsisë shqipe dhe letërsisë së huaj, me pjesëmarrje aktive në shtypin e shkruar. Me përvojë në hartimin, drejtimin dhe zbatimin e politikave kulturore në bashkëpunim me organizata kombëtare e ndërkombëtare, në hartimin e platformave dhe projekteve kulturore në veçanti në fushën e librit.

Fituese e disa çmimeve kombëtare në fushën e krijimtarisë, si dhe fituese e Çmimit Kombëtar të Përkthimit për vitin 2014, akorduar nga Ministria e Kulturës Italiane. Në vitet e fundit ka mbuluar detyrën e Këshilltares së Ministres për çështjet e kulturës, si dhe ka drejtuar Drejtorinë e Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!