NAIM FRASHËRI – FJALËT E QIRIRIT (cikël me poezi)

NAIM FRASHËRI – FJALËT E QIRIRIT (cikël me poezi)
NAIM FRASHËRI

FJALËT E QIRIRIT (cikël me poezi)

FJALËT E QIRIRIT

Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t’u ap pakëzë dritë,
Natënë t’ua bënj ditë.
Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
Njëri-tjatërin të njihni.
Për ju do të rri të tretem,
Asnjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qanj me lot,
Se dëshirën s’e duronj dot.
Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s’dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t’u ndrinj më mirë.
Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,
Unë jam në shpirtit tuaj,
Mos më kini për të huaj,
M’është falurë durimi,
Andaj po digjem si trimi,
Se ma k’ënda t’u bënj mirë,
Të mos mbeti n’errësirë.
Jakëni rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini,
Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,
Lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,
Dua ta djek trupn’ e shkretë
Për atë zotn’ e vërtetë.
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë,
Bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
Unë dua njerëzinë,
Mirësin’ e urtësinë,
Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si u dua,
Njëri-tjetërin në doni,
Të paudhë mos punoni.
O zëmëra fluturake,
Qasju pakë kësaj flake!
Mase krahët t’i përvëlon,
Po dhe shpirtin ta shënjtëron.
Unë duke përvëluar,
Njerëzit i kam ndrituar.
Kam qënë mik me njerinë,
Andaj i di e më dinë.
Gjithë tuajt’ i kam parë,
Mëm’ e at’ e fis e farë,
Si tani gjithë i kam ndër mënt,
Që rrininë më këtë vënt.
Edhe sot nër ju ata shoh,
Se shpirtin e tyre ua njoh,
Dhe unë si ju jam ndruar
E jam përzjer’ e ndryshuar,
Pa jam bërë shumë herë
Zjar e uj’ e balt’ e erë.
Jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.
Edhe ndër qiej fluturonj,
Edhe brënda në det qëndronj,
Shumë herë fle në baltë,
Diku ndodhem dhe në mjaltë
Bënem qëngj e kec i pirë,
Lul’ e bar e gjeth i mbirë.
Dua shumë fjalë t’u them,
Po trëmbem mos i bënj ujem.
E ku shkruhenë në kartë
Fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?

GJUHA JONË

Vëllezër shqipëtarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëm’ udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.

Shqipëria ka qënë
Edhe po do të jetë,
Po sot në ditët tënë
Të metë të mos ketë.

E ka nderuar zoti
Gjithënjë Shqipërinë,
Ish fort mirë qëmoti,
Do bëhet dhe taninë.

Sa ishte trimëria
N’atë kohë të vjetrë,
Kish emrë Shqipëria,
Sa s’kish nonjë vënt tjetrë.

Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipëria
Më pastaj e më parë,
Q’i shkruan istoria!

Ajo ish koh’ e zjarrtë
Dhe kish mundime tepër,
Po sot pëndë dhe kartë
Na duhet, nukë tjetër.

O burra, shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s’është koh’e parë,
Tani lipsetë dritë.

Të shkruajm’ gjuhën tënë,
Kombinë ta ndritojmë,
Gjithë ç’është e ç’ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.

pa shihni ç’gjuh’ e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç’e bukur’edh’e lirë,
Si gjuhë perëndie.

Shum’e bardhë kjo ditë
Për gjithë shqipëtarët,
Do na sjellë një dritë,
Që s’e kishin të parët.

Kjo dritë do na bjerë
Të gjitha mirësitë
Dhe gjithë do t’i ngrerë
Dëmet e marrëzitë.

Si lum kush zë të mbjellë,
Lum kush vë këtë pemë!
Se kjo ka për të pjellë,
S’mbulohetë me remë.

EMRI I ZOTIT

Zot i vërtetë,
Bota e tërë
Gjithë ç’ke bërë
E ç’ka në jetë
Të gjitha ç’janë
Yje dhe diej,
E dhé e qiej,
Një gjuhë kanë,
Që thotë emrin tënt!

Ngado që shikonj,
Atë emër dëgjonj.
E shoh më ç’do vënt.
Dheu, që rrimë ne,
Duke mbleruar,
E kam dëgjuar,
Që thotë se ç’je.
Yjtë me dritë,
Duke kërcyer,
E duke kthyer,
Nat’ edhe ditë,
Re me gjëmim
Zoqtë me fjalë,
Deti me valë,
Lumi me rrëmbim
Lulja me erë,
Dhe me bukuri,
E me mituri,
Kur çel në verë,
Emrin tënt thonë,
Ty të tregojnë
E të lëvdojnë,
Ty gjithë monë!
Po njeriu, o Zot!
S’ta di emrin tënt,
Se s’gjendet me mënt.
Ah! S’e thotë dot;
Njeriu nukë munt,
Se gjuhë s’i dhe
Që të thotë ç’je,
O fuqi pa funt!
Dielli kur del,
A tek perëndon,
Zogu kur këndon,
E gjethi tek çel,
Bukur tregojnë,
Emrin që ke,
Rrëfejnë ç’gjë je,
Dhe më gëzojnë.
Në gjithë botë
Vetëm njeriu s’di
Rri si çilimi
E s’mundet ta thotë!
Me zë të zjartë,
Donja të flisnja,
Edhe t’i grisnja,
Retë si kartë,
Si vetëtima;
Apo si lumi,
Që s’e zë gjumi,
Me oshëtima!
Falmë nga togu
Q’është e ç’shohëm
Nga gjithë ç’njohëm,
Zën’ e një zogu,
Të rri më një vënt,
Edhe më lerë,
Të them një herë,
Një herë emrin tënt.

DËSHIRA

Zot!
Sot
Jam,
Kam,
Shoh,
Njoh,
Rronj,
Shkonj;
Kam gas
Dhe flas
E them
Të kem
Ditë,
Dritë,
Jetë,
Vetë,
Ah, dua,
Që thua,
Të mos vdes,
Po të mbes
Përjetë
Të ketë
Shpirti im
Pa mundim
Shëndenë
Të jenë
Me mua
Sa dua.
Sonte jam gjall’,
E jam mirë,
Po kam dhe mall
E dëshirë,
Zot i vërtetë
I gjithësisë!
Të rronj përjetë
Ndaj njerëzisë!
Ti ke në dorë,
Çdo gjë që të duash;
Nukë je i gjorë,
Arrin që të thuash;
Pa bëhenë gjithë ç’dua,
Po të më dëgjosh mua,
Le të bëhetë thua,
Dhe gjithë janë bërë!
Atë që thua ti vetë,
Zot i math e i vërtetë!
Ajo bënetë në jetë,
Edhe mbaronet’ e tërë!
Ti epi jetë njerëzisë,
Shto e beko dhe bagëtinë,
Se ti je Zot’ i gjithësisë,
Në dorëz’ e ke mirësinë
Njerëzis’ epi jetë të gjatë,
Mundimet fare nga jeta ngreji,
Djepinë shkret’ e lugënë thatë
Mos e shih kurrë, po mbushur leri.
Fal
Dhe ep
Gjithë ç’ke
Nga të mirat,
E të pështirat
Hidhi tutje,
A vari më ndonjë grep,
A mbuloji më ndonjë mal,
E lërë vetëm mirësitë,
Fal edhe dritë e jet’ e ditë
Le të prehet gjithë njerëzija
E të mos ketë kurrë të këqija;
Ligësitë, djallëzitë e marrëzitë
Le të mos rrojnë paskëtaj edhe një ditë
Veç mirësija në këtë jetë të mbretëronjë,
Urdhëri yt, puna jote, Zotth’ i math e i vërtetë,
E vërteta le të rronjë, gënjeshtra le të pushonjë
Bëj si të duash, ç’të them unë Zot i vërtetë? Ti e di vetë!

KORÇA

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq’ e mir’e kaq’e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!

Kjo është një dit’e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.

Ta lusimë këtë ditë,
Q’e bekoi zot’i vërtetë
Dh’e dërgoi me shumë dritë,
T’i mbes’emëri përjetë.

Sot e vumë gurr’e parë,
Sa’ësht’e bekuar kjo ditë!
Zot’i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!

Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh’e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.

Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht’e shtije,
Mbretëron fjal’e vërtetë,
Dhe të mirat gjith’i bije.

Zot’i math qoft’i lëvduar,
Q’e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo si ka buruar,
Pa e ndritur jetën.

Lumja ti, moj korç’o lule,
Q’i le pas shoqet’ e tua!
Si trimi në ball’u sule,
Ta paçim përjetë hua!

Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s’i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo ë’shtë mëm’ e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gazthin e vëllazërisë,
Njerëzin’ e miqësinë.

S’jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Ne kët’emër nder’e kemi.

Ky emr’ është shum’ i mirë,
Se më s’jemi të gënjyer,
Nukë jemi n’errësirë,
E njohëmë gjën’ e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun’e keq’e shum’e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh’e gjenë me perëndinë.

Nga gjithë ç’kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s’mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt’ e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft’ e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

Fjalët e qiririt
TRADHËTORËTË

Shokë, kemi në mest tënë
Shum’ armik’ e trathëtorë!
Popo! mos u qoftë thënë!
Veç që s’kanë gjë në dorë.

Harruanë mëmëdhenë
Dh’ e lanë kombinë tënë
E një tjatërë na gjenë!
Popo! mos u qoftë thënë!

Lanë zonjën e lëvduar
E zunë një kurvë shtrigë,
Të ndyr’ e të mallëkuar,
Të fëlliqur e të ligë.

Lanë mëmën të xhveshur
Dhe mundohenë për botë,
Pa dhe bota duke qeshur
U thotë: mundohi kotë!

Qysh u bënë Efialtë
E nuk e njohin të mirën,
Uthullën pandehin mjaltë
Edhe dritë errësirën!

Buk’ e mëmëdheut zëntë
Tradhëtorët e pabesë!
Dhe Zoti dërrmën u dhëntë,
Kurrë mos paçinë pjesë!

Miqt’ armiq i kanë bërë,
Armikëtë miq i zunë,
Qysh janë fyell të tërë!
Ç’është kjo e madhe punë!

Fajn’ e math kur do ta njohin
Njerëzit e mallëkuar?
Dritënë pse nuk e shohin,
Apo janë të verbuar?

Janë së gjithash të marrë
Dhe të liq me të vërtetë,
Mëmëdheut bëjnë varrë,
Po do të bienë vetë,

Se mbretëron e vërteta,
S’del kurrë gënjeshtr’ e shkretë
T’ish ashtu, qe prishur jeta,
S’kish mbetur gjë e vërtetë.

Ata turpinë fitojnë,
Nder’ e tyre posht’ e hedhin
Dhe armikëtë gëzojnë
E në errësirët bredhin.

Nuk është kurrë haruar
Dh’e mira dh’e lig’ e shkretë,
Të gjitha janë paguar,
S’ka mbeturë gjë në jetë.

Lerini, pa do ta gjejnë,
Të vërtetën do ta njohin,
Se tani s’e dinë ç’bëjnë,
Janë të verbër e s’shohin.

O, popo ç’turp kanë marrë!
Janë bërë tradhëtorë
Dhe s’janë më shqipëtarë,
Se nga kombi hoqnë dorë.

Me të huajnë u bënë,
Me armikn’ e Shqipërisë,
S’duanë gjuhënë tënë
Armikët’ e Perëndisë!

Ndjej, o Zot, se nukë dinë
Se ç’bëjnë, janë mahnitur,
Rrahin të prishin shtëpinë
Pun’ e lig’ edh’ e mërzitur.

Të gjorët janë në gjumë,
Të vërtetënë s’e dinë,
Do të mundohenë shumë,
Pasdaj mënttë do t’u vinë.

Vëllazërin’ e harrojnë
Dhe kombin e mëmëdhenë,
Dhe armikëtë dëgjojnë
Edhe s’dinë se ku venë.

Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithni mëntt’ e tupërohi,
Mos u bëni trathëtorë,
Se pasdaj do të pendohi.

ZOGU DHE DJALI

Një zok të bukur zuri një djalë,
Ay po dridhej dh’e i thosh ca fjalë:
“Nukë të vjen keq që jam i mitur,
Si ti i vogël e s’jam dhe rritur?
Jam bir i vetëm e mëma më pret,
E kam lënë keq brenda në folet.
Dheu me dëborë qjith’ u mbulua,
Më s’ka mbetur dhe gjëkunt pothua!
Vuanj i gjori dit’ edhe natë
E s’gjenj dot asnjë druthë të thatë!
E sheh sa u prish fort i shkreti mot,
Urie vdiqmë, më s’durojmë dot,
Zemërsë sime i lidhe gur,
Po mëm’ e zezë q’ësht’ e sëmurë?
Kërkonj e kërkonj, e kam që dije
Që s’munt të gjenj dot gjëzë t’i shpije.
Ah! kjo e keqe këtu më pruri,
E gracka jote ra e më zuri!

Më pret im mëzë, si ty jot ëmë.
Të mos t’i vete, ç’bënetë prëmë?
Të zesthitë na, përse na ngini?
Në punët tënë përse s’na lini?
Kam dhe unë shpirt dhe dua të rronj,
Të lëçinj, të breth, të los, të këndonj,
Unë, që s’kam ment, {si thotë njeriu),
Kujt i bëra keq? Ç’bëra un’ i ziu?
Le, mos më mundo, se Zoti të sheh,
Të mirën’ edhe të ligën’ e njeh,
E s’do të ligën, po do të mirën,
Do butësinë, nuk’ egërsirën,
Të drejtënë do dhe urtësinë,
S’do faqezinë e babëzinë,
Mua të lirë më bëri Zoti
përse me bën rob? Nga un, Ç’do ti?,.,.
Fjalët’ e zogut djali i dëgjoi,
Qau edh’ e puthi, pastaj e lëshoi.

FALJA

Zot i math e i vërtetë
Që kreve ç’shohëm në jetë,
Edhe të tjerë që janë
Pa funt pa krye pa anë,
Edhe kudo je ti vetë,
Syri yn tekdo shikon,
Që nga lint e gjer tek perëndon,
Më çdo vënt të sheh fuqinë,
Urtësin’ e madhërinë,
Falna gjithë mirësitë,
Epna dituri e dritë,
Tregona udhën’ e mirë,
Mos na lerë n’errësirë,
Dhurona gjithë të mirat,
Mërgona nga të pështirat.

Zot! falna vëllazërinë,
Dashurin’ e miqësinë,
Epna dëshirë të msojmë,
E të mirat të punojmë,
Bëna të but’ e të qetë,
E të urt’ e të vërtetë,
Jetënë ta trashëgojmë.

UJKU DHE QENGJI

Ujku pa fe
Erth në kope
Dhe, si s’pa qën,
U fut nër dhën,
Një qënq zuri
Zëmërguri.
Qëngji i tha:
“Ore vëlla?
E po përse?
As më rrëfe
Se ç’faj të kam?
I vogël jam.”
Ujku i tha:
“Do të të ha!
A e mba mënt
Më këtë vënt
Kur më shave?
Më the xhave!”
Qëngj’ i thotë:
“E ke kotë,
Unë sivjet
Jam përmbi dhet.”
“Mase, i tha,
Qe yt vëlla.”
“Vëlla, tha, s’kam,
I vetëm jam.”
“Fort mir’, i tha,
S’paske vëlla,
Po jot ëmë
Ç’pati prëmë
Që më qërtoi
E më kallëzoi?
Do më zinin,
Të më vrinin!”
Qëngji i tha:
“Dy muaj ka
Që s’më rron më,
Ah, ah, im më!”
Dhe s’duroi dot,
Po qau me lot.
“E yt atë,
Një brigjatë,
Më pat vrarë
Mon’ e parë,”
Tha makuti,
Shpirtladuti,
Dhe më s’mënoi;
Më s’e mundoi,
Po posht’ e vu
Edhe e zu
Nga lëfyti
Edh’ e mbyti,
Se të ligut,
Zëmërshtrigut,
Nuk i vjen keq
Për një që heq.

PERËNDIJA

Rri mejtohem shumë herë
Tek perëndon yll’i zjarrtë,
Edhe hapetë një derë,
Soje rrjeth një drit’ e artë.
Retë, nga pak’ e nga pakë,
Marrën një tjatër fytyrë,
Bënenë të kuqe flakë,
E deti ndrin si pasqyrë.
Oh! sa të bukura janë
Fushatë që gjelbërojnë,
Qiejtë që s’kanë anë,
Luletë që lulëzojnë,
Zoqthitë që flasin belbër
E fluturojnë ndë erë,
Pyll’i veshur më të gjelbër,
Deti i qet’ e i gjerë,
Lumi që nxjerr oshëtimë,
Që bubullin nëpër male
Dhe ikën me fishëllimë
Nëpër fusha me ngadale,
Brigjet’ e veshurë me bar,
Me lule, me gjeth, me fletë,
Rrahurë n’ergjënt edhe n’ar,
Ahu me krye përpjetë!
Më çdo kënt edhe më çdo vis
E më çdo çuk’ e çdo brinjë
Shoh një plep, një vith a lis,
Një qarr, një bush, një dëllinjë.
Hap sytë dhe përqark shikonj
Fushë, limë, brigje, male,
Edhe të shkuarat kujtonj
Një nga një, dalëngadalë.
Për ata që janë ndarë
Prej nesh, që rrinim gjithë tok
Edhe më s’i kemi parë,
Që i patmë shpirt edhe shok,
Zëmëra më përvëlohet
Edhe them vallë ç’u bënë,
Kur shoh që koha po ndrrohet
Dhe të mugëtit ka rënë,
Po rrjeth nëpër hapësirë
Edhe sa vete po shtohet,
Lint nata me errësirë,
Dheu e qielli ndryshohet.
Kështu rrotullohet moti,
Yjt’ e hëna sytë hapin
Dhe pas nomit q’u vu Zoti
S’rrinë, po gjithënjë çapin.
Lumi me një psherëtimë
Ikën edhe vete në det,
Dëgjohet një bubullimë,
Që përhapetë përmbi dhet.
Duke shkuar dit’ e net,
E duke ndërruarë moti,
Vemi si lumi në det,
Nga Zoti, prapë te Zoti.

SHKËNDIJË E DIELLIT NDAJ MANUSHAQES

Manushaqe bukuroshe,
Pse s’ngre kryete përpjetë,
Po rri e mpit’ edh’ e qetë,
Pse s’zbukuroh e s’shëndoshe?

Pa shiko lulet’ e tjera,
Q’u çel’ e u lulëzuan,
Shih, pa shih ç’u zbukuruan,
I ngjalli përsëri vera.

O lulez’ e Perëndisë,
Që të mbolli vetë Zoti,
Zgjohu tani q’u ngroh moti,
Erdhi koh’ e gjallësisë ;

Se dheu anembanë mbleroi,
E të vdekurit’ u ngrinë,
Gjithë ç’jan’ u përsërinë,
Zoti nga gjum’ i rënd’ i zgjoi.

Më dërgoi dhe tek ti Zoti,
Që të t’ap jetëz’ e ditë,
Të të bije shpirt e dritë,
E të bëhesh si qëmoti.

Prej qiellit bukurinë
Edhe nga parajsa ere
Të kam prurë këtë herë,
Po hape, pa hape gjinë.

Hap syt’ e qesh dhe gëzohu,
Se gaz të math të kam prurë,
Mos më rri si e sëmurë,
Po çelu e zbukurohu.

Shpendëra, hithëra, ferra
përsipër të kanë rënë,
Dritënë t’a kanë zënë
Me fletë shumë të gjera;

Të kanë kallurë gjemba,
Që të çpojn’ e të lëndojnë
Edhe gjaknë t’a helmojnë,
Që të lëvrin nëpër rremba.

Dhe ca nga fletet’ e tua
Me të huaja përzjerë,
Secila do të të bjerë
Dëmn’ e vdekjenë pothua.

Oh! fletëtë që i rrite,
Duke nxjerrë nga gjiri yt,
T’u bënë si halë në syt
Pa m’u fishk’ e m ‘u drobite!

Dimër’ t math me dëborë,
Me të ftoh t’ e me të ngritë
E m’e gjithë ligësitë,
Të la të mjer’ e të gjorë;

Ah, ta zbriti bukurinë
Dhe gjellimn’ e gjithë ç’kishe,
Vdiqe, u trete, u prishe,
Të thatë të shoh taninë!

Po mos u tremp, beëhu trime
Edhe ki durim e shpresë,’
E pa silli Zotit besë,
Dhe kësaj fjalësë sime.

Dheu ishte një her’ i shkretë,
Gjë të gjallë nukë kishte,
Dhe fare i rjepur ishte
Pa fill bar e pa një fletë!

Ndaj soje gjë s’piperrinte,
Po brenda në atë brumë
Ishte një shpirt i math shumë,
Që prit kohë të buçinte.

Nga ay shpirt i pa anë
Gjërëra pa funt u ngrinë,
Që edhe sot ven’ e vinë,
Edhe të sosurë s’kanë.

Kush pandeh’ të dil nga dheu
Gjithë ky rrëmet q’është sot,
Oh!preveç se i madhi Zot,
Që me dorët të ti e kreu.

Ay, i qofshimë falë
I dha shpesit fluturimnë,
Njeriut mendjen e mejtimnë,
Edhe njerëzi e fjalë.

Tani më kanë dërguar
Nga fron i lart’ i Perëndisë,
Si engjëllin e Marisë
Me frymë të shenjtëruar .

Më s’më mba as gjemp as fletë,
Se kam ardhur me shume mall,
Ndë gjithit tënt dua të ngjall
Zotn’ e math e të vërtetë.

ZONJ’ E FATIT

O moj plaka lozonjare,
Që ndjek fatn’ e njerëzisë
Dhe mas’ e peshë s’ke fare,
Po me shkop të marrëzisë.

Moj po me ç’sy e me ç’faqe
Më qasesh prap’ e më çfaqe?

Të shoh që vjen posi hije
Ngadalë si qën i qetë
Edhe hi syvet më shtije,
T’u thaft’ ajo dor’ e shkretë!

Ata sy të zgurdulluar
T’i shoh, o e mallëkuar!

S’je e verbërë, si thonë,
Që s’sheh, s’di se ç’bën në jetë,
S’je e shurdhër, pasha Zonë!
Dëgjon posi djalli vetë.

Po je e keqe dhe shtrigë,
E pabes’ e zëmërligë.

Ti fjalëtë i ke kthyer,
Prandaj na ke përvëluar,
A, popo, ç’na ke gënjyer!
Njeri s’të ka trashëguar.

Dhe kur ndrin, ndrin si lugati,
Prandaj s’të ka qëndrim fati.

Jakë, se jam dëshëruar
E më s’e duronj dot vrerë,
Qesh, mos rri e zëmëruar,
Makar për një copë herë.

Qesh një herë, o leshrakrënde,
Me të qarë nuk u dënde?

PELLAZGËT – SHQIPTARËT

Ishte një ditë
Që pellasgjitë
Posi një dritë
Mbuluan dhenë
Duall ng’ Asia
Si mizëria
Dhe me ania
E hodhë denë.

Pas pakë herë,
Duke përzjerë
Ca me të tjerë,
Bënë elinët,
Dhe duke ndarë
Syresh një farë,
Si ka të ngjarë,
Bëri llatinët.

Edhe të tjerët
E më të ndjerët,
Të papërzjerët,
Pellasgjinj mbenë
Maqedhoninjtë
E ilirinjtë
E mollosinjtë,
Gjith’ ata qenë.

Dhe ata janë
Prindërtë tanë,
Pastaj na thanë
Na shqipëtarë
Mundim të themi
Ne ata jemi,
Atë gjak kemi,
Si dhe shtyparë.

Thot’ Herodoti,
Në Tomor zoti
Shtëpi qëmoti
Kishte Dhodhonë
Eshtë m’e vjetër
Ngaha çdo tjetër,
Shumë më tepër,
Kjo gjuha jonë.

Ne kurdoherë
Burra të ndjerë
Edhe të vlerë
Jemi treguar;
Me grekërinë
Dhe me Persinë,
Me gjith’ Asinë
Kemi lëftuar.

Me Lekën vamë,
Muntmë Daranë,
Datën i dhamë
Gjithë Asisë
Burr’ u dëftyem,
Të gjith’ i thyem,
Përmbys e kthyem
Fron’ e Persisë.

Të tërë dhenë,
Den’ e sterenë,
Sa kombe qenë
Në këmb i vumë
Dhe mbretëruam
Kudo që shkuam,
Tekdo lëftuam,
Vëndin e zumë.

Me Pirron vamë
Romës i ramë,
Llatint’ i vramë
E i tmeruam;
Me Skënderbenë
Tyrqve sa qenë
U dhamë dhenë
Dhe i dëbuam.

Kush i goditi
Posi petriti
E i cfiliti
Tyrqit, barbarët?
Bota s’kuxonte
Që t’u qëndronte,
Po kush lëftonte?
Ne shqipëtarët.

Pastaj u ndruam,
Se s’kupëtuam
Dhe nuk e çquam
Të mirën tënë
Gjaknë për botë
E derthmë kotë,
Njeri ç’të thotë?
Nuk ishte thënë!

Mbajtmë Tyrqinë,
Ngjallmë Greqinë,
Ndihm’ Italinë.
Po Shqipërinë?
Pse s’u munduam?
Për kë lëftuam?
Neve ç’fituam?
Ç’kemi taninë?

MEJTIMI

Rri mejtohem shumë herë
Tek perëndon yll’i zjarrtë,
Edhe hapetë një derë,
Soje rrjeth një drit’ e artë.
Retë, nga pak’ e nga pakë,
Marrën një tjatër fytyrë,
Bënenë të kuqe flakë,
E deti ndrin si pasqyrë.
Oh! sa të bukura janë
Fushatë që gjelbërojnë,
Qiejtë që s’kanë anë,
Luletë që lulëzojnë,
Zoqthitë që flasin belbër
E fluturojnë ndë erë,
Pyll’i veshur më të gjelbër,
Deti i qet’ e i gjerë,
Lumi që nxjerr oshëtimë,
Që bubullin nëpër male
Dhe ikën me fishëllimë
Nëpër fusha me ngadale,
Brigjet’ e veshurë me bar,
Me lule, me gjeth, me fletë,
Rrahurë n’ergjënt edhe n’ar,
Ahu me krye përpjetë!
Më çdo kënt edhe më çdo vis
E më çdo çuk’ e çdo brinjë
Shoh një plep, një vith a lis,
Një qarr, një bush, një dëllinjë.
Hap sytë dhe përqark shikonj
Fushë, limë, brigje, male,
Edhe të shkuarat kujtonj
Një nga një, dalëngadalë.
Për ata që janë ndarë
Prej nesh, që rrinim gjithë tok
Edhe më s’i kemi parë,
Që i patmë shpirt edhe shok,
Zëmëra më përvëlohet
Edhe them vallë ç’u bënë,
Kur shoh që koha po ndrrohet
Dhe të mugëtit ka rënë,
Po rrjeth nëpër hapësirë
Edhe sa vete po shtohet,
Lint nata me errësirë,
Dheu e qielli ndryshohet.
Kështu rrotullohet moti,
Yjt’ e hëna sytë hapin
Dhe pas nomit q’u vu Zoti
S’rrinë, po gjithënjë çapin.
Lumi me një psherëtimë
Ikën edhe vete në det,
Dëgjohet një bubullimë,
Që përhapetë përmbi dhet.
Duke shkuar dit’ e net,
E duke ndërruarë moti,
Vemi si lumi në det,
Nga Zoti, prapë te Zoti.

NË DASHTË ZOTI

Nastradini ish qetuar
Dhe po rrij duke mejtuar;
Po përnjëherë u zgjua,
Së shoqes i tha: “O grua,
Nesërë jam për në veshtë,
Se s’kam vatur këtë vjeshtë,
Sindëkur vinja qëmoti.”
Plaka tha : “Në dashtë zoti.”
Nastradini i tha : “Unë
S’e këllas zotnë në punë,
E shoh vetë punën time,
E nuk e vë nër mundime,
Që të doj’ a të mos dojë,
Se nukë më flet me gojë.”
Kështu the, o jetëgjatë!
Papo u ngrite me natë,
More shportat e gomarë,
Po s’të vate udha mbarë!
Për rrush del njeriu i mjerë
E sjell shkarpa shumë herë.
Gjithë bota po punonin
E udhëtë po ndrejtonin.
Nastradinë kur e panë,
E zun’ e më nuk e lanë:
Gjithë ditën gur’ i gjori
Mbajti edhe pagë s’mori.
I këputur, i drobitur,
I lodhur, i kahënitur,
Natën në t’errët u kthye,
Me pluhurë mbi qyrdye!
Erth më der’ e trokëlliti,
E shoqja nga shkalla zbriti,
Tha : “Kush ësht’ aty më derë?”
Pa tha Nastradin’ i mjerë:
“Në dashtë zoti, jam unë,
Që vajç’ e s’bëra dot punë!”
Pa më nesëret një fqinjë,
Q’ish i varfër e pa linjë,
Erth e i kërkoi gomarrë,
Duke thënë ca më parë:
“Jemi pa buk’ e pa ngrënë,
Në mulli drithë kam shpënë,
Gjer më tani është bluar,
Po s’kam kafsh’, o i uruar.”
Nastradini, pa mejtuar,
Tha : “Për dru e kam dërguar,
Ka vaturë që me natë,
I varfëri veshgjatë.”
Ajy tha “e kam dërguar”,
Gomari palli në quar!
Fqinja tha : “Pse më gënjeni,
Të drejtënë s’ma rrëfeni?
Ja se ku pëllet gomari,
Qysh e ka marë druvari!”
Nastradini tha : “S’kam parë
Kshu, të besojnë gomarë!
Me fjalën time s’je nginjur,
Që jam sot plak e i thinjur,
Po dëgjon gomarrë ç’thotë,
Q’është pa mënt e flet kotë.
Njeriu që dëgjon gomarrë,
S’e ka punën mbroth e mbarë.”
Kështu tha, po të vërtetën
E thosh gomari, të shkretën.


Dy fjalë për autorin

Naimi lindi në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës fisnikësh e timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit.

Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte turqishten osmane, arabishten dhe persishten në Teqenë e Frashërit, si myhib bektashi. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869. Në “Zosimea” mori një kulturë të gjërë për kohën, u njoh me kulturat klasike, mësoi gjuhën greke dhe gjuhën frënge. Atje ra në kontakt me idetë e iluminizmit frëng dhe veprat e Rusoit e Volterit.

Më 1871 shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj, sepse dhembja e kraharorit e detyroi të kthehej në Janinë. Në vitet 1874-76 punoi si drejtor dogane në Sarandë. Sëmundja e kraharorit dhe dhembjet në gjunjtë nga reumatizma, e shtrënguan të largohej nga Saranda dhe shkoi për kurim gjashtë muaj në banjat e Badenit në Perandorinë Austro-Hungareze. Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash (ashari mydiri) në Berat. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit dhe Kontrollit dhe më vonë, të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të zëvendësministrit të Arsimit. Më 14 gusht 1882, nënshkroi lejen për botimin e Gramatikës së Kristoforidhit. Pas arrestimit të Abdylit në Janinë në fund të prillit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Mori pjesë në punën e Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip.

Në vitin 1884 u shfaq revista shqiptare “Drita” me redaktor Petro Poga dhe më vonë Pandeli Sotiri, ndërsa Naim Frashëri ishte redaktor i fshehtë pasi që në atë kohë shqiptarët muslimanë nuk lejoheshin të shkruanin shqip nga autoritetet osmane. Autoritetet osmane ndalonin shkrimin e shqipes, si rrjedhojë veprat publikoheshin jashtë shtetit dhe Frashëri përdorte inicialet N.H.F. Në një letër të vitit 1887, Frashëri shprehte mendimet e tij mbi gjendjen e Perandorisë Osmane në atë kohë. Sipas tij zgjidhja më e mirë për të ardhmen e shqiptarëve ishte bashkimii i Shqipërisë me Austro-Hungarinë.

Mbylli sytë më 20 tetor 1900.

Riatdhesimi i eshtrave

Eshtrat e Naimit shteti shqiptar i solli në Shqipëri në kuadrin e 25-vjetorit të Pavarësisë, më 2 qershor 1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit. Shefki Shatku, nënkolonel, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, që i solli eshtrat nga Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishtës. I përcjellur nga autoritetet, populli dhe Eshref Frashëri nga trungu i Dulellarëve, arkivoli me eshtrat e Naim Frashërit u vendos në Teqen Bektashiane të Tiranës.

Krijimtaria

Gjuhët e huaja të nxëna nga mësimet te para private dhe më tej përgjatë shkollimt në Janinë bënë që, sipas Robert Elsie, Naimi ishte një shembull parësor i intelektualit osman të shekullit të XIX që ndihej njëlloj i ambientuar si me kulturën Lindore ashtu dhe Perëndimore. Naimi është autor i gjithsej njëzetedy veprave: katër në osmanishte, dy në persishte, dy në greqishte dhe pesëmbëdhjetë në shqipe. Duke qenë se ishte në një post delikat si drejtor i këshillit të censurës në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë, me mundësi në disa raste për t’i bërë bisht ndalimit të librave dhe botimeve në shqipe nga ana e Portës së Lartë, Naimi e pa të arsyeshme të mos përdorte emrin e mbiemrin në shumë nga botimet e veta, por të shënonte vetëm ‘nga N.H.’, ‘nga N.H.F.’, ose ‘nga N.F.’

Busti në Tiranë

Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Me vjershat dhe poemat e tij i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Më 1880 shkroi të parën vepër shqip me përmbajtje atdhetare, poemthin “Shqipëria”, ku shpalli të gjitha idetë që përbëjnë trungun e veprës së tij atdhetare. Ky poemth do të shpërndahej në dorëshkrim mes bashkëatdhetarëve të tij, meqenëse qeveria osmane nuk lejonte asnjë shkrim shqip të botohej në Perandorinë Osmane, ndërsa jashtë kufinjve kishte mundësi të kufizuara botimi. Vetëm në vitin 1886 botoi në Bukuresht 6 vepra, “Bagëti e Bujqësija”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “E këndimit të çunave këndonjëtoreja” me dy vëllime, “Istori e përgjithshme” dhe “Dituritë”. Në vitin 1898 do të botonte poemën epike Istori e Skënderbeut e cila u bë një nga veprat më të lexuara gjatë Rilindjes.

Rëndësi të veçantë i dha botimit të librave për të cilët kishte nevojë shkolla shqipe.

Në gjuhë të tjera

Bashkë me të vëllain, Samiun, ishin tejet të interesuar për risimet filologjike. Vepra e parë e Naimit qe përpilimi i një gramatike të gjuhës perse “Rregullat e persishtes sipas metodës së re” (osman. e tejshkruar Kavâid-i farisiyye dar tarz-i nevîn) më 1871, nënshkruar Mehmet Naim, nëpunës i Drejtorisë së Shtypit. Duke pasur gjithsej ka 168 faqe, kjo vepër është e ndarë në dy pjesë: pjesa e parë ka 85 faqe dhe në atë jepen të dhëna rreth rregullave të gjuhës perse, sidomos për pjesën morfologjike të kësaj gjuhe, kurse pjesa e dytë e cila ka 83 faqe, përbëhet nga katër ushtrime dhe një fjalor në fund me disa fjalë persisht – osmanisht.

I përfshirë kultura perse dhe vargjet sufi të Saadiut, Hafezit, shkroi dhe botoi qindra vargje në persisht, duke ndjekur traditën e letërsisë perse dhe modelet e poetëve të parapëlqyer më 1884 vëllimin me poezi prozaike “Katër stinët” (osmanisht e tejshkruar Fusuli erbea). Më tej shkroi dhe botoi më 1885 vëllimin poetik “Ëndërrimet” (pers. Tehajjulat). Sipas një studimi të Abdullah Rexhepit, me shumë gjasë Naimi kishte lexuar edhe Rumiun, duke qenë se gjehen gjurmë të botëkuptimeve dhe ndikime të veprave të tij në opusin naimian.

4 thoughts on “NAIM FRASHËRI – FJALËT E QIRIRIT (cikël me poezi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!