RAMIZ GJINI – NDJEKËSIT (tregim)
RAMIZ GJINI
NDJEKËSIT (tregim)
Arkeologu Gjergj Tefiçi, dyzetë e tre vjeç, me çrregullime në prostatë, para se të dilte nga shtëpia, bëri ca veprime, që e shoqja e tij, Eleonora, i konsideronte fort të dyshimta: u la e u rrua, u spërkat edhe pak me livando dhe veshi një palë rroba të reja e të pastra.
Eleonora, një grua bufalaqe kjo, as e shëmtuar, as e pashme, xheloze sa s’thuhet, që për shtatëmbëdhjetë vjet martesë qe përpjekur ta mbante nën kontroll të shoqin, teksa mblidhte e hidhte në kosh rrobat e palara, vazhdonte ta hetonte me bisht të syrit.
“Po ky?! – tha me vete ajo,- çfarë paska ndërmend të bëjë?!”
Kur i shoqi doli jashtë, me pretekstin që të bënte, siç tha ai, një varravingo trotuareve, ajo hodhi shpejt krahëve një triko të hapur, që e pati thurur vetë me penj leshi, futi në këmbë një palë sandale gjysmë të shqepura dhe iu qep nga pas.
Jashtë, dita qe me diell, por në rrugë nuk kishte dhe aq shumë njerëz, sepse qe pasdite, kohë, kur shumica e tyre, ishin kthyer nga puna e qenë mbyllur nëpër shtëpi.
Eleonora e ndiqte të shoqin, nganjëherë ngadalë, mu si një patë e shastisur; e nganjëherë tjetër, nxitimthi, me tulet që i hidheshin përpjetë sa herë lëshonte hapin; gjithnjë e kujdesshme të ruante distancën, për të mos e humbur sysh e për të mos u pikasur prej tij.
Po ndodhi që e pikasi komshiu, nëpunësi i hipotekës, Llazar Simoni, që po kalonte atypari, me të cilin, ç’është e vërteta, nuk kishin marrëdhënie të mira.
Me ta parë Eleonorën të ecte në këtë mënyrë kaq të dyshimtë, edhe ai i bëri vetes të njëjtën pyetje:
“Po kjo?! Çfarë paska ndërmend të bëjë”?!
Aq kureshtar u bë Llazari, sa harroi që i duhej të shkonte për të tërhequr një shumë parash në bankë, dhe iu qep tinës Eleonorës nga pas. I ishte ngjallur kureshtje e madhe të shikonte ku do të shkonte kjo grua e çfarë kishte ndërmend të bënte!
Si përshkoi një copë rrugë duke çapitur me kujdes, herë nën hije të pemëve të trotuarit e herë tjetër përskaj mureve gjithë shkarravina dhe copëza pankartash të grisura fushatash të shkuara elektorale, Llazarit iu desh të fshihej pas trungut të një blini; sepse Eleonora e pati frenuar hapin. Ritmi i hapave të saj varej nga ai i hapave të të shoqit, që ato çaste pati ndaluar të shikonte një muzikant plak, i veshur me rroba të vjetra e të pista. Po Llazari nuk kishte si ta dinte, sepse e kishte larg Gjergj Tefiçin. Ai ndiqte vetëm Eleonorën.
Plaku kish zënë vend ulur përtruall, me kurrizin e pështetur për muri dhe i frynte gajdes, me shpresën që kalimtarët do t’i hidhnin ndonjë qindarkë. Po askush nuk ndalonte t’i jepte diçka si shpërblim për ato cingërimat e zgjatura vajtuese të asaj vegle të lashtë, që në të vërtetë, nuk dinte t’i binte.
Nganjëherë Eleonorës i duhej të shpejtonte hapin për të kaluar disa hapësira të zhveshura, si sheshe të vogla; sepse, nëse i shoqi kthente kryet prapa, rrezikohej ta pikaste. Nganjëherë tjetër i duhej ta ngadalësonte ecjen për të ruajtur distancën.
Të njëjtën gjë bënte edhe Llazari, që ndiqte nga pas Eleonorën.
I sëmuri me çrregullime në prostatë, Gjergj Tefiçi, si kaloi kryqëzimin, ktheu nga e majta dhe u fut në rrugën “Heronjtë e luftës”, që zgjatej përskaj parkut, ku tek-tuk, gjendeshin stola gjysmë të shkatërruar, në të cilët nuk ulej askush.
Parku nuk kishte njerëz. Ndodhej aty vetëm një gomar i lidhur për një shkurreje dekorative, i cili pati sjellë prej katundit dy kova me gjizë, që i zoti ua shiti tregtarëve të pazarit dhe pastaj u fut në gjellëtoren aty pranë të hante një pilaf.
Ndërsa Llazar Simoni ndiqte Eleonorën, ndodhi që krejt rastësisht, edhe Llazarin, e pikasi e shoqja, Ema, e cila po kthehej nga shtëpia e së motrës ku bujti natën që shkoi. Sapo i pati zbritur autobusit dhe kish marrë udhë në këmbë për të shkuar në shtëpi.
Nuk gjejmë fjalë ta përshkruajmë sa shumë u skandalizua Ema Simoni, kur kuptoi që i shoqi i saj, Llazari, ndiqte nga pas bufalaqen Eleonorë.
“Po ky?!- i tha vetes edhe ajo,- çfarë paska ndërmend të bëjë?!
Dhe menjëherë iu qep nga pas të shoqit.
Kësisoj, u bënë tre njerëz, që ndiqnin njëri-tjetrin.
Po nuk zgjati shumë, dhe në ecje e sipër, numri i ndjekësve erdh’ e u shtua.
Arkeologu i sëmurë, Gjergj Tefiçi, ishte koka e atij rreshti të gjatë spiunësh. Ai vazhdonte ecjen me hapa të vegjël, por disi të shpejtë, athua se e mundonte një siklet i madh.
Kur mbërriti në skajin tjetër të parkut, ndaloi dhe, teksa bënte hapa në vendnumëro, ia nguli vështrimin një gruaje të pashme, që ndodhej në krahun tjetër të rrugës, e që priste të ndizej drita jeshile e semaforit.
Kur vështrimet e tyre u takuan, gruaja i buzëqeshi dhe e përshëndeti me një lëvizje të lehtë koke.
Bufalaqja Eleonorë e pa këtë skenë dhe e bëri menjëherë lidhjen. Fytyra e saj u nxi si një petull e harruar, që digjet në tiganin sipër zjarrit, ku vlon vaj kikiriku.
Gruaja e pashme nxitoi hapat, kapërceu rrugën dhe u fut në hyrjen kryesore të një ndërtese të vjetër shtetërore, ku ndodheshin zyrat e Drejtorisë së Mirëqenies Kombëtare.
Arkeologu Gjergj Tefiçi vazhdoi të bënte edhe për pak kohë hapa në vendnumëro; pastaj u nis nxitimthi dhe vajti e hyri edhe ai brenda kësaj ndërtese, porta e së cilës nuk kishte roje.
Eleonora ra për pak çaste në dilemën: ta ndjekë, të mos e ndjekë? Sepse, si mund ta gjente ajo tani, në cilën zyrë ishin futur i shoqi dhe ajo gruaja e pashme?!
Edhe ndjekësit e tjerë prapa saj patën ndaluar në vend. Me sytë katër, ata mbanin nën vëzhgim njëri-tjetrin. Ishin çaste, kur misioni i tyre qe bërë për pak kohë kaps!
Pikërisht kur Eleonora i dha fund dilemës dhe vendosi të hynte në atë dikaster për të hedhë, të paktën, një sy korridoreve, i shoqi, që kishte problem me urinimin, pati mbaruar punë në nevojtoren që gjendej në katin e parë dhe doli prej godinës.
Me ta parë të shoqin të dilte prej aty, që të mos pikasej, Eleonora i ktheu menjëherë shpinën.
Të njëjtën gjë bëri edhe nëpunësi Llazar Simoni me Eleonorën; Ema me Llazarin; Lek Cubi me Emën; piktori Gjin Pali me Lek Cubin; polici Krroq Murdari me Gjin Palin; e kështu me radhë, deri te më i fundit në rreshtin e madh të ndjekësve, një farë Hisiç Finoku, agjent i rëndësishëm i sigurisë kombëtare, që ndiqte këshilltarin e presidentit të republikës, Ago Baftin.
Në karvanin e madh të ndjekësve, agjenti i sigurisë kombëtare, i cili pak më parë ndiqte i fundit, tashmë u bë i pari, që ndiqej nga këshilltari i presidentit të republikës. Dhe ai, që pak më parë ndiqej i pari, i sëmuri nga prostata, Gjergj Tefiçi, u bë i fundit në rresht, që ndiqte të shoqen, Eleonorën.
Dy fjalë mbi autorin
Ramiz Gjini ka lindur më 1961 në Kastriot të Dibrës.
Më 1992 përfundon studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku specializohet si aktor. Pas përfundimit të shkollës punon si redaktor i faqeve kulturore në gazetën “Rilindja Demokratike”. Në vitin 2000 emigron në SHBA, Nju Jork, ku jeton aktualisht.
Ka botuar vëllimet me tregime: “Dush varrezash” (1998), “Këpucët e të tjerëve mbi trotuar” (1999), “Atdheu prej dëbore” (2003), “Mendjet e njerëzve” (2005), “Rrëfime në hije” (2008), “Posta që sjell era” (2010) dhe romanet “Rrëketë” (2004), “Billboasit” (2010).
“Atdheu prej dëbore” (Patria de zapada) është botuar në gjuhën rumune i përkthyer nga Marius Dobresku.
Romani “Billboasit” ka fituar çmim si romani më i mirë i botuar gjatë vitit 2010.
“Pëllumbat e rrugës” është romani që përmbyll trilogjinë e rrëfimeve mbi ‘Bibollin’.
Të tjera rrëfime prej të njëjtit autor mund të lexoni këtu.