NDRE MJEDA – VAJI I BYLBYLIT (cikël me poezi)

NDRE MJEDA – VAJI I BYLBYLIT (cikël me poezi)

NDRE MJEDA

VAJI I BYLBYLIT (cikël me poezi)

GJUHA SHQYPE

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon;
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.
…………………………..

Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq.

Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
si nj’bij’ kjo që pa prind mbet:
për t’huej t’mbajshin dhenat tjera,
s’t’kishte kush për motër t’vet.

E njat tok’ që je tue gzue,
e ke zan’ tash sa mij’ vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.

VAJI I BYLBYLIT

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
pse po gjimon?

Pushoi murlani
me duhi t’vet;
bylbyl i vorfën,
Çou mos rri shkret.

Gjith; fushët e malet
blerim e mbëloj;
livadhi e pema
gjithkah lulzoj.

Ndër pyje e orgaja,
n’ma t’mirin vend,
me rreze dielli
po e gëzon gjith’kend.

E tuj gjimue
shikon rreth e rreth
nji prrue qi veret
rrjedh nëpër gjeth.

A çil kafazi,
bylbyl, flutro;
ndër pyje e orgaja,
bylbyl, shpejto.

Kerkush ma hovin
atje s’ta pret,
me zeher haejen
kerkush s’ta qet.

Kafaz ke qiellin,
epshin pengim,
e gjith ku t’rreshket
shkon fluturim.

Nëpër lamije
ke me gjet mel,
për gjith’prendverën
njajo buk t’del.

E kur t’zitë e di
ndër prroje pi,
te njato prroje
qi ti vetë di.

Tash pa frigë çerdhen
e ban ndoj lis;
nuk je si’i nieri
qi nuk ka fis

E kur t’vin zhegu,
kur dielli shkon,
ti ke me këndue
si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja
me t’ndie rri;
prej asi vendit
dahen me zi.

A çilë kafazi,
bylbyl, flutro;
ndër pyje e ograja,
bylbyl, shpejto.

Ndër tranfofille,
ndër zamakë nga;
ku qeshet kopshti,
idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,
dimni po shkon;
biylbyl i vorfën ,
pse po gjimon?

LIRIA

– I –
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n’ato maja;
mbi bjesh’ t’thepisuna e n’ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?

A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni!

“Lirim, lirim!” — bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t’mjerin e mblon anemban’ robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.
……………………………

– VI –
Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.

E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t’Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll’ për kasoll’ rreth buneve e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija

e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin’ ushtore
e idhnim n’armikun nëpër gji iu qitin.

E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.

Vaji i bylbylit
ANDRRA E JETËS (TRINA)

I

Molla t’kputuna nji deget,
dy qershia lidhë n’nji rrfanë,
ku fillojnë kufijt’ e Geget,
rrijnë dy çika me nji nanë.

Kreskë e bre perzie me lisa
rriten rrotull, me çetinë,
plepa t’but’ e qiparisa
mbëlojnë e veshin at’ ledinë.

S’ushton mali prej baktie,
s’fryn murrlani me duhi;
paq i kthelltë prej perendie,
paq prej njerit e qeti.

Gurra e lugut veç ushtonte
si lahutë me kangë kreshnike;
e ndër pemë bylbyli këndonte
valle dasmet e fisnike.

Ngreh, bylbyl, n’at’ hije valle,
ushto, gurrë trimneshë, n’shkambije;
bulk i natës kungallë, qi talle
nëpër gemba e për lamie,

këndoni, këndoni. Veç prej stanit
t’ardhmen Trina mbramje n’shpi,
tue blegrue nji kij mbas zanit
t’deles nanë keni me ndi.

Veç prej plehut gjel-kokoti
me njat za që s’nd’rron kurr-herë,
ka me gjegjë se a tue ndërrue moti
se a tue çue nji tjetër erë.

II

U ndie nji za te shtegu;
Cice! del se erdh murgjina,
e mbrapa po vjen Trina
me ‘j qingj të sykës ngryk.

E duel me mjelcë te burgu
Lokja, nxuer viçin jashtë,
e Shega, e lehtë si kashtë
tue kcyemun u bërlyk.

Iu suell oborrit rrotull
tu’ u hjedhë me bisht përpjetë;
derisa plaka vetë
rrshanë tu murgjina e çoj.

Moli tue këndue, lopën,
tue pritur viçin prorë;
e tambli, bardh si borë
përmbrenda mjelcës gufoj.

Mandej muer kijin pezull
e u vu me sykën n’sanë,
sa çote tamblin anë
Zoga me nxe do pak.

Muer edhe krande e cokla,
e Trinkën muer për bri:
ish lodhë: i dhimbte nd’ijë,
e kishte mollzat gjak.

Vuni do krande n’votër
e fryni n’zjerm qi ish ndalë;
thej pshesh me tambël valë,
e mbushi kupat plot.

Pshesha me kollomoqe,
t’mirë edhe për zotni,
kur don për rob e shpi,
me i fal’ i madhi zot.

E hangri Zoga shishëm,
por Tringa s’hangri gja,
as Lokja, qi ishte vra
mbas çikës, nuk hangri dot.

Por tirte ndejë te votra,
tue kqyrë me zemër t’plasun,
tue nduk’ at’ shllugë të rrasun
iu mbushnin sytë me lot.

Kur nji mbas nji pranë zjermit
u mblodhën gjumit fëmija,
u çue, e t’dy, si kija,
mbi t’shtruemen i vendoj.

E tirte prap te votra;
penj tirte për xhubleta,
e i dukej se tu këneta,
se n’shpella me dragoj,

tirshin dhe shtojzovallet
tue luejtë pa mejun gishtat;
siellshin me pleq ferishtat
ndoshta edhe fëmin’ e vet?

E shloj me pa tue pritun
dritën e pishës me dorë;
ngrykas, si dy qiellorë,
me krahë pa pupla i gjet.

III

Cice, shka ka sot Trinka
qi po priton m’u çue?
Zgjoje me dalë me mue,
me lëshue bag’tin’ e vet.

– Bij’, mos e prek, se njomja
tash a tue folë me Zojën;
len zan’ e mos çil gojën
se e lumja Zojë t’bërtet.

Qe prifti, nanë, qe dajat
mbas tij, me qiri n’dorë;
katundca me malcorë
sa shpia nuk i xe.

– Rri, bij’ se sonte Trinka
po shkon me bujtë te Zoja;
merri këto lule e çoja
së lumës dhunti për të.

ANDRRA E JETËS (LOKJA)

I

E n’balkue mbaruen lulet:
shurdh’ a vendi e shpia tytë;
jo, me Loken nji e dytë
nëpër shpi ma nuk u gjet.

Vetun zbardh’ e vetun erret
me krye n’hi e shuemja plakë;
nji dorë krande me i ba flakë
përmbi votër kush s’ia qet.

E disprohet me vetveti
që nuk bani kurrnji djalë:
sot e reja i kish dalë
bashkë me dritë për dru në shpat.

Kish mbajtë zjermin ndezë mbi votër,
ia kish njomë njat buk’ e mjera;
edhe Lokja me gjith’ tjera
kishte dalë me petka n’shtat.

Kish shkue motin si pranvera
me ndo’j fëmijë tu’ e kalamendun;
ishte knaqë tue u përmendun
tash e tash ferishta n’djep.

E disprohet ku i ve mendja
or’ e ças te Trina, e shkreta!
ia lypë mortës n’ankime t’veta,
por mizorja nuk ia nep.

II

U shty vjeshta e krisantemi
vetun vorreve lul’zon;
landët e pyje, gjith’ ku kemi,
tue fry veri po i cungon.

Nd’rron prej dimnit landa veshën,
e lëshon gjeth’t qe para pat;
e, për mëshirë, duhitë qi ndeshen,
ia çojnë t’vorfnit me i ba shtrat.

Binte bor’ e frynte veri
tue çue akull për gjith’ vis;
nalt orteku ushton për mneri
tue fundue çetin’ e lis.

Me dy cokla n’votër plaka
rri gjith’ natën e vajton;
rri me duer kah ndezet flaka
porsi njeri kur uron.

E shikjon nji dritë t’venitun,
vron pasqyrën e jetës s’vet:
e larg morten tue kositun
e kujton e pran’ e thrret.

E ndie ‘j frymë përmbrenda shpie
porsi erë qe vjen pa shkas;
e, n’at muzg, nji vegim hije
Lokes n’votër leht’ iu qas;

përmbi plakën krahët i uli
e ngryk t’shuemen e shtrëngoi;
buzët t’shpulpueme n’ball’ ia nguli;
u ndal drita e ajo mbaroi.

Vepra letrare, Ndre Mjeda
ANDRRA E JETËS (ZOGA)

I

N’për ograjë po këndojnë bylbylat
si tu u prrallë me shoqi-shojnë,
drandafilleve zymbylat
t’kandshmen erë dhunti ia çojnë.

E nalt n’qiell ma e bukur hana
rreze t’paqta shkon tue shkri;
maje bjeshkve fillon zana
n’valle shoqeve m’u pri.

Lodhë prej vegësh, prej rrangësh shpijet,
si u ba natë, ndej Zoga n’votër;
ndej m’u xe me dru dullijet
që kish ba n’për mal, pa motër!

E kuvendte me nanë-locen
si përgjumshëm, ndonji fjalë,
derisa bri votrës gocën
e muer gjumi dalkadalë.

Fjet bri votrës: e kur shkëndija
shndritte at fëtyr’ të patravajë,
ejëll prej qiellit ulet te shpia
dukej faret fëtyra e sajë.

Herë n’at’ gjumë tue qeshun dukej,
si m’u falë herë dorën çote;
herë përmallshem n’veti strukej
e n’fëtyrë gjaku t’tan’ i vëlote.

(Ngrimun n’ar, mbi ‘i pullali
nën balkue nji beg kish dalë;
holl’ e i gjatë porsi selvi
n’rrugë nën gardh ish dukë nji djalë.)

E nan-bardha tue shikjue:
“Flej me engjuj, thotë, o bi;
pusho shtatin me i ndihmue
Lokes sate nëpër shpi”.

II

Prej nën nji tjegllet kish dalë si ‘j tra,
ku nji mij’ tesha vëloshin pa da;
përmbi shpi ndihej tue rrahun troka
e ushtonte toka

prej kambësh t’bag’tive. Ka dalë Harapi
herët, e shpatit delet ja hapi;
ka dalun Mica me lopë të mëdhaja
nëpër ograja.

Kur u zgjue Zoga vojt te balkoni
e pau se bleta vëlonte te zgjoni;
pau se n’at’ nade poshtë nji lavruer
kish ba nji shpuer.

Tue sjellun krahnin këndote me veti,
e i rridhte krahve si nji valë deti,
ku shndriçëm dielli lëshonte si zhgjeta
rrezet e veta.

Rreze flak’ arit. Por rrotull fëtyra
e fushës kish nd’rrue; kish nd’rruemun zyra
e bimës e e pem’ve; përmbi balkue
deri kish nd’rrue

erë filcigeni; po vite ‘j tjetër
erë: porsi makthit; e rruga e vjetër
nën shpi, mbas gardhit, porsi nji dritë
shkonte tue qitë.

Nuk e kish vrumun kurr nder dit’ t’veta
at rrugë n’balkue. Ktheheshin me çeta
asaj katundsit, tue dalë pa pra
e ajo s’kish pa.

U nis te puna mërziçëm. Nisi
ndër penj sovajkën, e shpata krisi,
cirliknë rrotllat posht’ e përpjetë
nën kambë të shpejtë.

E vojt n’dritare prap. Ndoshta begu
ka mbërri te rruga e pret te shtegu
veshun me t’arta, mbi ‘j pullali
për bukuri.

Nuk ishte begu: nën diell t’valtë
veç dy dallëndysha bajshin do baltë,
balt’ e kashtare për çerdhe t’vet,
se Shën Ejëlli a nget.

Ndoshta po avitet nji djal’ i ri
i holl’ e i gjatë porsi ‘j selvi,
me rrip rreth brezit, me nji gjashtore
e ‘j kacatore.

Nuk erdhi djali: veç dy bylbyla,
nji n’drandofille, nji ndër zymbyla,
përmallshëm thrrasin, e shoqi-shojnë
me kangë gazmojnë.

III

Vijnë dallëndyshat porsi era
përte’ det te çerdhja e vet;
vijnë bylbylat ku pranvera
n’pyje t’veshuna po i thrret.

Se qe pemët kan’ endun lulet,
e u vesh fusha me blerim;
lehtas prroni malit ulet
da prej borës që i nep ushqim.

E, i dish’ruem, bje për fushore
me rritë bimën për gjith’ vend,
ku ‘j erë akullit mizore
kishte hupë lul’zim e shend.

Edhe ti prej asaj që t’rriti
daju, vash’, e mos vajto;
me nji veshë, që kurr s’ta shndriti
paras, shtatin hijesho.

Bashkë me lule len dashtnija,
me kangë t’shpendit që galdon;
e pranverës bukuria
bashkë prej gjumit t’tan’ i zgjon.

Del, o bij’, prej shpisë sate,
del prei t’vorfënit katund;
njajo flakë që n’zemër pate
do t’përvjellin tjetërkund.

T’pret nji zemër flak’ e shkëndija,
pret me tanden m’u ba nji;
sa jetë t’apin Perëndia
mos m’u damun kurr prej ‘si.

T’lypë nji bes’ e ta nep t’ndershme
dora e unazaqë t’ven n’gisht;
e ndërmjet pr’at besë t’gjithhershme
a dorzan’ i lumi Krisht.

Sogjetarë, porsi furia
e nji rrfes’ që qetat shpon,
janë të qiellit nalt ushtria
e n’dorë shpata iu veton.

E din idhun regj Davidi,
e dinë lott që pa pra qet,
kur sheh morten se kositi
an’ e mb’an krajlninë e vet.

IV

E kandshme asht hana
kur del me zana,
e n’tokë me dritë përndaret,
Hyjzit që shndrisin
e që shetisin
n’për qiell, jan’ t’bukur faret.

Kur del agimi
e rruzullimi
me ‘j dritë kuqloshe mbëlohet
e përmbi kashta
shndritë pika-lashta,
zemra për mall gazmohet.

Asht i madh shendi,
kur ndihet shpendi
ndër pyje tue pingrue;
e knaqshme a ‘j lule
kur iu përkule,
o fllad i leht’, me e l’mue.

Por s’i giet qielli,
nuk i giet prilli
as fllad që shetitë lulet
e me erna veshet,
foshnjës që i qeshet
nanës, kur mbi ‘të përkulet.


Dy fjalë për autorin*

U lind në Shkodër më 20 nëntor 1866, i biri i Jakut të Zef Kryeziut nga Mirdita dhe Luçijes së Shtjefën Thaçit, banonin në një jerevi në rrugëzën “Krroqej”. I mbetur jetim nga i ati herët, me përkrahjen e jezuitit Atë Jungg u regjistrua me të vëllanë, Lazrin, në kolegjin saverian të porsahapur; ku studioi nga 5 prill 1877 deri më 1880. Në edukimin e tij patën ndikim Ndue Bytyçi dhe Leonardo de Martino.

Shoqëria e Jezuit e dërgoi djaloshin Mjeda jashtë për studime e specializime. Më 27 mars 1880 ai kish hyrë në Shoqatën e Jezuitëve të Provincës së Venecias. Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien, sot në qarkun Mayenne të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian “Porta Coeli” në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi.

Më 1883 gjendej në Porto Re duke studjuar retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në kolegjin “Marco Gerolamo Vida” në Kremona që drejtohejnga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti.

Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin “Marco Girolamo Vida” në Kremona. Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit, ku dhe u njoh me veprat albanologjike të Meyer e Pedersen. Më 1893 gjendej në Goricia, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Më 1898 për arsye fërkimesh mes Vatikanit dhe Perandorisë Austro-Hungareze, Mjeda u përjashtua nga Shoqëria e Jezuit.

Më 1899 e abatit Doçi, u emërua famullitar në Vig dhe u anëtarësua në shoqërinë “Bashkimi”. Por më pas u largua dhe me të vëllain, themeluan shoqërinë “Agimi” i përkrahur edhe nga Xanoni e Logoreci. Shkurtin e 1902 i dërgon një letër apokrife konsullatave të huaja për kërkesat që kishin kryengritësit mirditorë në atë kohë. Nga 17 marsi i 1905 deri më 15 mars 1906 shërbeu si famullitar në Dajç, dhe më pas në Kukël. Më 1908 si përfaqësues i shoqërisë “Agimi” mori pjesë në takimet që u bënë me rastin e Kongresit të Manastirit.

Më 1913-1916, pas mbarimit të rrethimit të Shkodrës, vijoi të shërbente si famullitar i Kuklit, ku në mars të 1914 hartoi një projekt për krijimin e një ferme bujqësore moderne të cilin ia dorëzoi konsullit të përgjithshëm të Perandorisë Austro-Hungareze në Shkodër, Hallas. Organizoi qëndresën kur serbët ripushtuan zonën dhe në ikje e sipër e arrestuan në janar të 1916.

Gjatë pushtim-administrimit austro-hungarez, u thirr në Shkodër si anëtar i Komisís Letrare dhe më 11 dhjetor 1916 u emërtua mis veprues i Komisisë me rrogë. Në maj të 1917 ndërmori një ekspeditë shkencore trijavore në qytetin dhe krahinën e Elbasanit për të gjurmuar veçoritë e të folmes së elbasanishtes, që Komisia kishte vendosur të ishte baza e shqipes së njësuar.

Më 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës, u rizgjodh në dhjetorin e 1923; në famullinë e tij në Kukël kishte lënë zëvendës Dom Ndre Zadejën. Gjatë veprimtarisë parlamentare, Mjeda në qershor 1921 u caktua në Komisionin parlamentar të Drejtësisë. Në korrik mbajti një fjalim të fuqishëm për çështjen e masakrave serbe në Kosovë. Hartoi edhe pjesë nga rregullorja e brendshme e parlamentit të kohës, përkatësisht ligjin për formimin e komisionit për shqyrtimin e zgjedhjeve të deputetëve, si dhe funksionimin e tij.

Pas vrasjes së Avni Rustemit, Mjeda bashkë me kolegët e vet përfaqësues të Shkodrës, u kthye në Shkodër dhe në maj të 1924 nxit fshatarët e Kuklit që të përkrahnin revoltimin e njësive të ushtrisë që çuan drejt Lëvizjes së qershorit dhe qe pjesë e shtabit të kryengritjes.

Pas Lëvizjes jetëshkurtër të qershorit dhe rikthimit të Zogut, tek po bëhej gati të shkonte me autobus në Tiranë që të merrte pjesë në punimet e Asamblesë, u arrestua dhe u burgos në Prefekturën e qytetit të Shkodrës nga 14 janari deri më 2 mars 1925. U tërhoq nga jeta politike dhe u kthye në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër. Ndërroi jetë më 1 gusht 1937 nga një atak në zemër.

Vepra

Gjatë viteve studentore nisi të shkruante poezi, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar Vaji i bylbylit, botuar më 1886 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i Skanderbegut.

Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: Karduçi, Paskoli, D’Anuncio si dhe autorë letërsisë latine.

Vjersha e Mjedës Gjûha shqype, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjeda interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonëshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe tekstet e vjetra shqipe.

Në krye të shoqërisë Agimi botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike me kroatishten si model. Me këtë alfabet Mjeda dhe Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjeda. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e qiellzoreve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe).

Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme.

Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934). Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).

Letërkëmbimi

Ndër bashkëkohësit e Rilindjes, Mjeda kishte letërkëmbim me Nikolla Naçon, të cilit i shprehte dëshirën që ta ndihte të lidhej me rilindas të tjerë.

Mjeda u interesua që herët për veprën e albanologëve që bënë studime e botime mbi gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Kësodore pati një letërkëmbim të rëndësishëm me Meyer, Pedersen, Thomsen, Thurneysen, Krymbacher, Kretschmer, Bloomfield, Brugmann, Tagliavini, Patsch, Jagiq, Nachtigal, Skok, Jokl, Reinisch, Karabacek, Mueller, Schroeder, Jarnik, Lambertz, Meillet, Viezzoli, Valentini, Cordignano, Teza, Nopça, Thalloczy dhe Weigand.

Tituj të veprave
  • Jeta e sceitit sc’ Gnon Berchmans (Jeta e Shën Gjon Berhmansit) përkthim. Romë, 1888.
  • T’perghjamit e Zojs Bekume (Vëgimi i Zonjës së Bekuar) përkthim nga spanjishtja. Romë, 1892.
  • Historia e shejtë përkthim nga “Katekizmi i madh” në tre vëllime dhe jetëshkrim i Shën Luigj Gonzagës.
  • Juvenilia – botim poemash. Vienë, shtypshkronja Gj. M. Vernay, 1917.
  • Lissus – libërth, poemth liriko-romantik me 12 sonete. 1928.
Përkthime
  • Versi e poemi (1966), a vura di J. Kodra, perkthime ne italisht Mark Ndoja, Tiranë: “Naim Frashëri”.

* Marrë nga Wikipedia.

One thought on “NDRE MJEDA – VAJI I BYLBYLIT (cikël me poezi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!