Proza të shkurtra nga spanjishtja
PROZA TË SHKURTRA NGA SPANJISHTJA
JORGE LUIS BORGES
(Argjentinë, 1899 – 1986)
PRERËSI I KOKAVE
Askush nuk e kujton më djegien e kishave, as vrasjen e Huan Duartes, i ekzekutuar me urdhër të Peronit. Unë nuk mund të flasë me paanësi; ime më, ime motër dhe im nip kanë qenë burgosur. Mua më sikterrisën në një vend koti, bibliotekar në rrethina. Një dedektiv nuk më ndahej kudo që shkoja. Më në fund, u miqësua me mua dhe më tha: «Më fal, Borhes, por unë dua të fitoj bukën e gojë». Atëherë, për ta ngushëlluar i tregova se im atë kishte njohur një ushtar të vjetër që kishte qenë prerës kokësh i të dënuarve me vdekje. Ishte një njeri i mirë që kryente detyrën, duke vepruar përherë në të njëjtën mënyrë. Të dënuarit, me duart të lidhura prapa kurrizit, uleshin në tokë. Ky xhelat u afrohej, miqësisht, u rrihte shpatullat me pëllëmbë dhe u thoshte: «Kurajë, miku im. Ta dish se më shumë vuajnë gratë kur lindin fëmijën» Pastaj, vetëm me një të rënë të shpejtë u priste kokën. Me sa duket ishte pothuaj e pandjeshme…
MARTHA RIVERA-GARRIDO
(Republika Domenikane, 1960)
MOS U DASHURO
Mos u dashuro me një grua që lexon, me një grua shumë të ndjeshme, me një grua që shkruan…
Mos u dashuro me një grua të ditur, magjistare, të çmendur.Mos u dashuro me një grua që mendon, që di aq shumë e që di edhe të fluturojë; një grua e sigurt në vetvete.
Mos u dashuro me një grua që qesh ose qan duke bërë dashuri, që di ta shndërrojë në shpirt mishin e saj, që më shumë se kushdo e do poezinë (oh, sa e rrezikshme është ajo), apo që rri gjysmë ore duke kundruar një pikturë dhe që nuk jeton dot pa muzikë.
Mos u dashuro me një grua që rebelohet në politikë dhe që e ka tmerr padrejtësinë, që i pëlqen futbolli dhe gjithë lojërat me top dhe që e ka inat televizionin; as me një grua që është e bukur, por që nuk e çan kokën për pamjen e fytyrës dhe të trupit të saj.
Mos u dashuro me një grua të fortë, sportive, të bukur dhe kryeneçe.
Mos u dashuro me një grua të tillë.
Sepse, po re në dashuri me një grua të tillë, nuk i dihet nëse rri me ty apo jo, nëse do të të dojë apo jo; një gruaje të tillë mos iu afro KURRË.
EDGAR OMAR AVILÉS
(MEksikë, 1980)
LIGJI
Zoti u bë gati të lëshonte rrufenë mbi njeriun që ishte gati të qëllonte tigrin që ishte gati të vërsulej mbi fajkuan që ishte gati për ta ngulur sqepin e tij mbi nuselalën që ishte gati të mbyste gjarprin që ishte gati të gëlltiste bretkosën që ishte gati të kapte hardhucën që ishte gati të hante merimangën që ishte gati të helmonte milingonën që ishte gati të mbërthente molën që ishte gati të kafshonte gjethen.
Zoti ishte gati të lëshonte rrufenë mbi atë njeri, por, i pushtuar prej panikut, u zmbraps.
PABLO CONTURSI
(Argjentinë, 1974)
BUZËQESHJE KROKODILI
Një gjarpër po lëviz bishtin, duke imituar një krimb, me qëllim që të afrohet një dallëndyshe; kur dallëndyshja hidhet mbi krimbin e rremë, gjarpri hidhet mbi shpendin; por, në të vërtetë, shpendi nuk është një dallëndyshe por një shpend grabitqar që gjuan gjarpërinj, një shpend që, kur sulmohet nga gjarpri, e përmbys atë sulm në favor të tij, duke u kthyer nga viktimë në xhelat; por e papritura e shpendit grabitqar është kur vë re se gjarpri paska këmbë, çka e kthen gjarprin në tjetër gjë, pasi gjarpërinjtë nuk kanë këmbë; dhe shpendi grabitqar, maskimi i të cilit ka shërbyer vetëm për të zezën e tij, kupton gjithçka, kur është mbërthyer nga nofullat e fuqishme të krokodilit.
Krokodili, i kënaqur, e përsërit taktikën e tij: imiton një një gjarpër që imiton një krimb, me qëllim që të afrohet një shpend grabitqar, i cili imiton një dallëndyshe.
AUGUSTO MONTERROSO
(Honduras, 1921 – 2003)
QENI QË DONTE TË BËHEJ NJERI
Ka ca kohë që në shtëpinë e një tregtari të pasur në Meksiko, e pajisur dhe e stolisur me të gjitha orenditë dhe aparaturat më të fundit, jetonte një Qen. Papritur e pa kujtuar, këtij Qeni të uruar ia shkrepi në tru të bëhej njeri dhe, për ta realizuar këtë ëndërr, iu fut punës derrçe.
Në krye të disa viteve, pas një këmbënguljeje prej mushke, arriti t’ia dalë mbanë. Pra, gjithë përpjekjet e tij të mundimshme u kurorëzuan me sukses: me lehtësinë më të madhe filloi të ecte vetëm mbi dy këmbë. Kështu që e ndjeu veten se ishte tamam një qenie e vërtetë humane.
Tani, as për të kafshuar nuk kafshonte më si qen, vetëm se: sa herë që takohej me ndonjë të njohur, sidomos me ata që i hidhnin diçka për të ngrënë, bishtin e tundte fort; sa herë që do të shtrihej për gjumë, do t’i bënte nja dy-tri rrokullisje në kurriz; sa herë që do të dëgjonte kambanat e kishës, do të gërnjapsej e do të jargavitej; dhe natën, sa herë do të shikonte hënën e plotë, do të hipte mbi ndonjë gur a mur e do të kuiste përvajshëm.
PEDRO DE MIGUEL
(Spanjë, 1956- 2007)
VETMI
Ia hoqa një fill të kuq, si një nepërkëz , që kishte në supin e xhaketës. Buzëqeshi, zgjati dorën dhe e mori nga dora ime.
– Faleminderit shumë! – më tha. – Jeni shumë i sjellshëm. Nga ju kemi?
Dhe ia nisëm një bisede zbavitëse, plot dredha dhe gazmore ekzotike, sepse të dy paskëshim udhëtuar e vuajtur shumë. Shpejt u ndava me të, duke i premtuar se do ta takoja, nëse do ta shikoja herë tjetër, dhe, nëse do të donte, mund të pinim një kafe e të vazhdonim bisedën.
Nuk di pse e ktheva kokën, pasi bëra nja dy hapa, dhe pashë se, gjithë kujdes, po e vendoste përsëri fillin e kuq mbi supin e xhaketës. Pa dyshim, që të mund të kapte një viktimë tjetër dhe të mbushte kështu, për disa minuta, pusin e thellë të vetmisë së tij.
JUNIOR LAREO
(Argjentinë, 1981)
UNË JAM AI QË NUK DO TË VDESË KURRË
Unë jam ai që nuk ka për të vdekur. Jam hija e pemës në mes të malit. Jam rënkim-hingëllima e pelës që po lind mëzin. Jam bishti i cigares së fundit që tymos një vetëvrasës para se të hidhet nga kati i shtatë. Jam tymi. Jam era që fshikullon fytyrën e tij, jam asfalti mbi të cilin përplaset. Jam gjaku që spërkat trotuarin. Jam buza e trotuarit që ndahet nga vija e ujërave. Jam vija e ujërave të rrugës ku gjaku përzihet me ujërat e qelbura. Jam uji i qelbur që vjen nga lumi. Jam lumi që i ushqen të gjithë me ujë. Jam uji i pastër që pinë njerëzit. Unë jam njeriu që po pi cigare sipër në katin e shtatë. Jam ai që hidhet prej andej. Unë jam ai që s’ka për të vdekur kurrë.
Në shqip: Bajram Karabolli