SAMI FRASHËRI – KURRË SHQIPËRIA S’KA FITUARË NGA GJAKU I SHQIPËTARËVET
SAMI FRASHËRI
(pjesë nga vepra: “Shqipëria ç’ka qënë, ç’ësht’ e çdo të bëhetë”, 1899.)
KURRË SHQIPËRIA S’KA FITUARË NGA GJAKU I SHQIPËTARËVET
“Në kohërat të pastajme Shqipëtarëtë myslimanë kanë punuarë e janë vrarë për Tyrqitë e Shqipëtarëtë e krishtenë për Grektë, për këta dy kombe, të cilëtë, as njëri as tjatri s’ua dinë të mirënë e ja u çpërblejnë me të keqe duke përpjekurë për humbjen’ e kombit shqipëtar. Boçari, Xhjavella, Miauli e të tjerë, më të shumët’ e trimavet, që janë përpjekur për ngjalljen’ e për dlirin’ e Greqisë, kanë qënë fjeshtë Shqipëtarë e jo fare Grek; po nga trimëri’ e tyre ka fituarë shumë Greqia e jo fare Shqipëria. Në syt të botësë lëftoninë Greqtë me Tyrqitë, po në të vërtetë lëftoninë Shqipëtarët’ e krishtenë me Shqipëtarëtë myslimanë. Kur muntnin’ ata, fitonte Greqia; kur muntninë këta, fitonte Tyrqia; po gjaku, që derdhesh nga të dy anëtë, ish gjak Shqipëtari. Shqipëtarëtë vritenë vëlla me vëlla, të tjerë fitojnë. Shqipëtari e ka derdhurë gjithnjë gjaknë pa kurcim, po e ka derdhurë kot; kurrë Shqipëria s’ka fituarë nga gjaku i Shqipëtarëvet: gjithënjë të huaj edhe armikë të Shqipërisë kanë fituarë nga ay gjak i vjejturë e i derdhurë pa mendim!”
(…)
“P’andaj duke mbaruarë këtë fjalë, themi prapë me hidhërim zëmre që: Shqipëtarëtë kanë punuarë gjithëmonë për botënë e jo kurrë për vetëhe. Vetëm një Skënderbe ka punuarë, në kohërat të shkuara, për Shqipërinë e vetëm ay është me të vërtetë mburje për Shqipërinë.”
Shënim. Pjesa e mësipërme është marrë nga profili personal në Facebook i Agim Morinës.