Octavio PAZ – SYTË E TU (cikël me poezi)

Octavio PAZ – SYTË E TU (cikël me poezi)

SYTË E TU (cikël me poezi)

DY TRUPA

Dy trupa ballë për ballë
nganjëherë janë dy valë
dhe nata është oqean.
Dy trupa ballë për ballë
dy gurë janë nganjëherë
dhe nata shkretëtirë.
Dy trupa ballë për ballë
nganjëherë janë rrënjë
të lidhura natën.
Dy trupa ballë për ballë
nganjëherë janë thika
dhe nata vetëtimë.
Dy trupa ballë për ballë
janë dy yje që bien
në një qiell të zbrazët.

DEGA

Në majë të pishës këndon
një zog që ka ndaluar,
mbi cicërimën e tij dridhmon.
Shigjetë nga dega ngrihet,
midis flatrave zhduket
dhe në muzikë shkrihet.
Zogu si një ashkël hidhet,
e verdhë nota e tij
në këngë i gjallë po digjet.
Hap sytë: nuk ka asgjë.
Heshtje mbi degën e thyer,
mbi degë zogu s’është më.

MISTER

Shkëlqen ajri, shkëlqen,
mesdita shkëlqen,
por diellin s’e shoh.
Çdo gjë, edhe larg edhe afër
gjithçka përreth, sa e qashtër,
por diellin s’e shoh.
I përhumbur në ajrin e kulluar
shkoj nga llamburitja në rrëzëllim,
por diellin nuk e shoh.
Dhe ai në dritë zhvishet,
etshëm vezullimet pyet,
por diellin nuk e shikon.

SYTË E TU

Sytë e tu janë atdheu i rrufesë dhe i lotëve,
janë heshtje që flet,
stuhi pa erë, det pa dallgë,
zogj të burgosur bisha të lumtura që dremitin,
margaritarë të pastës si e vërteta,
ose zëra në një lirisht korijeje ku drita këndon te supi
i një peme dhe gjithë gjethet janë zogj,
plazhe plot yje që vetëm mëngjesi i gjen,
shportë frutash të zjarrta,
gënjeshtër që ushqen,
pasqyra të kësaj bote, porta të përtejme,
regëtimë e qetë deti në mesditë,
absolut që përpëlitet,
shkreti.

Në shqip: Bajram Karabolli

Una mujer callada, es una pistola con silenciador. (Një grua e heshtur, është një pistoletë me silenciator.)

Sytë e tu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!