TOM KUKA – ORA E LIGË (kaptina e nëntë)
TOM KUKA
ORA E LIGË (kaptina e nëntë)
Kur ungji i Tushës, Teliti mbërriti në shtëpinë e Sali Kamatit, ky i fundit ishte bërë daulle me raki dhe kish thyer gjithë bashodanë. Gjumi e kish zënë në të mëngjër të tymarit, mbi shpinë kish hedhur një nga shiltet, ku ulej të tymoste duhan me miqtë. Tusha flinte në odën e saj, se e kishin mballosur me lëngun e bohçeve të opiumit, që t’i qetësoheshin zorrët në gjumë dhe t’i vinte takati në krahë, këmbë e gjetkë.
Telitit i dhanë një kafshatë bukë në odën e shërbyesve dhe, pasi rrufiti rakinë, ia ngjitën çupën në një karro që tërhiqej nga dy mushka. I dhanë ushqime me vete, mishra të pjekur, të mbuluar me kripë të trashë që mos t’i hante miza rrugës. Kusi me groshë të zier shumë, djathë, bukë, ullinj, qepë, një çajnik me lëng të kuq si gjaku e një damixhanë me raki. Kish udhë të gjatë për të bërë.
Dirja e porositi që, sa herë të çelte sytë vajza, t’i jepte për të ngrënë pak groshë dhe bukë me djathë. Mos ta ngarkonte shumë, se barkun e kish të vrarë. Pastaj t’i jepte të pinte lëngun e çajnikut dhe ta vinte sërish në gjumë. Ja, kaq do të bënte.
Teliti u nis pa vajtur mesi i natës. Vetëm atëherë Dirja shkoi në odën e saj e u kyç brenda. Kasneci që kish nisur ajo, kish vajtur e qe kthyer me kohë, por e ëma e Tushës nuk qe nxituar ta niste Telitin menjëherë. Në fillim duheshin kullandrisur ca punë. Me atë nam të zi që kish marrë dhenë si të ish tym kërmash, vasha nuk mund të vinte më në shtëpi, se nuk do ta prekte më njeri me dorë.
Kasneci i së motrës nuk solli vetëm kumtet, fjalët, mallkimet e së motrës, por edhe gjithnajën që i ishte ngjitur pas petkave.
Tushën e saj, të voglën e saj, lulen e saj ia bënin të përdalë, se një palo burrë e kishte zënë dalldia; burrë me një këmbë në varrin që kish hapur vetë. Sali Kamatit, që ishte me sot a me nesër, i kishin rënë në përrua dy farza që kishte në majë të kokës. Ky farë robi po ia merrte në qafë bilën, por nuk duhej marrë kurrsesi me ngut kjo gjëmë, duhej menduar gjatë e bukur mirë.
Thirri në shtëpi vëllezërit dhe motrat e të shoqit dhe ua hodhi në sofër dollomanë e kasnecit, të cilën e kishte mbajtur vetëm për këtë punë; t’u rrëfente ç’dert i pati gjetur të gjithë. Ata rrudhën hundët, mandej shqyen sytë.
– E kujt është kjo dolloma, moj motër? – pyeti Teliti.
– E kasnecit që më nisi Dirja, ime motër, gruaja e Sali Kamatit.
Ata mbyllën veshët që mos të dëgjonin më ç’kish në bark ajo dolloma që vinte erën e turpit pis të zi.
– Ç’thonë këta lugetër për Tushën? Ajo është kërthi…
– Do kenë luajtur mendsh si kaza, se nuk thuhen këto fjalë për një fëmijë…
– Sali Kamati duhet të jetë burrë i lartë, se mori hakën e nuk ka sesi të nuk bëhet bara’ me dheun…
– Turpi po na mbulon të gjithëve! Ma hiq sysh këtë dolloma të flamës!
Por ajo nuk e lëvizi vendit. Ata duhet ta dinin po aq mirë sa ajo vetë, veç atëherë do t’i jepnin të drejtë. Kjo nuk është gjëmë, por është dalldi që e mban gjëmën në gji. Nuk shpëton dot prej saj, por Tusha duhet të shpëtojë se s’bën.
– Do shkoj ta vras! – u ngrit në këmbë më i madhi i vëllezërve, por të tjerët e ndalën dhe e detyruan të ulej.
– Nuk bën punë të vrasim Sali Kamatin. Ai e ka gropën hapur. Duhet të shpëtojmë bilën, se ndryshe do na mbesë kallogre në shtëpi… – tha ajo dhe nisi të qante me dënesë, – …Tusha ime! Drita e syve të mi! Ç’të keqe kemi bërë në këtë botë që të na vinë të zezat një e nga një… – dhe lotët i binin rrëke, ndërsa pëqitë po i bënte copë me thonj.
Në odë ra një heshtje e rëndë, sa kërcisnin trarët e nënçatisë.
– Më mirë të më kishte shpëlarë mua kjo e zezë, sesa vashën time! – vazhdonte tjetra.
Të gjithë pritën një copë herë sa ajo të qetësohej, më pas, me një gjysmë zëri, motra e mesme e të shoqit pyeti:
– Po si zgjidhet ky hup, moj e Masarit?
Ajo fshiu lotët me këndin e grykëses, thithi me forcë ajrin dhe, pasi ngopi mushkërinë, ofshau sa e dëgjuan deri poshtë në Delvinë.
– Unë them t’i gjejmë burrë. Larg që këtu. Ta nisim drejt e atje dhe të mbledhim mendjen.
Të gjithë ulën kryet, veç asaj. Pasi i pa në sy, u tha:
– Burri im, që e pastë shpirtin në paqe, kishte një miqësi të vyer me Lazen e Mejkatëve të Nursisë. Kishin dhënë e marrë mall nga sho-shoqi, derisa e trashën miqësinë dhe e bënë kërcu.
Kanë pirë gjak e janë mballosur me sho-shoqin, sa Lazja i Mejkatëve zinte be për kokë të Masar Binos. Është i kamur, por gratë nuk i rronin shumë, ndaj ka bërë tre barqe fëmijë. Një djalë do i ketë tepruar për Tushën time.
Ata ngritën kryet dhe e panë në sy.
– Shkoj unë te Lazja i Nursisë dhe e kuvendoj me të, – tha Teliti, më i vogli i vëllezërve.
Ajo lëshoi frymën, sikur u çlirua nga një barrë që i ishte ulur këmbëkryq në gji.
– Aman, na e hiq këtë dolloma! – u lut motra e madhe e të shoqit.
– Por veç digje, mos e tret në lumë, se merr nami dhenë, – këmbënguli motra e vogël e të shoqit.
Ashtu u bë. Kur nata zuri të trashej sa nuk shihje gjë, edhe sikur të të fusnin gishtat në sy, ajo ndezi një zjarr me shkarpa dhe e hodhi dollomanë mu në zemër të tij. Zërat që donin të shpëtonin, qanin me gërvima të çjerra. Ishte hera e fundit që dëgjoi të flitej keq për të bijën.
Mirëpo kjo punë nuk qe dhe aq e lehtë, se vasha nuk afrohet për grua, është djali që e kërkon. Lazja i Mejkatëve duhej kandisur, prandaj kjo gjë duhej bërë mirë e bukur që të ishte punë e paqme. Ja, kështu u nis Teliti për në Nursi me një barrë durim, një mijë e një mendime që i kalonin në kokë si ta shoshiste sa më mirë këtë punë. Me vete mori dy mushka që u mbathi një karro të vogël, të cilën do ta përdorte si shtrat, kur ta zinte nata udhës, si strehë, kur ta lagte vesa e mëngjesit, si sofër, kur të hante sillën. Mori haje mjaftueshëm, por asnjë pikë raki, se e donte mendjen të kthjellët. Në një kënd të karros, palosi shtrojat e gjumit, në këndin tjetër vuri dy arka të mëdha.
Udha donte ca të bëhej, por kjo nuk e mërziti ungjin e Tushës, sepse pati kohë sa deshi që ta kuvendonte këtë punë brenda kokës së tij. Ndalej vetëm në burime të shuante etjen e vet dhe të kafshëve. Katundeve apo kazave u binte brinjazi, nuk hynte brenda në to, kurse netët i kalonte në pllaja të zhveshura, meqë ndihej më mirë nën kupën e qiellit, sesa në hijet e errëta të pyjeve. Kafshët i zgjidhte prej karros dhe i linte të kullotnin të qeta në lëndinë.
Kur mbërriti në Nursi ishte drekë dhe dielli piqte si saç, ndaj gjeti hije poshtë një pemnaje në hyrje të katundit dhe priti sa të ngrysej. Ky vend kishte mbirë mes gurëve. Nuk kishte një pllajë ku ta punoje tokën, por vetëm pemë të shtrembra si kryqet e plakave të moçme që luftonin me gurët që lartoheshin. Dhitë ishin kafshët që ia dilnin më së miri të shtoheshin asaj ane, ndaj banorët jetonin me bulmetin, mishin dhe leshin e tyre.
Shtëpitë ishin prej guri dhe kulmet i kishin të mbuluara me rrasa guri. Fëmijët luanin në ca pllaja guri dhe këmbët i kishin të shtrembra, se nuk u binte rasti të ecnin në tokë të sheshtë pa gurë. Burrat dhe gratë e këtij vendi ecnin duke u kolovitur, thua se kishin pirë raki e ishin bërë thumb që pa gdhirë. Me thënë të drejtën, kishte syresh që e kthenin bërrylin, por njerëzia ecte ashtu që të shmangte gurët. Pulat ishin thatime e kërkonin ndonjë kokërr mes gurëve.
Në Nursi, të tërë grindeshin me të gjithë. Fëmija me nënën, gruaja me vjehrrën, burri me gjitonin, plaku me rrasën e varrit. Në çdo sherr qitnin nga gurmazi vetëm një kanosje: “Ta hap kokën me gur!”.
Teliti bënte mund ta kuptonte përse Masar Binoja pati lidhur miqësi të fortë me Lazen e Nursisë. E vriste mendjen për këtë, teksa mbushte arkat e tij me gurë. Duhej të ishin të rënda plumb. Andaj, kur ra mbrëmja dhe u dha mushkave, ato të gjorat i zuri halli i madh që ta tërhiqnin. Kur mbërriti në derë të Lazes së Mejkatëve, buzët e kafshëve ishin mbuluar prej një shkume të bardhë. Nisi të bëjë fresk përjashta, prandaj po dridhej pak, teksa dërgoi fjalë brenda të njoftonte për mbërritjen e tij.
Lazja i Nursisë, ky burrë i gjatë, me këmbë të shtrembra si kërrabë fiku, u paraqit dora vetë duke u kolovitur. E ftoi mysafirin brenda, megjithëse ishte hera e parë që e shihte.
Mjaftoi emri i vëllamit Masar Bino që ta shkundte atë burrë, tashmë në një moshë kur jeta e kish bërë me shumë fëmijë, por ia kish gëlltitur gratë. Të rejat e shumta të shtëpisë, të gjitha me tumane që të mbulonin këmbët e shtrembra, i sollën ujë e sapun për të larë faqet, kurse njëra prej tyre, më e vogla, i vuri një kurojt druri me ujë të ngrohtë, ku kishte tretur kripë guri, që t’i lante këmbët. Mirëpo Teliti nuk e lejoi këtë. Ai vetëm sa i paqtoi gjymtyrët me ujin, por nuk e la të renë të bënte më shumë. Mbajti vesh çapat që hidheshin me ngut nëpër mesoret e shtëpisë. Kishin ngut që të bënin hajet gati. Lazja i Nursisë i dha duhan e i afroi një kupëz raki po aq të fortë, ballë kazani që t’ia ngrohte gjirin, por, mbi të gjitha, t’ia ëmbëlsonte mikpritjen.
– Po ç’të solli në këto anë, o njeri i mirë? – e pyeti me një zë të gërvishtur, që ishte zbutur si cohë kadifeje prej rakisë së fortë.
– Tregtia. Kam marrë mall në Vlorë dhe po e çoj në anët tona. Nata më zuri në rrugë dhe thashë po trokas në derën e vëllamit të kunatit tim. Uroj mos t’ju kemi vënë në hall. Një vend ku të shtrihem dhe një nënkresë dua. Ja kaq…
– Ç’është ajo fjalë, o njeri? Kjo derë është e hapur për njerëzit e Masar Binos si qe e hapur për atë vetë. Do hamë një kafshatë bukë, më pas pusho sa të duash.
– Emri i kësaj shtëpie është i lartë dhe në anët tona.
– Nderi i miqësisë së mirë…
– Po si jeni? Si ju shkojnë punët?
– Mirë, ka dashur I Madhi. Ne punojmë leshin e dhive. Me Masar Binon prej tij u lidhëm, por miqësia jonë nga një fije leshi u bë tërkuzë e trashë. Iku i gjori, që i pastë gjetur dritë shpirti.
Heshtën një copë herë, sa për të sjellë ndër mend të ndjerin. Telitit i mbiu para syve ai kodosh që vinte në ngasje gratë e botës. Lazes së Nursisë i erdhi përpara ai njeri gazmor që nuk linte hokë pa bërë, ndërsa gjerbnin raki bashkë. Qeshnin me zë të lartë dhe tundnin gurët, që binin nga mali me rrokopujë.
– Po tregti të fortë do kesh bërë, se shegertët i theve në mes me ato arka, – qeshi shtruar Lazja i Nursisë.
– Them se ka për të dalë për mirë. Mall i rëndë, çmim i rëndë.
Të dy vunë buzën në gaz.
– Po nga shtëpia e Masar Binos si janë? – pyeti mikpritësi.
– Ka dashur Zoti, në përgjithësi mirë, megjithëse shkoi baba dhe fëmija e ka më vështirë. Më peshojnë në zemër punët e tyre. Masar Binoja dikur ra nga vakti dhe nuk është e lehtë në këto kohë, por dhe vetëm nuk do i lëmë.
Ndërkohë u shtrua sofra. Dy nga djemtë e rinj të shtëpisë e mbanin peshë, ndërsa ajo ishte e mbushur me mish keci, dy pula të pjekura, meze, djathë të freskët dhie me erë të fortë, qepë e domate të regjura. Ua vunë para këmbëve. Burrat nisën të hanin dhe të trokisnin kupëzat e rakisë. Për ndonja gjysmë ore thanë fjalë përtace, ndërsa nga gllënjka në gllënjkë sikur e çliruan bisedën nga droja e të porsanjohurve.Lazja i Mejkatëve bënte ç’bënte dhe bisedën e çonte sërish në shtëpinë e Masar Binos. Teliti e ngiste fjalën me shumë kujdes dhe nuk harronte që pas çdo shpjegimi të ofshante lehtas, ndërsa ngrinte në buzë kupën e rakisë. Ngjante me një njeri, i cili donte ta zbrazte një dert që mbante në gji, por ende nuk kishte besë në kishte gjetur veshët e duhur për këtë punë.
Pas çdo pikë rakie që shkonte poshtë në gurmaz, Lazja i Nursisë vinte re se nuk i shtohej hareja që kishte këtë mysafir të rrallë në trapezë. E vëzhgonte tjetrin, gati sa nuk e hante me sy, por ai i dukej si një sepete e mbyllur me shtatë palë kyçe. Sa herë e ngiste fjalën për shtëpinë e mikut të tij, Teliti gjente një mënyrë ta shmangte bisedën dhe ta degdiste tej, ndërsa hëna fekste gurët e Nursisë, kurse nëpër mesore, shegertët e lodhur dremitnin mbështetur qosheve, teksa prisnin që kjo darkë të mbyllej e të shtriqnin kokallat.
Ende nuk i kish dhënë leje kujt të ulej në atë sofër, jo më ta ngrinte sofrën. Shkulloi një tjetër kupë dhe, pasi ndjeu t’i ngroheshin mendimet, gati t’i vlonin, u ngut, në mënyrë që mos t’i linte të iknin dhe pastaj t’i harronte. Kjo gjë i ndodhte sa herë e kthente ndonjë gotë e bëhej çakërrqejf.
Vendosi ta ngasë vetë bisedën.
– Më dëgjo mua, se je shumë më i ri nga unë. Me gjithë mend është hera e parë që bën këmbë në shtëpinë time, por për mua je njeriu i Masar Dinos, ndaj zbraze të shkretën. Më thuaj, ç’hall të ka zënë?
Teliti nuk e priste që tjetri t’i dilte aq ballas. E shihte të ulur këmbëkryq në sofër me atë këmishë krahëgjerë që i hapej mbi llërë, me ato mustaqe të bardha që përzgjateshin në faqet e parruara prej ditësh. Ishte një burrë që po mos t’i kishte këmbët kërrabë si gjithë gjindja e Nursisë, me siguri do të qe i gjatë sa t’i prekte me kokë degët e para të rrapit. Kish një zë të çjerrë nga vitet, kafeja e duhani.
– Nëse jeni ngushtë me para, nuk ka nevojë t’i biesh rrotull, por më thuaj sa i duhen të vesë së Masar Dinos dhe unë do të t’i jap…
Teliti e pa drejt e në sy dhe pas kaq kohësh dalloi se tjetri mbyllte në qepalla dy qiej të vegjël, kaq të kaltër i kishte.
Ngriti dorën si shenjë që mos ta linte tjetrin të vazhdonte më tej.
– Po ç’është, atëherë? Më thuaj. Ka ndonjë me shëndet të ligë?
Teliti ndërkohë kish nisur të dridhte një duhan. E bëri këtë punë me gishta të shkathët dhe të gjatë. Të parin ia dha mikpritësit të tij. I dyti i hëngri veç do dekika. E vuri në buzë dhe e ndezi. Lëshoi shtëllungën e tymit në ajri dhe foli:
– Jo, o Laze i Mejkatëve, nuk është punë parash. Nuk do ia falja kurrë vetes që të vija të lypja para për motrën time. Por gjetkë fle lepuri…
– Po fol, o njeri. Kemi ngrënë në këtë sofër bashkë. Kaq besim duhet të kesh. Në mos të zgjidh hallin, të jap një mendje. Dy mendje janë më mirë se një, apo jo?
– Më mirë janë dhe ke shumë të drejtë.
E qepi sërish dhe thithi duhanin. Lazja i Nursisë e shihte dhe priste që tjetri të niste. Kjo bisedë nuk shtyhej më, aq më shumë që thëngjijtë e tymarit ishin thinjur si flokët e tij dhe nuk lëshonin më të ngrohtë. Plaku mori mashën, trazoi pak në hirnoren e oxhakut dhe shtiu një dorë shkarpa që ia kishin vënë në të mëngjër. Zjarri mori vrull menjëherë si riosh i papjekur.
Kur sa po lodhej që të fikej prapë, ai i hodhi ca dru të thatë që e kënaqën tymarin.
– Kam hallin e vajzës së vogël të Masar Binos. Tusha ia thonë emrin…
– … si mëllenja e malit…
– … po si mëllenja e malit…
– … çfarë ka vasha që të ligështon zemrën?
– Vasha nuk ka gjë, është e bukur pikë. I ka kaluar të katërmbëdhjetat dhe është bërë e lartë dhe e drejtë si lastar. Kush e sheh, ia merr sytë. Të ëmën nuk e zë më gjumi, sepse dera i bie për ta dhënë nuse…
– … po shumë mirë. Ku është e keqja këtu?
– … nuk i mbushet mendja. E do derë të madhe, se të bijën do që ta nisë në një shtëpi, ku veç katandisë, e para të jetë fisi.
– Po përse nuk e çoni një shkues në një derë të këtillë?
– Ja, për këtë kam kaq kohë që vras mendjen. Jam dajkua i vashës dhe po t’ia gjeja unë derën, motra nuk do të më thoshte gjysmë fjale. Ma ka hedhur si larg e larg, por dhe unë më keq se ajo, nuk më mbushet që nuk më mbushet mendja. Kam kaq kohë rrugëve për të çuar e marrë mallin, sa në Vlorë, sa gjetkë dhe vetëm këtu më punon kaplloqja, – dhe Teliti e goditi tëmthin me gishtin tregues të dorës së djathtë.
Burrat morën sërish kohë, a thua se do matnin armët. Lazja i Nursisë i shtiu sërish ura zjarrit, edhe pse ai nuk dëshironte më të hante. Nga gryka e tymarit erdhi një tjetër i nxehtë dhe ata zbërthyen këmishët që t’i tregonin gushët të ngrohtit.
Gjerbën pakëz raki, për ta shtyrë, ngjëruan një drudhëz gjizë e qepë të njomë dhe ia nisën përsëri lojës së duhanit, tymi i të cilit ua lëbyrte sytë.
– A ia ke vënë syrin ndonjërit apo ndonjë shtëpie?
– Jo, deri më sot, – tha Teliti, i cili nuk e ngau më tej fjalën.
Lazja i Nursisë u kthjellua. Sikur i shkriu gjaku. Tani ndiente që rakia në gji lëshoi rrënjët e një gazmendi. Fytyra iu çel dhe ngriti zërin që shegertët t’i vinin në sofër. Ata u lëshuan duke u kalamendur, se dremitja ua kish trashur gjymtyrët e shtrembra si kërraba fiku.
– Sillni të ëmblat, se kemi lajme të mira. Tundeni nga gjumi Gurin dhe ma sillni këtu!
Ata djelmë nisën t’u jepnin duarve, kurse njëri bëri përjashta me ngut të madh. Sa çel e mbyll sytë, sofra u pastrua nga mishrat e mezetë. Mbi të u shtrua një cohë e bardhë borë.
Sollën kos me arra e me mjaltë, sapun hallva, hasude, revani me arra të zbrujtur në sherbet dhe ujë të ftohtë. Teliti ngjëroi disi kosin dhe i bëri me shenjë mikpritësit që nuk mundte më shumë. Tjetri nuk pati shumë kohë ta nxiste, se në derë hyri Guri, një djalë kokërrodhe, me sy të kaltër si i ati, faqet plot me preka të vjetra, i thatë si purteka, shtatlartë si ai që i kishte bërë kokën, por këmbështrembër si gjithë të tjerët. Po rrinte në këmbë, se askush nuk e kishte ftuar në tryezë. Lazja i Mejkatëve sa e vuri re, i bëri shenjë të ulej pranë tij. E njohu me mikun.
– Ky është Guri, djali im më i vogël. Sa ka hyrë në të njëzetat, por do një mot që t’i mbushë.
– Emrin ia paske vënë të bukur, – tha Teliti sa për të thënë diçka.
– Të gjithë mendojnë se ia kam vënë prej gurëve të Nursisë, por, me thënë të drejtën, ma kishte ënda që të kujtoja të parin e kësaj toke, Gurin e Mejkatëve. Ne prej tij rrjedhim, nga ai e kemi farën, prandaj dhe me Masar Binon ishim miq për kokë, sepse rrënjët tona janë andejza.
– Jeni derë e madhe si atje, si këtu.
– Fjalë me vend. Por tani më dëgjo mua. Thuaji të vesë së Masar Binos që nëse ka vashë për të martuar, edhe unë kam djalë për të martuar. Nuk e di kush ta solli udhën mbarë për këtu, por ma ka ënda që nesër të largohesh nga kjo shtëpi jo si mik, por si vëllam.
Guri mbante vesh e mundohej të kuptonte në ishte në ëndërr apo zgjuar. I ati po fliste në një mënyrë që atij nuk i hynte në kokë. Qëllonte shpesh që ai burrë të tjera fjalë thoshte, por gjetkë donte të dilte. Sikur të të pickonte gjarpri në pulpë, por dhimbjen ta ndieje në krah.
– Ja ku e ke Gurin tim. Është bërë burrë dhe nuk e lodh puna. Do e mbajë Tushën tuaj në pëllëmbë të dorës, kurse konakun do e mbushë plot me fëmijë.
Teliti nuk fliste, ndërsa shihte atë djalosh, të cilit i kishte dalë gjumi krejt. Më në fund, i gjori kishte arritur deri në atë breg që të merrte vesh pse e patën zgjuar prej gjumit. Paska qenë më e madhe kjo gjë, dashkan ta martojnë. Tani u ftillua, ndaj nisi të fërkonte qafën me duart e ashpra prej punës që bënte. Prej kohësh, i ati e kishte lënë në krye të gurores, prandaj e vinin në lojë kur e thërrisnin Guri i Gurores.
Ai pat nisur qysh i vogël të thyente gurë me qysqi dhe vare. “Harroj mëmën”, u thoshte atyre që e pyesnin pse e bënte këtë punë. Dera e tij nuk kishte nevojë për njerëz që thyenin gurë. I ati nuk e ndaloi kurrë që të harronte mëmën.
Gurët thërrmoheshin e bëheshin të vecërr. I lanin, i sitnin dhe i ngarkonin në qerret e atyre që vinin të blinin nga larg, sepse u duheshin për të lartuar shtëpi apo ngritur pendë që të mbanin mërinë e lumenjve.
I ati nuk ishte ndier derisa Guri i tij të rritej aq sa duhej dhe t’ia besonte gjithë këtë punë. Djali ishte bindur pa bërë zë, ashtu siç bënte për çdo gjë që i kërkonte plaku i tij, por përditë e zinte varenë dhe punonte njësoj si të tjerët, ani se i kishte nën zap. “Harroj mëmën”, thoshte për çdo ditë.
E kish lënë fare të njomë e shkreta mëmë, por as ajo nuk e kish harruar. I fanepsej në gjumë për çdo natë dhe i jepte porosi. “Kujdes me filanin, se ta ka me hile”, “Kujdes me fistekun, se ta ka me të hedhur”. Këto i thoshte mëma në gjumë dhe ai bënte kujdes të madh për gjithçka që e porosiste.
Dhe ja, vetëm pak më parë, kur ishte këputur prej lodhjes në shtratin e fortë, mëma i erdhi sërish, por nuk i dha kurrfarë porosie, vetëm i përkëdhelte kryet e i thoshte: “I vogli i mëmës”.
Tani që Guri i Gurores qe bërë krejt esëll, na doli që baba po e martonte, madje nuk e pyeti fare, ashtu si bëri kur i la guroren në derë.
– Tusha quhet o bir, – iu drejtua i ati, – është vajza e Masar Binos së shkretë, të cilin baba yt e kish vëlla e shkuar vëllait. Atë do të marrësh për grua. Ky njeriu këtu është daja i nuses sate. Do e kesh më shumë se dajko këtë, se të bëri me grua…
Lazja i Mejkatëve nisi të qeshte nën zë dhe rrëkëlleu një tjetër kupëz rakie. Guri ia nguli sytë mysafirit, por nuk e shihte, sepse vrundulli i mendimeve për atë vashë që nuk e njihte vërshoi si ujët e lumit në dimër.
Si do të ishte ajo? A i kishte këmbët e shtrembra si gjithë nursezat? E gjatë apo e shkurtër? Topolake apo thatime?
– Është e bukur si drita e kësaj hëne, që na e ka zbardhur terrin sonte. E gjatë dhe e drejtë si qiriu, se nuk është rritur mes gurëve, por mes lëndinave si i pari ynë, emrin e të cilit ke marrë, apo jo Telit vëllami?
Tjetri u çua në këmbë dhe i zgjati dorën Lazes së Nursisë.
– Qoftë e bërë!
Pastaj shkoi e përqafoi Gurin e Gurores dhe tha me zë të lartë sa e dëgjoi gjithë gjindja:
– Të na trashëgoheni!
Guri i Gurores e zbardhi atë natë, ndërsa priste me padurim të bëhej ditë e të shkonte të thyente gurë, që ta hiqte mendjen nga gjithë ky lëmsh. E kishin uruar pa parë nuse me sy, ndërsa ata vazhdonin të flisnin me sho-shoqin, thua se ai, dhëndri, pra, nuk frymonte fare aty rrotull.
– E veja e Masar Binos, ime motër, ma merr mendja nuk ia ka ënda të bëjë zallamahi të madhe andejza. Do i pingoset gjithë ajo shpurë miqsh e dashamirësh që i kanë kërkuar dorën bilës. Andaj, mendja ma thotë ta sjell drejt e këtu, që të bëjmë dasmë sa të çahen qiejt.
Lazja i Nursisë nuk donte ta zgjaste më atë punë, meqë i qe hapur gurmazi sa një ulluk shiu dhe donte të pinte, prandaj tha vetëm:
– Qoftë e bërë!
Burrat pinë e pinë sa u bënë furtunë. Nisën të përqafeshin me sho-shoqin, prenë gishtat e pinë gjak, pastaj shkulluan prapë raki. Guxuan të këndojnë, por trembën pulat në kotec, derisa nata u lodh me ta dhe filloi të tërhiqte këmbët zvarrë për të shkuar. Shegertët i morën osh e i plasën nëpër oda, kurse Guri i Gurores, sa feksi pak, ia mbathi të thyente gurë.
Teliti e la atë shtëpi vonë, kur dielli ishte ngritur në kupë të qiellit. Më parë, hëngri nja tri vezë të skuqura në gjalpë, por kishte dhimbje koke, shumë dhimbje.
– Më duket sikur po më çahet koka si gurët që po thërrmon Guri tani, – i qau hallin Masar Binos, kur po e përcillte.
U përqafën për herë të fundit, sepse pak ditë e do të shiheshin sërish, kësaj here për të bërë dasmë të madhe.
Kur u kthye në Nursi, Teliti nuk kish dhimbje në krye, por shumë mendime tek i lundronin në ato tejza që i vërshonin në ballë. Tusha flinte për shtatë palë qejfe në atë karro që po shkonte për dasmë, por zbukurime nuk kish, se të nesërmen qe e diel, ditë dasmash për djemtë. Sa të vinte në vete, do ta zbukuronin, do t’i vinin kurora me luledele në krye e do ta bënin nuse në shtëpinë e vëllamit të babait.
Vetëm pas pak, vajza do të bëhej esëll.