VOREA UJKO – BURIMI (cikël me poezi)
VOREA UJKO
BURIMI (cikël me poezi)
BURIMI
Duke ndjekur gjurmët e stërgjyshërve,
kam ecur pesëqind vjet,
me këngë arbëreshe në buzë
e sot ua gjej burimin
dhe i lisave, i erërave
i fshatarëve, i punëtorëve
unë jam vëlla.
E shenjtë kjo tokë,
i shenjtë ky qiell
e nga të gjithë unë ndihem i mbrojtur
dhe juve jua fal këngën time.
NJË GRUSHT DHE
Një grusht dhe
të tokës sime:
baltë, shi, stuhi, diell
aromë e freskët kashte
dhe bukë të munduar.
Kam një grusht dhe
të tokës sime,
që më thërret, në dorë.
NATYRË
Tek vrapoja me nëntëdhjetë,
u ndesha me një bagëti.
Ndala sa të kalonte
e nga xhami i makinës
vështroja fushën e blertë
dhe malet me borë përpjetë.
Më arriti në flegrën e hundës
aroma e deleve
e më kapi një lakmi
jete të thjeshtë.
Nëse do të kisha qenë më i guximshëm,
do ta kisha lënë makinën
për të ndjekur delet
bashkë me barinjtë.
Çfarë këngësh,
midis malit dhe fushës,
këndova brenda makinës,
gjatë tërë udhëtimit.
NË AEROPORT
Gusht i vonuar. E unë
i kredhur në zhegun
e aeroportit të Tiranës
shijoja një ditë fëminije,
duke kërkuar fillin e bjerrë.
Nga pista e fluturimit,
një zë më thirri:
Mirë se vjen, vëlla Vore!
Prej kah vinte ai zë?
Ishte vallë zëri i babës
apo zëri i vëllait?
Të dallova e m’u duke
një shtegtar udhëtimesh të gjata,
nën qiej të shndritshëm.
Dëgjova përshëndetjen e ngrohtë
dhe pashë fytyrën e butë
ku lexova sihariqe të sigurt.
Nga sa mot ne u kishim ndarë?
Oh, rrahje zemre!
Askurrë s’kam qenë ashtu i lehtë
në hovin tim të pastër.
E më rrethuan krahë.
brenda një rrethi vllazërie.
Pastaj vrapuam drejt Tiranës
dhe e ndjeva veten një zog
me cicërima dielli në gjoks.
Gra të gëzueshme nëpër fusha
i buzëqeshnin birit që kthehej.
TI JE E BUKUR
Ti je e bukur mojë vashë,
por dashuria ndërmjet nesh
ajo është e pamundur
pse, ta themi midis nesh,
dashurova mëmën tënde
që ishte e bukur porsi ti.
SITUATË E DYTË
Gjatë urës s’autorrugës
grumbull sorrash të patundura
midis vrullit të makinave.
Janë shumë të lodhura
e s’duan të fluturojnë më
në erë të rralluar.
Kanë marrë sëmundjen e njeriut
dhe presin të përulura
shortën fatale.
Nuk ka më rrëqethje
edhe vdekja e humbi misterin.
Ju lutem të mbroni vdekjen.
SITUATË E TRETË
Macet shoqe të dashura
të mbrëmjeve dimërore
të shkretët qenë besnikë
të dhjetuar buzës së autorrugës
lecka të turpshme
mishin të përgjakshëm
ku natën brejtës të kujtueshëm
e mbarojnë hakmarrjen.
Pastaj gjithçka
do të jetë serë.
Nën rrotat e makinës
besnikëri dhe miqësi.
Vetëm bitum.
E unë po shkoj përpara
në varrezat e pamatura
njerëzish dhe kafshësh
nën varrezat e ndjenjave.
SITUATË E KATËRT
Sonte s’e ndiej veten mirë.
Kam vrarë pesë zogj…
Porsa kishin dalë nga çerdhja
dhe bënin hapat e parë
në det të lirisë.
E unë ua hëngra erën
dhe u përplasën
në baltëmbrojtësin.
Kështu mora pjesë
në gjakderdhjen e përditshme.
Liria nëpër ujq
nuk është e këshillueshme.
VETMI
Qytetet janë kuvende
ku na jetojmë pa thirrje
në vrull të maqinave
e në njëmijë antena
askush s’e merr
thirrmën time për shpëtim.
Kur unë të bie përdhe
i zhytur në gjak,
do të jem vetëm një maqinë
që ngatërron trafikun
e do të dëgjoj fishkëllimën
sepse jam nën kundravajtje.
Do të bëj miqësi
me qenin rrugaç
që takovan në periferi.
FSHATARE E BUKUR
Fshatare e bukur
E zeshkët nga dielli
Ma jep një puthje?
Popo jo, trimi im,
Pse këto pemë nuk kërkohen
Nuk shiten dhe dhurohen
Po vilen me dy
E po tash unë vetëm
Fshatare e bukur
E zeshkët nga dielli
Edhe unë jam vetëm
E po vjelim me dy
Popo jo, trimi im
Pse këto pemë janë të tharta
Janë ende aguridhe
E po do të ëmbëlsohen
Kur dashuria të bjerë në to
Fshatare e bukur
E zeshkët nga dielli…
Dy fjalë për autorin
Vorea Ujko është pseudonimi i poetit arberesh Domeniko Beliçit. Vorea, ka lindur në fshatin Frasnita (Frascineto, Kalabri, Itali) më 1931. Ai ka qenë prift si dhe ka studiuar për letërsi dhe ka punuar si mësues i letërsisë në Firmo. Poezia e Ujkos shquhet për përmallimin dhe krenarinë që ndien poeti për Shqipërinë. Ai bën përpjekje, ashtu si përgjithësisht të gjithë poetët e rinj arbëreshë, që t’i afrohen gjuhës së sotme shqipe.
Krijimet e Ujkos janë publikuar në antologji dhe publikime në Itali, Shqipëri dhe Kosovë. Ai është pasardhësi i shkrimtarëve arbëreshë të shek. të 19-të, De Rada dhe Serembe, krijimet e të cilëve ai i njihte mirë dhe i admironte. Në krijimtarinë e Ujkos vihet re jo vetëm ndjenja atdhetare dhe romantike për Shqipërinë, veti kjo e shkrimtarëve shqiptarë në mërgim, por edhe ndjenja e forte e lidhjes së tij me kulturën dhe paraardhësit ballkanas, edhe pse ata kishin pesëqind vjet në dhe të huaj. Vorea Ujko vdiq në një aksidenti automobilistik më 26, Janar 1989.
Tituj të veprave
– “Zgjimet e gjakut”, Castrovillari (1971);
– “Kosovë”, Cosenza (1973);
– “Mote moderne”, Schiavonea (1976);
– Ankth, Prishtinë (1978);
– Stinët e mia, Corigliano Calabro Stazione (1980);
– Këngë arbëreshe, Tiranë, (1982);
– Burimi, Tiranë, (1985);
– Hapma derën, zonja mëmë, Tiranë, (1990).
2 thoughts on “VOREA UJKO – BURIMI (cikël me poezi)”