BEHAR GJOKA – SISTEMI LETRAR PIRAMIDAL
BEHAR GJOKA
SISTEMI LETRAR PIRAMIDAL
Merita, ndonëse pa një grimë merite, e pushtetit diktatorial dhe artit zyrtar socrealist, ishte projektimi i një sistemi letrar piramidal. Ky lloj sistemi letrar, që më së shumti e përjashtonte letraren, përgjithësisht e rrënoi shtegtimin letrar të së kaluarës, madje e groposi nën tokë si diçka të panevojshme. Po ashtu, sistemi letrar piramidal ndërfuti luftën brenda llojit, që do të thotë se shkeleshin me këmbë ata që prishnin radhën, ata që ecnin më shpejt apo më ngadalë; pra, ata që synonin ndërrimin e ritmit të ideologjisë së partisë shtet, apo që i kundërviheshin.
Më e keqja e sistemit piramidal ishte vendosja e një karrigeje të vetme në krye të piramidës, kinse letrare. Vetëm një karrige dhe përballë saj qindra mëtonjës, mijëra pretendentë e miliona ëndrra për ta pushtuar poltronin e “lavdisë”.
Kuptohet se kjo nuk ndodhi rastësisht dhe në një ditë të vetme, përkundrazi erdhi në vatrat tona, në skenën letrare, me fushata të mirëmenduara. Operacioni i parë, që pamëdyshje hodhi themelet e sistemit letrar piramidal, pra, me një karrige të vetme, ishte fshirja nga faqja e dheut e letërsisë së mëparshme, me parimin “qentë e gjallë kafshojnë luanët e vdekur”, e formatuar nga ana e Sartrit, duke mënjanuar kështu me një të rënë të lapsit shkrimtarët më të fuqishëm, si Fishta, Konica, Kuteli, Koliqi etj. Operacioni i dytë, paksa më tronditës se sa i pari, lidhet me qëndrimin ndaj bashkëkohësve jo bashkëmendimtarë, të cilët u vranë, u burgosën dhe syrgjynosën në skëterrë, si dhe u ndalua vepra e tyre letrare.
Sistemi letrar piramidal, një fantazmë e realizmit socialist, realizoi me sukses prangimin dhe ndalimin e gegnishtes e të arbnishtes, duke përzënë nga panteoni i letrave shqipe të gjithë literaturën e shkruar në këto dy variante letrare. Ky operacion rezultoi mjaft i suksesshëm, sepse me një kongres të fitimtarëve komunistë, u penalizua periudha e parë e shkrimit të shqipes, me Buzukun, Matrëngën, Budin, Bardhin, Bogdanin etj.; u injorua dhe zhvlerësua vepra letrare e autorëve të mëvonshëm të gegnishtes dhe arbnishtes, e sidomos u shpërfill vepra e gjerë dhe cilësore letrare e Martin Camajt, Arshi Pipës, Anton Pashkut etj., që i përkasin letërsisë bashkëkohore.
Suksesi ishte garantuar. Tashmë ishin shembur themelet e kulturës dhe letërsisë shqipe të kaq periudhave. Shumëkush, në mënyrë të njëanshme, mundohet ta quajë arritje kombëtare këtë shpërfytyrim të vlerave letrare gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, në fakt është arritje gjysmake dhe pastërtisht një vepër ideologjike e fitimtarëve të asaj kohe. Paskëtaj, karrigia vetmitare, aty në majë të piramidës, shkëlqeu me gjithpushteshmërinë e vet. Për pasojë, sistemi letrar piramidal, ngritur në periudhën e modelit socrealist, realizoi shpyllëzimin letrar dhe sterilizimin gjuhësor, veçmas formatoi shkretëtirën letrare të letrave shqipe të brendisë socrealiste.
Diçka kuptuam në vitet ’90, megjithatë shumëçka ende nuk është sqaruar nga makthi keqkuptimor, ku mallkimi i Fishtës, njërit prej kulmeve të dialektit verior, shpuri në dënimin e gegnishtes dhe arbnishtes. Tani, duke mbrojtur Fishtën apo Camajn, Mjedën apo Pashkun, vetëm sa ceken pjesë thelbësore të atyre dialekteve, por duke mbetur sërish dy variante të prangosura. Si pasojë e operacioneve të kryera, sidomos ndalimi i gegnishtes dhe arbrishtes si variante letrare, mbërritëm kështu në një pikë kyç të shqyrtimit letrar.
Në mjediset shqiptare, letërsia, përveç piketave të tjera shqyrtimore, mund të interpretohet edhe si krijimtari e kompromisit dhe moskompromisit. Duhet sqaruar se qoftë kompromisi, po ashtu edhe moskompromisi, nga ata që kanë qëndruar të paepur, ka ndodhur vetëm e vetëm për hir të letrares. Pra, domosdoshmërisht, letërsia bashkëkohore e shkruar në gjuhën shqipe, pavarësisht ndryshimeve apo dallimeve, duhet kundruar edhe nëpër këto dy nivele, mbase për të përmbushur një këndvështrim të lexuesve dhe të vetë shkrimtarëve.
Nga sa kuptohet, por e formuluar qartë edhe nga autorë të ndryshëm, si letërsi e kompromisit emërtohet modeli i realizmit socialist ose letërsia e shërbesës, siç e pati quajtur më herët poeti dhe kritiku Ramadan Musliu. Pra, letërsi e shërbesës sepse bëri kompromis me pushtetin diktatorial. Letërsia e kompromisit përfshin me dhjetëra shkrimtarë, duke pasur në krye të vendit Agollin, Qosen, Kadarenë etj. Në momentin që po flasim dhe shkruajmë, letërsia e kompromisit ka ende disa përparësi formale, të cilat burojnë vetëmse nga sistemi letrar piramidal dhe karrigia e vetme, krahasuar me modelet e tjera letrare:
– Përparësia e parë buron nga fakti se ajo është një letërsi e botuar lirisht, me gjithë ndonjë pengim rastësor, që nuk ka gjasa të fryhet si ndalim dhe përndjekje, me qëllim justifikimin mashtrues për disidencë.
– E dyta përparësi vjen prej leximit dhe vlerësimit të letërsisë së kompromisit, duke e fokusuar si kulm të letërsisë shqipe në të gjitha nivelet e shkollimit, gjë që në fakt ka shpënë në “prishjen e shijes së leximit”, siç e pati formuluar T. Elioti në fillim të shekullit të kaluar.
– Përparësi tjetër e letërsisë së kompromisit, e prekshme si faktologji tekstesh, është edhe përkthimi në dhjetëra gjuhë të botës, çka ka sjell famën për shkrimtarët e shërbesës.
Këto përparësi të arealit të letërsisë së kompormisit i hodhën themelet në kohën e diktaturës. Për ironi, edhe në rrethanat e reja sociale dhe politike, panteoni i vlerave të atëhershme, megjithatë vijon të ndikojë fuqishëm mbi procesin letrar. Janë pikërisht rrethanat e përmbysjeve të viteve ‘90, të cilat mundësuan daljen në dritë të letërsisë së moskompromisit. Vetëkuptohet që letërsia e moskompromisit, pak a shumë, përfaqësohet nga vepra letrare e Camajt, Pipës, Pashkut, Trebeshinës, Dervishit, Musliut, Xhaferrit, Zorbës, Reshpes etj. Formati letrar i moskompromisit, sidomos në këtë hark kohor, ka krijuar mundësinë e verifikimit të vlerave letrare duke pasur disa përparësi.
– E para përparësi e letërsisë së moskompromisit, e cila në pjesën më të madhe ka qenë e dorëshkruar, është zbulimi i saj si një vlerë e rëndësishme e letrave shqipe.
– Përparësia e dytë e këtij segmenti letrar, po kaq me vlerë letrare, lidhet ngushtësisht me lulëzimin e rrymave letrare të ndryshme prej modelit letrar zyrtar të realizmit socialist.
– Tjetër përparësi e materies tekstologjike të saj është zhvillimi i prekshëm gjinor, i zhanreve të ndryshme letrare, si dramatika, lirika dhe studimet letrare.
ETIKA DHE ESTETIKA
Letërsia, gjatë gjithë historisë njerëzore, jo vetëm ajo e shkruar në gjuhën shqipe, por edhe në çdo letërsi tjetër, është lexuar në dy forma kryesore:
A – Leximi etik, pra si diçka e moralshme (letërsi me nder dhe pa nder!), që udhëheq prirjen pozitive të përparimit të qenies njerëzore. Leximi etik vë në qendër vitalitetin moral, pa të cilin njeriu do të binte në humnerat e harrimit. Ky lloj leximi qëmton vlerat morale të shkrimtarëve dhe teksteve letrare, për t’i shënuar si modele të së mirës, heroikes dhe madhështisë. Kështu ka ndodhur gjatë periudhave historike.
Vetë thelbi i artit e ka të ngjizur procesin moral, si pastrim (katars) shpirtëror, siç lajmëron qysh në antikitet Aristoteli te “Poetika”. Megjithatë, leximi etik, në çaste të caktuara dhe në vijimësi, në emër të moralit, ka çuar shpeshherë në harresë të artit, të vlerave të vërteta letrare, dhe gati-gati i përjashton mënyrat e tjera shqyrtimore të studimit të letërsisë.
Shndërrimi i etikes në gur prove, në njësi matëse të vlerave letrare, e çon atë në nivelin e fetishit dhe marrjes së frymës të estetikes. Pra, fetishizohet qëndresa dhe mosqëndresa, kompromisi dhe moskompromisi, heroizmi dhe mungesa e tij, dhe lihet pas dore arti, tekstet letrare, materiali ku fle estetikja, vlera e gjallimit dhe amshimit. Leximi i ngurtë etik, madje në kontekste të caktuara kohore dhe ideologjike, do të përjashtonte nga letrarja me qindra shkrimtarë të oborreve mbretërore dhe diktatoriale, të skllavërisë dhe mesjetës, të lirisë dhe demokracisë, e do ta shënonte kështu letraren në një shkretëtirë mllefi dhe lulnimi mjeran.
B – Leximi estetik, si shenjë e vlerave artistike, si gjurmë e kërkimit të së bukurës, edhe në rastet kur përshkruan të shëmtuarën. Kapja e kahjeve të ligjësive estetike, të formulimit të shkollave dhe rrymave letrare, të shenjëzimeve cilësore, si dhe semantikës së zgjeruar të tekstit letrar, janë përparësi thelbësore të leximit estetik.
Shqyrtimi estetik përndrit vatrat e frymëzimit dhe të thadrimit letrar, si shtysë dhe idealitet, si përfytyrim dhe mesazh tërësor; pikëvështron vatrat e frymëzimit jashtë kornizimeve kohore dhe hapësinore, jashtë përndarjeve klanore dhe krahinore. Thadrimi letrar, si varg apo rresht, si dialog ose monolog, si prozë a poezi, si lirikë ose epikë, si ese dhe shqyrtim kritik e studimor, varet nga esenca gjuhësore dhe letrare, që vesh dhe sendërton ligjësoritë estetike.
Estetikja, me të gjitha dukuritë e shfaqjes, format e shprehjes letrare, tipologjinë shkrimore autoriale ose të një periudhe të caktuar kohore, përbën vetë thelbin e artit të fjalës. Thelbi letrar mbart edhe shenjën e kohës shkrimore, por edhe të amshimit, gjithnjë nëse materiali letrar zbulon dhe shënon vlagën e ligjësive estetike. Vetëm leximi estetik, pra shqyrtimi i tekstit dhe formave strukturore, i mënyrave të formulimit të shprehësisë letrare, lë jashtë vëmendjes leximet e tjera, po ashtu edhe leximin etik, të ngritur në vatrën e pikëvështrimit të moralshëm.
Humbja e dimensionit etik të letrares është e papërfillshme krahasuar me humbjen që vjen nga mungesa e leximit estetik. Leximi etik i letrares e ka humbur vlefshmërinë, bashkë me leximet e tjera të prejardhura prej tij, si leximi biografik, që ka në qendër jetëshkrimin e autorit, leximi sociologjik, i cili e vendos letraren në pozicione statike të verifikimit nëpërmjet rrafsheve shoqërore, leximi përmbajtjesor aq ngulfatës, që gjurmon kryesisht ideshmërinë dhe gati e shpërfill formën artistike.
Në mjediset shqiptare, leximi etik, si dhe leximet e prejardhura prej tij, i kanë zënë udhën leximit estetik, pra qëmtimit të mirëfilltë të letrares. Do të duhet të biem në ujdi se nuk ka vetëm një lloj leximi, as etik dhe as estetik, as ideor dhe as formalist, përkundrazi ka një mori mënyrash leximi, e po kaq, secili prej tyre është i vlershëm, madje mënyrat e leximit edhe kombinohen ndërmjetshëm, por megjithatë në krye të tyre, dhe i vetmi që do ta shqyrtonte letërsinë si fakt letrar, është leximi estetik.
HIJEDRITAT E NDRYSHIMIT
Kundrimi i letrares si fakt kompromisi apo moskompromisi, shërbese dhe antishërbese, pavarësisht përparësive të secilit grupim, sjell përfundime të ndryshme dhe të paimagjinueshme. Kështu, dihet se përparësitë e letërsisë së kompromisit janë të njohura dhe të prekshme. Nga ana tjetër, përparësitë e letrares së moskompromisit vijnë si një befasi letrare fill pas shembjes së diktaturës, megjithëse ato kanë qenë të pranishme në tekstet e shkruara, por aviten pranë lexuesit vetëm në këtë ndërkohë. Ardhja në mjediset letrare pas viteve ‘90 shënon një nivel të ri të literaritetit në letrat shqipe. Njëkohshëm me të, vetvetiu ndërfuten edhe disa pamundësi të përfillshme të letërsisë së moskompromisit.
– Pamundësia e parë ka të bëjë me mosmbushjen e hendekut midis kohës shkrimore dhe kohës së botimit. Me dhjetëra vepra të letërsisë së moskompromisit/shërbesës janë shkruar disa dhjetëvjeçarë më parë, por u publikuan vetëm mbas përmbysjes së sistemit diktatorial.
– E dyta pamundësi e shtratit letrar të moskompromisit lidhet me mosndikimin e teksteve letrare të këtij formati në klimën letrare dhe artistike të kohës së tyre dhe të mëvonshme.
– Pamundësia e tretë i përket kryesisht rrafshit të njohjes dhe pranimit të vlerave letrare të aksit letrar të moskompromisit: njohjes si vepër tërësore të secilit shkrimtar të letërsisë së pakompromentuar me normat e modelit socrealist. Themi pranimin e kësaj pjese të letërsisë bashkëkohore shqipe duke pasur parasysh shijen e leximit, raportin fondamental të lexuesit me tekstin.
Paqartësia e pranishme në nivelin e shijes leximore, megjithatë nuk “shpëton” nga përgjegjësia as lexuesin, as autorin. Nëse detyra e shkrimtarit përfshin brenda vetes kalvarin e përjetimeve shkrimore, gjer te strehimi i tekstit nën një kopertinë, nga ana tjetër, pikërisht në këtë çast merr udhë qëndrimi i lexuesit, edhe kur është studiues, i cili ngërthen në brendësi të vet individualen dhe shoqëroren.
Pika e ndarjes në mes lexuesit dhe shkrimtarit, pra atij momenti kur midis tyre qëndron libri, teksti i shkruar, i vë në nivel të baraslarguar nga njëri-tjetri. Prania e të tre komponentëve (shkrimtari, lexuesi dhe teksti) në bashkudhëtimin e letrares, është e pashmangshme, madje është një kusht ekzistencial i artit të fjalës. Letërsi pa shkrimtar, pavarësisht nënshtrimit apo heroizmit, servilizmit apo mllefit, adhurimit apo kundërvënies, as ka pasur dhe as do të ketë ndonjëherë, në faqe të dheut.
Po ashtu ç’vlerë ka letrarja në vetvete dhe për vetveten, pa lexuesin? Pa këtë hallkë thelbësore të ekzistencës së letrares, pra pa leximin si një proces i vazhdueshëm, vepra letrare e Homerit, Dantes, Servantesit, Shekspirit, Gëtes, Borgesit etj., do të qe veçse një stoli më tepër e varur në gjoks të njerëzimit të çoroditur.
Është e qartë se dy komponentët e parë, shkrimtari dhe lexuesi, janë në njëfarë mënyre peng i rrethanave sociale dhe politike. Shkrimtari, me universin personal të larmisë, ku pa dyshim gjëllin mirësia dhe ligësia, nuk mund t’u fshihet kushteve ekzistenciale. Lexuesi, ndikuar pashmangshmërisht prej rrethanave të kohës, si panteon mbretëror, diktatorial apo të çdo sistemi tjetër, por mjerueshëm edhe në mbretërinë e lirisë, pra në demokraci, pilikundet nën ethet e vlerësimit subjektiv dhe emocional.
Krejt tjetërsoj ngjet me tekstin ose komponentin e tretë, por më kryesorin, të letrares që kapërcen caqet kohore dhe hapësinore. Teksti letrar, prozë a poezi, dramë ose shqyrtim kritik, gëzon mbrojtje ndaj rrethanave të caktuara dhe të pacaktuara historike e sociale, si me thënë ka një imunitet të rrokshëm, krahasuar me autorin dhe lexuesin, të cilët varësisht rrethanave janë të zbuluar dhe më të paqëndrueshëm.
Sugjerimi interesant: “…ata që shkruajnë për sundimtarët e pushtetit, mbeten shkrimtarë të oborrit, si faktografi e jo si letërsi, e shkrimtarët që janë shkrimtarë, ata edhe në oborr bëhen shkrimtarë.” (2005: 22) i Ibrahim Rugovës, njëri nga kritikët dhe studiuesit më të vyer të studimtarisë së shqipes, në librin “Refuzimi estetik” krijon jo pak hapësira interpretimi të realitetit letrar, e menjëherë të ndërmend Molierin dhe Gëten në letërsinë botërore. Teksti është i ngurtësuar në shkronjë, në mënyrë të atillë, që zakonisht e shpërfill personalen shkrimore, po ashtu edhe shoqëroren e leximtarisë.
ETIKJA FSHEH LETRAREN
Paqartësia e moskuptimit të përplasjes së fuqishme ndërmjet letrares së kompromisit dhe asaj të pakompromisit, pra të letërsisë së shërbesës dhe antishërbesës, i lë shtigjet hapur.
Së pari, kompromisi dhe moskompromisi, përpara se sa shtrat letrar, në fakt janë dy forma të ekzistencës njerëzore, madje, hasëll-hasëll, ato dukuri janë deformim ose tregues karakteri.
Së dyti, moskompromisi dhe kompromisi, nga ana tjetër, më tepër burojnë nga rrethanat jetësore, mbase prej nevojës për të mbijetuar si hero apo si bretkosë, krenar ose i nënshtruar.
Së treti, qëndrimi i kompromentuar ose i pakompromentuar, tek e fundit është një shenjë e pastër morale, varësisht etike. Dihet se etikja e fsheh dhe e zbulon estetiken, por kurrsesi nuk e shpjegon dot atë gjer në fund, madje e lë në periferi të shqyrtimit.
Pra, të qenët në kompromis me pushtetin zyrtar është vetëm se një tregues i pastër shpërfytyrimi. Dhe, çfarë është e rëndësishme në ligjëratën tonë përmbi letraren, kompromisi me parimet estetike zyrtare, pa e kuptuar fare, e shndërron letraren në parullë dhe zeje. Nga ana tjetër, në nivel leximi dhe interpretimi, shqyrtimi dhe verifikimi, të qenët në moskompromis me pushtetin zyrtar, madje edhe me segmentet më të ngushtuara, fundja edhe me sharlatanizmin, që nuk dëshiron të shoh asgjë, është një mbijetesë e pazakontë, ndonëse kundërvënia (disidenca) jashtëletrare nuk ka asnjë vlerë estetike.
Thelbi i disidencës shënon vetëm mundësinë e kthimit në normalitet, nuk përbën vetë normalitetin, në kuptimin e sprovës letrare. Disidenca jashtëletrare mund të karakterizojë rezistencën njerëzore, madje deri në modelime për ta imituar atë, por kurrsesi nuk ka shans që të përdoret si kriter për të shënuar estetiken dhe aq më tepër për të verifikuar artin dhe vlerat estetike. Nuk do harruar këtu se moskompromisi me normat e artit zyrtar ka dy mundësi ekzistence.
E para: E zbret letraren në nivelin e antiparullës dhe të një zanati të mirëfilltë prodhimtarie shkrimore, pra duke realizuar kështu anën tjetër të medaljes së aspektit të komporimisit.
E dyta:. E ngjit, në ndonjë rast, deri edhe në zenitin e kreativitetit letrar, që megjithatë nuk ka të bëjë me mjedisin përqark, çka në fakt ka ngjarë realisht me poezinë e Camajt.
E sërish këmbëngulim, se leximi i letrares nëpër rrathët e nxehtë etik, të kompromisit dhe moskompromisit, pra të shërbesës dhe antishërbesës, kuptohet që është jo vetëm i përkohshëm, por edhe jashtëletrar. Përkohësia qëndron në faktin se me atë mënyrë leximi mbivendoset në epiqendër të verifikimit, atë çfarë i takon etikes, dhe i zhvendos diku në periferi vlerat estetike të teksteve letrare.
Verifikimi i këtillë i vlerave artistike, i esencës së teksteve të shkruara, pavarësisht se ku dhe kur u shkruan, pavarësisht edhe gjinisë e llojit letrar, duke i tejkëqyrur vetëm me lente etike, pra me pentagramin e etosit të artit, e rrëshqet shqyrtimin e letrares kryesisht në pista jashtëletrare, madje në një estetikë të refuzimit estetik.
Leximi i letrares, me dhe pa kompromis, është i përkohshëm dhe i nevojshëm (për ne shqiptarët veçanërisht) për aq kohë sa të qartësojmë biografinë e shkrimtarëve, bëmat dhe të pabëmet e tyre, heroiken dhe shëmtimin e pranishëm. Është i nevojshëm, mbase për të tejndriçuar qëndrimet morale të shkrimtarëve, që detyrimisht i zbeh si qenie njerëzore në sy të lexuesit, por, që në fakt tekstet letrare as i ngroh e as i ftoh.
Është i nevojshëm të jetë i pranishëm, qoftë edhe për të mbyllur kapitullin e leximit të vetëm domethënies, të ideve dhe ideshmërisë, të biografisë dhe historisë jetëshkrimore, çka për një kohë të gjatë, shumë të gjatë, shmangu padrejtësisht nga shqyrtimi formën dhe shprehësinë letrare. Tanimë është koha të kundrojmë tekstet e shkruara, të botuara apo në dorëshkrim, dhe jo faktorët dytësorë të letrares, si leximi etik, biografik, ideologjik etj.
Vlera e një shkrimtari, madje e veprës së realizuar prej tij, është e lidhur pazgjidhshmërisht me materien tekstologjike, madje, studimet letrare, qysh me Roland Bartin, aty nga vitet 60 të shekullit të kaluar, duke projektuar “vdekjen e autorit” në kuptimin hipotetik dhe metaforik, e kanë vënë në qendër të vëmendjes tekstin letrar, si makrostrukturë kompozicionale tekstore dhe shprehëse.
Koncepti i vdekjes së autorit i Bartit, natyrisht që e tejkalon idenë e Saint Boevit, të hedhur në shekullin XIX, se “Vepra dhe personaliteti i shkrimtarit nuk mund të ndahet”, çka e konfirmon gjithë teoritika bashkëkohore, si dhe praktika shkrimore e artistëve të fjalës, në kohët moderne dhe postmoderne.
Në kohërat pasmoderne, pamëdyshje që të tre komponentët thelbësorë të letrares (shkrimtari, lexuesi dhe teksti), në mjediset botërore integrohen natyrshëm, porse në mjediset tona komponenti thelbësor dhe i pandryshueshëm, pra teksti letrar, vijon të mbetet ende diku në fund të shqyrtimeve ose më keq ende, të mos merret në konsideratë fare.
SHEMBJA E SISTEMIT PIRAMIDAL
Në historinë e artit dhe letërsisë, që prej antikitetit e deri në kohërat moderne, sisteme letrare piramidale zakonisht projektojnë:
– Mbretëritë, për të ndriçuar oborrin me lale dhe pekule, që më bukur se kushdo i sendërton arti dhe letërsia.
– Diktaturat, për të fshehur ankthin, terrin dhe tmerrin, që kaplon qeniet njerëzore, si dhe për të zbukuruar diktatorët përbindësha, madje pavarësisht sistemit dhe ideologjisë.
E përbashkëta e sistemit letrar piramidal, të mbretërive dhe diktaturave, lidhet fort me nënshtrimin e artistëve dhe shkrimtarëve, si dhe me vënien e tyre në shërbim të këtyre formave sunduese të talenteve dhe magjisë letrare, për të shërbyer në procesin e përmirësimit të imazhit të tyre, pra të mbretërve dhe diktatorëve.
Nëse mbretëria, pavarësisht kohës dhe hapësirës, i trajtonte artistët si lolo, klounë për t’u argëtuar sundimtarët, diktaturat nga ana tjetër, para së gjithash vrasin shpirtin dhe mendjen e lirë, dhe nëpërmjet censurës e vetëcensurës e shpien artistin deri në gradën e adhurimit, të thurjes së ditirambeve për diktaturën dhe diktatorët, duke i poshtëruar kështu deri në skajshmëri.
Ky deformim, përveç lëngatës së qenies njerëzore, është pasojë e veprimit të sistemit diktatorial, që e shformëson dhe tëhuajëson njeriun, e bashkë me të edhe artin dhe letërsinë, duke i kthyer ato në shtojca të ideologjisë dhe sistemit të sundimit diktatorial. Debati për letraren e mbretërisë apo kundër saj, letraren e diktaturës ose të kundërvënies (nëse do të qëndrojmë në rrafshet dytësore, tek etikja, biografikja, sociologjikja, ideologjikja), përpos se shterpë do të jetë edhe një mënyrë bjerraditëse e mjerë, që vetëm sa do të na largojë nga komunikimi me tekstet letrare.
Vëmendja e lexuesit, qoftë edhe ekspertë dhe me tituj, duhet të kthehet nga fusha reale e letërsisë, nga shqyrtimi i teksteve, ku zakonisht fle magjia e letrares. Verifikimit letrar tashmë i duhet që të kalojë nëpër sitën e kritereve estetike, natyrisht duke e shpërfillur famën e letërsisë së kompromisit/shërbesës, njëherit edhe mungesën e famës së letërsisë së moskompromisit.
“Ndëshkimi” i autorëve, teksteve letrare, nuk mund të bazohet në goditjen e famës, por kryesisht dhe vetëm në kriteret estetike. Po ashtu, ngjitja e shkrimtarëve të ndaluar, nuk mund të përdorë si kriter mungesën e famës. Fama, kur është a kur dëshirohet me marrëzi, është vlera më pa vlerë e teksteve letrare. Po të ndodhte kështu, pra goditja e famës në njërin krah, dhe fitorja prej mungesës së famës në krahun tjetër, mbështetur kryesisht në “besimin” njerëzor të shkrimtarëve se janë gjeni e se prodhojnë vetëm e vetëm kryevepra, situata do të bëhej edhe më qesharake, do të ulej prifti dhe do të ngrihej hoxha.
Një ulje-ngritje e shëmtuar dhe humbakohëse ngjau me Fishtën, Konicën, Kutelin, Koliqin, Poradecin, Haxhiademin etj., një goditje e pësuar patjetër edhe me ndihmesën e shkrimtarëve të shërbesës. Një ngritje-ulje tjetër, gjithnjë jashtë kritereve letrare, veçse do të shumonte edhe ca më tepër shkretëtirën që mbolli modeli letrar socrealist. Shkrimtarët, siç tërheq vëmendjen Hajdegeri, janë të ngujuar, para së gjithash, në ngrehinë e vet, që mund të emërtohet si kafaz i tekstit gjuhësor dhe letrar. Janë të ngujuar pazgjidhshmërisht në ngrehinën letrare dhe gjuhësore, në kuptimin konkret dhe figurativ.
Rënia e diktaturës, eventualisht përgatiti edhe shembjen e sistemit letrar piramidal, që kishte rrëmihur në disa nga vatrat e ligjërimit letrar të shqipes. Rrënimi i këtij sistemi piramidal, një mbetje absurde dhe e panevojshme, pjesë integrale e infrastrukturës së monizmit, ka nisur qysh në vitet ‘90. Ka ardhur ora që ky sistem letrar fiktiv, menduar me një karrige, i cili përjashtoi letërsinë që nuk kish lidhje me realizmin socialist dhe shmangu vlerat e letërsisë shqipe të së kaluarës e ato bashkëkohore, më në fund do të duhet shmangur nga udha e ligjërimit letrar.
Të shmanget realisht, jo thjesht duke u distancuar nga normat e modelit zyrtar, por duke mbajtur veprat e realizuar me frymën e tij. Ose më e pakta, ky sistem letrar duhet mbyllur në muze si një relike e shpërdorimit të artit dhe letërsisë. Ka ardhur ora që përmes letrares së të gjitha ngjyrave, formave shprehëse, shkollave dhe rrymave letrare, formësimeve kompozicionale dhe shprehimore, të projektohet sistemi letrar “i qiellit me shumë yje”, ashtu si e paratha Antonio Gramshi, ku të përfshihen përmasat horizontale dhe vertikale të letrave shqipe, gjithëkohore dhe gjithëhapsinore.
Shënim. Pjesa e mësipërme është shkëptuar nga libri “Sistemi letrar piramidal”, botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2007.