GJERGJ FISHTA – KUVENDI I BERLINIT

GJERGJ FISHTA – KUVENDI I BERLINIT
GJERGJ FISHTA

KUVENDI I BERLINIT

Deh! oj Zânë, tý t’ kjosha true!
A thue din ti me m’kallxue,
Se ç’ká ndêjë tue bumbullue
Andej larg kah Rumelija,
Ka’ ajo Plevna e Bulgarija? 5
A kjenë topa a veç kjenë gjâmë,
Qi u dridh toka ashtû nên kâmë?
Besa,jo, pra nuk kjenë gjâmë
Qi u dridh toka ashtu nên kâmë;
Por kjenë topat e Rusís, 10
Kjenë havanet e Turkís
Qi bumbulluen fushës s’ Rumelís,
Nâtë e ditë tue rrahë pá dá,
Rumelín t’ tânë n’ gjak tue e lá
Kah na u pré Turku me Shkjá, 15
Me Miskov Turku ka’ u pré.
Rrëmej gjaku shkulm mbí dhé:
Si mjerë Zêmra e atyne nânave,
Qi i pa’n djelmt atyne âneve,
Perse kryet nên grykë t’ havanave, 20
Kur të rrahin kta batare,
S’ i bân nierit, jo nji pare.
Bre mâ zí ‘dhe pat per t’ ndollë,
Pse tue u rrasë kje Shkjau n’Stambollë,
Me zhbî Mbretin m’ post te vet; 25
Veç se u rán Krajlat ndermjet,
Edhe pushka tashti prâni.
Sod t’shtatët Krajlit e Sulltani
N’ at Berlin na jânë bashkue,
Na kan nise me e bisedue 30
Se si pûnen me e vendue,
Per ma vû paq edhe besë,
Per me shue luftë e ngatrresë,
Zêmer t’ keqe, mní e resë,
Tue ngulë gúr, tue ngulë kufí, 35
Per gjith vend, per gjith mbretní,
Giatë Balkanit m’ Dét te Zí.
Por tue kênë se besë e fé
Nuk po kisht’, jo, sod mbi dhé,
E se forti, n’ armë merthye, 40
Aj po kisht’ gjithmonë arsye,
Un tue e pasë jam ktû do frigë
Ser na bîn ndo’ i pûnë e ligë
Per Shqypní e per Shqyptarë:
Ke kta s’ kan miq as kumarë, 45
Qi me e folë per ta nji fjalë,
Qi me hî atyýzot me u dalë,
Pse, edhe qe, qaj Knjaz Nikolla,
Lshue dollamen pola-pola,
E me ‘i strugë të gjânë dý pllàmë, 50
Me ‘ kosh rrethe neper kâmë,
Shkye shallvarësh mbî kupë te giûnit
Me ju dhimët gurit e drunit:
Aj po u del Krajlave para,
E me fjalë e dokrra t’ mara 55
Po ja nisë atý me kjá,
Se aj tokë buke nuk po ká,
Bjeshkë e vrrî se atî i jânë thá:
I jânë tha e i jânë shkrumue,
Te tânë shkam e rrasë e lmue, 60
Pa nji kallzë, pa nji shkop drûje,
Sa qi poplli, rreshkun ûje,
Asht ka’ i del prej Cernagore,
Po s’ i u lshue nji tokë gratçore,
Si, bjen fjala, toka arbnore. 65
Toka arbnore,tokë me nâm
(Blé me pash e shitë me pllâmë,
Pashi argjand, pllâma florî,)
N’ daç per bjeshkë e n’ daç per vrrî,
N’ daç per dhên e n’ daç per dhí, 70
Si per bukë, si per tagjí
Si per pûnë, si per tregtí.
Edhe Krajlat po e ndigionin,
Po e ndigiojn- as s’po e qortojn;
Veç se bashkë me Mbret t’ Stambollës, 75
Po na i napin dorë Nikollës,
Me mârrë Plavë, me mârrë Guci,
Me mârrë Shkodren me Malci,
Dér kû dán vendi me Drî:
Si atë Zoti m’ a marroftë, 80
Mbret,a Krajl, a kushdo kjoftë,
Qi vû dorë m’leter mâ i pari
Vendit t’ vet me dalë Shqyptari,
Ase rob me ndêjë nen Shkjá,
Pagë e t’ dheta atij tue i lá! 85
Se, per Zotin- kjoftë levdue!-
Per pa u bâ gjaku der m’ giû,
Kurr Shqypnín a’kem’ per t’a lshue.
Se kur t’ mêrret, vall, Shqypnija,
Flakë do t’ ndezet rrokullija, 90
E do t’ binden fiset t’ tâna
Kah bjen dielli e kah mêrr hâna.
Gjaku i jonë, po, ká me vlue,
Nama e jonë, po, ká me ushtue,
Ka me i shkue m’ vesh Perendís, 95
Edhe i lumi, n’frymë t’ idhnís,
M’ vend Europian ká me e vrá:
Te tânë n’ gjak ká per t’ a lá.
Kúr ka ndie qaj Knjaz Nikolla,
Se atí Europa edhe Stambolla 100
Dorë i dhânkan mbî Shqypnî,
Me dale cubi nji zotni:
Vû kapicen m’njanin sý,
Se ç’ â hjedhë e ç’ ká lodrue,
Se ‘ dhe kangës ç’ i a ká fillue, 105
Porsi krushku tue Vallzue!
Lum e lum, po, i biri i Shkinës,
Se nder ksolla te Cetinës,
N’ ato kohë qi kan me ardhë,
Ká me ngrânë aj bukë të bardhë, 110
Ká me zí aj mish taroçit,
Ká me pí, po vênë prej poçit,
N’ të dý faqet me i plasë gjaku,
Kacadrê me i ndêjë mustaku.
Në Cetinë mandej ká dalë, 115
Pál Milanit ká çue fjalë:
More Pál, more yi djalë,
Nji sahat mos t’ bâjsh me u ndalë,
Por fluturo si gjeraçina,
Edhe peja ke Cetina; 120
Pse due t’ ap un t’ý nji ushtrí:
Pêsë taborre djelm të rí,
T ‘tânë Sokola lé n’ Mal t’ Zí,
Per me i qitë un n’ at Shqypní:
N’ Hot e n’ Grudë, n’ Plavë e n’Gucí 125
E ato vende me m’i shtrue,
Se ato Krajlat m’ i dhanë mue,
Me shkelë m’ to gjith si të due.
E mandej, si per nji javë
T’ m’i keshë shtrue Gucí e Plavë, 130
M’beh t’m ‘i bijsh Lekve t’ Malcís,
Si njaj ujku prej pusís,
E me shpatë e me konop.
Të m’i bâjsh mue Lekët per Shkop,
Edhè vendin, gjânë e giatë, 135
T’m’a pushtojsh der m’Prrue te Thát.
Pse, si shtrue t’a kem’ Malcín,
T’ kem’ mârrë Plaven e Gucín,
At herë na po t’ rrasna n’ Shkoder,
Tue lujtë valle e tue kcye loder, 140
Si ata mâzat neper lâmë,
Pa na hî kund ferrë në kâmë.
Pál Milani thotë nji fjalë:
Njeksaj pûnë â vshtirë me i dalë;
Se p’r ‘i javë s’ shtrohet Malcija, 145
Se as me pushkë s’ mêrret Shqypnija.
Vênu shêj. po, fjalve t’ mija,
E mos nguc grênzat me krande,
Perse ngucë te zezen t’ ande,
Pse edhe jashtë n’ ket pûnë ké marrë: 150
Per pá t’ pasë kush gjak as varrë,
Nuk thotë Zoti, as s’e ep kanûni
Në vend t’ huej me hî perdhûni.
Jo, po, m’ thuej në zjarm me rrânë,
Me i rá – detit ânë e m’ ânë, 155
Se n’ fjalë t’ ande atje do t’ veta;
Por n’Shqypní, besa, s’mund t’ veta.
Qeshi Knjazi vesh e m’ vesh,
Se ti kênke-o burrë prej nesh:
Kênke burrë veç me ngrânë pshesh, 160
Q’ se i a nisë me m’ predikue,
Thue se ‘i grue vetë kam qillue
Qi me u trêmë prej fjalve t’ ueja,
Per çka m’ flet, per vende t’ hueja
Jo, po, mirë do t’ isht’ per tý 165
Kamelef me vû ti n’ krye,
Me lshue mjekren dér nen gjí,
E me dalë Pop ti n’ Mal t’ Zí
Per n’ mos daç ti n’ shpí me shkue
Me njitë furken porsi grue, 170
E aty n’ derë, ndêjë mbî ndo’i krroqe,
Me tjerrë m’bosht me t’ande shoqe,
Tuj u zé me tê n’ shullâ:
Se per luftë s’u dashtke gjâ.
Sa per luftë âsht Mark Milani 175
Burrë si motit, trim si luani,
Qi edhè ushtrís ka per t’ m’ i prî,
Per me shtrue Plavë e Gucí,
Per me shkelë Lekë e Malcí.
Edhe Shkoders mrendë me i hî; 180
Me i hî mrenda me bajrak:
Me bâ Shkodren Karadak.
Kshtû tha Knjazi e lshoi kushtrimin,
Per me mledhë n’ushtrí burrnimin.
Pingroi Zâna neper molla: 185
Hajde! hajde! or, Knjaz Nikolla,
Se pak giatë jé shtý me fjalë:
Se vjen moti per kadalë:
Se s’ din nieri kû mund t’ dalë,
Po kje ‘imend se lshon aj vrapin 190
Mâ të madh se t’ a két hapin:
Si, me giasë, ti don m’ e lshue,
Q’ se nder mend ty t’ âsht ngujue
Ne Gucí nji ushtrí me e çue,
Shqyptarín nji herë pa e pvetë: 195
A thue e lshon Gucín e shkretë,
A thue e lshon Malcín e ngratë,
Per pa i shprazë dý pushkë m’ te thatë.
Me Shqyptarë, more Nikollë,
Mundet nieri ngusht me ndollë, 200
Po s’u shkoi aj mrendë per mik;
Se ata lé kishin çelik,
E vû sý kishin me dekë,
M’erz a m’ tokë me pasë me i prekë,
S’ ka shka bân nder ta i huej’! 205
Se ata gjallë s’ i shtrohen kuej,
N’ dashtë t’jét Knjaz, a n’dashtë t’jét Mbret;
Se atà Mbret po ishin n’ dhé t’ vet:
Fort gabon kush i gerget!

(Fishtë, 23 tetor 1871)

Kuvendi i Berlinit
Gjergj Fishta
BIOGRAFI

Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871 – Lezhë, 30 dhjetor 1940) ka qenë frat françeskan, arsimtar, shkrimtar, përkthyes dhe kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të qeverisë Përmeti në Konferencën e Versajës dhe zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921.

Pas dekadës së dytë të shek. XX, Fishta iu imponua kulturës shqiptare jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet. Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.

Në fushën e letrave Fishta lëvroi gjini të ndryshme si poezinë epike ashtu edhe atë lirike, satiriken, dramën, publicistikën edhe përkthimin. Si ndër më përfaqësuesit të poetëve romantikë, shkroi vepra që zhvillojnë tema të poezisë gojore dhe të traditës, duke u mbështetur shumë mbi modelet stilistikore folkloike, duke përfshirë edhe metrikën folklorike.

Ka të dhëna që ka lënë piktura dhe po ashtu qe arkitekti i njërës prej kishave të Shkodrës. Ka botuar 9 tekste dramatike.

VEPRA TË SHKRUARA
  • Anzat e Parnasit, satirë, Sarajevë 1907;
  • Pika voese, më vonë ribotuar si Vallja e Parrizit, Zarë 1909;
  • Shqyptari i gjytetnuem, melodramë, 1911;
  • Shqyptarja e gjytetnueme, melodramë;
  • Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t, 1912;
  • Juda Makabé, tragjedi, 1914;
  • Gomari i Babatasit, Shkodër 1923;
  • Mrizi i Zânavet, Shkodër 1924;
  • Sh. Luigji Gonzaga, Shkodër 1927;
  • Lahuta e Malcís, botimi i plotë, 1937;
  • Jerina ase mbretnesha e luleve, Shkodër, 1941.

2 thoughts on “GJERGJ FISHTA – KUVENDI I BERLINIT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!