AGRON TUFA – ZËRI (poezi)
AGRON TUFA
ZËRI
Koha e mahnisë mbaroi…
dhe flaka që digjet, nuk djeg.
Ashtu dhe fjala prej shapit të shpirtit –
flegrin e digjet, po askënd nuk prek.
Metaforat në trumba i pushtuan degët;
ato mes flakësh shkërbejnë mëllenja.
Afrohu dhe preki: ato janë të gjalla,
të gatshme të zbrazin qindra rrëfenja.
Koha e mahnisë mbaroi.
Ç’ka ndodhur me ty, Moisi?
Mos zëri i Hyjit s’të hyn më në punë?
Shpërfillja avitet. Imzot, ku je Ti?
Mes zërave të turmës?
Zëri në tribunë?
Jehonë liderësh që sheshi përsëdyt?
Zëri në ëndërr që zgjon në mesnatë?
Je zëri që cyt a zëri që mbyt
vullnetet e tredhura në negociatë?
Rrotullohen stinët llampadarë ciklikë…
dhe koha hedh valle me diej e hëna.
Të tëra janë thënë. Nuk ka pos muzikë:
tatuazh pikëllimi,
të vërteta të ngrëna.
Ku ma gjen shkretëtirën…! Oaze të rinj
vërvisin ventuzat nga skaji në skaj.
“Një rrjet na bashkon”.
Është rrjeti malinj…
S’ia vlen më të ngjitesh prapë në Sinai.
Prishtinë, 29. 05. 2018
Biografi e shkurtër e autorit
Agron Tufa u lind në 1 prill 1967. Pas studimeve për Gjuhë-Letërsi në Tiranë, ai mbaroi studimet në Institutin Gorkij të Moskës. Më pas vazhdoi studimet pasdiplomike për Filozofi arti dhe Përkthimi në Institutin e Kulturave Europiane, po në Moskë.
Përgjatë më shumë se 20 vjetëve krijimtari, ka botuar vëllime poezish: Aty te portat Skee, Rrethinat e Atlantidës, Avangardë engjëjsh, Fryma mbi ujëra, Gjurma në rrjedhë; romane: Dueli, Fabula rasa, Mërkuna e zezë, Tenxherja, Gurit të varrit ia rrëfej; ese: Janusi qindfytyrësh, Kuja e Mnemozinës etj.; libër me miniatura: Thembra e akcilit, si dhe ka përkthyer poetët dhe shkrimtarët më të mirë rusë në shqip: Osip Mandelshtam, Josif Brodskij, Olga Sjedakova, Boris Pasternak, Andrej Pllatonov, Danjill Harms, Jurij Llotman, Vladimir Prop, Tolstoj etj.
Ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare – Penda e Argjendtë për romanin më të mirë (Fabula rasa). Në 2009 fitoi Çmimin e Madh Letrar (kombëtar).
Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, rumanisht, polonisht, sllovenisht etj.