RUDIAN ZEKTHI – NGADALËSIM

RUDIAN ZEKTHI – NGADALËSIM
RUDIAN ZEKTHI

NGADALËSIM

Kisha humbur dhe s’më gjente dot
Asnjeri. Kurse vetë çuditesha si qenkam njësoj
Siç isha pas njëzet vjetësh.
E nisa për në varreza si çdo mëngjes
Shpjegonte mësimin ime ëmë, veç mëngjes si ky
S’më kishin zënë sytë, i plasaritur
Si puthjet e babait të tij. Dritëshkurtri
Dritëshkurtër mbetet, humb, ta dija kaq idiot
S’ia kisha bërë kokën fare.
Peisazhi i ri ku u arratisa ishte një mur
Ndërmarrjeje, një arë e lindur për t’u mbjellë
Me misër dhe shtëpia e një shoku
Të krupierit të vendbanimit. Flisja me vete
Shpesh se nuk isha vërtet idiot, por bota
Atë punë ka të shpifë, ndonjëherë të bëjë
Sikur s’më gjen. Po unë s’e kam për herë të parë
Që humb moj nënë pra që më duket
Se unë me përparësen e bardhë jam gogoli
I vendlindjes tënde ndërsa rreptësia e kodrave
Më duket mjaltë e helikopter. Eja të kërkojmë
Së bashku se këtu rrotull duhet t’kem humbur
Ti e di reumatizmën që m’ëmbëlson gjunjët
Ke ngrohur shumë tjegulla për t’poshtëruar dhimbjet.
O Zot, pse na nxore në këtë botë për të vuajtur
Kam humbur pikërisht kur përvëlohesha nga dashuria
Për vajzën të gjatë një metër të doktorit
Me të cilin bën dashuri krupieri. Dashuroj
Si i çmendur edhe atë rosën me këpucë të vjetra.
Për mua thonë se jam i ngathët po ç’të bëj
Kur shkrimtarët më duken si shokët dhe unë
Shokë shoh përditë dhe dot s’i takoj sytë
Me edukatoren kur personaliteti im ka dëgjuar
Se ajo ha-ra-go-pet me jetimin
Me flokë si qime miu që banon përbri nesh.
Më kërkonin edhe andej nga thoshin se rrinin
Si në pulari melekët, edhe aty ku kishin
Korrur grurë me djersë të verdhë,
brenda në kanalin e varfër.
Kurse unë jam kaq afër, në juglindje të filozofisë,
Aty ku do t’ishte vendi më i mirë
Për të nderë rrobat, po të kishit pak tru.
Ishte i bukur shumë si dash me qershi
Po thonë këto gratë që s’e dinë as vetë
Pse jam i shëmtuar. S’patëm faj thonë
Atë e tërhiqnin më shumë derrat se recitimet,
Mjafton, eja më gjeni shpejt, dua të ha
Dhe babai s’bën mirë që më kërkon më me zell
Se krupieri, do t’ju ndihmojë drejtpërdrejt
Me gjithë ndikimin tim; po ta kaloj natën këtu
Do më shqyejnë bretkosat dhe misrat;
Reumatizma do fluturojë së bashku me shpirtin
E do t’ju torturojë
Duke zënë vend në fotografitë e mia.

Ngadalësim

Dy fjalë për autorin*

Rudian Zekthi u lind më 1970 në qytetin e Elbasanit. Studioi dhe u diplomua për gjuhë dhe letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë (UT). Ka studiuar edhe në Institutin e Letërsisë “A. M. Gorki” Moskë (1994-1995). Aktualisht është pedagog i Letërsisë së Huaj të shekullit XX në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan. Botimet e para të cikleve me poezi të Rudian Zekthit lidhen me gazetën “Zëri i Rinisë” (1990; 1994) e kryesisht me grupin e poetëve të mbledhur rreth gazetës “E për-7-shme”, shpirti frymëzues i të cilëve ishte. Është bashkëautor i antologjisë së këtij grupi “O moj Shqipni dhe lirika të tjera”. Ka botuar vëllimet: “Poezi” (Elbasan 1990) dhe “Poezi” (SH.B “Marin Barleti” 1995). Ka fituar disa çmime të para poetike në konkurse kombëtare. Lëvron dhe gjininë e prozës së shkurtër, eseut filozofiko-kulturologjik dhe studimeve mbi aspekte të përvojës së postmodernit.

* Teksti me natyrë biografike është marrë nga linku http://terziu.blogspot.com/2008/04/poezia-e-rudian-zekthit.html

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!